E premte, 25.06.2021, 04:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Nazmi Seitaj: Bujar Kapllani artisti i shquar

E merkure, 24.06.2015, 07:07 PM


Bujar Kapllani artisti i shquar i artit pamor.

Nga Nazmi Seitaj

Që kur e pashë për herë të parë skulpturën monumentale të Aqif Pashë Elbasanit, kam mbetur i magjepsur nga ai realizim i ndritur klasik, ku çdo detaj i tij shprehet me një realizëm të kulluar e me ndjesi të ngrohta, teksa dalin në pah, tërë virtytet e këtij mendimtari e rilindasi të madh, thjeshtësia, intimiteti shpirtëror dhe delikatesa e humanistit intelektual, dashuria ndaj vegjëlisë, dëshira për të sakrifikuar dhe për të dhënë çdo gjë për të mirën e kombit (dora e majtë në zemër e me gishtin tregues drejtuar nga flamuri në krahun e djathtë) dhe ëndrra e tij e madhe, që Shqipëria të bëhet një vend i lirë, i pavarur dhe i përparuar ashtu si tërë ato shtete moderne të Evropës së qytetëruar.

Atë kohë që u ngrit ky monument, më 25 Nëntor të vitit 1995, autori i saj, fare i ri në moshë, ndoshta nuk e ka marrë me mend, se kjo vepër e tij do të mbetej emblema e qytetit të Elbasanit. Që nga ajo ditë kanë kaluar thuajse njëzet vjet, ndërsa artisti Bujar Kapllani ka realizuar edhe vepra të tjera, por njëkohësisht ka punuar edhe si profesor i Artit Pamor në universitetin “A.Xhuvani”.

Bujar Kapllani, me prejardhje familjare nga Përmeti, ka lëvizur nëpër vende të ndryshme të atdheut, ngaqë të atin e ka patur oficer e kuadro të ushtrisë. Mjafton të përmendim se vitet e fëmijërisë i kaloi në qytetin e vogël të Gramshit e mandej shkollën e mesme dhe të lartën artistike i kreu në Tiranë. Në vitin 1987 përfundon Akademinë e Arteve me titullin “Skulptor Monumental” dhe që nga ai vit Bujar Kapllani banon në qytetin e Elbasanit, ku aktualisht është pedagog i artit pamor në Fakultetin e Mësuesisë së Universitetit të Elbasanit.

Duke u nisur nga vlerat e tij artistike, nga jeta e tij dinamike, nga ndjeshmëria e shqetësimet e tij ndaj padrejtësive e nga qëndrimet e tij kritike dhe me atë përvojë të gjatë krijimi e pune, për të cilat mendoj e besoj se do të vlenin për artistët e rinj, vendosa t’i marr këtë intervistë për ta botuar e për ta bërë atë publike.

Cilat kanë qënë kontaktet e tua të para me artin dhe mësuesit e tu të parë që ju kanë lënë mbresa?

Natyra më ka tërhequr gjithmonë. Pamja e qytetit dhe e njerëzve kanë qënë përherë të rëndësishme për të hyrë në kontakt me ambientin në atë qytet të vogël, në Gramsh, ku kalova vitet e mia të fëmijërisë. I vetmi piktor i Gramshit në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillim vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, ishte Adem Hoxha dhe mua më bëhej ta shihja si një njeri që zotëronte dhunti të veçanta, në krahasim me njerëzit e tjerë, ndoshta ngaqë neve si fëmijë na plotësohej, prej tij, ndonjë kërkesë si; për të shkruar ndonjë gjë në bluzat tona të zakonshme, për të marrë ndonjë penel, ndonjë shtrydhje ngjyre me të cilat tentonim të krijonim, ndonjë simbol figurativ, brenda natyrës fëminore. Këto janë kontaktet e para me pikturën. E nëse kontaktet e para, janë të barabarta për gjithë fëmijët, dëshirat lindin përsëbrendshmi aty nga pragu i të dymbëdhjetave ose edhe kur i kalon ato dhe bie në kontakt me mësues të talentuar, që e nxitin talentin tënd. E tillë ka qënë mësuesja ime e vizatimit V.Shyqyriu, e cila ishte e përkushtuar në zhvillimin e kësaj lënde në shkollën tetëvjeçare të Gramshit. Kjo mësuese më jepte kënaqësinë e pjesëmarrjes në orën vizatimit, pasi na vinte në provë aftësitë tona për të vizatuar dhe jo të gjithë e kalonin këtë provë. Mua më duhej të punoja shumë, jo vetëm nga besimi i mësueses, por edhe nga kënaqësia që ndjeja, në ato orë të tëra mundimi, për të arritur të vizatoja ato detyra që më kërkonte ajo. Si një portë e madhe dhe përherë e çelur për të arritur ëndrrën e piktures, ka mbetur për mua Shtëpia e Pionierit, e cila në atë kohë përjetonte rritje të aktiviteteve kulturore në të gjitha rrethet e saj profesionale-artistike me fëmijët e Gramshit. Në vitet shtatëdhjetë i gjithë qyteti pasqyronte një rritje të natyrshme kulturore, sepse aty vinin kuadro të reja, ku kishte edhe artiste nga rrethet e njohura të vendit e sidomos nga Tirana e Korça. Piktori i parë nga i cili mora mësimet e para ishte Napolon Sava, ndërsa kurset i zhvillonim me profesorin Leon Çika, i cili sapo mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë erdhi në Gramsh, ku edhe ofroi një kontribut të jashtzakonshëm në Artet Figurative të qytetit. Kurset e të talentuarëve drejtuar nga L.Çika, kanë qënë një model i paharrueshëm për fëmijët e asaj kohe. Mbaj mend se në atë kohë realizuam vizatime e piktura shumë të bukura dhe në këtë kohë më lindën vizionet e para për të vazhduar studimet në artet pamore. Me këto përjetime për artin pamor, ishin edhe bashkëmoshatarët e mi pasionantë si A. Qose, B. Ajazi, V. Përfundi, D.Hasa etj.

Cilat kanë qënë punimet e tua të para?

Nuk mund të bëj dot një prerje të mbyllur, pasi ndoshta punimet e para mund të jenë edhe të menduarit brenda kureshtjes fëminore, gjatë kohës që shikonim e lexonim librat me ilustrime, të cilat kanë forcën e përfytyrimit më tepër të figurave se sa të fjalëve. Kjo mendoj se është magjia e artit pamor, që depërton, pa u kuptuar, vizionin perceptues të një fëmije. Ato mund të jenë jo vetëm në natyrë por edhe në librat, që nxisin tendencën për të njohur, kuptuar dhe praktikuar komunikimin viziv. Mendoj se praktikimi i parë ka qënë përzgjedhja nga mësuesja Sh. Ballaci, kur isha në klasën e katër, për të përgatitur një vizatim për në stendat e shkollës. Më kujtohet se ishte vizatimi i një rrugice që të çonte në Kalanë e Krujës. Edhe pse ishte një vizatim të cilin po e kopjoja nga një foto e ndonëse qëndrova deri orët e vona për ta punuar, nuk kisha bindje se e kisha realizuar bukur, por të nesërmen mësuesja mbeti e kënaqur dhe, fitova mjaft besim në vetvete. Mendoj se kjo ka qenë përpjekja ime e pare në artin e bukur pamor.

Puna e parë nuk mund të jetë privilegji i një rasti të vetëm. Më tepër se sa një punë është fenomeni në hapat e para, ndaj mendoj të shkuarën dhe përjetoj disa momente të ndryshme të angazhimit në artet pamore, në disa raste të ndryshme, të cilat kanë lënë gjurmë në vetëdijën time. Rasti i parë mund të përmendet edhe klasa e pestë ku mësuesja e vizatimit në shkollën tetëvjeçare grumbullonte mbasdite fëmijët më të talentuar për të bërë kurse të avancuara në vizatime. Ndoshta edhe me një ndjenjë humori, më vinë ndër mend shqetësimet e asaj kohe, të cilat i përjetoja gjatë vizatimit të një kane qelqi, ku kujtoj se nuk po e vizatoja dot transparencën në dritë-hijeve të qelqit dhe kërkova ndihmën e mësueses, por çdo gjë mbetej aty ku niste në hijet e errta, ndoshta jo vetëm për faktin se unë nuk po kuptoja shpjegimet që më ofronte ajo, por sot që jam artist mendoj se për mësuesen duhet të ishte tepër e vështirë modelimi në dritë-hije i një objekti prej qelqi, i cili është një test i vështirë për një profesionist edhe sot.

Një tjetër rast i parë mbetet i dukshëm kur piktori i qytetit Adem Hoxha, bashkë me dy piktorët e tjerë N. Sava e L. Çika, ardhur me punë në qytetin e Gramshit, na morën ne fëmijët e rrethit të pikturës së Shtëpisë së Pionierit dhe na ngjitën lart në kodrat e qytetit, për të pikturuar së bashku një peisazh nga natyra përrreth. Ideja ishte që ne fëmijët e talentuar të shikonim si bëhej një peizazh nga piktorët e qytetit dhe njëkohësisht të shfaqnim aftësitë tona, duke pikturuar natyrën. Ata na udhëzonin si të përzienim ngjyrat e ujit dhe si t’i vendosnim krahas njëra-tjetrës në pikturë.

Ajo që mbetet si një mesazh njerëzor i kësaj marrdhënie brezash, është dashuria dhe respekti i këtyre mjeshtrave, të cilët në formë humori shpreheshin se punët tona ishin “moderne” dhe “më të bukura” se punimet e tyre. Ndoshta profesionalisht nënthonin një gjë të panjohur për atë kohë, që deklamohej si e Realizmit-Socialist, sepse punët e fëmijëve afrojnë në ndjesi me krijimet e rrymave moderrne të fillimit të shekullit XX, në planin naiv e primitiv. Kjo shaka më bën të qesh me gëzim, për personalitetin e tyre, sa herë që e kujtoj sot. Pra arti në hapat e para mund të krijojë marrëdhënie të bukura njerëzore edhe më shumë se sa veprat. Ndoshta kjo mund të jetë më e rëndësishme, se çdo gjë përcillet në gjeneracionin shpirtëror të njeriut, në vlerën e absolutes për të mirën njerëzore.

Një nga kujtimet e bukura në fillimet e mia të para, është dalja në natyrë për të pikturuar me piktorin Leon Çika i cili ishte një profesor i rrallë jo vetëm për fëmijët, por edhe për kolegët e vet. Mbaj mend që të gjithë fëmijët ishin drejtuar nga mali i Tomorrit dhe pikturonin pamjen e tij. Letrën e parë që hodha ngjyrat e malit të Tomorrit, e vura në tokë dhe u largova ta shoh nga larg; atëherë pashë që piktura ime nuk ngjante me atë mal me pamje magjepsëse, ndaj dhe e grisa nxituar, mbasi mbeta i pakënaqur. Profesor Leoni më tha: “Mos u mërzit se do ta bësh më mirë herën tjetër”. U ula dhe e nisa për herë të dytë dhe puna po ecte më mire në formë, përmasa e raport ngjyrash. Ishte pranverë dhe bëra një kurorëpeme me lule në plan të parë dhe profesor Leonit i pëlqeu, me disa vërejtje për kompozimin e kurorës së pemës pa trungun e saj. U ngrita në këmbë dhe u largova, përsëri e krahasova me Tomorrin në largësi, por përsëri e kuptova që Tomorri ishte më i bukur se piktura ime, ndaj e grisa përsëri. Këtu vjen momenti më i bukur, i cili më hedh në kujtimet e mia me profesor Leonin, si piktor e si njeri. Ai kthehet nga unë, hap krahët me entuziazëm e më thotë: “Të lumtë, ti do të bëhesh artist përderisa nuk kënaqesh me punën tënde”.

Ja ku erdhi natyrshëm momenti që ju të na tregoni vazhdimësinë e rrugës së artit tuaj nga qyteti i Gramshit ku ishin hapat e para në pikturë, për të vazhduar skulpturën në Tiranë, si nxënës në Liceun Artistik. Si ndodhi kjo e si e keni përjetuar këtë moment?

Krejt rastësisht në dukje e gati si një referencë e komisionit vendimmarrës të pranimit në shkollën e mesme artistike në Tiranë, por për gjykimin tim ishte edhe ndikim i pretendimit të kuadrove të seksionit të arsimit në qytetin e fëmijërisë, në Gramsh, të cilët ishin pa koncepte të qarta kulturore në fushën e artit figurativ. Ata, kërkesën time për të vazhduar shkollën artistike për pikturë dhe konkurrimin në atë shkollë, ku vajta, e konvertuan në objektiv të realizimit të planit të tyre industrial në punishtet e thuprës e çibukëve, ndaj dhe të drejtën time të studimit në liceun artistik të Tiranës, e kushtëzuan me kërkesën e emërtuar për “mjeshtër të punimit me dru”, dërguar Ministrisë së Arsimit e Kulturës. Sot mendoj të jetë kjo arsyeja pse komisioni i asaj shkolle më kaloi për skulpturë, pasi unë realisht isha i përgatitur në pikturë. Doja të bëja ndërhyrje në drejtorinë e shkollës, që të rishikohej ky emërtim, por ata më thanë se kjo është kërkesa e qytetit nga ke ardhur e kjo mendoj se më privoi nga një e drejtë, që më takonte, por jo çdo gjë që niset jo për mirë, mund të jetë deri në fund e tillë. Sot unë jam një skulptor siç mund të isha një piktor dhe pasioni për artin nuk mund të ketë kufij në çdo lloj dimensioni moral apo profesional. Një fakt më bën përshtypje, se të njëjtat qëndrime u reflektuan në atë qytet edhe kur fitova shkollën e lartë, mbasi këtë herë më krijuan disa kuadrate penaliteti, ku tentuan të më futnin menjëherë në dy tre ditët e para kur mora lajmin e fitimit të konkursit për në Akademinë e Arteve, por ja që nuk e patën tagrin e duhur dhe moralin e lartë për t’ia arritur atij qëllimi ogurzi.

Por këtë herë nuk flitej për një rastësi në drejtim të skulpturës, tashmë ishte pasioni im këmbëngulës, që vendoste fatin në konkurrim për të studjuar në skulpturë monumentale. Pasioni e këmbëngulja tek gjithë bashkëmoshatarët e mi, që merreshin me art, ushqehej me fanatizëm për të qënë të sigurtë në udhën e artit. Aq sa të qëndrueshme janë cilësitë e artistit, po aq edhe të pashterueshme janë përpjekjet e të paaftëve dhe të jodashamirësve për të qënë ata faktorë në punët e përpjekjet e artistit. Ndaj në jetë nuk mund t’i bësh të dyja, ose do të bësh artin ose në të kundërt servilin ndaj të paaftëve, ngritur mbi pushtete të vockla njerëzore.

Skulptura juaj e parë?

Skulptura ime e parë, pa përmendur punimet e shkollës, por, si krijimardhur së brendshmi, nga dëshira ime për të qenë skulptor krijues, është figura e Skënderbeut në këmbë realizuar në vitin e katërt të shkollës së mesme, kur isha 18 vjeç, të cilën ia kam dhuruar në vitin 2006 një ish-luftëtari të UÇK-së në Maqedoni, me të cilin u njoha gjatë konkurrimit për monumentin e Skënderbeut në Shkup, si një simbolikë, në shenjë respekti për mikpritjen. Kjo skulpturë, që e kisha punuar para 25 vitesh, ishte edhe krijimi im i parë atdhetar.

Po studimet e larta në Akademinë e Arteve ç’rrjedhojë patën?

Periudha, që mbrojta studimet, mbetet gjithnjë në mendjen time me ngarkesa kompleksiteti, midis asaj që duhet të isha si artist dhe asaj që nuk duhet të veproja si artist, për shijen mediokre të një shumice a pakice njerëzish (kurrë s’e mora vesh), që e quanin veten artdashës, por që në fakt me qëndrimet e tyre shprehnin mosmirnjohje ndaj atyre artistëve që kërkonin të ishin të pavarur në rrugën e artit. Ky ishte një problem i madh pasi duhet të ishe në rrugën tënde, por të bëje edhe kritikën mbrojtëse përballë “kompetentëve”, kur ata me një të rënë lapsi të ngrinin lart apo të ulnin poshtë. Imagjino sot ku një plejadë gazetarësh të demokracisë kanë marrë këtë laps në duart e tyre, ndërkohë përveç lapsit kanë marrë edhe gomën fshirëse, që të shënojnë atë që duan dhe të fshijnë atë që nuk e duan “politikianët”. Pra është dashur shumë punë, jo vetëm për mua e kolegë të tjerë artistë, për të krijuar vepra arti, por edhe nga ana tjetër “kompetentët” kanë ecur mjaft përpara, pasi kanë shtuar gazetat e mediat jo për të vlerësuar artistët, por për të monopolizuar artin në fokusin e kompetencës së tyre “politike”. I shpreh këto mendime, pasi kam kuptuar tërë këto vite, se arti është zhvilluar vazhdimisht në këtë shtrat të kompetencës popullore-mediatike dhe, në qoftë se sot pas 20 vitesh më thonë se ke bërë një monument të bukur për Aqif Pashën, kjo është për meritë edhe të atij opinioni të shëndetshëm popullor për punën e artistit, ndërkohë që mediat “heshtin” sikur para tyre ti ke krijuar një hiç, ndërsa realisht ke krijuar një monument në bashkëkohësi me ta. Nuk bëhet fjalë për ndonjë intervistë, për të kuptuar si u ngrit kjo vepër, por as edhe emri nuk përmendet në mediat “kompetente” të tyre. Të dy kemi ecur, edhe ne artistët edhe këta “kompetentët” këto vite, por vetëm një gjë është e qartë, se arti i vërtetë është përpjekur gjithmonë të perfeksionohet drejt kulturës popullore dhe shijes moderne qytetare, ndërsa “kompetentët” në emër të këtyre të fundit, vazhdojnë të largohen në drejtim të kundërt në botën abstrakte të varësisë politike, drejt idhujve të rremë me të vetmin qëllim për të zënë sado pak vend në perandorinë e politikës, në të ashtuquajturën pushtet i katërt. Në këtë sfond sa demokratik nga forma, por jo funksional në përmbajtje, janë ngritur monumentet e skulpturës në këto dy dekada, gjë e cila ka qënë mjaft e vështirë për të ndërtuar një sistem vlerash. Këtë e them pasi kam ngritur monumentin e Aqif Pashës, të Aleksandër Xhuvanit e të Edmond Hoxhës në Kosovë, por vetëm kaq mund të them, ndërsa për vlerat e tyre nuk flas dot. Për këtë mund të flasin “kompetentët” të cilët janë larguar shumë larg prej nesh me abstraksione elektorale, ku arti ju duket si një asgjë e hiç, ndërsa puna jonë edhe pse nuk mund të shprehemi se çfarë vlerash mbart, është krijuar për ndjesitë konkrete të politikës humane, atje ku jetojnë njerëz dhe ushqejnë atdhetari dhe aspiratë qytetare drejt shoqërisë moderne. Ndoshta kjo panoramë është më evidente në artet monumentale, pasi po aq sa të mëdha janë sakrificat e artistit të përkushtuar, po aq të mëdha janë shanset e përfitimit abuziv të llokmave financiare, që iu fal politika beniaminëve të tyre, edhe për faktin se skulptura monumentale lë hapësirë për të eksperimentuar, ndërkohë që gjurmët e këtyre eksperimenteve lënë pasoja në politikën konkrete të qytetarisë dhe demokratizimit të marrëdhënieve funksionale të jetës së vendit. Në këto marrëdhënie gjysëm eksperimentale të artit me politikëbërësit, ka një gjë të mirë që ia vlen të përmendet, pavarësia krijuese që buron nga vetë perceptimi i brendshëm i artistit. Një mundësi iluminimi të brendshëm ka shanse të ndodhë vetëm në përballjen me vështirësitë që e shoqërojnë realizmin e një vepre arti. Një perceptim i brendshëm njerëzor konstaton se artisti mund të ruajë eikulibrin krijues jashtë kufijve standardë të perceptuar së jashtmi nga politika, për më tepër, kur edhe vlerësimet ngurtësohen nën efektin e perceptimeve të jashtme të opinioneve klanizuese të artit. Para se të realizoja këto monumente, që po flasim, në perceptimin e jashtëm të tyre, opinionbërësit më quanin krijues i talentuar me nota lirike dhe frymë erotike, ndërsa unë së brendshmi ndjeja se të gjitha këto tipare buronin si humanizëm e dashuri njerëzore, nën efektin e një shtyse të fuqishme të egos profesionale, gjithmonë duke u përpjekur për të vizatuar e modeluar përsosmërisht skulpturat e mia, në mënyrë të atillë që para shikimit të qytetarëve të merrnin notën “vepër e bukur”, por që edhe të shpinin me kënaqësi dhe endje në përmbajtjen e vlerave të tyre humane. Forca e këtij perceptimi të brendshëm nuk kishte si të mos jepte rezultate në krijimin e monumenteve historike, të realizuara nga unë, të cilat nuk mund të quheshin nga perceptimi i jashtëm i “kompetentëve” as erotike e as lirike, por nën forcën e punës sime profesionale, i kam bërë të heshtin me laps e gomë në dorë përballë humanizmit, respektit dhe dashurisë njerëzore, që përcjellin këto vepra tek njerëzit e qytetarët e republikës sime, ndërsa për “politikanët” mbeten një mburojë e artë në fushatat e tyre elektorale aqsa të duket sikur monumentet i kanë bërë ata e jo unë(!!!).

Cilat kanë qënë disa nga vlerësimet që ke marrë në artin tënd?

Unë mendoj se vlerësimet, ndonjëherë, kanë shtysë institucionale, ndaj ne jemi dëshmitarë dhe përjetues të një kohe jo të favorshme për krijimin artistik individual, siç është skulptura monumentale, por edhe për artet në përgjithësi. Kjo jo për arsye se në thelb mungon kultura qytetare, përndryshe do të gabonim, sepse në historinë e artit shqiptar ka plot shembuj suksesi dhe lartësimi të arteve në periudha të ndryshme kohore ku shoqëria shqiptare ka gjetur misionarët e vet për ringritje kombëtare, gjë të cilën e kanë shprehur në cilësinë e veprave artistike të tyre. Realisht ne jetuam në një kohë, kur kjo kulturë nën presionin e një grupi shoqëror të etur për pushtet dhe pasuri, u ndrydh, u trondit, u nënçmua, humbi besimin se e ardhmja i përkiste kulturës, qytetarisë dhe artit. Kjo kohë matej vetëm me një masë; fitimi i parasë, ky lloj fitimi arriti të vrasë moralin e punës, e cila është mekanizmi kryesor i krijimit të vlerës. Kjo periudhë, pa u zgjatur në ato që thashë më sipër, quhet kaos, por fatkeqësisht jo kaos i mendimeve, koncepteve, krijimeve, prej të cilave mund të ringrihej arti me një frymë të re. Ky kaos kishte vetëm një element; interesat e pangopshme të njerëzve pa zanat e profesion, por, që marrin frenat e tenderave të artit. Tenderimi i artit solli edhe shuarjen e zërit të kritikës artistike, pasi kjo quhej promocion dhe reklamë (!?). Asnjë individ nuk mund të ishte altruist për të vlerësuar sukseset e një artisti tjetër, çdo gjë personalizohej si sukses fitimprurës në tenderim. Ky lloj kaosi në konceptimin e vlerave artistike, është shkaku i mungesës së opinioneve të shkruajtura dhe mendimit kritik në art. Institucionet, që duhet të mbulonin analizën e vlerave, fillimisht ishin formale e më pas ato humbën ekzistencën. Në këtë kaos, artisti edhe kur bën një vepër shumë të mirë, të mirë, të keqe, apo shumë të keqe, kjo nuk përbënte ndonjë rëndësi për institucionin. Artisti ndjehet i vetmuar në kërkim të opinioneve gojore të publikut, të cilat nuk përbëjnë garanci për krijimtarinë e ardhshme organizuar me tenderat e pushtetit, ndërkohë që vlerat reale të tyre merrnin peshën në fjalët e natyrshme të njerëzve që nderojnë artin. Opinionet gojore të publikut janë pa emër, pa numër dhe të pashlyeshme nga ndërgjegja e njerëzve. Unë ndjehem i vlerësuar, që qytetarët e Elbasanit krenohen me monumentin e Aqif Pashë Elbasanit dhe nuk ndjehem aspak humbës (kështu më quajnë eksponentët bashkiakë) përballë tenderave të pushtetit për artin e miqve të tyre, të cilëve opinioni i qytetarëve të thjeshtë u ka dhënë vlerësimin ashtu siç e meritojnë. Për më tepër mjaft njerëz të nderuar, si artistë dhe personalitete të kombit shqiptar, më kanë vlerësuar për krijimtarinë time, por kjo mbetet vetëm personale, ndaj dhe nuk më takon që të spekulloj me citimin e tyre, për mua mjafton edhe respekti që kanë qytetarët e Elbasanit edhe përgëzimi i Dhimitër Shuteriqit, i cili e vlerësoi monumentin në komisionin përfundimtar të aprovimit, më mjafton edhe vlerësimi i një të moshuare 80-vjeçare, mbesë e frashëllinjve martuar në Elbasan; ajo kur e pa monumentin më tha: “Ky është Aqif Pasha. Unë kam qenë vajzë shkolle kur shkëmbehesha çdo ditë në rrugë” (Po kështu u shpreh edhe Dhimitër Shuteriqi). Kjo e moshuar erdhi në studio, përcjellë nga një miku im mësues Luan Belegu, për të konstatuar nëse e kishta realizuar atë figure në ngjashmëri. Më mjafton edhe vlerësimi i qytetarëve të nderuar si intelektualë dhe artistë në qytetin e Elbasanit; njëri prej tyre, shkrimtari Hyjni Ceka ka shkruajtur një ese për ngritjen e këtij monumenti.

Ku ndjehesh më pranë me pikturën apo me skulpturën?

Skulptura është profesioni im, për atë jam shkolluar dhe jam rritur duke ushtruar vlerat profesionale të saj, ndërsa piktura është ushqimi i ndjesive mbi dashurinë për natyrën, jetën. Skulptura në pamje të parë ka një mister metafizik, i cili të stërmundon, si nga ana fizike dhe ajo llogjike, por sa më gjatë të rrugëtosh në këtë hermetizim midis ngarkesës fizike dhe organizimit logjik të vlerave plastike, fillon e kupton se ndjesitë e tua bëhen gjithmonë evidente me lartësimin e personalitetit, ku ndërthuren dëshira për jetën, për natyrën, toleranca për kontradiktat e kësaj bote, si dhe adhurimi i atyre vlerave, që në historinë tënde jetësore dhe të kombit ku jeton kanë mundur të krijojnë ndjesi të vërteta njerëzore. Piktura të bën të kesh besim dhe kënaqësi në reflektimin pamor të ndjesive ndaj të bukurës, reales, lojës së ngjyrave të linjave. Piktura është më tepër një kënaqësi të cilën e afron vetë natyra dhe ti veç se duhet ta dashurosh. Ashtu si natyra edhe mendimet e bukura, edhe historitë e shëndetshme njerëzore, edhe kthjelltësia e brendshme botkuptimore për vlerat humane, të shtyjnë drejt simbolikave dhe metaforave të pikturuara si kompozime jetësore. Po ashtu edhe skulptura në punimet e mia përcjell ndërthurjen metafizike, logjike dhe ndjesore, ndaj mendoj se nuk mund të jesh i paracaktuar për të qënë piktor apo skulptor. Piktura erdhi si fillim, skulptura si shtysë, por të dyja bashkë janë pjesë e njëra tjetrës, asgjë nuk humbet, pa e kuptuar ato japin e marrin, kanë të përbashkët ndjenjën. Këtë gjë arrita ta kuptoj me vizatimet e studiuara prej meje, kur kërkoja formën në vëllime skulpturore të ndërthurura në tre elemente dritë, hije, theks (kufiri i dritë-hijes), por nga ana tjetër duke i ndërtuar këto, dora fluturonte në struktura vijash piktoreske dhe trasparente, gjë e cila fitohet me ushtrimin e punimeve në akuarel, vaj e pastel.

Cilat janë pengjet që ju mundojnë?

Dëshira për të bërë monumente buron, jo vetëm atëherë kur kanë dëshirë e nevojë pushteti, për t’u mbështetur pas historisë, por edhe për shijet e ndjesitë e zakonshme qytetare, për t’i lartësuar ato në nivelet e duhura që kërkon urbanizimi modern i vendit, ku rrugët, sheshet, parqet në çdo moment të prekin ndjesinë e njeriut për të gjithë moshat e kategoritë njerëzore. Do të ishte shumë bukur që veç monumentit të flamurit në sheshe e rrugë, përveç fiksimeve historike, të kishim edhe tema të jetës së përditëshme, që e afrojnë njeriun më shumë me natyrën dhe lirinë, për të menduar me vlerat e tij individuale të ushqyera në gjirin e natyrës dhe shoqërisë së shëndetshme. Një skulpturë historike e pashoqëruar me këto vlera skulpturore do të ofronte vizione provincializmi. Një figure fëmije që luan diku në park, figura kafshësh që lundrojnë mbi shatrivane, diku një pemë mitologjike që lidhet me qytetin në alegorinë e kafshës dhe njeriut, lufta e përjetshme e vlerave njerëzore për t’u lartësuar, diku në një park universitar figura studentësh që studiojnë e meditojnë, diku një filozof që jep një mesazh njerëzor, diku një njeri të thjeshtë që ka ngritur zërin e ndërgjegjes qytetare kundër padrejtësive, por edhe forma abstrakte më emblematikë apo elemente natyrore që të shtyjnë te kultivimi i shijes të së bukurës. Jeta nuk ka vetëm histori, ku militojnë modelet e pushtetarëve, por mbi të gjitha ka një burim të pashtershëm ndjenjash të natyrshme, të cilën ne e quajmë histori njerëzore. Pra ende nuk kemi kuptuar, në mënyrën sesi e konceptojmë skulpturën pushtetarët, se edhe heronjtë që kemi ngritur në piedestale kanë patur për mision çlirimin e ndjenjave njerëzore. Ne vemë kurora në këmbët e tyre, madje shtojmë dhe emra adhuruesish me origjinë pasunarësh, por harrojmë që artistët t’i vëmë në punë që të skalisin ndjenjat e vlerat e bukura njerëzore, si tharmi i një shoqërie të shëndetshme dhe humane në punët e së ardhmes. Ndaj dhe më ka mbetur peng që të paktën një punë në dy vjet mund të kishim realizuar, bashkë me të dhe misionin tim si artist për të ndryshuar perceptimin e jetës, edhe për ata njerës që nuk janë artistë, por janë konsumatorë të vërtetë të vlerave artistike. Kam besim se kjo do të përmirësonte cilësinë e të menduarit dhe të jetuarit në një komunitet urban modern. Shpresoj që në të ardhmen pushtetarët mos e shohin dhe konvertojnë misionin e artistëve të vërtetë si mënyrë fitimi të pasurisë dhe pushtetit, për veten e tyre. Mbi artin asgjë nuk ka vlerë, ku ka art ka kënaqësi për të jetuar në atë qytet, ka besim se gjërat përsëri do të rregullohen, ka partneritet qytetar për të zgjedhur më të mirën e asaj që quhet njerëzore.

Ju, veç artit tuaj në pikturë e skulpturë, jeni edhe pedagog i artit pamor. Si e konceptoni mësimdhënien e një artisti në sferën e artit të vet?

Vetë arti është “mësimdhënie”, por i maskuar në mesazhe njerëzore, ku ndërthuret plotësia ndjesore dhe logjika e aktivitetit krijues. Arti fillon si metafizikë e natyrës duke ushqyer ndjenjat dhe arsyetimin “shkencor” po kështu edhe mësimdhënia në art njësohet me leximin e rrugës, që përshkon artisti, si një njeri krijues në procesin e tij të brendshëm, duke ndjekur hapat e rritjes së aftësisë profesionale, duke e shndërruar në modele të gjalla edukimi për mësuesit e brezit të ri. Mësimdhënia futet edhe në historinë e zhvillimit të vlerave njerëzore në periudha, kombe dhe vende të ndryshme, të cilat janë modele të gjalla jo vetëm për mësuesit e ardhshëm por për çdo lloj profesioni; madje edhe për ekonomistët, jo vetëm për filozofët e historianët. Historia e artit është një pasqyrë e gjallë që prej njeriut primitiv e deri në njeriun e sotëm, për zhvillimin e kombit, shkrimit, mjeteve, teknikave, historive të pafundme njerëzore, zbulimeve shkencore, stilit të jetesës, mendimit filozofik dhe teorive estetike, evolimit të religjioneve, monarkive, reformave, zbulimeve të sekreteve të natyrës së zakonshme në mikrobotën e gjallë si dhe në fenomenet madhore të natyrës. Në art i gjen të gjitha, ndaj edhe është metoda më objektive në mësimdhënie për të mësuar historinë e ndjenjave njerëzore, që e kanë shpënë njeriun drejt zbulimeve të mëdha shkencore dhe ndryshimeve të pafundme të marrëdhënieve drejt politikave pozitive të së ardhmes. Arti është edukim. Studentët e duan artin, sepse arti i edukon më mirë sesa recitimet pa përfytyrim.

Si është vlerësuar monumenti i Edmond Hoxha në Kosovë?

Ky monument më sjell gjithmonë në dy gjendje, të gëzimit dhe të respektit që m’u bë kur m’u besua realizimi i këtij monumenti dhe tjetra është pengu se nuk e mbajta dot në modelim dhe nja dy tre muaj më shumë, jo se kisha përfitim, por kisha shumë për të bërë në drejtim të plastikës profesionale për atë monument, mirëpo porositësit nxitonin, pasi kishin arsye objektive, ngaqë edhe vëllai i këtij heroi u nda nga jeta katër muaj më pas. Ishte një nga shqiptarët e persekutuar nga pushteti serb, ishte ndër të parët që e ngriti zërin për flamurin, duke shkurtuar ditët e bukuratë jetës në burgjet e Jugosllavisë. Këtu merr rrugë edhe edukimi i Edi Hoxhës me dashurinë për kombin dhe flamurin shqiptar. Familja e tyre ishte bazë themelimi i kombit shqiptar, brez pas brezi, duke sakrifikuar çdo gjë për lirinë. Edi ishte në bërthamën nismëtare të themelimit të UÇK-së dhe është ndër tre heronjtë e parë të UÇK-së, vrarë në pusi. Ajo që më bëri përshtypje në personalitetin e tij djaloshar, ishte jo vetëm bindja se liria e atdheut ishte e çmuar, por edhe fiziku i tij sportiv e madhështor edhe me një bukuri si rrallëherë në mosha të tilla. Kur pashë foton e tij ndjeva dhimbje, adhurim, respekt dhe krenari. Gjëja e parë që më vajti ndërmend, kur e kompozova, ishte që ta bëja në ecje me vendosmërinë e hapit të majtë përpara, duke thirrur rininë kosovare për kushtrim, po me dorën e majtë drejt qiellit për liri dhe me gishtin tregues të dorës së djathtë drejt tokës për atdhe. Kjo ide më bëri t’iu rezistoj dëshirave të porositësve, për ta veshur ushtarakisht dhe për ta armatosur me armë, m’u krijua bindja se shpirti i Edi Hoxhës ishte më lart se fuqia e uniformës dhe armës, saqë serbët e vranë në vrapim mes pyllit, me helikopter, pasi nuk e kapnin dot. Një muaj rresht iu argumentoja porositësve, në e-mailet që shkëmbenim, vlerën që kishte shpirti djaloshar i rinisë kosovare në figurën skulpturore të Edi Hoxhës. Komunikimet qarkullonin në gjithë diasporën shqiptare, përfshirë personalitete shqiptare në perëndim dhe në Kosovë, të cilët u “dorëzuan” përballë argumenteve të mia, si krijues dhe bashkëkombës i tyre. Më dhanë të drejtën të vazhdoja sipas mendimit tim. Për një artist kjo është arritje, sepse porositësit mund të më anashkalonin, nëse nuk do të më kuptonin. Nga mesi i procesit të punës erdhën familjarët dhe motrat e heroit të cilat mbetën të kënaqur jo vetëm me ngjashmërinë e skulpturës me heroin, por edhe me frymën që përcillte. Puna po ecte mirë dhe kisha vendosur të bëja një vepër më të arrirë e më të bukur dhe me plot mendime, duke punuar për shtatë muaj e për çdo ditë nga mëngjesi në darkë, gjithmonë me shqetësimin për ta bërë gati në ditën e kërkuar prej porositësve. Do të doja të kisha punuar dymbëdhjetë muaj. E veçanta e inagurimit për mua si autor, ishte momenti kur i vëllai i heroit, Xhaviti, m’u shpreh : “Po më pëlqen edhe mua që u bë ashtu si e mendove ti Edin, pa uniformë e pa armë!”. Aty ai lexoi edhe rininë e vet që luftoi me shpirtin e tij kosovar dhe zemër shqiptare.

Monumenti i Aleksandër Xhuvanit është skulptura juaj e promovuar në njëqind vjetorin e shkollës së parë Normale Kombëtare, si ju lindi ideja për realizimin e kësaj vepre?

Në Shqipëri mund të lindin shumë ide si artist, por nuk është e thënë që të bëhen realitet. Më bind edhe fakti se në vitet 88-89 pata një ide, të pasuroja fasadën e shkollës së mesme pedagogjike e cila përfaqësonte vlerat trashëgimtare të Normales, shkollës së parë të mesme të arsimit, hapur në vitin 1909 pas reformave të lëvizjes xhonturke në Shqipëri. Unë si artist, nuk përfaqësoja traditën e Elbasanit, por kisha mësuar e kisha lexuar për figurat historike të këtij qyteti. Në vitin 1989, në 80-vjetorin e shkollës Normale, dëshiroja të bëhej në fasadën e shkollës pedagogjike, një ndarje triptiku, një reliev ku : hapësira e parë, të ishte themelimi i Normales në vitin 1909; e dyta aktivizimi në luftë i kësaj Normaleje (Lufta Nacional-Çlirimtare); e treta zhvillimet e arsimit brenda kohës aktuale. Në pjesën e parë të triptikut, perceptoja lëvizjet kohore të luftëtarëve të çetave patriotike, nëpërmjet një luftëtari hipur duke ecur përbri një kali në hyrje të kompozimit, duke i hapur rrugë të lirë një grupi prej fëmijësh, veshur me rroba tradicionale të krahinave shqiptare, me libra e instrumente muzikore në duar dhe me pishtarë drite që simbolizonin forcën e dijes që ofron shkollimi, forcën e dashurisë që ofron edukimi me artin dhe fuqia e patriotizmit që ofron dija dhe arti edukuar në shkollën Normale. Gjithë kjo hyrje jo më kot është në këtë rrëfim, pasi edhe e kam modeluar në një projektide vepre monumentale, me qëllimin për të evidentuar faktorin historik të personaliteteve kombtare që vunë gurin e themelit në këtë ngrehinë madhështore për kombin. Historia e Normales nuk i përket vetëm qytetarëve të Elbasanit, ndoshta ajo përfaqson më tepër, bazuar në spektrin e gjerë të personaliteteve që e formuan dhe zhvilluan këtë Normale, nisur me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin dhe plot figura të tjera nga qytetet e zhvilluara si Korça e Shkodra. Shkolla Normale mban emrin e Luigj Gurakuqit, si përfaqësues i lëvizjes politike kombëtare, si përfaqësues i Rilindjes Kombëtare dhe si kordinator i veprimtarisë së çetave patriotike kombëtare për pavarësinë e trojeve shqiptare. Ndërsa Aleksandër Xhuvani përfaqësonte personalitetin e dijes dhe djalërisë intelektuale që hodhi themelet e arsimit shqiptar. Nuk është rastësi që vetëdija e qytetarëve dhe atyre pashallarëve që mbështesin këtë lëvizje, iniciuan të parët ngritjen e flamurit të Pavarësisë Kombëtare në 25 nëntor 1912 me dorën e patriotit Aqif Pashë Elbasanit, por edhe me frymën e dijes që hapi Normalja e Gurakuqit dhe Xhuvanit. Ndaj edhe sot do të dëshiroja që në pllakën ku shkruhen emrat e qytetarëve elbasanas, që mbështetën vendimin historik të ngritjes së flamurit, të vendoseshin para emrit të Shefqet Vërlacit, si beu më i pasur i qytetit, emrat e Luigj Gurakuqit dhe Aleksandër Xhuvanit, si gurë të çmuar të mendimit kombëtar, të cilët sollën dritën e dijes patriotike, jo vetëm në zemrat e popullit të thjeshtë dhe të qytetarëve të nderuar, por edhe në mendjen e bejlerëve dhe agallarëve, që pasuria nuk i ndante dot nga Turqia.

Kjo është arsyeja që në pjesën e parë të triptikut për monumentin e Normales (i cili nuk u realizua) kam vendosur në mes të fëmijëve Luigj Gurakuqin si liberator dhe Xhuvanin si profesorin e parë shqiptar, Luigjin si një hero kombëtar me përmasat e qytetarisë shkodrane dhe të trojeve shqiptare dhe Xhuvanin si përfaqësues të elitës moderne lokale me përmasa moderne evropiane. Si një e tërë e pandashme e lëvizjes sonë kombëtare ishin ato të dyja; Liria dhe Drita e së ardhmes.

Ndryshe nga fati dramatik i Luigj Gurakuqit, fati i Xhuvanit mori përmasa të tjera të papara në vitet tridhjetë nën hijen e Monarkisë Shqiptare. Shkolla Normale solli intelektualët e parë shqiptarë të cilët i dhanë përmasa moderne Luftës Nacional-Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe zhvillimit të arsimit, kulturës dhe ekonomisë shqiptare. Drejtori i kësaj Normaleje në vitet tridhjetë ishte Aleksandër Xhuvani. Në këtë shtjellë të gjatë erdhi nxitja për koncept-idenë e parë mbi Aleksandër Xhuvanin, i cili nuk u realizua në monumentin e Normales, pasi komisionet e arteve pranë Komitetit të Partisë dhe Këshillave të Rretheve në kohën e monizmit, ndërtoheshin nga individë, të cilët jo vetëm që nuk kishin inisiativa personale, vullnet e besim tek vetja për përmasa të tilla punimesh monumentale, por kishin edhe “shansin” për të frenuar, penguar dhe ndaluar ata që kishin inisiativa të tilla. Ndaj sot ato makete punuar për gati një vit, ndodhen në studion time, mbuluar nga pluhuri i harresës. Fasadat e pedagogjikes historike, sot gjimnaz, janë hapësira boshe pa mesazhet e domosdoshme historike, ndërsa anëtarët e komisionit shijojnë sukseset e artit të “tregut” rrugëve të botës moderne në Perëndim... Ndoshta, në mallin për vendlindjen, një hije reflektimi mund t’i prekë. Ndoshta mund të kishin bërë edhe ata diçka në kujtim për Normalen dhe Pedagogjiken e Elbasanit, e cila nuk ekziston më si shkollë e mesme, sot. Ndoshta mund të kishin lënë një shenjë në ato fasada, ku lindi dhe u rrit ajo shkollë e parë Normale e arsimit shqiptar(!?).

Po të flasim për realizimin e monumentit të Aleksandër Xhuvanit pranë godinës së universitetit me të njëjtin emër në Elbasan, mund të them me vetëdije se nuk mund të ishte ideja ime, mbasi monumentet financohen me buxhete të konsiderueshme. Kjo ishte si një ide e rektoratit dhe e senatit të Universitetit të Elbasanit të cilët, pasi i dhanë një pamje moderne Univesitetit të Elbasanit, mundën të përjetësonin në monument figurën e themeluesit të këtij universiteti që nga lindja e Normales në 1909, hedhja shtat e tij në vitet tridhjetë, për të arritur në jetesën moderne dhe universitare të tij mbas njëqid vjetësh më 2009.

Njëqind vjet mjaftojnë për të përcaktuar vlerat e një personaliteti kombëtar që u përkushtua me mish e shpirt për këtë komb, i cili fali jo vetëm energji e dije për lindjen e formimin e arsimit kombëtar, fali jo vetëm vullnet politik për modernizimin e parlamentarizimit dhe politikave kombëtare për arsimin dhe shkencën, por ngjizi dhe atdhedashurinë dhe heroizmin për të bërë sakrifica për kombin, duke i dhënë atdheut në luftën epokale të Çlirimit Kombëtar, jetën e çmuar të një prej bijve të vet, Ptolemeut, si për të çuar më lart testamentin e lënë nga Luigj Gurakuqi në hapjen e Normales për lirinë kombëtare me moton e rilindasve me pushkë e me penë.

Nisma e rektoratit të Universitetit të Elbasanit, u zhvillua me një ide nga unë si krijues dhe artist, por edhe si qytetar i Elbasanit, që Xhuvanin ta shikonim në krye të shkallëve me kapelen e republikanit në dorën e majtë dhe me dorën e djathtë në xhepin e tij si thesar origjinal të dijeve, të ideve, të ëndrrave dhe dëshirave jetësore, por dhe të sakrificave që ruan për lirinë dhe zhvillimin e kombit, të cilin e shohim sot si simbol të individualizmit profesional, intelektual, shkencor dhe burimi material. E gjithë kjo e shoqëruar me përkulje të kokës lehtë anash nga dora që mban në xhep në nderim të vetvetes si vetëbesim dhe modesti për studentët që kalojnë në krah të tij të cilët marrin stafetën e së ardhmes.

Çfarë vështirësish keni patur për realizimin e kësaj vepre?

Ndërsa flasim pë sakrifica të mëdha që kanë bërë njerëz të nderuar nga kombi, për një artist nuk shkon fjala sakrificë, pasi artisti ndjehet krenar të modelojë imazhin e figurave të tilla dhe njëkohësisht i jepet shansi të nxjerrë në pah aftësitë e veta profesionale.

Cilat janë vlerësimet për këtë monument?

Pikë së pari ndjehem mjaft i vlerësuar, për besimin e shfaqur nga rektorati i Universitetit të Elbasanit, i cili përzgjodhi projektidenë skulpturore, të Xhuvanit, realizuar në maketin fillestar me lartësi 1 metër. Ndoshta ky besim lidhet edhe me vlerat e prezantuara në monumentet e mëparshme, realizuar prej meje, të cilat ofronin një opinion të mirë artistiko-profesional tek bashkëqytetarët e mi. Kjo i siguronte se do të realizonin me sukses qëllimin e tyre në këtë monument, por edhe kostoja e preventivit ofruar nga unë, për këtë punim monumental, ishte mjaft modeste krahasuar me fondet e shpenzuara në raste të tjera, për monumente me madhësi më të vogël, për të mos thënë që janë realizuar edhe monumente me cilësi të dobët artistike. Për këtë ndjehem i vetëvlerësuar në kompleksitet dhe si pjesë akademike e këtij universiteti.

Ndërsa me median kam mbetur mjafti zhgënjyer, pasi nuk shkruan në gazetat e tyre emrin dhe mbiemrin e skulptorit, i cili modeloi këtë monument, që s’ishin vetëm dy fjalë dhe vetëm kaq. Nuk i lejuan pronarët e tyre?! Ndërkohë u përmendën emrat e gjithë qeveritarëve, që morën pjesë në inagurimin e monumentit, madje edhe emrat e titullarëve akademikë të UE-së, edhe pse ndejtën sehir gjatë krijimit të monumentit, nuk erdhën njëherë të vetme në studio për të diskutuar realizimin e tij, as nuk i “hante meraku” për të. Për këtë “objektivitet gazetaresk” i falenderoj, sepse dëshmuan se gazetat e tyre dhe televizionet lokale, edhe pse “de jure” kanë emra të ndryshëm, “de fakto” drejtohen në mendim dhe në veprim nga një “kokë subjektiviteti”.

Njëkohësisht më bëri përshtypje se edhe politikanët lokalë të të dy krahëve që nuk lanë gjë pa thënë për njeri-tjetrin gjatë kohës së fushatës, aty përballë monumentit u takuan dhe u përmallën gjatë, si dy miq të vjetër, të cilët kanë se çfarë i thonë njeri-tjetit. Nuk harruan, gjatë ceremonisë inaguruese të monumentit, të takohen edhe me “miqtë e tyre publikë”, por artistin nuk e shikonin aty para syve, t’i jepnin një urim e falenderim, e pse jo, ndoshta edhe ndonjë kritikë. Për ta mjafton vetëm heshtja! Ja që në këtë rast, përballë kësaj heshtjeje provinciale, më mbetet të falenderoj edhe ata që nuk u ndjenë “të rëndësishëm” në atë ditë; kolegët artistë që më mbështetën dhe studentët e mi. Falenderim të veçantë i dërgoj mikut dhe kolegut artist Gëzim Hidri, i cili skaliti në gur bazamentin e këtij monumenti në një formë cilindër-rruzë, përsosmërisht “tornuar” vetëm me dorë brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe me një cilësi mjaft të lartë atistike, gjë e cila lidhet fort bukur me imazhin e monumentit, para fasadës së qelqtë të Universitetit.

Po kolegët si e kanë pritur realizimin e kësaj vepre?

Nuk është në etikë që të përmend emra, për artistët brenda dhe jasht Elbasanit, por edhe të huaj e kanë çmuar si cilësi artistike e profesionale, e megjithë këtë gjithçka mbetet në formën e “historive urbane”, përderisa nuk ka një linjë kritike lidhur me zhvillimin e skulpturës shqiptare. Çdo gjë i ka mbetur rastësive, por një gjë është e sigurt; sot është pushteti politik ai që e përcakton fatin e artistit, e madje, edhe respektin e tij për punën që krijon. Hap guidën e bashkisë e aty ta heqin emrin te monumenti i Aqif Pashës, nuk i tregojnë vizitorëve e qytetarëve se cili është autori, ndërsa për monumentin e Aleksandër Xhuvanit vënë emrin e autorit, por nuk vënë fotografinë e monumentit. Kush po i pyet artistët monumentalë sot, se cilët janë ata në vetvete dhe se çfarë mendimesh dhe detyrimi kanë për zhvillimin e artit? Çdo gjë përcaktohet nga shijet personale të atyre që “zgjidhen”, ndonëse nuk janë artistë, por as politikanë me thënë të vërtetën. Institucionalizimi i mendimit është i vështirë, vetëm opinionet ndërtojnë perceptimin real mbi artin. Ne si artistë kemi detyrim për cilësinë e krijimtarisë, po aq sa politikanët kanë detyrim të respektojnë parimet institucionale të qeverisjes, lidhur me cilësinë artistike të veprave monumentale dhe njëkohësisht të pasqyrimit të përmbajtjeve të shëndetshme brenda artit të tyre. Le të thellohen për përgjegjësitë ndaj cilësisë së artit monumental, pasi nesër do të jëtë përcaktues i cilësisë së qeverisjes së tyre, nëse duan të lënë një emër të mirë si bashkëqytetarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora