E merkure, 11.12.2024, 08:58 AM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Specialja i nxori gjumin Jakup Krasniqit!

E diele, 28.06.2015, 09:46 AM


Specialja i nxori gjumin Jakup Krasniqit!

Shkruan Florim Zeqa

Duke e lexuar një raegim të ish kryeparlamentarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish shefit të grupit parlamentar të PDK-së, zotit Jakup Krasniqi (tani nënkryetar i NISMA) pas raundit të bisedimeve të 23 Qershorit, po citoj; "Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës ti ndërpres sa më parë bisedimet dhe të arrihet një konsensus nacional në shkallë kombëtare, për të dhënë përgjigjen meritore se kur e si të vazhdoheshin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.", më duket reagim sa i vonuar po aq edhe i pasinqertë !

Të kërkosh konsensus kombëtar për normalizimin e mardhënjeve me Serbinë, kur kjo e fundit ka arritur qëllimet e saja ndaj Kosovës, për më tepër i ngjet "shiut pas të vjelave" se sa mundësi për të ndryshuar diçka në këtë drejtim.

Serbia, të "korrat" mbi territorin e Kosovës i ka mbledhur me 19 Prill 2013-të, ndërsa neve në Qershorin e këtij viti na ka mbetë të tubojmë vetëm "kashtën" !

Ish kryeparlamentari i quajti paftyrësi sjelljet grabitëçare të Serbisë ndaj pronave dhe pasurisë publike në Kosovë, duke harruar si historian që është, se apetitet grabitëçare të pushtuesve gjothmonë mbetën të njëjta, nuk ndalen dhe nuk ndryshojnë asnjëherë !

Pafytyrësia është në radhë të parë e atyre që pranuan të ulen në bisedime me xhelatët e popullit të tyre pa kushtëzime serioze dhe të fuqishme, për ta detyruar në radhë të parë Serbinë që të njohë pavarësinë e shtetit tonë,...realitet ky që duhej të ishte pikënisja e çdo lloj bisedimi me pushtuesin verior.

Tek pastaj do të ishte e mundur të parashtrimi i kërkesave dhe detyrimeve obligative ndaj Serbisë, që janë një varg i pafund i përgjegjësive që mbanë shteti serb ndaj Kosovës martire përgjatë një shekulli,...duke filluar nga krimet ekonomike deri të ato gjenocidiale të kryera në luftën e fundit ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare !

Më duket paradoksale të kërkosh nga Brukseli ta detyroj shtetin serb të paguaj dëmet e luftës, kur në bisedimet e Brukselit nuk bëhet fjlaë për luftën por vetëm rrethë një konflikti ndëretnik,...kur gadishmëria e "negociatorëve" të mjerë shqiptar për kompromise me Serbinë është e pafund !

Sigurisht që ka harruar zoti Krasniqi se "dy kryeministrat" siq po i quan Thaçin dhe Mustafën, nuk janë përfaqësues të një shteti të pavarur në bisedime, por vetëm si përfaqësues të një territori etnik,...nuk është se po e themë unë kështu, por është Brukseli me NEUTRALITETIN ndaj statusit të Kosovës që e thotë dhe vërteton këtë realitet të hidhur.

Ajo që thotë Krasniqi, se me 23 qershor kryeministrat kosovar pësuan dëbakël në Bruksel nuk është e vërtetë, ngase debakli dhe kapitullimi poltik ka ndodhur pak më shumë se para dy viteve, përmes marrveshjes fatkeqe të 19 Prillit 2013-s.

Debakël pas debakli, "negociatorët" kosovar e gjymtuan shtetësinë e vendit tonë, e tkurrën dhe cunguan sovranitetin dhe integritetin e shtetit deri në pikën maksimale me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe apo siq e quan (me vonesë) zoti Krasniqi "Republika Serbska" në Kosovë !

E ashtuquajtura Marrëveshje për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi e 19 Prillit 2013-të, në fakt është marrëveshje për normalizimin e Serbisë brenda Kosovës,  për ta bërë Republikën e Kosovës shtet jonormal dhe jofunksional që si qëllim të fundit ka ndarjen përfundimtare.

Pika më kulmore në vargune gjatë prej 15 pikave të marrëveshjes së 19 prillit 2013, është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës, e cila e ndanë në dysh sovranitetin e vendit tonë.

Si duket e këndelli "Specialja" apo i doli pak me vonesë gjumi zotit Jakup Krasniqi,...ose ka "harruar" se kur u ratifikua projektligji për marrëveshjen për "normalizim marrëdhënieve" me Serbinë dy vite më parë, ai ishte kryeparlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me gjasë harresa e tij është e qëllimshme,...dëshiron ta harrojë nga kujtesa edhe atë momentin sa komik po aq të pakëndshëm në parlament,  kur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i pat pamundësuar kryeparlamentarit Krasniqi vazhdimin e seancës, pasi mundohej t'ia rrëmbente mikrofonin personal në ulësen e tij, duke thënë se nuk do të ketë votim për marrveshjen.

Po dëshiron të harroj se ishin të vetmit deputetët dhe aktivistët e Vetëvendosjes që u munduan ta pengojnë ratifikimin e asaj marrveshje (me pasoja afatgjate për vendin) jashtë dhe brenda Kuvendit me protesta të fuqishme, do të thoja titanike.

Dëshiron të harroj faktin se vet ai ishte në mesin e 84 deputetëve që e votuan projektligjin për miratimin e marrveshjes se 19 Prillit mes Thaçit dhe Daçiqit kundrejt tri kundërshtimeve dhe një abstenimi (kur prezentë në sallë  kanë qenë 101 deputetë) .

Po ashtu Krasniqi po harron se atëherë ishte vetëm një kryeministër, jo dy sa janë aktualisht (njëri i emëruar kryediplomat, shef i diplomacisë, ministër i punëve të jashtme, zv. kryeministër me kompetenca fuqiplote të një kryeministri),...dhe se nuk do të mjaftojnë edhe 20 të tjerë për zhbërjen e asaj marrveshje fatale për të ardhmën e Kosovës.

Bisedimet e 23 Qershorit, nuk ishin më shumë dhe as më pak, nuk ishin humbje dhe as fitore e asnjërës palë, përveqse konfirmim dhe mbrojtje e të arriturave të Serbisë nga marrveshja e 19 Prillit të vitit 2013 me palën e atëhershme (tanishme) kosovare në Bruksel.

Rasti i fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës i mosmiratimit të amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale, edhe pse Kosovën e fut në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe komplekse, edhe përkundër trysnisë së madhe ndërkombëtare e dëshmoi për herë të parë sjelljen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran !

E tillë do duhej të ishte dy vite më parë  (në 26 Qershorin e 2013-s), kur u ratifikua marrveshja fatkeqe mes Thaçit e Daçiqit,...mbase ndalja e së keqës atëherë (ndërprerja e bisedimeve me Serbinë), do t'ua ndryshonte rrjedhën e  shumë proceseve politike që po ndodhin sot në Kosovë dhe rrethë saj !

Tani në situatën e krijuar politike, para së gjithash Kosovës i nevojitet një unitet mbrenda forcave politike, një unitet nacional dhe qytetar dhe veprime shumë të matura dhe të vendosura në ecjën e mëtutjeshme për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, me përballjen e sfidave të reja politike  për ruajtjen dhe forcimin e miqësisë me SHBA-të dhe aleatët e saj që ndihmuan në çlirimin dhe krijimin e shtetit tonë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora