Mendime
Adil Fetahu: Serbët luajne me pensionistët e Kosovës
E shtune, 20.06.2015, 08:31 PM
GJYKATAT SERBE
Nga Adil FETAHU
Pas publikimit të një aktgjykimi të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, me të cilin ishte obliguar shteti i Serbisë për t’ua paguar pensionin invalidor qiftit Grudiq, nga Mitrovica, me vendbanim në Novi Pazar, për tërë periudhën që ua kishte ndërprerë pagesën, dhe për të vazhduar më tutje pagesën e pensioneve (aktgjykimi nr.31925/08, datë 17 prill 2012), Qeveria e Serbisë ndërmori veprimet në stilin e saj, për të manipuluar jo vetëm me pensionistët e Kosovës, por edhe me Gjykatën e Strasburgut. Në një pikë të dispozitivit të aktgjykimit të Gjykatës së Strasburgut (pika “g”), ishte caktuar se “Shteti i paditur (dmth.Serbia, nënvizimi im,) është i detyruar që në afat prej gjashtë muajve prej ditës kur ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm, në pajtim me nenin 44 paragrafi 2 të Konventës, të ndërmerr masa adekuate për të siguruar që organet kompetente serbe të zbatojnë ligjet relevante në mënyrë që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe pagesat e tjera që janë në pyetje, me ç’rast nënkuptohet se lidhur me këtë mund të paraqitën procedura administrative ose faktike të kuptueshme për t’i verifikuar”.
Duke reaguar ndaj aktgjykimit të cituar të Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë (më 12 shkurt 2013) miratoi “Planin aksionar për zgjidhjen e problemit të pensioneve në territorin e Kosovës e Metohisë”. Në pajtim me atë Plan, Fondi Republikan për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Serbisë, më 20 shkurt 2013 publikoi në faqen e vet zyrtare (ueb-sajt), “Lajmërim për shfrytëzuesit e pensioneve nga rajoni i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë”. Në atë lajmërim, të botuar vetëm në gjuhën serbe, ishte caktuar afati (60 ditë) dhe cilat dokumente e çfarë prova duhet t’i bashkëngjitën kërkesës, në formularët e bashkangjitur lajmërimit, për vazhdimin e pagesës së pensionit. Natyrisht, të gjitha ato dokumente e prova duhej të ishin të lëshuara e vërtetuara në pajtim me legjislacionin e Republikës së Serbisë.
Pas atij lajmërimi, shumë pensionistë nga Kosova, paraqitën kërkesat e tyre për vazhdimin e pagesës së pensioneve prej datës kur u ishte ndërprerë pagesa. Mjetet e informimit jepnin shifra të ndryshme të kërkesave të paraqitura (prej 8500 deri 13000). Por, pas shqyrtimit të kërkesave, shërbimet profesionale të Fondit kishin konstatuar se një numër i vogël i kërkesave ishin të kompletuara, dhe se kishin vështirësi të komunikonin me pretendentët për t’i plotësuar dokumentet. Sidoqoftë, për ata që i kishin kompletuar dokumentet siç kërkohej me lajmërim, Fondi i SPI filloi t’ua dërgojë aktvendimet, me të cilat pothuajse të gjithëve u refuzoheshin kërkesat, me arsyetim se po marrin pensione nga “UNMIK-u”. Disa pensionistë më këmbëngulës, qoftë vet apo përmes avokatëve, bënë ankesa kundër aktvendimeve të shkallës së parë në procedurën administrative të Fondit. Shkalla e dytë kryesisht i refuzoi ankesat si të pabaza dhe i vërtetoi vendimet e shkallës së parë, me të njëjtin arsyetim: “Se nuk mund të marrin dy pensione në Republikën e Serbisë” (ata Kosovën e trajtojnë si krahinë autonome në përbërje të Serbisë, sepse akoma janë në shekullin e kaluar!).
Ata pensionistë që kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative të Serbisë, tash po marrin aktgjykime, me të cilat miratohen paditë, po anulohen aktvendimet e Fondit Republikan të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, dhe lëndët po u kthehen organeve kompetente të Fondit për rishqyrtim e rivendosje. Arsyeja kryesore e pranimit të padive dhe anulimit të aktvendimeve të Fondit janë të natyrës procedurale-juridike, e jo ato esenciale – të drejtës së pensionit si e drejtë e pronës së pensionistëve, siç e ka vlerësuar e thënë Gjykata e Strasburgut, duke u mbështetur në Protokollin 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ja një shembull konkret. Me aktgjykimin e Gjykatës Administrative të Serbisë – Dega në Nish (II-1 U.13110/14, dt.29.01.2015), sipas padisë së pensionistit Shaban Kryeziu nga Rahoveci, është miratuar padia, janë anuluar aktvendimet e Fondit Republikan të SPI – Drejtori në Beograd (...) dhe lënda i kthehet organit kompetent në rivendosje.
Esenca përse është miratuar padia dhe përse lënda është kthye në rivendosje, konsiston në atë se organet e Fondit nuk paskan vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të plotë. Sipas Gjykatës, organet e Fondit është dashur ta vërtetojnë gjendjen faktike e të vendosin për periudhën prej kohës së ndërprerjes së pagesës së pensionit nga Fondi, e deri në kohën kur paditësi ka filluar të merr “pensionin” sipas Rregullores (së UNMIK-ut) Nr.2001/35. Gjykata ka vlerësuar se, duke mos e vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të plotë, duke mos vendosur për tërë periudhën e kërkesës, dhe duke mos dhënë arsyetime për atë periudhë, organet e Fondit kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të Ligjit mbi Procedurën e Përgjithshme Administrative (të Serbisë; neni 199.par.2). Kjo nënkupton, se Gjykata e ka pranuar arsyetimin e organeve politike dhe të Fondit, se ata që marrin “pension” nga buxheti i Kosovës, nuk mund të marrin pensione edhe nga Fondi i Serbisë. Nga ai Fond mund të marrin pensionin, eventualisht, vetëm për periudhën prej kur u është ndërprerë pagesa nga ai Fond, e deri ditën kur kanë marrë “pensionin” nga buxheti i Kosovës, eventualisht me kamatë. Dhe asgjë më tepër.
Aktgjykimi i analizuar më sipër, dhe aktgjykimet e tjera me këtë arsyetim, jo vetëm se janë të padrejta, se janë gjysmë-politike, por në njëfar mënyre janë në kundërshtim me një qëndrim juridik dhe arsyetim të vet asaj Gjykate. Në të vërtetë, e njëjta Gjykatë, në aktgjykimin U.nr.19403/2010, dt.25.06.2010) ka marrë qëndrim-sentencë, se “E drejta e pensionit, e caktuar me aktvendim të plotfuqishëm të organit kompetent, mund të ndërpritet vetëm nëse gjatë shfrytëzimit pushojnë së ekzistuari kushtet për fitimin dhe realizimin e kësaj të drejte”. Në arsyetimin e atij aktgjykimi është thënë se “Organi i paditur në arsyetimin e aktvendimit nuk ka treguar se në bazë të cilave dispozita është ngritur procedura, dhe në bazë të cilave dispozita janë krijuar kushtet për ndërprerjen e përkohshme të pagesës së pensionit të pleqërisë, por është thirrur në pikën 6 të Vendimit mbi mënyrën e përkohshme të realizimit të së drejtës nga sigurimi pensional dhe invalidor të personave të siguruar nga territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, nr.181-676/99, dt.19.08.1999, pa treguar se kush e ka marrë dhe ku është publikua ati vendim”.
Organet e Fondit SPI të Serbisë ndërprerjen e pagesës së pensioneve fillimisht e arsyetonin me pamundësinë e mbledhjes së kontributeve në Kosovë. Kur këtë arsyetim e hudhi si të pa bazë ligjore vet Gjykata Supreme e Serbisë, dhe Gjykata e Strasburgut, tash këtë ndërprerje po e “arsyetojnë” me pamundësinë e marrjes së dy pensioneve “në Republikën e Serbisë”. Lere se Kosovën e trajtojnë pjesë të Serbisë, sipas preambulës së Kushtetutës së Koshtunicës, veçse nuk marrin parasysh se këto paga që merrën nga buxheti i Kosovës, nuk janë pensione, por është një skemë e përkrahjes materiale qytetarëve të Kosovës, të moshës së caktuar, e cila ka filluar me 28 euro në muaj, për të siguruar ekzistencën minimale biologjike (2100 kalori ushqimi në ditë!). As fakti se prej vitit 2012 është bërë njëfar dallimi, nga 65 euro linearisht për të gjithë ata që kanë mbi 15 vjet stazh pune, këtyre pagesave nuk u jep karakter pensioni. Sepse, pensioni nuk mund të jetë si për 15, si për 40 vjet stazh pune e pagesa të kontributeve, varësisht nga pagat që kanë pasur pensionistët e tashëm. Madje, pensionistët serbë e marrin pa kurrëfar pengese pensionin nga Fondi i Serbisë, si dhe këtë “pension” nga buxheti i Kosovës. Fondi ka lëshuar një tullumbaçe për të manipuluar edhe me një marifet tjetër: “Zgjedhni, cilin pension do ta merrni, nga Fondi i Serbisë, apo nga buxheti i Kosovës”!
Ndërprerja e pagesës së pensioneve pensionistëve të Kosovës, kryesisht shqiptarëve, pa zhvilluar kurrëfar procedure për shkaqet e ndërprerjes, jo vetëm se është formë e diskriminimit në baza nacionale, veçse është e kundërligjshme, jomorale dhe shkelë të drejtën e njeriut dhe të drejtën e pronës, të garantuara e të mbrojtura me ligjet nacionale dhe ato ndërkombëtare. Pensionet nuk janë mjete buxheti, por kontribute të grumbulluara vite me radhë. Pensionistët nuk janë parazit të cilët duhet t’i mbajë dikush, por përkundrazi, ata kanë krijuar bazën për mbajtjen e vetvetes dhe gjithçka që ka ky vend (akoma). Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në praktikën e gjykimeve dhe në disa aktgjykime të veta, shprehimisht ka thënë se e drejta e fituar e pensionit është pronë, në kuptim të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (...), dhe ka konkluduar se ndërprerja e pagesës së pensionit paraqet shkelje të të drejtës së gëzimit të pronës, si një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me Konventë.
Vendimet e organeve të Serbisë, sikurse edhe këto aktgjykime gjyqësore, janë pjesë e strategjisë globale, në funksion të politikës aktuale të Serbisë. Ato nga një anë e zvarrisin punën “ngrih e mos këput”, përmes procedurave të komplikuara administrative e gjyqësore, e nga ana tjetër arsyetohen para faktorit ndërkombëtar, në rastin konkret para Gjykatës së Strasburgut, kinse po i shqyrtojnë një nga një rastet dhe po veprojnë me “drejtësi”. Efekti i kësaj drejtësie për pensionistët e Kosovës është kurrëfare, ose në raste të veçanta – minimale. E gjithë kjo është një lojë politike e Serbisë.