Kulturë
Ndue Dedaj: Gra me kurorë mbretërore
E merkure, 24.06.2015, 08:37 PM
GRA
(Mary Ball Washington, Elisabeta II, Geraldine Apponyi, Nënë Tereza dhe nënat tona.)
ESE NGA NDUE DEDAJ
Asnjëherë
nuk e ke kuptuar pse ai mal kryenaltë mes Mirditës e Lurës thirret
E ti nuk di e gjitha kjo është një kurorë dhe për arkeologët, apo vetëm për poetët?...
*
Ka hyrë Viti i Ri 2015 dhe rri e kuvendon me nënën tënde, e cila me 90 vitet e saj ka bërë bashkë mesin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar me mesin e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XXI. Si çdo grua malesh dhe ajo pati dy vargje emrash, atë të derës prindërore dhe të derës ku u martua, ku në këtë të fundit llagapi “Veziri” nuk i jepte asaj ndonjë status qeverisës në “Uellsin” e saj shqiptar. Ndërkaq se pse të vjen ndërmend një grua tjetër gjithaq e shtyrë në moshë, Mbretëresha e Anglisë, e lindur vetëm një vit më vonë, me 1926, që në pamje të parë ngjajnë dy botë të ndryshme, por nuk është kështu, pasi kurorëzimi jetësor i njeriut, cilitdo qoftë rangu shoqëror i tij, është një. Aq më tepër që në muzg të moshës, ku gjendën ato të dyja, dielli ka të njëjtin pash ulës për kah toka. Ai për to ka lindur herët dhe perëndon vonë. Kështu që lutja jote është për të dyja njëlloj. Rrofshi! Pak rëndësi ka nëse për Elisabetën II shkruajnë enciklopeditë e botës dhe fotografia e saj është në të gjitha kancelaritë e shteteve, kurse për nënën tënde të thjeshtë nuk ka mbase as tre rreshta të shkruar. Njeriu është unik, i shkruar ose jo, i kënduar ose jo, mjaft që gjatë rrojtjes së vet të mund të ketë qenë i tillë. Një zonjë shqiptare në Kanada, që kishte menaxhuar disa projekte me të huaj në Shqipëri, shkruante se para se të ikte atje kishte menduar të bënte një album kushtuar nënave, “ku do të vija dhe foton e mamasë sime të ndjerë, po dhe foto të nënave nga të gjitha shtresat. Tek e fundit, të gjitha nënat, ngado të jenë, janë të fisme...”
1
Të dyja
këto gra të motshme, Madhëria e Saj dhe nëna jote, kanë sjellë në jetë
përkatësisht katër dhe pesë fëmijë, kanë (stër)nipër e (stër)mbesa, i janë
gëzuar jetës familjare, siç dhe janë trishtuar ndonjëherë prej saj. Mbretëresha
dhe se nuk shkoi në Universitet, studio drejtësi, histori arti etj., kurse
bashkëmoshatarja e saj shqiptare këndej mësoi veç shkrim e këndim në kurset
kundër analfabetizmit që u hapën pas Luftës së Dytë Botërore. Mbretëresha gëzon
një status madhështor, ajo ka kështjella dhe prona nëpër Britani, “portreti i
saj është stampuar në paratë dhe pullat postare, çdo ligj i Parlamentit mban
firmën elisabetiane, i shqiptohet emri në betimin dhe himnin kombetar.”
Por sado e largët të duket përqasja mes dy grave të tilla, nga dy qoshe të ndryshme të Europës, tek e fundit të dyja ato janë personazhe të shekullit XX që kanë dhe ndonjë aso të përbashkëte që nuk rroket me të parën. Në të dy vendet e tyre, Angli e Shqipëri, nuk ka patur ligje të shkruara, por vetëm të pashkruara, ndaj ato janë fryt i një edukimi tradicional, ku qytetaria ka qenë e ndryshme për nga stadet e zhvillimit, kurse qytetërimi një, ai europian, në diversitetin e vet kulturor. Njerëzit modernë përmendin si të parin akt juridik universal Deklaratën e të Drejtave të Njeriut në Francë (1789), që sanksionon se njeriu është i barabartë para ligjit, çka Kanuni i shqiptarëve e kishte shqiptuar të paktën qysh nga i pesëmbëdhjeti shekull, ku mund të kishte qenë vetë princi Lekë Dukagjini që kishte deklaruar në mënyrë solemne në ndonjë kuvend prijësish: “Del i miri prej të keqit dhe i keqi prej të mirit”, “Gjaku i të mirit e i të keqit janë barabar”, pa hyrë në doke të tjera kanunore a ligje të shkruara që nuk i kishte patur më të mira (statuset) Shkodra e Drishti e as vetë Roma e lashtë.
Tipar i
autenticitetit shqiptar është se gruaja malësore me tagrin e Zojës së Shtëpisë
priste e përcillte në kullë të voglin e të madhin, përfshi dhe burra të
panjohur, njëlloj si të ishte në konak vetë i Zoti i saj. Ajo si një aktore e
përkryer në ritualin e pritje - përcjelljes së mikut shtronte sofrat njërën pas
tjetrës për udhëtarë e nevojëtarë, dhe kur burrat e shtëpisë ishin në luftë.
Siç shihet, ajo nuk ishte thjeshtë një grua që shtonte e mëkonte lisin e jetës.
Një profil origjinal të gruas mirditore të djeshme e gjejmë të pikturuar
mjeshtërisht në tregimin realist “Nusja e akullit” të publicistit shkrimtar
Ndue Lazri: “Armën dhe takëmet e kafes nuk i preknin gratë. Kurse në kullën e
Vorfajve, anën e oxhakut e kishte fituar prej kohësh Dava e Madhe. E mbetur e
ve prej shumë vitesh, ajo kishte zënë menjëherë vendin e të shoqit në kullë. Ai
kishte qenë burrë, të cilit ia lëshonin përherë kryet e vendit. Dhe ajo, e
bukur dhe e mençur, ia zbukuronte krahun po aq sa pushka që nuk e ndante
shtatit. Që kur vdiq ai, Davës i lihej një vend i veçantë edhe në kuvende, ku
nuk merrte pjesë asnjë grua tjetër. Ia çmonin urtësinë dhe ashpërsinë. Fjalët i
kishte të numëruara si fishekët e armës që mbante në brez. Më kollaj mund t’i
përcaktohej mosha një lisi sesa asaj...”
Zonja e Madhe e Anglisë është një grua e gjithëpushtetshme, pa qenë një Zonjë e Hekurt, që ushtron pushtetin e saj mbretëror mbi një popull të tërë, kurse gruaja në male kishte një pushtet moral të pabesueshëm, ajo mund të dilte për një çast dhe mbi vetë Kuvendin e Burrave të Krahinës (Shpal), që ishte parlamenti i vendit. Nuk është gojëdhënë ajo që gratë kanë ndërhyrë në dhënien udhë ndonjë pleqësie burrash të lidhur nyje, apo bërë me nxitim. Një kuvend mirditasish aty nga mesi i shekullit XIX merr një vendim për dhënie toke disa familjeve të shpërngulura masivisht nga një bajrak tjetër, në këmbim të ndërtimit të një ujësjellësi shkëmbor me ndihmën dhe të të parit të Krahinës. Por njëra nga gratë e fisit Shtera i thotë të zotit të shtëpisë se nuk kishte qenë punë me mend ajo që kishin vendosur në atë kuvend, domethënë që ata, vendasit, për hir të të qenit nevojtarë për uji, t’iu lëshonin tokat në hyrje (nga reza e visë) të ardhurve, duke u shtyrë vetë për më tej, pasi miqtë në çdo rast mund të bëheshin zotër të ujit. Kaq u desh që të rithirrej të nesërmen kuvendi dhe të ndryshohej ai vendim jo pa debat të fortë mes burrave të dy palëve. Urtësia dhe maturia e gruas përfillej në teatrin e mpleksuar kanunor, ku burri ishte prijetar i sertë, por jo sundues autokrat. Kësisoj gruaja malësore, dhe pse anonime, ishte princeshë e llojit të vet, grua e përkorë dhe sojnike, fliste ngadalë dhe rrjedhshëm, ngrihej në këmbë sa herë i jepte dorën dikujt, dinte të ruante virtytet e racës, doket e vendit, nderin e familjes atërore dhe asaj ku ishte martuar, vaji i saj ishte i përmasave homerike dhe gjithë burrat e dheut në fund i dorëzoheshin atij vaji. Vaji i vajtimoreve ishte dhe “gjyqi” i fundit i burrave të dheut! Gruaja e maleve ka qenë gjithnjë me fytyrë të zbuluar dhe zakonet e saj nuk iu shëmbëllenin atyre orientale, përpos ndonjë huazimi të lehtë të vonë. Natyrisht që nuk ka vend për ekzaltim, dihet që me Kanun gruaja nuk ka patur një pozitë të favorshme, që ajo nuk e kishte të mjaftueshme lirinë e dëshmon dhe prania e virgjëreshave, dukuria e konkubinatit etj. Por pavarësisht kufizimeve ajo nuk ishte e mbyllur, fytyrëmbuluar dhe e nënshtruar, për më tepër kanunisht mbrohej në mënyrë të dyfishte, nga familja amë dhe ajo ku ishte martuar. Ndoshta për të gjitha shpalimet pozitive rreth saj, një ekspolorues i traditës ndër shqiptarë, konsulli i hershëm francez në Shqipëri, M. Huacunthe Hecquard pati shkruar: “Në asnjë vend të botës femrat nuk janë më të respektuara dhe nuk ushtrojnë një veprimtari më të fuqishme se shqiptaret.”
Një tjetër strukturë e qytetërimit të tyre kontinental rrënjës ka qenë fetaria e njëjtë. Kisha abaciale ishte institucioni i besimit, si në Londër, si në Malin e Shenjtë të Oroshit. Abacia e dioqezës së Uestminsterit, që sot është katedrale anglikane, e ndërtuar në shekullin VIII si kishë e Shën Pjetrit, qysh nga viti 1066 ka qenë selia e gjithmonshme e kurorëzimit dhe e varrosjes së monarkëve britanikë, e cila nga fundi mijëvjeçarit të parë të erës sonë qe kthyer në kuvend benedektin. Ajo erdhi si e tillë deri në vitin 1534, kur ndodhi ndarja e kishës angleze nga ajo katolike, duke qenë dhe sot e kësaj dite në juridiksionin e sovranëve britanikë. Kuvend benediktin pati qenë fillimisht dhe Abacia e Mirditës në Orosh, e fundit në Ballkan, nën kujdesin e Princërve të Mirditës, por jo një katedrale ekskluzive e tyre, si dhe e pandryshuar në rrjedhë të kohëve nga skizmat, duke mbetur katolike apostolike qysh nga kohët e hershme e deri më sot, me jo pak mbishkrime dëshmuese të vjetrisë së saj.
2
Rendi i jetës në male nuk mund të kuptohet pa praninë e gruas gjithkund: në kullën mikpritëse, në dasma e vdekje, në arë, në stan, në mulli, në kishë, në pazar, në logun e vashave në Alpe, ku zgjidhej më e bukura e bjeshkës.
Gruaja e Kapidanit të Mirditës në Orosh, “zonja e parë” e maleve, ishte një sojnike me tipare të dukshme princërore, ashtu ajo shfaqej dhe në sytë e të huajve që e vizitonin kullën e saj kështjellore. Veshja e saj e bardhë, me këmishën e rrokëzuar me fije ari ishte si e princeshave të Uellsit, natyrisht thurur me “perin” shqiptar. Mjafton të sodisësh xhupin prej shajaku, qendisur me fantazi e bukuri marramendëse, ku nuk mungojnë gajtanat kuqezi, kryqet dhe shenjëzimet dekorative. Si ishte i mundur gjithë ai luks i veshjes së gruas shqiptare në terrenin e një varfërie të skajshme, aq sa dhe litari i djepit, shneixhulla, ishte e thurur me penj me ngjyra të ylberta e tufa të florinjta. Vetëm me lartësimin e dinjitetit njerëzor të femrës mund të shpjegohet. Veshja mirditore, e klasifikuar në njëzet veshjet më të bukura të rruzullit, gjendet në muzetë kryesorë të Europës, Amerikës e Rusisë, në rend me kostumet gjithë laryshi të kantoneve, shteteve e kontinenteve të tjera. Vizitorët apostolikë të Vatikanit të shekullit XII e përshkruajnë gruan mirditore “të veshur në mënyrë madhështore” në pazarin që bëhej ditën e Shën Gjonit mbi mal të Shën Llezhdrit të Mirditasve (Orosh), krahas armëve, flamujve etj. Prarimi i ballit të saj nusëror me kurorën e artë të stringlave e bënte atë si një princeshë magjike mes lendinash të bukura e kreshtash të ashpra, në vendin e Pirustëve mineralpunues e luftëtarë të zot, që kronikat thonë se “i stolisnin gratë si princesha”, me varëse e unaza ari e argjendi, çka e dëshmon arkeologjia shqiptare.
Gruaja e
këtyre trevave të vorfna nuk kishte dhurata të shtrenjta mbretërore, nga ato që
Madhëria e Saj sajdiste sojnikët e rangut, por kur asaj i kishte shkelur në
prag një grua amerikane me të shoqin antropolog në vitin 1929, ajo kishte nxjerrë
nga arka një kokërr mollë dhe ia kishte dhuruar mikes së largët për vëllain
ushtar në Amerikë, njëlloj si t’ia falte komshies për të birin ushtar në
Gjirokastër. Arkës së saj prej druri arrneni, shkroluar për merak, i vinte era
mollë e ftua. Ajo vërtet nuk kishte livando e parfume të shtrenjta me erë të
mirë, por
Mund të vazhdohet më tej me “pleksjen” anglo - shqiptare, kur një zonjë angleze e ditur erdhi si rastësisht në këtë vend dhe u bë për shumë mote “Mbretëresha pa kurorë e shqiptarëve”. Ajo ishte Edith Durhami që shkeli në çdo shtëpi shqiptare, në kohë luftërash e ngatërresash ballkanike, rroi me shqiptarët, u dashurua me ta. Dhe nuk ishte e vetmja angleze, pasi këtu u mor me kërkime e studime dhe një tjetër dijetare fatngjashme, Margaret Hasluk, që përmendet për “Kanuni Shqiptar”, përkthyer vitet e fundit, po dhe për dashurinë e saj shqiptare në Elbasan. Ama liria femërore ishte një “ekzotikë” vetëm për zonjat e huaja, që mund të joshnin dhe Mbretin, si gazetarja amerikane Rose Wilder Lane, kurse gratë e vendit ishin rreptësisht të ndaluara në këso gjërash. Të vjen të besosh se në shtegimet e saj “baritore” Zonja Durham duhet të jetë takuar dhe me nënën tënde e graninë tjetër malësore të asaj kohe. Ajo ka kaluar nëpër Udhën e Madhe Shkodër-Orosh-Prizren, ka bujtur një natë në Kashnjet në odën e një murgeshe shtatvogël, ka rrugëtuar të nesërmen nëpër Kalor, është ngjitur tërmales së Qafë-Vorrëzit dhe ka mbërritur në Shënpal, qendra e Nënprefekturës së Mirditës, ku vinin konsuj të huaj, gazetarë francezë, italianë, rusë etj., duke qenë stacioni i fundit Oroshi dhe Abati.
Asokohe ajo ishte një rrugë e shtruar me kalldrëm dhe nëpër të lëvizte karroca me kuaj e linjës. Nëse dikur Durhamit i jepte kënaqësi fotografimi mes malësorëve, përkundrazi, Mbretëreshën e Anglisë në pritjet ceremoniale apo ballot mondane e bezdiste shkrepja e tepruar e blicëve, kurse për gratë e maleve tona nuk kishte kurrëfarë fotografie, pos asaj të pasaportës. E prapë ato mbetën gra tipike të Europës Juglindore. Elisabeta II është kryetare shteti, ka shëtitur në njëqind e tridhjetë vende, ka marrë të paktën tre milionë letra nga publiku, për të do të shkruhen plot libra, ndrërsa nënëlokja jote bujare nuk ka asgjë nga këto, ka veç sqimën e përkorjen, miradijen e etikën që janë tipare të saj “mbretërore” e shkuar mbretërve. Vetëm në një gjë ajo ia kalon jo vetëm Elisabetës, por të gjitha mbretëreshave të rruzullit, se pi dhe ndonjë gotë raki, çka nuk e bën atë “burrërore”, ani se tradita e lashtë e vendit kishte qenë vera.
Gratë shkodrane, dibrane, mirditore, gjirokastrite, çame, tetovare, vlonjate e të tjerë kanë hiret e tyre prej aristokratesh të lindura. Ato më jetëgjatat thonë: “Na ka harrue Zoti këndej”, por nuk e kanë me gjithë mend. Nënë Tefta, njëra nga ato, nga viti 1900 kur ka lindur e deri më sot, që është 115-vjeçare, ka sfiduar si asnjë tjetër shekuj, regjime, pushtime, qeveri, tërmete, malarje, pa u ndalur nga asgjë, duke mos ia patur lakmi pushtetin as vetë Elisabetës. Rrno po munde dhe ti sa unë, moj burrneshë, sikur i thotë ajo nga larg Mbretëreshës, pasi të rrnuarit asht mbretnimi ma i naltë i kësaj bote. Ç’i do titujt e lartë kur ke përreth 70 stërnipa e stërmbesa, një “senat” i pazëvendësueshëm trashëgimor.
3
E,
gjithsesi, nëse nënat tona nuk mund të qasen dhe aq lehtë me Mbretëreshën e
Anglisë, ato ngjasin si dy pika uji me Nënë Terezën, mbretëreshën e botës. Paçka
se një murgeshë në njëfarë mënyre është e pakrahasueshme me asnjë femër tjetër,
për vetë thirrjen e epërme dhe ushtrimin e saj krishtëror, a nuk është dhe Nënë
Tereza një grua me “kurorë?” A nuk mbante ajo gjithë kohën në duar dhe në qafë
rruzaret, që në vetvete janë një “kurorë trëndafilash” (lat: rosarium)? Lutja
përfshin njëzet mistere të jetës së Jezusit dhe të kënduarit e dyqind “Të
falemi Mri”, që i kemi dëgjuar nga nënat dhe gjyshet tona që të vegjël bashkë
më këngët e djepit. Lutja ishte e para dhe për Mbretëreshën e Anglisë, që në
moshën 25-vjeçare u kurorëzua për fronin nga Argjipeshkvi anglikan në Abacinë e
Uestminsterit. Ndërkohë shqiptarët kishin patur Mbretëreshën e tyre, me emrin
Geraldine Apponyi, që falej në kishën e saj brenda rezidencës mbretërore. Ishte
e bija e një Konti hungarez dhe kishte lindur në Bukuresht, njëmbëdhjetë vjet
para Elisabetës II dhe veç një fat i çuditshëm mund ta kurorëzonte në vendin e
shqipeve, në kohën më të rëndë të rrëzimit të tyre. Ishte mjaft e bukur, por bukuria
më e madhe e saj ishte ajo shpirtërore, që e bëri të rrëzëllinte nga një diell
i ëmbël Mbretërinë, jo aq të urtë të shqiptarëve, dritë që tek ajo nuk u shua
as në udhët e mërgatës së gjatë të pamerituar nga
Ndonëse nuk u bënë dot mbretëresha, mjaft të dëgjuara për kohën ishin princeshat e Mirditës, Margjela e Bibë Dodës dhe Luçia e Prengë Bibë Dodës (i shenjuar për fronin e Shqipërisë), që paraqiten me veshje sa kombëtare aq orientale dhe sjellje perëndimore.
Në kujtimet e tij të internimit fill pas Luftës II, në Uznovë të Beratit, Gjon Marka Gjoni (i Ri) shkruan: “Mendoni një dhomë të madhe të pamobilueme, vetëm me ato pak pajisje qe na kishin mbetun. Në një qoshe të saj, qëndronte një plakë skeletike, e randueme nga mosha, hallet, mjerimet e semundjet, që nuk shihte e as dëgjonte mirë e që nuk mund të lëvizte. Kjo ishte stërgjyshja...” Po cila do të ishte kjo grua mirditase, në fundin e saj, që do të vdiste pas ca muajsh, do të varrosej bashkë me ushtarët italianë, dhe pas marrjes së eshtrave të tyre nga qeveria italiane, varri i kësaj gruaje do të humbiste?!... Ajo ishte një nga princeshat e fundit shqiptare, nëna e Kapidanit të Mirditës, i cili vetë ishte në emigracion politik. Mendoni, ndëshkimi tashmë kishte rënë si furtunë mbi gratë, të cilat arrestoheshin njëra pas tjetrës.... faji politik i të cilave ishte vetëm se ishin motrat apo bijat e Kapidanit.
Ndër të fundmet pasardhëse të Derës Kapidanore ishte dhe Bardha Gjomarkaj, vajza e Gjon Marka Gjonit, që e shkoi jetën në internime të gjata të pasosura, shuar në mars të vitit 2013 në moshën 90-vjeçare, e cila jo rastësisht me atë rast nga mediat u quajt “Princesha e Mirditës”. Natyrisht që fotoja e saj është pa shenjat princërore, pa kurorën e artë mbi kokë, pasi regjimi komunist e kishte gropusur traditën e dinastive dhe mbante mbi vete vetëm kurorën bolshevike të yllit të kuq me pesë cepa.
4
Shqiptarët e shekullit XIX kanë patur idhull dhe një grua që kishte dalë nga rrënjët i tyre, Elena Gjikën, me gjasë me origjinë nga Mirdita, shkrimtare, publiciste, e cila ishte bërë zonjë e madhe në Rumani duke marre emrin Dora D’Istria si konteshat franceze, që kishte shkelur thuajse gjithë Europën, Rusinë dhe Amerikën, duke u radhitur në dhjetë gratë më të dëgjuara intelektuale të kohës. Rilindësit tanë dritëdhënës, nën kryesimin e Jeronim De Radës i kushtuan asaj një antologji poetike (A Dora D’Istria - Gli Albanesi, 1870), për përkrahjen që i kishte bërë lëvizjes kombëtare shqiptare.
5
Nëse Madhëria e Saj iu përshtat zakoneve londineze mbretërore, Princesha Diana ishte një tjetër fytyrë e Mbretërisë, ajo mishëroi humanizmin real dhe e shpërndau atë nëpër botë, pra njerëzimi e preku nga afër atë çka ishte mbretërore. Por a do t’i shkojë deri në fund mbretërimit Elisabeta e Dytë, apo do të tërhiqet për t’ia lënë skeptrin mbretëror të birit, Karlit? Disa herë është thënë se kjo mund të ndodhë, megjithatë Zonja e Madhe vazhdon të qendrojë stoike në fron prej 62 vitesh, aq sa ç’është afërsisht mosha e pasardhësit të mundshëm, nëse nuk ndodh kapërcimi e skeptri shkon te Princi Uilliam, që ngjan më i dashur me anglezët, pa një lloj “ftohtësie” apo distance të monarkëve tradicionalë.
Si do që të ndodhë me pasimin brendapërbrenda të fronit anglez, pyetja është si do të jetë bota nesër pa Madhërinë e Saj dhe pa nënat tona shekullore si dy arketipe që i përkasin gjithsesi të shkuarës? Druajmë se nuk do të jetë më si më parë, diçka do të ketë ndërruar në zakonet mbretërore të Anglisë moderne dhe në ato të shtëpive tona shqiptare dhe jo vetëm. Zor se atje do ketë më një Mbretëreshë të racës së Elisabetës II, me të gjitha hiret e së vjetrës mondane. Ashtu siç nuk do të ketë më në malet shqiptare një racë grash sojnike, pasi bijat e tyre tashmë janë ndryshe nga ato, për shkak të modernitetit që i ka përfshirë dhe jetës që bëjnë. Pse jo, dhe globalizmit? Këtij “globalizmit” të brendshëm në radhë të parë, pasi sot thuajse nuk ka më gra vetëm të metropolit dhe vetëm të provincës. Sot gratë e periferisë kanë dhe nga një shtëpi tjetër në Tiranë apo dhe nga një pension jashtë shtetit me fëmijët rezidentë atje. Ndaj kulla e motshme maleve ka një çerek shekulli që ka pushuar së ekzistuari, bashkë me rekuizitën e saj tradicionale: veglat e punës, magjen e bukës, kostumet, ritualet e spektaklet rurale. Nuk është e rastit që ka një dyndje të sendeve të vjetra në vilat dhe hotelet turistike, pasi ato nuk gjendën më në banesën e malësorit.
Për t’u kthyer të fillimi i kësaj eseje, jo pa trishtim themi se nesër nuk do të shuhen thjeshtë dy gra të motshme, (në Angli e Shqipëri), paçka rangut shoqëror të secilës, por dy botë, që do të bien si dy kështjella…
Gra me pushtet hyjnor, mbretëror dhe amësor, që janë shumë më tepër se vetja dhe kohërrojtja e tyre. Ato janë të fundmet gra të një epoke, që në shekullin e ri nuk do të jetë më epoka që ishte, edhe pse nuk fillon nga viti një...
Janar-shkurt 2015
Mary Ball Washington
Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta II
Edith Durham
Margjela e Princit të Mirditës Bibë Dodë Pasha
Marta, gruaja e Kapidan Mark Gjomarkajt
Nënë Tereza