Kulturë
Baki Ymeri: Diskurs lirik me një gjuhë të rrjedhshme
E premte, 08.05.2015, 09:00 PM
Diskurs lirik me një gjuhë të rrjedhshme figurative
(Bilall Maliqi, Drithërimë / Tremur?tur?, Amanda Edit, Bukuresht 2015)
Nga Baki Ymeri
Bilall Maliqi, shkrimtar i njohur në të gjitha trojet e etnikumit shqiptar, por jo vetëm shqiptar, sepse ai deri më tani është i përkthyer edhe në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht dhe në italisht, kurse tani edhe në rumanisht, dëshmon qartë për vlerat artistike të shkrimeve të tij në fushën magjike të poezisë dhe të zhanreve tjera letrare. Kësaj rradhe, ky poet i talentuar i Preshevës shqiptare, vjen para lexuesve shqiptarë dhe rumunë me një libër të ri të rikënduar në gjuhën e një vendi ky njeriu lind poet, libri duke qenë i dekoruar me një titull sugjestiv (Drithërimë/Tremuratura). Kjo është vepra e njëzetedytë e poetit. Vetë titulli i poemës është i ndërtuar në bazë të alfabetit tonë me tridhjetegjashtë shkronja sipas rradhës kronologjike.
Libri fillon me shkronjën A dhe mbaron me shkronjën e fundit të alfabetit: ZH, duke përfshirë këtu edhe prologun dhe epilogun e poemës. Cilat janë fshehtësitë e poemave respektive? Poema në fjalë sheshon në një mënyrë a tjetër përditshmëritë tona në rrafshe të ndryshme ekzistenciale e jetësore, duke i mveshur ato me gjetje dhe me motive atraktive, duke i stolisur edhe me figuracion të nevojshëm poetik. Që nga prologu shihet qartë vendosmëria e poetit që ta ndërtojë korpusin e poemës konform kërkesave të një opusi të realizuar me një bukuri të veçantë artistike. Na e merr mendja se këtë padyshim e ka arritur.
Në pjesët e ndara të poemës, poeti ligjëron me një gjuhë të rrjedhshme figurative, me një gjysëmhermetizëm modern, duke qenë tek-tuk edhe i drejtpërdrejtë. Autori shpreh mllefin e tij për veset negative të shoqërisë, për ndarjet, përçarjet, ndërskamcat që iu kanë bërë dhe po iu bëhen popullatës sonë të shkretë në trojet e tyre autoktone. Këtu është fjala për shqiptarët e lënë pasdore të kësaj krahine të përbuzur e të përlotur nga Paria dhe njerëzit me shumë maska. Në këtë kontekst, poeti me anë të vargjeve poetike ka arritur t’ua çjerrë maskat atyre që e bënë popullin e përvuajtur, duke e lënë në varfëri dhe mjerim korbat e çoroditur të pushtetit.
Brenda tekstit poetik të poemës, ka çaste pesimizmi, si mbizotërimi i të zezës në bardhësi, guri ndarës, dashuri e ndaluar, përçarje dhe shumëçka që lidhet me pesimizmin. Poeti nuk ndalet me kaq, porse ai me një ndjesi të thellë e mund pesimizmin e mbizotëruar në nënqiellin shqiptar: “Dhe s’munda ta takoj të bardhën/ s’e të zezat kishin vurë hendeqe/ vaj medet…/ ato po shtohen përdit/ si mbështjellës rrethë bardhësisë/ deri në tëhollues të dashurisë.
Përveç kësaj, poeti brenda pjesëve të poemës fut edhe dromca të dashurisë së ndarë, të përlotur, të përndjekur, të cenzuruar dhe të ndaluar: „zemra zemrën le ta pret/ në pushimoren/ e shkëmbit të dashurisë“ (Pjesa e 19 e poemës). Vlen të potencojmë një fakt trimërues, se poeti është optimist për një ditë të mirë, për një lulëzim të një dite të re, e cila do të vijë së bashkë me lirinë e munguar, edhe bashkimi i ëndërruar, paralelisht me dashurinë e përlindur.
Kundruar në përgjithësi, poema „Drithërimë“ e poetit të njohur në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në diasporë, lirisht mund të konkludojmë se Bilall Maliqi ka vlera të veçanta artistike, duke patur parasysh ndërtimin e fuqishëm të vargut, thellësinë e mendimeve filozofike, meditative e psikologjike, elemente me të cilat bën këtë poemë të bukur, fakt të cilin shpresojmë se do ta ketë parasysh edhe kritika letrare. Pse? Sepse kjo poemë si e tllë, i bën nderë letërsisë shqiptare në përgjithësi.
Shënime për autorin
Bilall Maliqi lindi më 08.04.1969 në fshatin Elez Bali, komuna e Preshevës. Shkruan poezi dhe prozë për fëmijë e të rritur, merret edhe me kritikë letrare. Jeton dhe vepron në Preshevë.
Veprimtaria letrare:
1.Rrugëtimi- poezi për të rritur;
2.Rrugëtim përjetësie-poezi për të rritur;
3.Gëzim dhe drojë- tregime;
4.I lutemi Zotit- poezi fetare;
5.Perëndim i varur- poezi për të rritur;
6.Kodra e luleve-poezi për fëmijë;
7.Vula e kohëzezës- poezi për të rritur;
8.Shtëpia afër pyllit-tregime për fëmijë;
9.Gërfyejt e shpresës-poezi për të rritur;
10.Ide të trazuara-intervista me shkrimtarë;
11.Lutje të lagura –poezi për të rritur;
12.Mbresa vrojtuese- vështrime letrare;
13. Hëna flet me lule –poezi për fëmijë;
14.Hullive artistike-vështrime kritike;
15. Nën strehën e kujtimeve (Sotto la gronda dei ricordi) - poezi për të rritur (shqip–italisht).
16. Në thellësi të ëndrrës- poezi për të rritur;
17. Aforizma
18. Semantika e shtrirjes krijuese (vështrime kritike);
19. I kthehem ëndrrës (poemë);
20. Sheshi i fjalëve (poema);
21.Rrugët e shikimit (Paths of visions) shqip- anglisht, poezi për të rritur;
22. Drithërimë/Tremur?tur? (Poema, shqip-rumanisht).