E diele, 28.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Mendime

Leon Duhanaj: Gjykata Speciale, produkt vendor

E marte, 23.06.2015, 07:58 PM


Gjykata Speciale, produkt vendor, jo ndërkombëtar!

Nga Leon Duhanaj

Në fund të shekullit XX, shqiptarët u gjenden në orët me të liga të kohës, deri në shkallë gjenocidi, si pasojë e agresionit të paparë serb. Përkundër faktit se shqiptarët iu bashkuan kauzës së luftës për çlirim, ishte e pamjaftueshme mundësia për t’i dalë ballë gjithë asaj makinerie luftarake serbe. Megjithatë, përkundër ofensivës dhe propagandës antishqiptare të Serbisë,rezistenca e popullit dhe përpjekjet kolosale për ta nxjerr të vërtetën në sipërfaqe, mundësuan që ta sensibilizojnë faktorin relevant dhe vendimmarrës ndërkombëtar, në atë masë sa që, pas shpërthimit të luftës, do të alarmohet diplomacia globale për intervenim sa me i shpejtë, për t’i dalë në ndihmë popullatës së pambrojtur.

Bota u nda në dy blloqe, në ata të cilët përkrahnin idenë e ndërhyrjes, dhe në ata që ishin kundër saj, duke u thirrur në parimet e të drejtës ndërkombëtare, mbi sovranitetin shtetëror dhe parimit të mosndërhyrjes i cili buronte që nga paqja e Vestfalisë.

Meqë Kosova nuk posedonte forca të mjaftueshme armatimi për vetëmbrojtje, të cilat do t’i kundërviheshin makinerisë së madhe serbo-jugosllave, SHBA dhe NATO, nën pretekstin e ndërhyrjes humanitare me rezolutat e KS të  OKB-së gjatë vitit 1998 (1160 dhe 1199), në të cilat NATO e ka mbështetur vendimin e saj për gjendjen alarmante, dhe ka justifikuar ndërhyrjen/intervenimin ushtarak humanitar në konfliktin e Kosovës, i cili ka qenë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

E gjithë lufta, qoftë ajo diplomatike, qoftë ushtarake, deri në çlirim, ishte një investim marramendës i shteteve mike, SHBA dhe të Evropës, të cilat rriten entuziazmin e popullatës shqiptare dhe besimin e madh për çlirim definitiv.

Për herë të parë bota ishte e informuar drejtë mbi shqiptarët. Propaganda serbe tashmë ishte mposhtur,po mposhtej edhe makineria ushtarake e saj, gjithnjë falë sakrificës së shqiptarëve dhe mbështetjes së miqve ndërkombëtar.

Si u gjet Kosova menjëherë pas luftës?

Kosova, nga një pushtim klasik, u zaptua si plaçkë lufte nga struktura të caktuara individësh, që thirreshin në emër të UÇK-së, të cilat jo vetëm degraduan dhe komprometuan emblemën e shenjtë të UÇK-së, por edhe i shkaktuan dëme të pariparueshme ekonomisë dhe imazhit të Kosovës.

Komandantë të shumtë, u bënë të paprekshëm. Në vend se të tregoheshin të dinjitetshëm, dhe të jepnin shembullin e urtësisë, ruajtjes së rendit dhe pastërtisë së luftës çlirimtare, ata nuk i përkuleshin vlerave morale të shoqërisë, u bënë vetë kërcënuesit dhe uzurpatorët kryesorë të pasurive të vendit gjithandej. Përkundër faktit se bota bënte thirrje për respektimin dhe zbatimin e ligjshmërisë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, Kosova nuk tregoi gatishmëri për t’u dëshmuar në këtë drejtim, përkundrazi.

Në këtë kontekst, p.sh. Kroacia, kur iu vunë kërkesat për t’i plotësuar kushtet e përcaktuara të zbatimit të ligjit ndërkombëtar, u tregua e gatshme që, për të mirën e vendit, t’i dorëzoj heronjtë e tyre të gjallë në Gjykatën e Hagës.

