E merkure, 04.12.2024, 08:52 PM (GMT)

Mendime

Dibran Demaku: Fluturimi mbi ujin e madh

E enjte, 25.06.2015, 06:33 PM


FLUTURIMI MBI UJIN E MADH

Udhëpërshkrim nga Dibran Demaku

Kohë më parë kur kisha fluturuar nga Hamburgu i Gjermanisë në drejtim të Antalisë së Turqisë (fluturim që do të zgjaste mbi tri orë)fati kishte dashur që afër meje të uleshin një qift gjerman.Derisa gruaja e qiftit ishte shumë e përzemërt dhe gjatë atij fluturimi mbi tre orësh fliste me dashamirësi, burri i qiftit vetëm heshtte.Heshtja e tij më kishte zgjuar kërshërinë dhe në një moment e kisha pyetur gruan se përse i shoqi nuk fliste asnjë fjalë.Ajo duke buzëqeshur më kishte treguar se i shoqi kishte fobi ndaj fluturimit me avion dhe për këtë gjë nuk fliste.Siç mësova nga e shoqja e tij ai kishte filluar heshtjen e tij tri ditë para fluturimit, nga një shqetësim që e përfshinte atë para çdo fluturimi me avion! Vetëm pas aterimit të avionit në aeroportin e Antalias, burri gjerman i qiftit kishte tejkaluar shqetësimin e tij të frikës( që është njerëzore) dhe kishte filluar të fliste i entuziazmuar!

Ime shoqe ashtu si burri gjerman i qiftit ka një lloj fobie para çdo fluturimi me avion!Andaj sa më shumë që afrohet dita e fluturimit ajo bëhet gjithnjë e më e heshtur, ndërkaq në ditën e fluturimit, tek ajo vërehet një lloj shqetësimi, që nuk e lë të ndihet e qetë.Kështu do të ndihej edhe ditën e 31 Majit të këtij Moti, kur do të nisnim fluturimin më të gjatë me avion në jetën tonë.Atë ditë të fundmajit ne do të nisnim fluturimin drejt kontinentit amerikan, fluturim që në gjatësinë e tij kohore do të zgjaste mbi dhjetë orë.Nisja e fluturimit tonë do të bëhej nga aeroporti i Hamburgut drejt atij të Varshavës, fluturim që do të zgjaste mbi një orë e gjysëm.Nga aeroporti i  Varshavës do të niste flututimi ynë drejt Torontos së Kanadasë, fluturim që do të zgjaste afro nëntë orë pandërprerë!Për të ia larguar sado pak ndjenjën e fobisë( që do të thotë të frikës) sapo kishim nisur flututimin e gjatë, unë do t`i thoja se në librat e shenjtë të Bibles dhe Kuranit thuhet se çdo njeri e ka Engjëllin apo Melaqen e tij mbrojtës tek krahu i djathtë!Dhe meqë me avionin me të cilin po fluturonim ishim diku mbi treqind udhëtarë, me ne ishin mbi treqind Engjuj apo Melaqe që do të na mbronin, kështuqë ne do të ishim të sigurtë në fluturimin tonë të gjatë!Pas fjalës sime ime shoqe do të buzëqeshej dhe në buzëqeshje e sipër do të thoshte se shpresonte se avioni do të fluturonte drejtë, sepse sikur të merrte tatpjetën, nuk do të kishte Engjëll apo Melaqe që do ta shpëtonte?!

Pas nisjes së fluturimit të avionit nga aeroporti i Varshavës së Polonisë drejt Torontos së Kanadasë, në mendje seç më erdhi koha kur Europa ishte e ndarë në dy pjesë ideologjike dhe gjeostrategjike e që në zhargonin e atëhershëm quheshin Europa perendimore dhe Europa lindore.Varshava dhe Polonia e atëherëshme ndodheshin nën influencën e Europës lindore, apo nën ndikimin e Perandorisë së kuqe( të keqe) sovjetike, dhe atëherë as që mendohej se një qytetarë i thjeshtë i vendeve të europës lindore të mund të fluturonte drejt Torontos së Kanadasë apo cilit do vend Europian apo Amerikano –perendimor! Atëherë dhe në atë kohë më e shumta që mund të mendohej ishte që një qytetar i thjeshtë i vendeve të Europës lindore mund të bënte ndonjë vizitë në ndonjërin nga vendete e Europës të zonës lindore edhe atë me tren apo me autobus, pasi të ishte verifikuar mirë e mirë e kaluara e tij familjare dhe individuale!Autorit të këtij shkrimi i kujtohet udhëtimi i parë drejt një vendi të Europës lindore e që ishte Polonia e atëherëshme, udhëtim që kishte ndodhur  diku në mes të shkurtit të vitit 1989, atëherë kur Polonia dhe gjysma e vendeve të Europës lindore ndodheshin nën influencën dhe nën kontrollin e Perandorisë së kuqe(të keqe) sovjetike!Autori ikëtij shkrimi së bashku me një numër të caktuar të punëtorëve të atëherëshëm të Televizionit të Prishtinës, kishin bërë një vizitë një javore në disa qytete të Polonisë siç ishin Krakovi, Katovica etj.Pas mbarimit të asaj vizite, autobusi ynë kishte marrë rrugën e kthimit drejt Kosovës( atëherë pjesë përbërëse e Jugosllavisë).Në doganën Polako-Çekosllavake, daganierët polak na kishin detyruar që të nxirrnim nga autobusi gjithçka kishim me vete për kontroll! Duke i shikuar pashaportat tona jugosllave, doganierët polakë na shikonin disi me një urrejteje të përmbajtur!Këtë gjë e kishte vërejtur kolegu ynë Llukman Halili dhe meqë kishte studiuar në Poloni dhe gjuhën polake e dinte për mrekulli do t`u thonte doganierëve polak se ne vërtetë kishim pashaporta jugosllave, por ishim të gjithë shqiptarë të Kosovës!Sapo doganierët polakë do të mësonin se cilët ishim ne, në fytyrat e tyre do të shkëlqente një buzëqeshje e çiltër dhe njëri nga ata do të shpërthente:-„Prishtina bum-bum!“-dhe do të shtonte:-„Së shpejti do të çlirohemi nga Perandoria e kuqe( e keqe) dhe pa e kryer fare kontrollin tonë dhe të gjërave që kishim me vete do të na urdhëronte që të fusnim në autobus gjithë ato gjëra që kishim me vete dhe do të na dëshironte udhëtim të mbarë drejt vendit tonë.Aty në kufirin Polako-Çekosllovak, ne do të mësonim se dy ditë më parë kishte filluar Greva e njohur e minatorëve të Trepçës sonë, Grevë që do të dridhte themelet e Mini-Perandorisë së kuqe(keqe) jugosllave!...

Avioni i linjës ajrore Varshavë –Toronto, tashmë kishte kaluar bregun jugor të Suedisë.Në trajektoren që shihej në monitorët tonë shihej se avioni ynë tashmë po fluturonte mbi hapsirat e detit verior që ndodhet ngjitur me tokën Skoceze.Edhe pak dhe ai, pra avioni ynë do të fluturonte mbi hapsirën e Oqeanit atlantik(apo Uji i Madh siç e quante ndryshe poeti ynë i madh i përmasave kombëtare e pse jo edhe ndërkombëtare-Ali Podrimja. Ata që do ta kenë lexuar librin e shenjtë të Bibles do të kenë vërejtur se atëherë , në fillimet e saj Bibla me emërtimin Uji i madh e ka quajtur Detin mesdhe!Meqë atëherë, në kohën e daljes së Bibles në dritë, bota as nuk e njihte e as nuk e dinte se kishte edhe një tokë tjetër(kontinenti amerikan do të zbulohej shumë shekuj më vonë) Deti mesdhe do të ishte dhe do të quhej me emërtimin Uji i madh.Pas zbulimit të kontinentit amerikan(në vitin 1492) hapësira ujore në mes të kontinentit të vjetër-Europës dhe kontinentit të ri-Amerikës do ta emërohej me emrin Oqeani atlantik.Nuk dimë ndonjë tjetër që hapsirën ujore në mes kontinentit europian dhe atij amerikan ta ketë emërtuar me emër tjetët pos atij zyrtar e që është Oqeani atlantik, para poetit tonë të madh-Ali Podrimjes.Andaj këtë hapsirë të madhe ujore në mes të dy kontinenteve edhe ne do ta quajmë Uji i madh, ashtu siç e shkruante poeti ynë i madh kombëtar Ali Podrimja në krijimet e tij poetike!...

Meqë avioni ynë fluturon në lartësinë mbi njëmbëdhjetë kilometra lartë tokës, nën ne shtrihen re të bardha si leshi i deleve.Dhe ato re nganjëherë janë aq të dendura sa të krijohet përshtypja  se ato nuk do të mund t`i depërtojë as avioni ynë.Ndodhë nganjëherë që gjatë fluturimit retë për pak çaste të shprishen dhe ne atëherë nga dritaret e avionit shohim tokën e cila është e mbuluar e tëra me ujë të Ujit të Madh.Në ekranin që kemi përpara vërejmë se trajektorja e fluturimit të avionit tonë tashmë e ka kaluar Ujin e madh dhe avioni ynë fluturon mbi hapsirën e Grenlandës-ishullin më të madh të tokës.Grenlanda ose ndryshe ishulli i ngrirë, mbi sipërfaqen e saj është gati gjatë tërë vitit  e mbuluar me borë dhe me akull.Meqë në kohën kur avioni ynë fluturon mbi hapsirën e Ishullit dhe nën avionin tonë nuk ka re, shihet shkëlqimi i akullit nën rrezet e diellit veror.Ime shoqe e mahnitur nga ajo bukuri e veçantë natyrore nxjerr aparatin fotografik dhe dëshiron të fiksojë atë , por meqë largësia është mbi njëmbëdhjet kilometra, në foton e bërë në aparatin fotografik vërehet vetëm korniza e dritares së avionit dhe një hapësirë e padefinuar qiellore.

Minutat dhe orët ikin e avioni ynë tashmë ndodhet mbi hapsirën ajrore të qytetit apo Metropolit kanadez-Toronto.Kapiteni i avionit lajmëron se kanë mbetur edhe pak minuta kur do të aterojmë në aeroportin e Metropolit të Madh-Toronto.Edhe pak minuta  do të zbresim mbi tokën e kontinentit të ri që emrin e ka Amerikë dhe që ne kemi ëndërruar vite të tëra që të zbresim dhe të ecim mbi atë tokë.Ëndrra e shumë viteve do të bëhet realitet vetëm pas pak minutash!...

Udhëpërshkrimi Fluturimi mbi Ujin e madh përfundon këtu, për të vazhduar në ditët në vijim me udhëpërshkrimet tjera për Toronton apo Metropolin e madh kanadez, Ujëvaren e njohur të Niagarës, qytetin e Otavës-apo kryeqytetin kanadez si dhe për shqiptarët e zbritur në tokën amerikane gjatë periudhave të ndryshme kohore dhe për realitetin në të cilin jetojnë ato sot e këtu, në tokën amerikane…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora