Kulturë
Albana Lifschin: Profesor Gashi dhe ne nxënësit e tij
E shtune, 20.06.2015, 08:23 PM
Vështrim në fëmijëri: Profesor
Gashi dhe ne nxënësit e tij
Nga Albana Lifschin
Rastësisht më ra në dorë një material i shkruar për Profesor Ahmet Gashin, ku ndër të tjera përmendej fakti që ai pat dhënë mësim në një shkollë 7-vjeçare të Tiranës, por pa dhënë emrin e saj.
Ajo ishte shkolla jonë, “Lidhja e Prizrenit”, ndërtuar në kryqëzimin e rrugës së Fortuzit me Bulevardin e Madh të Tiranës, pranë Teqes së Dervish Hatixhesë.
Kemi qënë
nxënës në shkollën “Lidhja e Prizrenit, në Tiranë, pa e ditur se kemi patur
fatin që profesori ynë gjeografisë, ai burrë i thyer në moshë, ishte një
personalitet historik. Por atë kohë, ne 11 apo 12 vjeçarët natyrisht nuk e
dinim se kush ishte profesori ynë. Nuk i dinim vlerat e tij as si patriot, e as
si dijetar. Ashtu sikurse nuk e dinim as domethënien e emrit të shkollës sonë
“Lidhja e Prizrenit”. Madje e shqiptonim “Lidhja e Prizerenit” e nuk na
korrigjonte kush. Nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjë bisedë me ne për të na
spjeguar thjesht se ç’ishte “Lidhja e Prizrentit”. Ç’përfaqsonte ajo.
Përshtypja e parë qe se mësuesi ynë i gjeografisë, ndryshe nga mësuesit e tjerë ishte i vjetër në moshë. Duhej t’i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Kishim vënë re respekti me të cilin silleshin ndaj tij drejtoresha e shkollës , një grua e shkurtër topolake që quhej Bedrie dhe nëndrejtoresha e shkollës, Elpiniqi. Ne besonim se respektin e diktonte mosha e tij. Nuk dinim më përtej, sepse askush nuk na mblodhi të na thotë se kush ishte profesori ynë i gjeografisë Ahmet Gashi që e meritonte respektin jo vetëm për moshën për për kontributin e tij patriotik. Nuk do ta kuptonim ndoshta me fjalë të mëdha veprën e tij, por sëpaku gjëra të konceptueshme për moshën tonë, si psh, Profesori ynë ishte autori i hartës autentike të atdheut. Ajo ku atdheu ynë kishte qenë më i madh,se c’dukej në hartën që kishim parë ne.
Ne të
vegjëlit nuk i dinim vlerat e profesorit tonë, por e respektonim duke ndjekur
shëmbullin e mesuesve. Më kujtohet që meqënëse kishim një rrugë të përbashkët,
kur dilnim nga shkolla ndonjëherë e shoqëroja deri pranë shtëpisë. Ecja e
heshtur gjithë rrugës në krah të atij zotërie të vjetër. I përgjigjesha me
droje ndonjë pyetje të shkurtër që bënte. Tërë jetën time kam pasur respekt e
njëkohësisht droje për profesorët e mi. Unë ndalesha tek pallati ku banoja, dhe
ai vazhdonte më poshtë në rrugën e Fortuzit. Profesori ishte edhe më i madh se
gjyshja ime në moshë.
Dhe ne
ishim fëmijë, ishim camarrokë, ngrinim zërat e bënim pluhur në oborrin e
shkollës. Ne vajzat luanim shumë me litar, djemtë kishin lojrat e tyre, por oborri mbushej nga zërat
tanë. Edhe në klasë në pushimet e vogla, zhurmat hapeshin si me rrubinet sapo
binte zilja e mbarimit të orës së mësimit. Merrte një farë kohë edhe pas hyrjes
në klasë të binte qetësia. Më kujtohet një rast kur profesor Gashi tek ulej në
katedër na tha: “
Pas spjegimit të mësimit të gjeografisë para një harte që varej mbi tabelën e zezë, shpesh na jepte detyra. Më ka mbetur në mëndje që detyrat nuk ishin asnjëherë strikte nga libri. Në një kapitull për klimën, duke folur për ndryshimet e motit, na spjegoi se si njerëzit i kanë njohur shenjat e ndërrimit të motit nga përvoja e jetës. P.sh kur moti do të ndërrohej, nga Diell në shi, njerëzit kanë vënë re se kripa fillon e bahet si e lagësht, ose zogjtë fluturojnë ulët, etj, etj. Dhe një ditë duke na dhënë detyra për të përshkruar fenomenet e Motit, duke u nisur nga përvoja jetsore e njerëzve, na tha: “Mos m’i bana të tana ‘qofte’!
Ne heshtëm pa kuptuar asgjë. Ai vuri buzën në gaz dhe spjegoi.
-Due me
thane që nëse një fjali do ta filloni me “ Në qoftëse …” Fjalinë tjetër mos e
filloni përsëri me “Nëqoftëse”, por …”
Profesor Gashi nuk na mësonte vetëm gjeografinë, por edhe të folurën e bukur shqipe. Askush nuk na tregoi se ai në rininë e vet qe përpjekur shumë për gjuhën shqipe, për hapjen e mësimit shqip e shkollave shqipe. Askush s’na tha se ai qe gjeografi më i mire që mund të bëhej, dhe as që ai qe mësuesi më i mirë i historisë që mund të kishim për fat, sepse vetë profesori qe pjesë e saj, e përpjekjeve për liri dhe pavarësi nga Turqia, se kishte qenë bashkëluftëtar me trimin hero Hasan Prishtinën…
Atë kohë ne dinim fare pak për profesorin tonë të gjeografisë. Por edhe aq sa dinim, ai la mbresa të pashlyeshme tek ne. Gjeneratat e reja do të mësonin më shumë. Të tjerë nxënës në kryeqytet, dekada më pas do kishin nderin të ishin nxënës të një shkolle që do të mbante emrin e tij.