E merkure, 11.12.2024, 03:33 AM (GMT)

Mendime

Dibran Demaku: Specialja, shpëtim apo vetëvrasje?!

E merkure, 24.06.2015, 06:55 PM


SPECIALJA SHPËTIM APO VETËVRASJE?!

Nga Dibran Demaku

Themelimi i Gjykatës speciale(gjykatë kjo e cila do të mirret me gjykimin e krimeve te supozuara të kryera nga ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës) është politizuar deri në masën ku “Pilafi nuk mban më ujë”!Të dy kampet kundërshtare të politikbërjes në shtetin e Kosovës e që janë Pozita dhe Opozita kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket themelimit të gjykatës në fjalë ( gjykatë kjo e kerkuar dhe e imponuar nga politikbërja e bashkësisë ndërkombëtare).Derisa Pozita, që do të thotë ata që udhëheqin sot me shtetin e Kosovës, del me qëndrimin se:Themelimi i gjykatës në fjalë është në të mirën e shtetit të Kosovës, sepse gjykata në fjalë njëherë e përgjithmonë do ta lirojë shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj nga ca krime të supozuara të kryera nga individ si ish pjesëtarë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Opozita del me qëndrimin  se:themelimi i gjykatës në fjalë do ta kthejë Kosovën në Pikën O?!Për më keq liderë dhe zyrtarë të lartë të partive të sotme opozitare në Kosovë dalin me deklarata e qëndrime se:Gjykata speciale do ta gjykojë tërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj çlirimtare kundër Serbisë?! Që paradoksi të jetë edhe më i madh dhe më befasues liderë dhe zyrtarë të partive të sotme opozitare(përjashto ata të Lëvizjes Vetëvendosje)vetëm një vit më parë jo vetëm që ishin deklaruar në favor të Gjykatës në fjalë, por të njejtit edhe kishin dhënë votën Për në Kuvendin e Kosovës? Një vit më parë ata liderë dhe zyrtarë kishin shpresuar se do të zinin vende ministrash( e njëri prej tyre edhe vendin e Kryeministrit të Kosovës) andaj edhe ishin shprehur në favor të asaj gjykate! Pasi nuk kishin arritur që të fitonin postet e ëndërruara politke kishin ndërruar qëndrim,  ndaj asaj që kishin deklaruar e votuar më parë?! Qëndrimi i tyre i parë nga një sy kritik të bën të mendosh se ata nuk e kanë hallin për pasojat që mund të sjellë gjykata në fjalë për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj, por për vetën e tyre?! Sikur lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.zotëri Ramush Haradinaj të ishte sot në postin e Kryeministrit të Kosovës, jemi të bindur se do të ishte për themelimin e gjykatës në fjalë,  ashtu siç do të ishte Për edhe Donika Kadaj-Bujupi, sikur të ishte në postin e ndonjë ministrije! Por, meqë nuk janë aty ku kanë ëndërruar, ata sot janë kundër, Ramushi me deklarata e Donika me “heroizmin” e saj duke grisur projektrezolutën për themelimin e Gjakatës special?!Për “heroizmin” e Donikës mund të flasin e madje edhe të këndojnë me tel çiftelie simpatizantë injorantëtë partisë së saj, por kurrë simpatizantë që kanë dy kokrra mend të kokë?!

Opozita e sotme në Kosovë vizavi popullit dhe shtetit të Kosovës, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, po mban qëndrim rrënues! Ky qëndrim rrënues i opozites së sotme ngjanë me atë qëndrimin e opozitës së djeshme, e cila vetëm dy ditë pas zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit, në të cilat kishte dalur humbëse kishte formuar Bllokun e saj të njohur, të cilin e kishte ideuar dhe dizajnuar vetë Lideri i AAK-së, zotëri Ramush Haradinaj! Ai edhe e kishte emëruar vetën e tij në postin e Kryeministrit të Kosovës?! Dhe bënte be e rrëfe se nuk do të kishte bir nëne që do ta largonte nga ai post?!Ndërkaq Donika “heroinë“ ngado deklaronte se Lideri i partisë së saj do të ishte gjithësesi Kryeministër i Kosovës?! Për gjashtë muaj me radhë Ramushi duke e ëndërruar veten e vetë si Kryeministër, e kishte mbajtur peng shtetin e Kosovës?! Si pasojë e asaj pengmbajtjeje të shtetit dhe humbjes së besimit të qytetarëve të vendit, do të ndodhte edhe ajo shpërngulja masive e qytetarëve jashtë vendit?!Ishte dashur ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare që Blloku të shpërbëhej dhe Kosova të bëhej me institucionet e veta shtetërore?!

Por, që nga ai moment, nga momenti i humbjes së “postit të ëndërruar të Kryeministrit”, Ramush Haradinaj si liderë dhe zyrtarë të lartë të AAK-së, kishin ndërruar qëndrim duke rrefuzuar çdo gjë që vinte nga Qeveria, e cila nuk ishte më Qeveri e tyre?!Qëndrim të njejtë mban tash edhe ndaj themelimit të Gjykatës speciale?!

Pozita, ata që udhëheqin sot me shtetin e Kosovës thërrasin e deklarojnë se themelimi i Gjykatës speciale nga vetë Kuvendi i Kosovës, sado i dhimbshëm që mund të jetë, është shpëtim për të sotmen dhe të ardhmen e vendit?! Në anën tjetër Opozita, ata që ndodhen sot larg atij pushteti të ëndërruar, thërrasin e deklarojnë se themelimi i Gjykatës speciale është Vetëvrasje për shtetin e Kosovës?! Lind pyetja:Cilës palë t`u besojë qytetari i varfër dhe i politizuar tej mase i Kosovës?! Ai qytetar, që sot i papunë dhe i pa shpresë sillet sot rrugëve e shesheve të Kosovës, duke shpresuar të gjejë ndonjë kothere buke?!Ai qytetar i „bombarduar“ në të gjitha anët nga politika e politikanët e sotëm, milionerë e të papërgjegjshëm të Kosovës, të cilët dijnë të thërrasin e të bërtasin vetëm kur u cënohen sado pak interesat e tyre dhe të cilët interesat e tyre personale i lidhin me interesat e shtetit?!...

Nga hendeku i krijuar politik në mes të Pozitës dhe Opozitës së sotme kosovare, për interesa tërsisht personale, sot e këtu rrezikohet e sotmja dhe e ardhmja e Kosovës?! Mbase këtë hendek politik të krijuar në mes të Pozitës dhe Opozitës të politikës së sotme kosovare do ta zgjidhë politikbërja e bashkësisë ndërkombëtare, që do të thotë politikbërja e sotme amerikane dhe ajo europiane?! Thirrjet e vazhdueshme të ambasadorëve të shteteve mike të vendeve dhe demokracive perendimore mbase do të arrijnë edhe në veshët e Opozitarëve të sotëm kosovarë, por edhe të disa deputetëve të partive të Pozitës, dhe ata të ndërrojnë qëndrim në favor të themelimit të Gjykatës speciale nga Kuvendi i Kosovës?! Nëse vendet mike, ato që na ndihmuan në fitimin dhe konsolidimin e lisisë sonë dhe të vendit tonë, flasin e deklarojnë se themelimi i gjykatës në fjalë nga Kuvendi i Kosovës është në të mirë të së tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë, ne nuk kemi asnjë arsye që mos t`u besojmë?!Vetëm mendjet e sëmuara dhe të paditura mund të mendojnë se ata që investuan aq shumë në lirinë tonë dhe të vendit tonë, tërë atë mund dhe atë investim do ta hedhin në baltë?!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora