Mendime
Dukagjin Hata: Psikozat e sëmura kolektive
E marte, 16.06.2015, 07:46 PM
Psikozat e sëmura kolektive, si
sfidë ndaj progresit shoqëror
Nga Dukagjin Hata
Shqiptarët në trojet e tyre etnike, në një territor të ndarë me kufij artificialë, vazhdojnë të vuajnë pasojat e një psikoze kanunore të sëmurë, ku janë përzier jo vetëm dyer e fise, por dhe segmente të politikës dhe njerëz të veshur me pushtet. Aq e vërtetë është kjo saqë në këtë hapësirë të Ballkanit ora ka mbetur në vitet ’20, kur fryma e dyerve, fiseve dhe trevave sillte përçarje e ndasi e për pasojë dhe konflikte, hakmarrje e gjakmarrje.
Sot ndodhin shumë ngjarje të rënda në Shqipëri, bëhen vrasje, rrëmbime personi, përdhunim femrash e trafik qeniesh njerëzore në emër të Kanunit, duke bërë që “burrat e dhehut”, burra me mustaqe e me peshë fjale në kuvendin e maleve të përfshihen në këto histori killerësh e gringosh të pacipë. E gjithë kjo selitet me tone emfatike si “burrëri”, kur dihet se vetëm burrëri këtu nuk ka dhe se më së miri e gjithë kjo mund të quhet “këllirë”, këllirë nga ajo që ndyn gjithkënd jo vetëm që e ushtron si “zeje” keqbërje, por dhe gjithëkënd që tenton të ndërtojë alibitë e saj.
Politika ose hesht ose bën me stilin e një retorike të dalë boje alibinë e krimit dhe kjo është shumë e rëndë, kjo është të ndihesh I tradhëtuar nga ata që duhet të ishin modeli I të drejtës, ata që duhet ta çonin këtë model në çdo cep të shqiptarisë, për hir të brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Një vajzë e vogël zhduket para disa vitesh në një fshat të largët të Kukësit dhe historia është tjerrë nga pista nga më të ndryshme, nga trafikimi tek zeje të tjera të botës së krimit, janë lakuar emra tutorësh e politikanësh, por për fatin e vogëlushes nuk dihet ende asgjë dhe askush nuk heton ende, që kjo histori e rëndë të zbardhet dhe e vërteta të gjejë vetveten.
Zbulimi i femrës ndaj këtij dimensioni kaq kërcënues, siç është Kanuni dhe aq më shumë një Kanun i keqkuptuar dhe i keqpërdorur, përbën një faqe të trishtë e delikate në përditshmërinë e këtyre trevave, sa të varfëra, aq dhe të vetërrethuara me delikte kriminale. Sipas një studimi të një organizate joqeveritare për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, vetëm në trevën e Mirditës janë mbi dyqind gra e fëmijë të ngujuar, pa përkujdesje, për shkak se meshkujt e familjeve janë larguar dhe ato gjenden nën kërcënimin me jetë të gjakësve.
Kjo tablo e trishtë, tregon se shteti, me strukturat e tij lokale e qendrore, kanë falimentuar përballë gjakmarrjes, kësaj plage të rëndë, të mahisur gjatë këtij tranzicionit unikal, ku dhe Kanuni, si shumica e aspekteve të jetës sonë, ka pësuar devijime, duke u bërë, për fat të keq, një mburojë në duart e botës së krimit.
Aktualisht, Kanuni jo vetëm është bërë një pengesë për shkuarjen në mënyrë të plotë të ligjit dhe të së drejtës te disa treva të vendit tonë, por, akoma më tepër, devijimi i tij është kthyer në një alibi të botës së krimit dhe mafias.
Aktualisht, në pjesët ku akoma vazhdon të aplikohet Kanuni (një fatkeqësi e vërtetë, ku ende ekzistojnë bastionet e tij të palëkundura), aplikohet një Kanun i sajuar nga përzierja e fantazive të sëmura kriminale me përllogaritjet logaritmike të mendjeve të ftohta, që kërkojnë ta përdorin Kanunin e shqiptarëve si “lëndë të parë” për të gatuar “bukën” e përgjakur të krimit dhe të historive kriminale.
Sot në shoqërinë shqiptare, në disa treva, shteti është gjunjëzuar përballë akteve makabre dhe të paprecedentë të gjakmarrjes dhe hakmarrjes.
Shoqëria shqiptare, përveç Kanunit si një arketip frenues për konsolidimin e institucioneve të së drejtës, duhet të përballojë edhe devijimin e tij, pra përdorimin e tij nga grupet kriminale dhe bandat në historitë e pafundme që prodhon makina gjigante e krimit të organizuar dhe mafias në këtë vend.
Dhuna, vetëgjyqësia, për më tepër hakmarrja primitive dhe krimi patologjik, janë të huaja për psikologjinë shqiptare dhe nuk pajtohen me shtetin ligjor të së drejtës që duam të ndërtojmë dhe për të cilin bëjmë aq shumë zhurmë tash sa vjet. Parimet demokratike, parimet morale të shoqërisë dhe parmet ligjore duhet të jenë në unison për të bllokuar këtë dimension të dhunshëm të botës së krimit të të gjithë spektreve, veçanërisht atij të organizuar, në skalionin mbrojtës të të cilit po mban peng Kanunin, arketipin e së drejtës, që ka ardhur koha të jetë vetëm një relike muzeore.
Malësori shqiptar beson me shpirt tek e mira, ka raporte të drejta me anën hyjnore të botës, por shpesh, në shumësinë e gjërave që e rrethojnë, nuk arrin të dallojë instiktet e tij primitive, me reagimin e matur në emër të së drejtës. Hakmarrja nuk është drejtësi, por primitivitet. Drejtësia është harmoni, falje, dashuri.
Kësaj anë të errët të shoqërisë mbarëshqiptare i shtohet ende errësira dhe e keqja, kur në skalionin e kësaj ane vetëvedosen dhe politikanë e njerëz të veshur me pushtet, që veprojnë me psikologji mesjetare dhe primitive, të shtyrë nga hakmarrja dhe egërsia.
Një histori e trishtë dashurie, e përzier me një histori rrëmbimi e tjetërsimi prone, ka bërë që mbi shpatullat e djaloshit 23 vjeçar Jetmir Shefkiu, nga Ferizaj i Kosovës të rëndojë një dramë me disa akte, e cila për fat të keq vazhdon të luhet ende në një teatër absurd konfliktualiteti. Zanafilla e këtij konflikti ka nisur kur familjes së tij i kanë marrë pesë dynim tokë me letra të falsifikuara dhe nga njerëz të veshur me pushtet në Ferizaj. Ndërkohë, Jetmiri është dashuruar me vajzën e një deputeti, dashuri e cila i është refuzuar nga deputeti në fjalë, duke bërë që për pasojë ndaj Jetmirit, të organizohej një ngjarje e dhunshme, në restorant “Lira” në Ferizaj, ku djaloshi është rrahur në mënyrë barbare. Me datë 14 dhjetor 2014, rrëmbyesit e tokës së Jetmirit me letra false, i kanë shkuar atij në shtëpi dhe kanë tentuar ta vrasin, por nuk ia kanë dalë, sepse janë zbuluar nga policia, e cila I ka ndjekur, ndërkohë që keqbërësit janë zhdukur, si gjithmonë, në drejtim të paditur.
Raste të këtij soj ka me qindra në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në gjithë hapësirën natyrale të shqiptarisë, ku presioni i instinkteve të ulëta të llojit vazhjdojnë të predominojnë mbi logjikën racionale të një shoqërie globale, drejt të cilës po shkon bota progresive.
Shoqëria nuk duhet të heshtë, as shteti, as shoqëria civile, as institucionet e së drejtës; të gjithë duhet të bëhen një bllok, për të përballuar këtë dimension të frikshëm, që nuk duhet lejuar të na marrë përpara, me furinë e tij, me agresivitetin që e karakterizon dhe që po vijon të tregojë anën e tij më të errët e më cinike.