Kosova po ashtu ka meritat e saj në këtë drejtim, falë shembullit të z. Ramush Haradinaj, i cili për t’i hapur rrugë provës së drejtësisë, dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit, dhe në kulmin e dinamikës së punëve dhe dëshmimit,vullnetarisht iu dorëzua drejtësisë ndërkombëtare. Gjykata në fund e shpalli të pafajshëm, duke e liruar nga të gjitha akuzat, dhe nuk dolën të vërteta as supozimet, as konspiracionet për njollosjen e UÇK-së, megjithëse personalisht përjetoi vite të tëra burgu, pa farë kompensimi për dëmshpërblim për pafajësi. Z. Ramush Haradinaj, duke mos hezituar për t’iu dorëzuar gjyqit ndërkombëtar, si komandant i shquar dhe meritor i UÇK-së, dëshmoi kurajë e përgjegjësi edhe para faktorit ndërkombëtar. Pse këtë shembull nuk e ndoqën të tjerë, por alarmohen si të paprekshëm?!Pse tash ka aq shumë hezitim për t’u përballur me drejtësinë?Pse tash po paragjykohet drejtësia ndërkombëtare? Pse nuk po i besohet ma partnerëve ndërkombëtar, siç janë SHBA e shtete të BE, të cilat investuan aq shume për çlirimin tonë? A po mendohet se miqtë tanë investuan aq shume në ne për ta shkatërruar vetë atë investim?A po mendohet se bota e civilizuar nuk ka dëshirë ta mbrojë kauzën mbi të cilën u bombardua një shtet sovran?

Si do ta fitojmë paqen, si do ta rindërtojmë vendin?

Përkujtojmë fillimisht fjalët e famshme udhëzuese të Presidentit Clinton, gjatë vizitës së tij në Kosovë, kur ndër të tjera tha “e fituam luftën, tani ju duhet ta fitoni paqen”. Pos tjerash, presidenti Clinton në takim me qytetarët e Kosovës kishte potencuar se e drejtë për vetëvendosje u takon të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë. Prandaj, nuk kishte nevojë që ky parim të përdhosej, të deformohej e degradohej me protesta të dhunshme rrugëve të Prishtinës, po të afirmohej me kulturë e dinjitet, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, në radhë të parë mbështetësin kryesor, SHBA-në, dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare të cilat e kanë parapa këtë të drejtë. Një lëvizje e tillë i duhej Kosovës, duke qenë pozitive në raport me brenda e jashtë, por edhe me kulturë kritike kundër të keqes që po merrte hov menjëherë pas luftës ndaj pasurive të Kosovës, nga keqbërësit e vendit.

Paqja, kjo fjalë dhe sfidë e madhe të cilën nuk arritëm ta fitojmë! Vetëvendosje, kjo e drejtë historike e popullit tonë, të cilën nuk arritëm ta afirmojmë!Pse vallë nuk ja dolëm ta menaxhojmë vetëvendosjen si koncept?! Sepse u shpallën liderë e udhëheqje individë që nuk mund ta menaxhojnë egon e tyre, e cila triumfoi përballë interesit për zbatimin e kësaj të drejte, me frymën dhe logjikën negative të konstatimeve dhe konfrontimeve. Prandaj kjo e drejtë u prolongua, e keqja nuk u parandalua, por u ushqye në emër të luftës kundër saj.

Pse vallë nuk ja dolëm ta menaxhojmë lirinë e fituar me aq shumë sakrifica!? Apo pse thjesht ka qenë koncept dhe ndjenjë ende e panjohur për ne, si rezultat i robërisë shekullore? Por a pse duhet të arsyetohet kjo? Nëse diku do të dështonim për mosdije, nuk arsyetohet mosgatishmëria për t’u dëshmuar për ndërtimin e paqes dhe rindërtimin e vendit.

Pse Kosova nuk e bëri një vet një gjykate për krime lufte, siç e ka madje edhe vet Serbia?

Kjo është pyetja, sepse ne nuk kemi ende kurajë, as si shtet as si qytetarë, për tu marrë e përballë me këtë çështje, me luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë. Kosova nuk ka asnjë prokuror që guxon të hapë procedura ndjekje ndaj ish-komandanteve të inkriminuar, veçantë atyre pas luftës. Kosova nuk e ka asnjë gjyqtar që guxon të marrë vendim për të dënuar ndonjërin nga ish- komandantët e inkriminuar të UÇK. Çka është edhe më keq, Kosova nuk dha dëshmi se ka komandantë të cilët janë të gatshëm që vullnetarisht, për hir të Kosovës, t’i nënshtrohen rregullave dhe ligjit. Kosova nuk ka as aftësi e as gatishmëri t’i mbroj dëshmitarët, Kosova nuk ka treguar vullnet në asnjë segment të drejtësisë, për ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Prandaj, jo ndërkombëtarët, por vendorët, janë fajtorë për këtë, dhe duhet njëherë e mirë t’i largojmë nga koka praktikat, që fajin për dështimet tona, t’ia atribuojmë dikujt tjetër, apo thjesht jashtë vendit.

Hipokrizi dhe demagogji e llojit të vet, janë retorikat për mbrojtje të sovranitetit, pikërisht nga ata që, nuk e respektojnë simbolikën e arrirë të shtetësisë së Kosovës, ndërsa i shfrytëzojnë privilegjet dhe pagat e majme në emër të kësaj shtetësie e simbolike. Si do të arrihet sovraniteti i plotë, pa i respektuar referencat e arrira falë sakrificave të popullit dhe mbështetjes së faktorit ndërkombëtar. Këtu mund t’u shtrohet pyetja; kush është përgjegjës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës? A janë forcat e NATO-s, të cilat operojnë    kuadër te KFOR-it? Për cilin sovranitet flasim ne?

Prandaj, Gjykata speciale do të formohet:

Sepse është produkt i sjelljeve korruptive dhe politikave vendore, tani kundërshtimi është demagogji dhe hipokrizi.

Sepse sistemi gjyqësor i Kosovës është i dështuar në të gjitha nivelet.

Sepse shkaktarë janë qoftë kundërshtarët, qoftë demagogët e formimit në pushtet, që supozojnë të shpëtojnë nga përgjegjësia.

Sepse alternativa e saj është nga OKB dhe Rusia.

Sepse sovraniteti, edhe ashtu jo i plotë, nuk forcohet me politika komprometuese.

Sepse në krah të luftës së drejtë çlirimtare ka qenë NATO, prandaj ideja e shkeljes së vlerave të UÇK përmes kësaj gjykate është absurde.

Sepse në emër të luftës çlirimtare nuk mund të rehabilitohen zullumqarët e Kosovës, po vetëm sa dëmtohen edhe më shumë vlerat e luftës çlirimtare, nëse mbrohen të tillët.

Sepse Kosova po shkon drejte shpalljes si shtet jofunksional, si pasoj e dështimit të vazhdueshëm si shoqëri.

Pse pra po u rrezikuaka lufta çlirimtare e Kosovës, dhe vlera e UÇK nga Gjykata speciale?

Asnjë gjykatë nuk mund t’i shkelë vlerat e luftës çlirimtare të popullit tonë, të UÇK-së si Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Asnjë gjykatë nuk mund t’i shkelë vlerat e UÇK-së, sepse do t’i shkelte vlerat e NATO-s, e cila ka bashkëpunuar me UÇK-në, dhe ka intervenuar si aleate dhe çlirimtare vendimtare e Kosovës.

Pra, ata që e mohojnë këtë janë shkaktarët e krijimit të kësaj gjykate, kanë frikë për veten e tyre jo për vlerat që i kanë shkelur në të cilat thirren me demagogji.

Ku ishin politikanët tanë dhe partitë politike, që për 16 vjet nuk e krijuan vetë gjykatën për të dalluar e gjykuar të keqen e Kosovës.

Normalisht, që nëse ka shkelje të  rregullave të  luftës do të duhej të gjykoheshin para gjyqit të popullit, dhe kur shkelësit e vlerave tua kombëtare nuk i gjykon gjykata e vendit, i gjykon drejtësia e botës.

Cilën gjykatë pra preferojnë kundërshtarët e gjykatës speciale? Gjykatën e tyre personale, me gjyqtarë nën urdhërat e tyre? Si mendojnë për këtë qytetarët e nëpërkëmbur të Kosovës? Kush e mbolli krimin dhe korrupsionin në Kosovë? Kush e degradoi shtetin dhe sovranitetin e Kosovës në të vërtetë? Kush po preferon tani heqjen edhe të këtij sovraniteti të cunguar, me sforcimin e rezolutave si ajo 1244 e KS të OKB, sipas rekomandimeve të Rusisë? Cilën gjykatë e zgjedhin? Cila është alternativa e gjykatës speciale?

Ata që janë me ndërgjegje të pastër, nuk kanë pse t’i frikohen gjykatave speciale, vendore apo të huaja, sepse pastërtinë e luftës çlirimtare nuk mund ta gjykojë asnjë gjykatë e drejtë, por vetëm ta konfirmojë. Individët e caktuar zullumqarë, i kanë hallet e veta, “nëse e kanë mizën ndër kapuç” si thotë populli, e thirren në emër të vlerave të luftës, të cilat i kanë shkelë këmbë e duar. Gjendja e mjerë e shumicës së luftëtarëve të lirisë e dëshmon këtë.

Pse kështu? Sepse Kosova që nga paslufta nuk është qeverisur nga politikanë që prioritet e kanë shtetin, zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e vlerave. Kësisoj, Kosova po përjeton imazh të keq para botës, dhe bota e përparuar nuk toleron pafundësisht vende që sundohen nga krimi i organizuar në maje të pushtetit. Prandaj, vetë i japim arsye ndërhyrjeve nga faktori ndërkombëtar, siç është kjo për gjykatë speciale.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora