E marte, 16.04.2024, 11:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Poezia elitare e Alketa Spahiut

E marte, 05.05.2015, 05:35 PM


POEZIA ELITARE E ALKETË SPAHIUT....

Alketë Spahiu, “MUZA JAM UNË“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “ROZAFA”,

Prishtinë 2013. faqe 80. ISBN 978-9951-02-241-5

Nga Shefqet Dibrani

Përmbledhja poetike “MUZA JAM UNË”, e Alketë Spahiut, sjell për poezinë shqipe një varg të sforcuar, duke u bërë një individualitete me tipare dalluese qoftë për qasje ideore, e qoftë për nivelin estetik të kësaj poezie.

Kjo përmbledhje poetike, për shumëçka dalluese, lexuesin do ta vërë para sikletit nëse do t’i bjerë deri në fund, jo për gjë tjetër, por për vet fondin e fjalëve të rralla dhe të shprehjeve të gjithëmundshme që e bënë më të kompletuar dhe më përmbajtjesor mendimin poetik i cili edhe për asocimet mitologjike ka vlerë. Por, poezia e këtij libri me shprehje e përkufizime të shumta filozofike të shtyn për të menduar nëse shkrimi i poezisë është ende luks, sidomos në këtë kohë përplot strese e ngarendjeje pas internetit dhe programeve të digjitalizuara. Pavarësisht aludimeve për kohën, dihet se në secilën kohë dikush prin, në rastin konkret prin “gilanka”, e cila “bashkë me Alketën arratisin edhe verën”, duke i vënë të gjitha potencialet krijuese në shërbim të poezisë, sepse “bashkë me vjeshtën, vijnë kujtimet/ dhe na figuron ikja si simbol”, (f. 77), një vlerë e rrallë, nëse jo unikate e kësaj poezie.

E nisëm këtë vlerësim, pikërisht me rreshtat e fundit të poezisë “Vera në Gilan arratiset pa mua”, për të dëftuar se ky nivel poetik është arritur në saje të përkushtimit, të gamës krijuese, një feministe erudite, njohëse e kulturave gjuhësore, studime e grada akademike të marra nëpër universitete e vende me qytetërime të lashta, ku Alketa, përkatësisht “gilanka” për vite të tëra është edukuar dhe emancipuar.

Tani nga atje Alketë Spahiu kthehet me këtë tufë poezish të përmbledhura tek libri “MUZA JAM UNË”, që duket sikur ajo paska shkuar në cilësinë e misionares dhe nga kultura në kulturë paska vjelë këtë vlerë, madje ajo ngjason me fluturën që shkon lule më lule ose herë – herë duket punëtore sikur të ishte vet bleta - krahëlehta që mbledh nektarin e saj për të prodhuar mjaltin, ashtu më duket se edhe Alketë Spahiu paska arritur që absorbimin e vlerave t´i shndërrojë në vlerë poetike, për çka ne mendojmë se pikërisht poezia për letërsinë e ka një dimension mëkues, ndërsa në përmasa estetike poezia është ajo që e bënë letërsinë më të dashur dhe shumë më të pranueshme.

Gjatë shkrimit të poezisë (të këtij niveli), muza poetike hap siparin e një thellimi ideoemocinal me përmasa të jashtëzakonshme ku do të luaj rolin e baraspeshimit të funksionalitetit letrar. Ndërsa, muza krijuese e Alketë Spahiut përbënë një vlerë më vete, e cila kështu siç është shpërndan emocione për arritjet estetike të nivelit tejdimensional, ndërsa shkrimi i poezisë sipas këtij koncepcioni jo vetëm që harmonizon vlera të shumta, por duket si një luks e komoditet i rrallë në këtë ngarendje kohësh me plot arritje elektronike e digjitale. Por, Alketë Spahiu me këtë tip poezie më shumë mendon se po e reklamon hartën e saj, të atdheut të saj, madje ajo në vargun poetik e thekson se “kjo jam unë, kosovare e lindur/ nuk më zhbën altercivilizimi”, f.74.

I përmendem disa vlera dhe këto sfida të cilat lexuesi duhet t’i ketë parasysh, ngase poezia e këtij libri ka figura të shumta dhe shprehje me dendësi të theksuar nga shkencat dhe dijet tjera, nga filozofia e mitologjia, nga liturgjia fetare e deri tek vende e toponime të shumta, personazhe librash e filmash, shkencë e koncepte të llojllojshme duke e bërë poezinë një tip më elitare, me të gjitha specifikat dalluese nga niveli i poezisë së rëndomtë që ka marrë hov kryesisht viteve të fundit. Ndërsa, ajo nuk “vazhdon t’i shesë dardha dardhaxhiut/ në pluhurin e tretur të çarshisë së mesjetës”, f.5, por me seriozitet krijon vlera të njëmendta letrare e poetike.

Alketë Spahiu ka arritur ta strukturoj poezinë në atë formë ku do të ketë troha dhe shije për t’u kënaqur secili lexues, pavarësisht nivelit akademik, sepse nëpër strofa dhe vargje të shumta do të ndeshin mendime dhe elemente metaforike mjaftë mbresëlënëse, duke demonstruar me sukses fuqinë shprehëse, madje të një niveli që atë si autore dhe poezinë si krijim letrar e bëjnë më dalluese dhe më të avancuar, veçmas kur ec “limuzina e dhembjes edhe pse pa karburant”, f.7, në kohën kur “vjehrra e paktit të grindjes u sfidua nga mirësia”, f.8, që shprehin një figuracion të rrallë dhe mbresëlënës. Ta zëmë: “...ndërrimi i ditës dhe natës/ është luks i një baronizmi të harruar nga trashëgimi”, f.10, sepse “nuk jetohet përditshmëria/ duke improvizuar përditshmërinë”, f. 35, e sidomos në kohën kur e kemi shpenzuar “edhe qindarkën e fundit të optimizmit”, f.44, bëjnë që poezia e këtij libri të përjetohet thellë dhe me dashuri!

Poezia që është përmbledhur brenda këtij libri nuk është tip i poezisë shpërthyese që mund të dalë nga emocionet e rastit dhe të çastit, por është poezi e mendimit të thellë filozofik, me figura të shumta mitologjike, duke i dhënë nam vargut dhe përmbajtje konceptit krijues. Përgjithësisht poezia e këtij libri është vlerë e realizuar me mjaftë sukses, e këtë vlerë do ta gjejmë posa t´i lexojmë poezitë: “Le të flasin”; “Rilindja e harruar”; “Origjinë e lavdishme”; “Boshësia”; “Nëse do të vish”; “Disidencë shpirti”; “Maratona e zhgënjimit”; “18 vjeç”; “Mjegull e këngës”; “Fjalët e ndarjes”; “Bretkosë dhe gjarpër”; “Pa kurorë”; “Dashuroj dhimbjen time”; “Kontratë”; “Pafytyrësi”; “Helena”; “Stalinisti”; “Krenaria”; “Ethet e lirisë”, të cilat i bëjnë valëzat simfonike të kësaj poezie në dukje të pafundme, sidomos kur ajo “gjunjëzohet para totemit Kosovë/ vendi i saj (im) i dashur/ kryevepër në globin e saj (tim) shpirtëror”, f. 67.

Gjatë leximit të parë të kësaj përmbledhjeje poetike që më ndodhi në Aeroportin e Prishtinës as vet nuk e kam imagjinuar një nivel të arrirë, saqë m’u duk bashkë me shkëputjen time nga Atdheu, frymën pezull ma mbajti poezia e Alketës, si një lloj induksioni moral në mes Frymës – aspekt biologjik, Atdheut - aspekt emocional dhe Poezisë - vlerë letrare. Kjo lloj trilogjie, më është sforcuar edhe më tej, (sidomos në rileximet e më pastajme), ku shihen vlerat e absorbuara, një lloj ndikimi i pashmangshëm nga jeta e saj akademike në mes kulturave dhe qytetërimeve, si dhe në anën tjetër edhe kultura e komunikimit në gjuhë e shprehje që kanë ndikuar në vlerën letrare dhe mbi individualitetin e saj krijues. E ndër poezitë më të realizuara janë shumë, por ne i veçuam dy sish, të cilat dallojnë sidomos për vlerën e tyre krahasuese: Poezia “MUZA JAM UNË”, (f. 5 – 6)  dhe poezia “NËSE UNË JAM MUZA”, (27 – 28), të cila qëndrojnë si dy perla të rralla poetike.


MUZA JAM UNË

 

Eja në natën e solidaritetit të yjeve
sill me vete pajën e zhubrosur të fundërrinave,
më 1 Prill impenjimet thurin triko
mimozat me pikëllim prezantojnë
profumin e dermës së irrituar
që i është dhënë një mbiemër
sa u bëhet publicitet vasalëve të kremtes trishtuese.

Sa këngë u kënduan
nga publiku i shfrenuar i lëndinave me rriqra
e këngëtaret i dëgjuan
derisa cikli i jetës mori kahen mavi,
çfarë ndërrimi i roleve groteske
sikur stinët kur vonohen
për shkak të gondolave që bëjnë kontrabandë
me mrekullinë e kaltërsisë së shikimit universal.

Fatkeqësisht
injoranca vazhdon të sfidojë në pasarelat e përgjithshme
çuditem si nuk e godasin
raketat anoreksike të lançuara nga eroditat e Da Vinçit,
me gjithë ato kile të tepërta sa një dekadë robërie
vazhdon t'i shesë dardha dardhaxhiut
në pluhurin e tretur të çarshisë së mesjetës.

Eja në këtë natë
të betohem në ekzistencën e galaksive te inspirimit oriental,
muza jam unë, afrodiziaku i rigjetur në një anije vikingësh,
harqet vazhdojnë të thyhen nën hijet e një drite transparente,
eja se do të humbësh rrugën dhe busullën e mendimit të anëbotës
eja se muza jam unë
të të shëtis përgjërimeve të vrapit të cunguar.

 

Faqe 5 – 6.

NËSE UNË JAM MUZA

 

Titujt spektakolarë u shenjëzuan me të kuqe,

në faqet e brishta të revistave ngjyrë limonade

s'u zihet më besë as jetëshkrimeve personale

edhe për mendimet gri qëmtohet në kartelat shëndetësore.

 

Fola me tonalitetet e një muze të përhumbur

nën dërrasat e amfiteatrove të Kalifornisë,

deklarata ime e yjëzimit unilateral

u hodh poshtë nga vijëzimet e modës së imponuar,

në përqindjet e pasakta të brohorimave të  demosit

humba pjesën e kuqe të ëndrrës,

gjeta anamnezën e idhëtuar të Medaurit...

 

Nëse unë jam muza

dua hapësirën e gjithëmbarshme për këngë

dhe për lotin e flakëruar me safir,

lëkundjet sizmologjike që u bënë në kaosin

e demagogjisë,

mjaft i durova,

duke bartur si anakondë varësen e jurisprudencës romake

mjaft këndova,

territori i paanësisë së qëndisur me ngjyra të hapura

kërkon zbatimin epokal të filisë së nënshkruar nën

katakombe

dhe hapërimin tim me nuanca perlore.

 

Nëse unë jam muza

nuk meritoj shoqërim protokollar

për në ulësen e sedeftë të parajsës private,

eja se ditirambet morën tjetër emër

nga mungesa e akullit dhe hidrateve të rutinës,

eja se nëse ende unë jam muza,

detet në mes do të thyhen

në guaskat e fundosura këngët e mia do te jehojnë.

 

Faqe 27 – 28.

 

Jo vetëm me këto dy poezi të theksuara, por poezia e këtij vëllimi si tërësi ka fituar vlerë, pasi autorja iu ka shmangur me sukses elementeve emocionale që si krijime e përjetim duken si krijime sipërfaqësore. Por, Alketë Spahiu, për ta ngritur vlerën e poezisë si imazh i përjetimit të thellë filozofik, e pajisë atë me figura e shprehje të shumta nga lëmi të ndryshme, veçmas ato të aspektit mitologjik, duke e bërë poezinë e këtij libri sikur të ishte shkruar vetëm për nivele elitare. Andaj mendojmë se kjo poetesh meriton vlerësimin maksimal dhe shpërblimin e shoqërisë dhe të lexuesit. Të paktën, vlera esenciale e kësaj poezie qëndron në atë saka zgjuar vëmendjen e kritikës e cila si detyrë shtëpie, i ka interpretimet e vlerave letrare. E kundërta e kësaj, është hezitimi për ta pranuar vlerën, ndërsa më keq se kjo do të ishte, po të mos ishte shkruar kjo poezi nga Alketë Saphiu !...

Tani libri është ndërsa poezia e saj është një vlerë dhe duhet pranuar!...

Andaj ne mendojmë se vlera e kësaj poezie është se ajo dallon edhe për frymën lirike dhe dashurinë e pashmangshme që ka për njeriun dhe shoqërinë, sentencë që e ndeshim tek dy – tre poezi që janë me përkushtime: “Pak më ndryshe – mikes sime, Kaltrinës”;Në sytë e saj – këngëtares, Tarja Turunen”, e ndonjë tjetër. Por, veçmas duhet të veçohet poezia “Mikes arvanitase”; në të cilën do të gjejmë nota sentimentale të lirikës përjetuese me një ndjenjë të afërt, duke qitur në pah edhe fuqinë shprehëse dhe të mendimit poetik: “Kur të takova ty/ qerpikët i mobilizova me vezullimë/ në njërin sup mbaje madhështinë çame/ në tjetrin xixëllimën sonetike të Ilirisë/... /Erudikë arvanite/ je e mirëseardhur në Kosovë!”, f.57.

Pa dyshim, Alketë Spahiu, ka bërë një hap më tej se gjenerata e saj. Por jo vetëm kaq: Ajo poezisë shqipe i ka sjellë një model që i thyen kornizat e së rëndomtës dhe të vargëzimeve, kryesisht ideoemocinale. Kjo vjen si rezultat i përkushtimit krijues dhe përvojës që nuk i mungon. Andaj shihet se autorja ka punuar me ngadalë, me përkushtim dhe me një qasje serioze për t’i dhënë vlerë e kuptim vargut dhe poezisë që krijon.

Alketë Spahiu, me përmbledhjen poetike “MUZA JAM UNË”, është bërë zëri më optimist i poeteshave në Kosovë, e cila me pak përpjekje do t’ia rrit edhe më tej vlerën poezisë shqipe dhe vetes si autore, pa dyshim se do të bëhet shumë më e pranueshme në tërë arkipelagun e letërsisë shqipe në shkallë kombëtare.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora