E shtune, 27.04.2024, 07:12 PM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Selimi: Vizitorëve me mjekra ju ndalua hyrja!

E diele, 28.06.2015, 11:37 AM


Vizitorëve me mjekra ju ndalua hyrja në Shqipëri!

Kujtime nga vizita e biznesmenit suedez Carl Emgard  në Shqipëri me 1969

Shkruan Ramiz Selimi

Policia e Enver Hoxhës ua ndalojë hyrjen në Shqipëri turistëve nga Suedia, atyre të cilët mbanin mjekra, flokë të gjata dhe atyre me mustaqe të gjata. I detyrojë vizitorët të shëtisin disa herë mbi një urë të gjatë 30 metra, e cila  llogaritej krenari kombëtare, shteti shqiptarë mburrej me urën dhe teknologjinë kineze.

Gjatë vizitës sime në Suedi të mësuesi Afrim Berisha takuam mikun e tij suedezin Carl Emgard. Ai dikur ishte një biznesmen i suksesshëm që punësonte mbi 1000 punëtorë, tani është një pensionist. Në një frymë shumë miqësore, ai na tregojë për kujtimet dhe peripecitë që i kishte përjetuar në Shqipëri gjatë vizitës së vitit 1969. Ajo që më shtyri të shkruaj kujtimet e vizitorit, është se diçka e tillë sot nuk mund të imagjinohet dhe për këtë rast është shkruar në media evropiane, si dhe deputetët shqiptarë e kanë kujtuar disa herë rastin në parlament.

Carli tani i shtyrë në moshë por i mbajtur shumë mirë me shëndet nuk përtonte të na tregonte të gjithë këtë histori që kishte përjetuar me 1969 në Shqipërinë komuniste. Grupi i turistëve suedez kishin lexuar shumë për sistemin e hekurt komunist të Enver Hoxhës, për vrasjet, për burgosjet politike, kishin lexuar se shteti shqiptarë po ndihmon partitë marksiste – leniniste gjithandej botës  financiarisht, por nuk e kishin përjetuar dhe prekur asnjëherë këtë shtet dhe ishin kureshtarë ta vizitonin.

Ai tregon për pushimet e këndshme që kishin kaluar në Mal të Zi, pikërisht në Budva, kjo vizitë në ketë vend i bënë ata të fitojnë përshtypjen se edhe Ballkani po demokratizohet dhe një ditë ata vendosën që ta vizitojmë me Autobus edhe Shqipërinë. Përderisa në Mal të Zi çdo gjë ishte normale, që nuk u bënte përshtypje, në kufi të Shqipërisë ata hasen në një shtet policor dhe ushtarak që i ndiqte këmba-këmbës.

“Pas ndalimit gjysmë orësh dhe telefonatave të gjata të policisë me qendrën e partisë, njeri nga policët shqiptarë që në pamje të jashtme dhe nga sjellja dukej sikur të ishte një postier, na urdhërojë(nëpërmjet përkthyesit nga grupi ynë që e dinte gjuhen shqipe, sepse policët dhe ushtarakët shqiptarë nuk flisnin asnjë gjuhë të huaj), që të gjithë ata që duan të hynë në Shqipëri, duhet së pari të qethen (të prenë flokët), të rruajnë mjekrën dhe mustaqet”!

Për të mos na kthyer pas, policët kufitarë na ofruan dy mundësi, ose të rruajmë mjekrat dhe të qethim flokët e të vazhdojmë udhëtimin,  ose në të kundërtën nuk mund të futeshim brenda territorit shqiptarë, por ata me mjekra mund ta presin grupin në kufi, ju thanë policia, tregonte Carli, duke vazhduar, se ai personalisht nuk kishte nevojë të qethej, pasi kishte humbur flokët me herët,kurse mjekrën nuk e preferonte.

Njëherë qeshem një çik tha Carli, duke menduar se është ndonjë batutë shqiptare, kur polici përsëriti kërkesën me ton të ngritur, e kuptuam që nuk ishte batutë, ai na tregojë se kështu është urdhri i partisë, i cili duhet zbatuar patjetër.

Varfëria e Shqipërisë dukej si në përralla!

Disa nga turistët miq, shokë dhe kolegë të mi nuk pranuan kushtet e vendosura nga policia shqiptare edhe pse më shumë dëshirë do ti bashkoheshin grupit, tregonte Carli, ata i mbyllën në një dhomë që të na presin gjerë sa të kthehemi, kurse tre veta i hoqën mustaqet. Ky rast na e shkurtoj planin e vizitës, pasi disa persona na mbeten në kufi për shkak të mjekrave, tha Carli.

Ai tregonte se si organet shqiptare u kishin thënë se duhet të kemi patjetër ndihmën dhe përcjelljen policore, të cilën ne nuk mund ta refuzonim sepse nuk na dhanë asnjë alternative tjetër. Nisemi me Autobus për në qytetin e Shkodrës, para nesh voziste makina e policisë, ata na e kishin caktuar agjendën e vizitës. Ne do të dëshironim të lëviznim të lirë si në Jugosllavi, apo gjetiu në Evropë, por në Shqipëri ishte e pamundur.

Gjatë udhëtimit më bien në sy bjeshkë dhe shkëmbinj të thatë, të cilët akoma i kujtojë mirë, të mbuluara me parulla të partisë komuniste, diku në ata shkëmbinj kam lexuar emrin e Enver Hoxhës përafërsisht 200 metra të gjatë, të shkruar me gëlqere, diku tjetër kamë parë parulla për partinë komuniste të shkruara me drunjë, buzë tokave të punuara kishte parulla të shkruara me gurë, gjithashtu drunjtë dhe gurët ishin të lyer me gëlqere.

Surpriza e madhe për ne ishte se Shqipëriai shte e mbuluar me kërpudha betoni, nga e ktheje kokën të binin në sy këto kërpudha. Shtëpitë e shqiptarëve ishin të vogla, fytyrat e popullit ishin të rraskapitura që tregonin për një varfëri të paparë, varfërinë mund e krahasoja me përrallat që kisha lexuar në librat e fëmijërisë. Rrugët e dobëta, asnjë makinë, gjatë gjithë ditës, kemi takuar një autobus dhe disa mjete motorike të ushtrisë. Këtu e kuptuam se Shqipëria qenka duke u qeverisur nga një njeri i krisur, diktator, i cili nuk ka ndjenja për popullin e vet.

Ura 30 metra e gjatë dhe teknologjia kineze krenari kombëtare!

Pasi udhëtuam afërsisht 70-80 km na dërguan në një fabrikë, fabrikë e një stili kinez aspak interesant për vizitorin, në hyrje pamë dy kinez, e kuptuam që ata ishin punëtorët të cilët mirëmbanin teknologjinë. Pamë teknologji kineze, të pakrahasueshme me teknologjinë moderne të vendeve evropiane, që nuk na bënte përshtypje. Punëtorët shqiptarë ishin të rraskapitur, na shikonin sikur donin të kërkonin ndihmë nga ne, rrinin shumë të ndrojtur dhe të rezervuar në biseda me ne. Gardërobat e tyre të punës nuk ishin aspak të përshtatshme për punën që bënin, tregonte Carli.

Drejtori dhe Policia tregonin dhe insistonin disa herë për të na bindur në arritjet që ka bërë Shqipëria. Thjeshtë ne dëshironim të vizitonim bukuritë natyrore që kishte Shqipëria, por ata nuk na lejuan, na dërguan tek një urë e gjerë 30 metra, na detyruan disa herë të ecnim këmbë mbi urë, për të vërtetuar dhe prekur të arriturat e Shqipërisë Komuniste. Kjo urë ju dukej organeve shqiptare krenari kombëtare, vepër e jashtëzakonshme, kurse për ne suedezët ky ishte kulmi i një marrie gjatë kësaj vizite, përderisa Evropa dhe Suedia kanë bërë ura me kilometra të gjata, në Shqipëri ne u detyruam të dëgjojmë ligjërata me orë për urën 30 metërshe.

Për drekë na dërguan në një restorant afër urës, nuk dua të flas për cilësinë e ushqimit, thotë Carli, pasi kishim uri dhe ishim të lumtur që na u dha mundësia të drekojmë, por edhe aty thotë patën probleme me pagesa, restoranti nuk pranonte valuta të huaja, kurse ne kishim dollarë amerikan, dhe marka gjermane. Na dërguan në Shkodër që të bëjmë këmbimin e valutave, kurse restoranti mbajti si peng shoferin e Autobusit, gjerë sa u bënë pagesat e drekës.

Ishte një vizitë dëshpëruese, në një diktaturë të pa dëgjuar dhe të paparë me herët, që e përjetova personalisht, thonte Carli, kur morëm udhëtarët e mbyllur në kufi ishim të lumtur dhe u gëzuam shumë që po largohemi nga ky vend, përfundon tregimin e tij biznesmeni i dikurshëm Carl Emgard.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora