E hene, 07.10.2024, 07:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Ruzhdi Jata: Ferri i të gjallëve

E hene, 04.05.2015, 05:29 PM


FERRI I TË GJALLËVE

(mbresa nga libri “Ferri i të gjallëve” i Shefqet Gjanës)

Nga RUZHDI JATA

Sapo lexon faqet e para  të librit “ Ferri i të gjallëve” lumturohesh  që të ka rënë në dorë ky botim. Një prozë e shkruar bukur, rrjedhshëm,  me plot  ngjarje  rrënqethëse të mbijetesës së njerzve liridashës në ferrin e diktaturës komuniste.

Autori kuksian Shefqet  Gjana i ka thënë të gjitha dhe pikërisht për këtë, unë deshiroj të përvijoj qëndrimin stoik të tij dhe të shokëve të akuzuar për agjitacion e propagandë dhe sajesën e çmendur të hetuesve të regjimit në ngarkim të tij për vrasjen e E. Hoxhës, mbetur në tentativë,- një qendrim sa burrëror aq edhe fisnik. Rëndom me libra kujtimesh të tilla, mërzitesh se janë të  tejmbushur me data, emra, fakte dhe e kthen menjeherë fletën e fundit, por autori  e ka shmangur këtë mrekullisht duke ruajtur raportet specifike të këtij zhanri, falë talentit të tij letrar, jo vetëm prej leximeve, por prej shpirtit të tij liridashës.

Z. Gjana e mban mend atë kohë gjer në detaje të hollësishme, ç’ka të imponon jo vetëm respekt e mirënjohje por, njëherit, të bën të thuash se ka ende shumë për të shkruar. Ai është sot rreth të 70-tave, i freskët, me njohuri të sakta letrare e zgjuarsi natyrale  për ta patur zili. Shefqeti nuk është më “Ai” kodi i fshehtë i përbuzjes njerzore, por i nderuar dhe i respektuar, poet e shkrimtar i talentuar. Dhe nuk është ky libri i tij i parë, as i fundit.  Ai shkruan ende poezi,  ka botuar vellimet poetike: “Në korridoret e dhimbjes …”, “Kthimi”, “Shtigje vetmie”  dhe “ Netë ankthi”-proze.   Përgëzime për kontributin  në fushën e letrave, miku im i ri!

Me kompetencë profesionale dhe në mënyrë  lakonike, redaktori i këtij libri, gazetari dhe kritiku Dukagjin Hata, shkruan në parathënien e “Ferri i të gjallëve” : “ Ndaj Shefqeti dhe shokët e tij të qelive komuniste , që Zoti ua ka falur dhuntinë e kthimit të kujtesës në rrëfime për t’u hedhur në letër, që të mund të bëhen pronë e një publiku sa më të gjërë, brenda e jashtë vendit, “rrnojnë për me tregue” gjëmat e zezonat e një epoke, që ju kushtoi aq shumë. Na kushtoi aq shtrenjtë të gjithëve”. Unë, si emigrant, mund të shtoj drejtpërsëdrejti se libri të ndihmon për të rifreskuar shumë ngjarje të kohës, të frymëzon për ta ndarë sadopak dhembjen me të gjithë ata që u është mohuar liria për shkak të ligjit famëkeq: agjitacion e propagandë.  O tempora o mores!  Oh çfarë kohe, oh çfarë kushte!

Libri ka vlera  të mirëfillta  morale e historike për qëndresën e djemve lumjanë në kohën e diktaturës, ka vlera letrare e artistike për çdo krijues të vjetër a të ri që evokon traditat patriotike e atdhetare të krahinës së Lumës, të Kukësit  e të gjithë Shqipërisë. Sa më shumë vite kalojnë, “Ferri i të gjallëve” i zotit Gjana bëhet më i vlefshëm,veçanërisht  për rininë e sotme që vetëm ia ka dëgjuar zërin atij regjimi të mallkuar.

Janë përshkruar me shumë emocion torturat dhe sfilitjet e autorit e të shokëve të tij prej hetuesve nëpër qelitë me gjak njeriu sa ndien dhimbje në zemrën tënde e mbushesh me mllef dhe urrejtje për ata  gjakpirës. Autori e ka mbajtur mirë parasysh atë që në anglisht thuhet: - don’t tell, show me, mos më trego, por më përshkruaj veprimet e karaktereve apo të individëve, ndaj të gjitha levizjet  e tyre lexuesi i shikon si në një ekran të madh, bash siç pasqyrohen  të tilla ngjarje në optikën e shkrimtarit anglez George Orwell - 1984.   Ja, një pragraf: “ Nuk e di se sa zgjatën këto veprime çnjerezore mbi trupin tim të lodhur. Jam përmendur në qeli. Nuk e dija se si gjindesha këtu. Gjithkund më dhembte. Qepallat nuk më hapeshin, ndërsa pyesja veten nëse m’i kanë mbajtur atje fytyn, barkun, këmbët, krahët, brinjët e gjithçka timen, por prapë thosha jo, pasi dhembjen e dëgjoja pikërisht në këto pjesë të trupit. Po, po, më dhembte çdo qelizë e prapë i nënvleftësoja ngaqë truri ishte në rregull, pasi i ndiente dhe i përcillte të gjitha ndijimet në laboratorin e vet. Të gjitha vatrat patën një zgjim maksimal. Në veçanti më therte në shpirt fyti, pasi kapërdimja edhe e pështymës, më jepte një ngacmim të padurueshëm. Pa ngrënë, pa pirë, pa e ditur se ku isha, pata rënë në një gjumë-vdekje të gjatë, që as nuk e di se pas sa orësh jam përmendur. U zgjova. Shkova dorën te kocka e fytit, te barku, këmbët, brinjët, supet, kokën e deri te organet gjenitale dhe u rehatova kur verifikova praninë e tyre anatomike. Në këtë gjendje përcolla orë të tëra të vështira për gati tri ditë, por më tepër në gjumë, në jerm”.

Është  dhënë me penelata të bukura si prej një piktori ekspresionist të talentuar jeta e fshatarëve  bujarë  të Lumës që në sofrën e tyre gjithnjë e më shumë, pas viteve 80-të, po zinte vend vetëm buka si zall Drini me kripën dhe kokrrën e qepës. “Varfëria që përsysh i rrinte gjithë shoqërisë kishte hedhur metastazat e saj në një lëngatë të gjatë e të pashërueshme,- shkruan autori.  Në netët e uritura fshatarët shihnin ëndërr sikur hanin e dyndeshin mish, por kur zgjoheshin, uria, zhgënjimi dhe dhembja u klithnin në stomak, në zemër dhe në gji”.

Kanibalët i  sajuan  z. Gjana  akuzën më të rrëzikshme të kohës. Ata ishin profesionistë e gjakftohtë në sajimin  dhe montimin e pseudofakteve, që i nxirrnin nga llagëmet kutërbuese të flliqësisë së tyre malukate. Pushkatimi ishte i sigurtë, por i burgosuri  nuk dorëzohet, ai reziston me mish e me shpirt për të mbrojtur veten dhe shokët edhe pse gjysëm i vdekur, pa bukë e pa ujë. Ky stoicizëm i tij, kjo rezistencë dhëmb për dhëmb, kjo kurajo i vinte nga geni fisnik e trashëgimia e prindërve dhe fisit të tij.

Dhe kjo mbijetesë e autorit u jep sot, jo vetëm nipërve e mbesave të Shefqetit, jo vetëm  të afërmëve, miqve e shokëve, por të gjithë lexuesve të tij besim, kurajo, forcë e bindje për të ecur krenarë përpara drejt të ardhmes pa u pajtuar kurrë me skenat e prapaskenat, me shpifjet e dredhitë; pa u përkulur, pa u nënshtruar.

Ky libër ia vlen të botohet edhe në gjuhë të tjera se është një histori e gjallë që duhet lexuar e kujtuar për të mos u harruar kurrë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora