Mendime
Arben Idrizi: Mbi tolerancën ndërfetare
E hene, 22.06.2015, 06:44 PM
Mbi tolerancën ndërfetare
Sado që duket të jetë një veprim qyqar, i bërë në terr, duke e fshehur identitetin, sado që bën të kuptohet se ende kanë frikë të dalin hapur, është vetëm një tregues se në të vërtetë urrejtja e tyre ndërfetare dhe vendosmëria për të mos e toleruar “tjetrin” është tepër e fuqishme brenda tyre. Të mos e injorojmë: nesër do të dalin publikisht që ç’ke me të, nesër do të bëjnë gjëra edhe më të tmerrshme
Nga Arben Idrizi
E çuditshme ose e natyrshme, një shoqëri lëviz në kohë nga njëri ekstrem në tjetrin. Ose, ndoshta, një vetëmashtrim a thjesht injorancë ka bërë që në opionin e përgjithshëm të ketë një iluzion se shoqëria ishte në njërin ekstrem, kur në të vërtetë ishte në tjetrin. I them këto duke pasur në mendje mitin (a ka një konsensus ta quajmë kështu?) e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare në vend.
Në të vërtetë, te toleranca kam parë prore vetëm një sipërfaqësi. Ose, thënë më qartë, në kohën kur ka mbizëtoruar ndjenja e nacionalizmit (që shoqërinë e ka çuar po ashtu në ekstreme të rrezikshme) toelranca ndërfetare ka qenë më e mundshme, por jo e vërtetë. Më e mundshme, në kuptimin se religjioni, megjithatë, është vënë në rend të dytë, as pa i lënë mundësi të ecën krah për krah nacionalizmit. Kjo është po ashtu edhe trashëgimi e Rilindjes Kombëtare.
Tani, sidomos pas luftës së fundit në vend dhe forcimit të papritur të religjionit, pranisë së pakontrolluar me vite të organizatave të ndryshme fetare myslimane financuese të kthimit kah feja dhe propagandës fetare, problemi është shtruar në tryezën e të vërtetës: megjithatë, nuk ka tolerancë ndërfetare.
Këtë bindje e kam parashtruar prej vitesh dhe ma përforcon çdo ditë e më tepër prania e lufëtarëve kosovarë në luftërat fetare jashtë vendit si dhe incidentet e herpashershme që ndodhin pikërisht në vendin tonë.
I fundit është ky me rrënimin e murit rrethues të varrezave katolike në fshatin Llapushnik dhe në të vërtetë refuzimin nga ana e bashkëfshatarëve të tyre myslimanë që t’ua lejojnë ta kenë një varrezë të tyre në fshat.
Mundet që as komuniteti katolik te ne nuk është në vetvete tolerant, por ai s’ka në fund të fundit fuqi as nuk ka shfaqur deri më tani ndonjë tendencë ta shprehë dhe jetësojë jotolerancën e vet.
Është komuniteti mysliman, shumicë dërmuese, ai që tani në të vërtetë është jotolerant dhe ka shprehur pothuajse hapur vullnetin ta jetësojë jotolerancën. Prandaj edhe është aq i rrezikshëm i gjithë ky ambient i sapo krijuar.
Dhe, natyrisht, te shumica e tillë, më konkretisht tek institucionet e shumicës së tillë, ka shumë hipokrizi. Zemra e hipokrizisë është Bashkësia Islame e Kosovës, me në krye zotin e hipokrizisë, Naim Trënavën. Ky institucion, që në publik, s’do mend, shfaqet tolerant dhe në favor të bashkëjetesës vëllazore e demokratike mes konfesioneve të ndryshme, në prapaskenë është një vatër e pashuar e nxitjes së urrjetjes ndërfetare dhe fundamentalizmit.
Sidoqoftë, reagimi jonjerëzor i banorëve myslinanë të fshatit Llapushnik është për t’u shqetësuar seriozisht. Sepse nuk është i fundit, nuk është aksidental. Është vetëm njëri prej reagimeve të para që do të pasohen, nëse nuk reagojmë për t’i parandaluar, nga reagime edhe më të ashpra, deri edhe tragjike.
Dhe shihni, sado që duket të jetë një veprim qyqar, i bërë në terr, duke e fshehur identitetin, sado që bën të kuptohet se ende kanë frikë të dalin hapur, është vetëm një tregues se në të vërtetë urrejtja e tyre ndërfetare dhe vendosmëria për të mos e toleruar “tjetrin” është tepër e fuqishme brenda tyre. Të mos e injorojmë: nesër do të dalin publikisht që ç’ke me të, nesër do të bëjnë gjëra edhe më të tmerrshme.
Duhet një reagim shoqëror për t’ua bërë të qartë se një jotolerancë e tillë është në mospajtim me vlerat dhe parimet universale, kah të cilat jami prirur.
http://gazetaexpress.com/oped/mbi-tolerancen-nderfetare-110038/