E premte, 01.11.2024, 12:09 AM (GMT)

Kulturë

Delvina Kërluku: Libri i gjallë i historisë

E enjte, 25.06.2015, 07:05 PM


LIBRI I GJALLË I HISTORISË

Nga Delvina KËRLUKU

Siç rrëfente gjyshja ime, e ajo dinte të rrëfejë aq mirë, sa që të pranishmit shndërroheshin në sy e vesh, në kohën e saj rrugët shtriheshin edhe nëpër kopshte, pemishte e bahçe, por kalimtarët nuk dëmtonin asnjë gjeth e jo më degë e dru peme. Dritën në mes të errësirës e shihte vetëm ajo, duke pritur në parvazin e dritares, asaj dritare që kanatat nuk i mbylleshin meqë ishin bymyer nga shirat dhe dëbora. Priste e priste. Ishte kohë, thoshte ajo, kur të sëmurët varroseshin edhe të gjallë, se mungonin ilaçet. Por thoshte edhe se këmbën në tabanin e jetës, duhet vënë sigurt. Jetoi Gjyshja mbi njëqind vjet para meje. E kishte mësuar jetën dhe jeta e kishte mësuar atë. E kish përjetuar të mirën dhe të keqen, gëzimin dhe pikëllimin. Më thoshte: po e vure dorën në zjarr do të digjet, e po e vure në akull do të ftohet. Unë thosha se ajo flet kuturu. Më vonë e kuptova se Gjyshja fliste me mesazhe filozofike, edhe pse për filozofinë s’e kishte dëgjuar kurrë. Sa m’u deshën në jetë këto “dokrra”, e provova shumë vonë, bile edhe pasi kisha mbaruar universitetin. Ah Gjyshja ime filozofe!

Jo vetëm kaq. Gjyshja ime e mirë thoshte edhe këtë: Po i preve thonjtë në dritën e vakët të llambës së vajgurit, ka gjasa të presësh gishtin!

Kujdes për dritën. Krijoje dritën, kujdes për dritën, çmoje dritën. Këtë donte të thoshte e Urta gjyshe, por edhe ruaju nga errësira, kujdes territ, natës, të padukshmes.

Dhe jo vetëm kaq. Gjyshja më thoshte, apo na thoshte: Po nuk i dhe lypësit bukë, mund të bëhesh si ai. Që donte të thoshte, bëju bamirëse, dorëlirë, dorëdhënë, bujare. Ndaje kafshatë me të varfrin, që të ndjesh lumturi shpirtërore. Ashtu siç do na mësonte Nëna Tereze shumë vite më vonë: jotja është vetëm ajo që falet.

Me një rast kur një fqinji ynë po ndërtonte shtëpinë e re, Gjyshja shkoi për t’ia uruar. Në bisedë e sipër e pyeti gjitonin se për ç’arsye ka lënë aq shumë dritare. Ai pa të keq iu përgjigj dhe donte në shtëpi të kishte më shumë dritë. E Gjyshja ia priti: dhe njeriu ka nevojë për më shumë sy, prandaj dërgoni fëmijët në shkollë, që të bëhen me katër sy, se shohin më shumë e më mirë. Dritaret e shtëpisë, janë sytë e njeriun, apo jo mor bir?!

Dhe ju mendoni se këtu përfundonin këshillat e arta të Gjyshes sime të përvuajtur? Jo. Gati çdo fjalë e saj mund të konsiderohej si aforizëm, si fjalë e urtë popullore, se edhe ajo popull ishte. Rrinte – rrinte Gjyshja dhe shpërthente: Duajini prindërit, që t’ju duan fëmijët! – na thoshte shpesh, aq shpesh sa ne e detyronim me sjelljet tona jo aq të peshuara të na qortonte. Po kjo Gjyshja ime sikur të kishte lexuar një barrë me libra moralizues, kurse ajo e shkreta as shkrim-lexim nuk dinte. Fetare ishte. Po, po, por jo e dalldisur pas ligjëratave të gjysmë hoxhallarëve të stisur.

Kur dëgjonte që dikush dikujt t’i thotë: hero, Gjyshja ime qeshte. Po çfarë të qeshure se... Hero të bëjnë betejat e fituara, dashuria e tepërt për Atheun, por edhe flijimi i pasurisë dhe jetës për të, si bie fjala Skënderbeu, Isa Boletini, Elez Isufi, Bajram Curri, Çerçiz Topulli, Dervish Cara, Hasan Prishtina... Se që Gjyshja ime i dinte këto e shumë emra të heronjve të tjerë, nuk duhet dyshuar fare. Ajo rrinte edhe në oda burrash, rrinte dhe dëgjonte më të moshuarit e më të diturit, i dëgjonte ata që kishin dalë shpesh prej Dibre dhe kishin shkelur Botën.

Gjyshja ime më fliste edhe për Kanunin e Lekës. Për peshën e besës, për vlerat e mikpritjes shqiptare, për rolin e gruas në familje, për solidaritetin vëllazëror, për fjalën e dhënë, për...

Më tha se djali ruan emrin e familjes, por vajza nderin e saj te dera e burrit. Më fliste Gjyshja ime edhe për fytyrën që ta ruan krenaria dhe ta humb grykësia... Dhe  njeriun më shumë se vetja, nuk e korit as armiku dhe sillte shembuj si ai i profesor Besnikut me shokë, të cilët dushmani i nxori gati zvarrë nga shkolla për të vetmin faj: u kishin folur nxënësve për heroin e tyre – Skënderbeun! I burgosën, i torturuan, por balli lart u vezullonte si drita më e ndritshme e Diellit.

Ah, sikur udhëheqësit tanë ta kishin dëgjuar vetëm njëherë Gjyshen time të urtë!



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora