E marte, 27.07.2021, 07:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Faktografi e gjerë

E merkure, 17.06.2015, 07:44 PM


FAKTOGRAFI E GJERË

Dr. Fatmir H. Selimi - Përmbledhje e shkrimeve dhe e fotografive për Qendrën e Pavarur Kulturore të Anamoravës –  “Aktivitetet e Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë 2000 – 2010”,  Gjilan, 2015.

NGA SHEFIK SHKODRA

Dr. Fatmir Selimi qe nga vitet e nëntëdhjeta ishte një ndër aktivistët e palodhur për themelimin e Shoqatave të ndryshme, duke filluar nga ajo Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” – dega në Gjilan, kryetar i së cilës ishte disa vite. Por, ai ishte në krye edhe të disa Shoqërive Kulturore Artistike, herë si themelues e herë si ndihmës i tyre. Përgjatë asaj kohe, deri në mbarim të luftës, alternativa ka bashkëpunuar gati si tërësi në disa aspekte, dhe shpesh personat aktivë kanë sakrifikuar shëndetin e vet, ose, kanë qenë të ekspozuar përballë rrezikut edhe me jetë.

Sa ishim në Shoqatën Humanitare Bamirëse, Nëna Terezë, kemi bërë ndonjë libër modest për këtë degë, sa për t’u shënuar si dëshmi e veprimit në këtë drejtim. Fatmiri ka vijuar edhe pas kësaj kohe me botimin e dy-tri librave për kulturën që është zhvilluar në këtë rreth, e i cili ishte krye-personazh, apo i ndërlidhur si ndihmëtar me ndonjërën prej Shoqërive Kulturo-Artistike.

Tashmë, në këtë vit nga ky autor e kemi librin Aktivitetet e Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë, 2000 – 2010. Dhe autori tash ka fituar një kulturë dhe është i vetëdijshëm se duhet të shënohen gjërat gjatë një veprimtarie si në këtë rast. Që do të thotë se, këtu mund të shihet po thuaj krejt ajo që ishte e ndërlidhur me këtë Shoqatë – Qendër, por edhe më tepër. Libri me pak lëshime, është i mirë e mund të themi kushtimisht edhe i pasur me shënime kronikash. Ky doracak mund t’u hyjë në përdorim të interesuarve jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen si shembull monografie për këtë Shoqatë me ndonjë plotësim.

Ndihmesë e madhe do të ishte, që së pari, këtij libri t’i shtohej një para-tekst nga autori, në mënyrë që lexuesi do ta kishte më lehtë me pikë referenca në krejt këtë materie. Do të ishte shumë më mirë, gjithashtu që, përbërjen e krejt librit ta ndanim në kaptina me lëndën e zgjedhur sipas natyrës dhe karakterit nga të gjitha ato shkrime. Bie fjala, sa artikuj shkencor janë trajtuar në përgjithësi në këtë Shoqatë, sa ishin ata letrarë për promovime librash dhe ngjarjesh tjera kulturore. Njësoj do të veprohej edhe me faksimilet e shtypit dhe fotografitë.

Shfletimi i këtij libri

Çelet me Themelimin e Qendrës së Pavarur Kulturore për Anamoravë dhe aktivitetet e saj 2000 – 2010, e para mbledhje kjo e fiksuar më dt. 11.03. 2000, ora 12, në lokalet e Bibliotekës së qytetit etj., por këtu kemi të renditur edhe numrin e anëtarëve të pranishëm për themelimin e kësaj Shoqate dhe shënime të tjera. Krejt kjo rrjedhë me një rend dite, dhe nën këtë menjëherë një artikull – Dy fjalë, si hyrje. Kjo është thjesht një njoftim për themelimin e kësaj Qendre Kulturore për  tri komunat me përfaqësuesit e tyre. Shihet qartë, që ky tekst, nuk ofron mundësinë e një orientimi për njësitë apo trajtesat nëpër këtë libër.

Për dhjetë vite të aktivitetit të kësaj Shoqate, Fatmiri ka mbledhur tërë materialin e shkruar, por edhe foto të rasteve, për ta ilustruar e dëshmuar sa më bindshëm punën e pamohueshme të organizuar nga kjo Qendër. Lexuesi së pari vetë do ta ndante, për kah pamja, në dy pjesë: 1. Në libër tekst të shkruar prej 133 faqe, dhe 2. Pjesa prej njëqind e tridhjetë (130) faqe, faksimile e fotografi të shtypit, bashkë me  mirënjohjet  si pjesë e aktivitetit të kësaj Shoqate, në kuadër të kësaj edhe për ndonjërën prej SHKA të tri qendrave të Anamoravës (Viti – Kamenicë – Gjilan).

Diçka sociale si: Për femrën shqiptare

Në vijim po përmendim një numër prej 37 – 38 njësive të shkruara që do t’i quanim për kah esenca e karakteri i tyre një mozaik shënimesh,  e që përbëjnë dendësinë e mbi njëqind e tridhjetë tri (133) faqe tekst të këtij libri. Aty hyjnë diçka nga themelimi i kësaj Shoqate, që e përmendëm më parë, pastaj artikuj me karakter shkencor, në mesin e të cilëve mund të zgjidhnim edhe ndonjërin mjaft të rëndësishëm, si ata nga autoret që bëjnë fjalë për Shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare, pra, katër pesë femra referuese të këtyre pjesëve mjaft qëllimmira e me vokacion të bindshëm, si  ajo e Xhylije Ramizit, Hana Krasniqi – Jetishit, dr Vildane Sylejmanit, Ardianë Pajazitit e Xhylshene Berishës. Kjo mënyrë e paraqitjes së shkrimeve në këtë Shoqatë është e ngjashme si dikur ato ligjëratat që i diskutonim në  atë  Tribunën kulturore... në organizim të ish Klubit Letrar të qytetit Rexhep Elmazi, pas viteve të nëntëdhjeta. Të tilla tema, vërtet na sugjerojnë edhe ne të tjerëve se, vetëdija te shoqëria e jonë është duke arritur në nivelin e duhur. Kështu edhe femra të flasë lirë për vetveten.

Në vazhdim do të kemi: Për fetë shqiptare dhe bashkëjetesa e tyre

Edhe në Qendrën kulturore të pavarur...ishin shfaqur shkrime kumtesa të natyrave të ndryshme, prej atyre shkencore e deri te ndonjë shënim për ndonjë çështje të vogël. Me këtë rast i shohim edhe disa zgjedhje për religjionin. Janë më shumë se një autor në këtë radhë. Njëra prej atyre trajtesave më tërheqëse e që ngjall kureshtjen për diskutim publik, është ajo e Don Lush Gjergjit, Dymijë vjetori i krishterimit ndër shqiptarë. Një histori e feve te shqiptarët, trajtimi i tyre nëpër kohë nga sisteme të ndryshme qeveritare (në kohën e Turqisë, në regjimin e Ahmet Zogut, këndej nën regjimin e Mbretërisë SKS, të thuash më drejt të Serbisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kohë të monizmit, në Shqipërinë e regjimit të E. Hoxhës, dhe në kohën e Titos në këtë anë). Ky studim me nëntitujt e vet, si: Sot duhet jetuar dhe dëshmuar, etj.  duket si çështje shumë e guximshme dhe për t’u diskutuar...në nivele ku mundet të diskutohet diçka e tillë.

Një kaptinë në vete do të ishte edhe letërsia, përkatësisht promovimi i librave

Meqë materiali është i tillë, pos një vjershe për Nënë Terezën, shihen vetëm recensione për libra. Janë prezantuar pak autorë që kanë promovuar librat e tyre në këtë Shoqatë. Por, ka mjaft recensione e vlerësime për librat dhe autorët. Më duket edhe në këtë pjesë nga shumë vlerësues, mund të zgjedhim ndër ato trajtesa më të mirat si, Ndërgjegjja e tërbuar ose terapia për shërimin e saj, një vlerësim i përkushtuar i Mehmetali Rexhepit për përmbledhjen e poezive të Sarë Gjergjit, Terapia e vdekjes –  rekuiem për Kosovën? E kjo më duket se është ecuri e mirë, sidomos kur letërsisë i bëhet vend çdo kund, veçmas kur bëhet fjalë për poezinë. Këtu ka edhe të tjera shkrime e vlerësime të kësaj natyre.

Tekste e fotografi

Më pëlqeu ta shënoj kështu fjalën time për këtë libër, Tekste e fotografi, autori i të cilit nuk i ka bërë krejt këto punë për ndonjë famë të veten personale. Ai gjithnjë ka dashur t’u ndihmoj të tjerëve dhe në kuadër të mundësive të veta, gjithnjë ishte i gatshëm të veproj. Thamë, Fatmir Selimi është njëri prej kalorësve të shoqatave dhe ShKA të këtij qyteti me rrethinë prej viteve të nëntëdhjeta. Kryesisht, nga dëshira që ta ndryshoj atmosferën kulturore të qytetit të lindjes e të rrethinës. Dhe mundësitë janë gjithnjë që të begatohet edhe më kultura e jonë kombëtare.

Artikuj të ndryshëm për kulturën në përgjithësi dhe për këtë Shoqatë në veçanti, një pjesë e mirë e tyre si ato shkencore, edhe ato letrare, janë mundësitë dhe përpjekjet që të zgjerohet dhe shtohet kjo Shoqatë, jo veç në kuptimin gjeografik të tri komunave, por edhe me një nivel më të lartë të kulturës shqiptare. Një numër i konsiderueshëm i mirënjohjeve për Shoqatën, përkatësisht për kryetarin e saj (autorin e këtij libri), marrëdhëniet me shoqëritë kulturo artistike të vendeve tjera, si atyre në Maqedoni, Turqi etj. fotografitë e ndryshme nëpër terrene, të anëtarëve të shoqërive kulturore e artistike, por edhe të nikoqirëve sikur të mysafirëve, janë një dëshmi kronikash e një arkiv i dendur për Shoqatën Qendra e Pavarur Kulturore për Anamoravë për një dekadë. Shtimi i këtij libri rrit hapësirën e interesit kulturor dhe njohuritë e lexuesit për rrjedhat e pashkëputshme të Gjilanit dhe rrethinës.

Me këtë rast autorit të librit dhe anëtarëve të kësaj Shoqate u shpreh falënderime, duke u dëshiruar vijimin e aktivitetit në të mirë të qytetarëve dhe rinisë tonë!



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora