E premte, 19.04.2024, 11:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Çeliku: Cërvica - vatër e valles dhe këngës

E merkure, 29.04.2015, 07:46 PM


CËRVICA – VATËR E VALLES DHE KËNGËVE BURIMORE

NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI

Cërvica është një ndër fshatrat më të bukur në territorin e Kërçovës. Shtrihet në një pjesë rrafshinore, rrëzë kodrës së Çukës. Në pjesën veriore të sajë shtrihen edhe disa kodra të tjera, si: Kodra e Ballazhe, Kodra e Xhambaze, Lugu i Ymerit, Përroni i Xhetit, Jasakët e Tike, Përroni i Thënës, Përroni i Hoxhës, Çifliku i Xha Derallës, Skakalla, Molla Çukës (mbi shkollën e fshatit) etj. Të gjitha këto pasuri natyrore ndikuan që në Cërvicë të lindi kënga e bukur burimore, si dhe shumë valle karakteristike popullore. Lindën valltarë dhe këngëtarë, që rrallëherë i lindë nëna. Atje, mbi kodra nën dardhat gorrice, barinjtë dhe bareshat e fshatit me fyellin në dorë thurnin këngë lirike dhe patriotike, të cilat më vonë këndoheshin jo vetëm në mal, por edhe në fushë si dhe nëpër konakë të ndryshëm gjatë dasmave familjare në fshat. Këto këngë më vonë do të këndohen edhe nëpër konakë të fshatrave tjerë, në territorin e Kërçovës, por edhe më gjerë nëpër konakë të fshatrave dhe qyteteve tjerë në Maqedoni. Kënga lirike dhe ajo patriotike lindte aty për aty, në odën e burrave. Pastaj, ajo kalonte gojë më gojë në popull, këndohej kudo ku të gjente hapsirë të lirë tokësore e qiellore. Shumë prej atyre këngëve pastaj merreshin si të përzemërta dhe këndoheshin edhe nga këngëtarë të tjerë jo vetëm nëpër fshatrat e Kërçovës, por edhe në trojet e tjera ku jetonin shqiptarët. Pra, lirisht mund të thuhet se Cërvica ishte një gurrë e pashterrur ku lindte kënga e bukur popullore dhe vallja burimore brez për brezi e krah për krahu me shokë mes maleve. Në Cërvicë lindën shumë rapsodë dhe valltarë të shquar. Në bisedë me Afmet Spahiun, njërin nga rapsodët më të shquar kohëve të sodit, kuptova se në Cërvicë, shekuj me radhë, paska pas këngëtarë dhe valltarë të kalibrit të lartë botëror. Ai përmendte shumë të tillë, por me kënaqësi fliste për disa prej tyre: grave brez për brezi me dajre e burrave krah për krahu në gëzimet familjare, në Katund. Me respekt, fliste për disa këngëtarë të cilët përveç që kanë kënduar bukur me mjeshtri, i kishin komponuar vetë edhe disa këngë, të cilat edhe sot e kësaj dite ekzekutohen nëpër konakë gjatë dasmave shqiptare. Fliste me respekt për Xhaferr Dautin i cili gjatë luftës së dytë botërore kishte komponuar, “Këngën e Gjermanit”. Pastaj, me kënaqësi rrëfente edhe për Xha Derallën, i cili jo vetëm që ka qenë i njohur si humorist e shakaxhi, po  na paska qenë edhe interpretues i hatashëm i këngës burimore kërçovare, dhe kërcimtar i pashoq në heqjen e valles me lodra e shami pas Çuke. Xha Deralla, rrëfen ai: kur ka qenë i thyer në moshë na paska qëndruar pranë dritares dhe paska kënduar këngë mallëngjyese. Një ndër këto këngë na paska qenë edhe, “Kënga e Elifes”, dhe “Kënga e Rumelisë”:

 

Rrafi teli në atë Misirli,

Na u shit kjo Rumeli,

Na e ka ble çaj Moskovi zi,

Na e ka ble, aman-aman,

I ka dhënë mretit dy xhemejë alltën,

I ka dhënë mretit dy xhemejë alltën.

 

Sipas disa këngëtarëve të vjetër, e komponuar nga vetë Xha Deralla. Me respekt të lartë fliste për këngëtarët: Shefik Ballazhi dhe Sali Spahiu. Fliste për disa këngë të thurura nga Nexhip dhe Abdulla Xhambazi. Numëronte shumë këngë lirike që ishin thurur, nga vetë goja e cucave të këtij fshati. Këto këngë, më vonë do të këndohen edhe nëpër shumë dasma jo vetëm në Cërvicë, por edhe nëpër fshatra të tjerë të Kërçovës. Shumica e këtyre këngëve sot këndohen edhe nëpër qytete të tjerë të Maqedonisë, Kosovës e vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Sot me kënaqësi dëgjohet kënga “Moj xullufe bojë”, e kënduar dekada me radhë në Cërvicë, e cila njihet si këngë e Cërvicës, e sot këndohet edhe nga këngëtarë tjerë të fshatrave përreth, por kjo këngë sot dëgjohet edhe nga bilbili i këngës shqipe: Shkurte Fejza. Edhe shumë këngë të tjera flet Afmet Spahiu, që janë kënduar në Cërvicë, sot këndohen edhe në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Ai flet se, aty kah viti 1972, prof. Dr. Shefqet Pllana me disa shokë nga Kosova kishte erdhë në Cërvicë për të mbledhur këngë burimore që janë kënduar aso kohe në Kërçovë. Nga Cërvica kishte marrë këngëtarët më të mirë dhe i kishte dërguar në disa dhoma në afërsi të Komitetit, në Kërçovë për të bërë inçizimin e këngëve. Disa prej këtyre këngëve më vonë flet Afmet Spahiu, janë kënduar nga rapsodi i njohur kosovar Hashim Shala, e disa këngëtarë të tjerë. Këngët kushtuar dashurisë që dolën nga gurra e Cërvicës, sot me kënaqësi këndohen edhe nga këngëtarët: Hasip Xhambazi, Sefer Ballazhi, si dhe njërii nga më të dëgjuarit në kohë të fundit: Abdulla Reçku - Duli. Pak më herët këto këngë këndoheshin nëpër shumë konakë nga vëllezërit: Rahit dhe Afmet Spahiu, Mefmedali Balla, Mexhit Xhambazi, Shefik Ballazhi etj. Kohëve të fundit si thurrës i këngës njihet edhe këngëtari i njohur nga ky fshat: Hasip Xhambazi i cili do të thurte këngët: ”Kënga e Cërvicës”, dhe “Molla xhelabi“.

Ngjarjet e vitit 1968 në Prishtinë, dhe përfitimi i disa të drejtave të shqiptarëve, e në radhë të parë përdorimi i lirë i flamurit kombëtar gjatë festave dhe nëpër dasma, nxitën rapsodët shqiptarë që të thurin këngë për flamurin kombëtar kuqezi dhe të drejtat tjera që i fituan shqiptarët me kushtetutë të atëhershme në kuadër të ish Jugosllavisë. Edhe rapsodët nga Cërvica si: Rahit Spahiu, Mersim Çupi dhe Afmet Spahiu, me shokë të tjerë thurën këngë për flamurin kombëtar shqiptar. Pushteti i atëhershëm komunist jugosllav rreptësisht ndalonte çdo aktivitet apo këngë në lidhje me këto ngjarje historike. Patriotët shqiptarë, nuk i ndalte gjë, ato nëpër konakë këndonin këngë patriotike. Grupi i këngëtarëve nga Cërvica gjatë dasmave nëpër oda këndonte “Këngën e Flamurit” e cila përcillej me duartrokitje frenetike nga të pranishmit. Pushteti i atëhershëm komunist jugosllav ishte i informuar dhe ndiqte hap pas hapi këtë grup duke i thirrur një nga një në polici që të japin deklarata. Ishin angazhuar edhe shumë spiunë shqiptarë që të ndiqnin këtë grup gjatë dasmave nëpër konakë. Popullata tani më e kishte kuptuar se cilët ishin ato, prandaj ishin të kujdesëshëm. Në Kërçovë grupi i këngëtarëve nga Cërvica vazhdonte aktivitetin e vet edhe pse ishte i ndjekur këmba - këmbës. Aty kah viti 1972, ky grup me prezantimet e veta e në veçanti me “Këngën e flamurit”, do të ngrinte lartë vetëdijen patriotike kombëtare tek çdo zemër shqiptari.

Në bisedë me Afmet Spahiun kuptova se në territorin e Kërçovës, shekuj me radhë janë kënduar këngë burimore me tematikë patriotike dhe lirike. Në të gjitha këto periudha kohore një rol të rëndësishëm në interpretimin e këngës patriotike apo lirike kanë luajtur edhe cërvicasit. Ai tregonte se nga babai i tij Hajdar Spahiu kishte mësuar se, Cërvica gjatë periudhave të ndryshme kishte lindur shumë interpretues të dalluar të këngës popullore. Kishte mësuar se dikur moti si këngëtarë të dalluar në Cërvicë na paskan qenë: Xhaferr Dauti, Xha Deralla, Nexhip Xhambazi, Esat Kuka e shumë të tjerë. Pas tyre në skenë paraqiten: Shehi Spahiu, Shefik Ballazhi, Faik Rika, Murat Tika, Hajdar Spahiu, Hashim Rika, Abdulla Xhambazi, Habib Vrangalla, Mexhit Xhambazi, Mefmedali Balla, Imet Ballazhi, Sali Spahiu, Meti Rejfit, Tasim dhe Hamdin Doga, Shukri dhe Vesel Xhambazi, Bajram Mehmedi, Esat Murati, Sali Vrangalla, Sulejman Vrangalla, Ali Xhambazi, Mevaid Vrangalla, Brahim Xhambazi, Bexhet Xhambazi e disa të tjerë. Më vonë si interpretues të  këngëve patriotike ose lirike na vjen grupi  në krye me: Rahit Spahiun, Mersim Çupin dhe Afmet Spahiun. Ky grup dha një kontribut të veçantë në të kënduarit e këngëve burimore patriotike apo lirike. Nuk mundej të paramendohet të bëhet një dasëm e në atë dasëm të mos këndonte ky grup i artistëve. Si sot më kujtohen këngët që interpretonte ky grup i artistëve, jo vetëm në Cërvicë por edhe nëpër fshatra të tjerë si dhe në qytet. Më kujtohet një dasëm në qytet aty në afërsi të mullirit të Islamit te Balla mëhallë. Grupi i lartëpërmendur këndonte jo vetëm këngë patriotike por edhe shumë këngë lirike. Çdo këngë përcillej me një  duartrokitje frenetike, aqsa që kënga vazhdonte deri pas mesnatës. Ky grup në krye me Rahit Spahiun, Afmet Spahiun dhe Mersim Çupin, aktivitetin e tyre do ta vazhdonin edhe nëpër dasmat tjera të radhës, duke u ndjekur nga një numër i madh dashamirësh të këngës së bukur burimore kërçovare.

Pushteti i atëhershëm komunist Jugosllav, kishte dëgjuar për aktivitetin e këtij grupi, dhe filloi t’i ndjek hap pas hapi. Nëpër konakë dërgonte spiunë për të përcjellur këtë grup popullor të këngëtarëve. Ky grup shpesh - herë  thirrej në polici që të jepte deklarata, e shpesh - herë ndaj tyre përdorej edhe dhunë fizike. Afmet Spahiu dhe Mersim Çupi qenë të detyruar që për një kohë të shkurtër të marrin mërgimin. Rruga e tyre mbaroi në Paris të Francës. Aktiviteti i tyre nuk u ndërpre, ata edhe këtu në Paris të Francës vazhduan të interpretojnë këngën e bukur patriotike dhe lirike të shoqëruar edhe nga shumë shokë të tjerë shqiptarë që ndodheshin me punë të përkohshme këtu në Francë. Pushteti komunist Jugosllav nuk i la rehat edhe këtu, larg vendlindjes. Dërgoi spiunë që t’i ndiqte hap pas hapi duke përdorë si dëshmi fotografi dhe inçizime.

Gjatë pushimeve verore kur këtheheshin në vendlindje mërgimtarët, i thirrnin në polici që të japin deklarata në lidhje me këngët që kanë kënduar në Francë. Gjatë hetimeve përdornin taktika të ndryshme me qëllim që t’i detyrojnë të pranojnë fajin, e shpesh - herë u shtinin huti, kinëse shoku i tyre kishte pranuar ose kishte thënë këte ose atë për shokun e vet të banesës. Pasi lëshoheshin që përsëri të këthehen në kurbet, përsëri ndiqeshin nga spiunë të ndryshëm policor. Njëri nga këto spiunë, sipas rrëfimit të babait tim Ramë Çeliku na paska qenë një spiun nga Dibra me emrin Edip Marku. Shoku i tij “besnik” i banesës gjatë shkollimit në Shkollën e Mesme të Bujqësisë, në Manastir. “Miku” i bangave shkollore me të cilin e kishin ndarë çdo gjë të përbashkët, paj edhe brushën e rrojes të fytyrës, e kishte spiunuar shokun e banesës gjoja se: Ramë Çeliku paska folur e punuar për “Shqipëri të Madhe”. ?y njeri besnik i pushtetit jugosllav, sipas meritave policore edhe do të shpërblehet me post policor për zbulimin “armiqsor” ndaj shtetit jugosllav (gjatë një kohe, do të emërohet edhe shef i policisë në Kërçovë).

Shefi policor i Kërçovës, këmba - këmbës e kishte ndjekur këtë grup “armiqsor” edhe në Paris të Francës. Atje, ai me shokë fshehurazi kishte inçizuar disa këngë të këtij grupi dhe ua kishte dorëzuar pushtetmbajtësve sllav në Kërçovë. Kur ky grup kthehej në vendlindje thirrej në polici dhe pas dhënies së deklaratave, u lëshohej inçizimi, ku dëgjohej qartë zëri i këngëtarëve dhe emri i tyre dhe personave tjerë që ndodheshin prezentë aty në një aheng miqsor me mallin për vendlindje. Ky grup nga gjygji në Kërçovë do të dënohet me disa vjet burg. Mersim Çupi do të dënohet me tre vjet burg. Dënimin do ta vuaj në Idrizovë të Shkupit. Afmet Spahiut, gjygjii do t’i caktonte pesë vjet burg, por më vonë ai do t’i zëvendësohet me vërejtje me shkrim që këte veprim mos e përsëris më në të ardhmen. Me të njejtën procedurë u dënua edhe Ramë Çeliku, duke i shpëtuar dënimit me burg, ikjen nga Atdheu në Paris. Gjithë këto masa kundër këngës së bukur burimore nuk e ndërprenë aktivitetin e Cërvicasve. Rahit Spahiu, Abdulla Dauti, Shukri Reçku, Fejzulla Vrangalla, Isen Xhambazi, Habib Vrangalla, Mexhit Xhambazi, Shefik Ballazhi, Sali Spahiu, Murat Tika, Hashim Rika, Mefmedali Balla, e shumë këngëtarë të tjerë nuk e ndalën këngën. Gjatë kësaj kohe në skenë dalin edhe dy këngëtarë të rinj cërvicas. Bëhet fjalë për: Sefer Ballazhin dhe Hasip Xhambazin. Këto dy këngëtarë të rinj nëpër konakë të dasmave do të këndonin këngë të ndryshme patriotike kushtuar trimave kërçovarë, kosovarë, por edhe shumë këngë të tjera, që këndoheshin më parë brez pas brezi në Cërvicë. Në vitin 1976, këto dy këngëtarë të rinj të shoqëruar edhe me këngëtarët e vjetër, do të kontribonin që në Cërvicë të themelohet SHKA ”Shkëndija”, e cila me këngë, valle, humor dhe shfaqje dramatike do të kënaqte të pranishmit jo vetëm në komunën e Kërçovës, por edhe nëpër qytete të tjera ku jetonin shqiptarët. SHKA ”Shkëndija”, do të merrte pjesë edhe nëpër shumë festivale këngëve dhe valleve popullore, që mbaheshin asaj kohe në disa qytete të Maqedonisë. Nëpër këto festivale Cërvica disa herë me radhë do të fitonte vende të para si në ekzekutimin e këngës së bukur burimore, poashtu edhe me valle të grupit të burrave. Patjetër, këtu vlen të përmendet suksesi i vitit 1977, në Dibër, ku Cërvica në “Takimet e Bigorrit”, do të shpërblehej me tre vende të para në festivalin popullor.

Vend të parë do të fitonte grupi i valltarëve të SHKA “Shkëndija”, pastaj me vend të parë do të shpërblehej, paraqitja e skenës, “Marrja e nuses sipas traditës kërçovare”, dhe grupi i burrave me këngë të vjetra kërçovare. Cërvica nëpër këto festivale prezantohej edhe me pika humori dhe cirku. Me pika humori paraqiteshin humoristët: Habib Vrangalla, Abdulla Dauti - Duli, ndërsa me pika të cirkut artisti mbarëkombëtar Vesel Xhaferri - Çeliku dhe Murat Murati.

Papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike në vend, detyroi shumë të rinj të marrin rrugën e mërgimit. Një rrugë të tillë morën edhe shumë anëtarë të kësaj shoqërie. Kjo gjendje ndikoi që aktiviteti i kësaj shoqërie të dobësohet dalëngadalë në organizime. Shumica e antarëve të kësaj shoqërie përsëri vazhduan aktivitetin e tyre jo vetëm në Cërvicë por edhe në mërgim. Në Cërvicë mbetën veteranët e këngës dhe valles, ndërsa nga brumi që vepronte në mërgim doli në sipërfaqe: Abdulla Reçku - Duli, i cili kohëve të fundit jep një kontribut të veçantë në prezantimin e këngës së bukur burimore, si jashtë vendit poashtu edhe në vendlindje. Në kohë të fundit nuk mund të paramendohet dasëm pa kënduar Duli. Gjatë marrjes së nuses aktivizohet edhe grupi i vajzave që i këndon nuses dhe dhëndrrit. Grupe vajzash këndojnë edhe gjatë synetisë. Të gjithë këto këngë janë përcjellë nga brezi në brez, dhe janë shumë interesant të dëgjohen, sepse kanë një stil të të kënduarit që veçohet nga trojet tjera shqiptare, dhe kanë një ritëm të këndshëm dhe të kombinuar mirë artistik. Kjo dëshmon se vajzat nga Cërvica, gjithmonë kanë pasur talent për të kënduar dhe të thurin këngë aty për aty me dajre. Këngët që këndoheshin nga grupi i vajzave përcilleshin me dahire ose kabrëne si e emërton rrethi i Zajazit. Një vend të rëndësishëm në muzikën shqiptare, që këndoheshin në Cërvicë, zënë edhe këngët patriotike, kushtuar trimave kërçovar. Këto këngë edhe pse kanë qenë të ndaluara rreptësishtë nga pushtetmbajtësit sllav, janë kënduar nëpër konakë të dasmave nga rapsodë të ndryshëm. Shumica e këtyre këngëve janë thurur nga vetë rapsodët, që kanë vepruar në Cërvicë dhe rrethi i Kërçovës. Si këngë që bëri një jehonë të madhe ndër shqiptarë ishte: “Kënga e trimave kërçovar”, thurur nga Kalosh Bllaca, nga fshati Jagoll i Kërçovës, e kënduar nga grupi i burrave të fshatit Cërvicë, në krye me Afmet Spahiun, Rahit Spahiun dhe Mersim Çupin. Edhe “Kënga e Gjermanit”, kushtuar luftës së dytë botërore thurur nga Xhaferr Dauti, dhe kënduar nga grupi i burrave të fshatit Cërvicë, çonte lartë ndjenjat kombëtare. Edhe “Kënga e Rumelisë”, këndohej me një kënaqësi të madhe nga grupet që këndonin në Cërvicë. Vetë teksti i këngës flet për ndjenjat patriotike shqiptare, për t’i dalë zot atdheut. Këtë këngë tregon Afmet Spahiu më së shumti në Cërvicë e kanë kënduar Xha Deralla dhe Habib Vrangalla.

Nëse i bëhet një analizë kësaj kënge shihet qartë se në të flitet për shitjen e tokave shqiptare, edhe atë territorin e sotëm të Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, e pagëzuar aso kohe me emrin Rumeli, nga ana e Turqisë ku si blerës paraqitet Rusia cariste e cila i blen tokat shqiptare për shtatë anije (xhemi) të mbushura me (alltan) ar. Më vonë këto toka Rusia ia jep që t’i posedojë Serbia, e kështu shqiptarët nga zgjedha turke bien nën zgjedhën serbe, edhe pse shqiptarët nuk pajtoheshin me një vendim të tillë nga pushtuesit. Te kënga “Trimat kërçovar” thurur nga Kalosh Bllaca nga fshati Jagoll i Kërçovës, vërehet qartë rezistenca e popullatës shqiptare të Kërçovës, ndaj pushtuesve serb e bullgar. Autori i kësaj kënge me mjeshtri të rrallë thur vargje për trimat kërçovar gjatë periudhave të ndryshme luftarake. Ai në fillim të këngës thotë se, të parët tonë kanë qenë shumë trima. Trima ka pas në Shqipëri, Kosovë, por edhe këtu në Maqedoni, si në Gostivar, Tetovë, Dibër, e kudo, por Kërçova, thotë autori edhe më shumë se ato mes këtyre maleve. Kalosh Bllaca në këtë këngë flet për trimat e Kërçovës gjatë periudhave të ndryshme duke rënë dëshmorë në luftë kundër serbëve dhe bullgarëve. Në këtë këngë ai flet për periudhën kur Turqia tërhiqet nga këto troje e në vend të sajë vijnë pushtuesit serb e bullgar, duke masakruar popullatën e pafajshme shqiptare. Këto egërsira sllave digjnin fshatra, e vrisnin burra, gra e fëmijë. Autori flet për masakrat e vitit 1913, duke cekur numrin e të vrarëve shqiptarë. Në Zajaz thotë se na u vranë 300 fshtarë, në Cërvicë 43, në Jagoll 17, të vrarë bashkë me Kalosh Bllacën. Ai e përshkruan vrasjen e këtij djali të ri, i cili mezi i kishte mbushur 15 vjet, i cili kur sheh se komitat kishin hyrë te gratë duke i sharë si është më zi, kap në dorë një hu gardhi dhe e qëllon komitën në kokë nga pas, duke e lënë të vdekur. Lëshon hurin, del jashtë dhe fillon të ikë në drejtim të fushës, por komitat i vihen pas duke e gjuajtur me pushkë në drejtim të tij pas shpine.

Sipas autorit të kësaj kënge, komitat ishin me numër 1.000 ushtarë, kundër një djali të ri. Një plumb i zi  qëllon këtë djalë të ri azgan dhe ia merr jetën mu në lule të rinisë, pa i mbushur ende plot 15 vjet. Vëllai i tij shkruan autori, ishte në mal dhe pas një kohe i lind një djalë të cilin e pagëzon me emrin Kalosh, me qëllim që të përtrihet emri i vëllait të ri që ia vranë katilat shkie në pabesi.

Autori në këtë këngë flet edhe për ngjarjet e vitit 1917, kur Kamerr Bllaca me djalin e tij Imer Bllacën del në mal aty mbi fshatin Qafë, në luftë kundër komitave serb dhe bullgar. E kur një ditë ato dalin në fushë, dikush i spiunon dhe kapen nga komitat dhe dërgohen në burgun e Manastirit. As një vit shkruan autori në këngë, nuk ka kaluar e Imer Bllaca, arratiset nga burgu. Pas një kohe të shkurtër ai mbledh disa trima dhe pushton burgun e Manastirit, dhe e liron nga burgu edhe babain e tij Kamerr Bllacën. Në këtë këngë autori flet edhe për trimin e Qafës, Mazllamin dhe të bijën e tij Sulltanën, që luftuan me një trimëri të rrallë kundër gjakpirësve serb dhe bullgar, të cilët maltretonin popullatën e pafajshme shqiptare. Autori flet se një vojvodë serb me emrin Cok Milloshevci për çdo mbrëmje mbante fjalim se, Imer Bllacën ka me e zënë dhe me duar lidhur do ta sjellë në shtab, që shki e shkina të luajnë me te “valle”.

Një ditë shkruan autori në këngë vojvoda del me shkinat në fushë të korrë grurin. Po sa lind dielli, Imer Bllaca me pushkë në dorë del nga pylli, ndërsa Cok Vojvoda ishte duke korrur bereqetin. Nja dhjetë hapa posa i afrohet i bërtet vojvodës që të mos luaj nga vendi se, për ndryshe do ta mbulonte me gjak. Shumë kohë në këngë i thotë:  bre vojvodë mua më ke kërku,/ Imer Bllacë më thonë mu,/ qe të erdhi dita me më robëru/. Kur e sheh vojvoda këtë trim shqiptar, nga frika shpirti vetë i ka dalë në mes të arës. Imer Bllaca një trim dahi, thuhet në këngë, i thotë gruas së vojvodës që të marrë qenin e ta qojë në shtëpi, dhe t’ua tregojë shkive këtë të vërtetë se,/ Imer Bllaca, me dorë nuk e ka prek shkaun,/ se nuk e ka harxhuar as një fishek,/ qeni nga frika vetë ka vdek.

Më poshtë shkruan autori edhe për periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Vijnë ditë të zeza, këndon autori në këngë, ku sllavët paraqiten si “partizanë”,  të ndihmuar nga Rusia. U bënë shumë shkruan autori, por shqiptarët të pagëzuar me emrin “Ballistë”, nuk u dorëzuan të gjallë. Viti 1944, shkruan autori në këngën e tij do të jetë vit historik. Imer Bllaca, me shokë do të vazhdonte luftën për liri, dhe në fshatin Qafë në ditën e Shën Mitrit, do të bie dëshmor në luftë me forcat e mëdha sllave (partizane). Para se të bie dëshmor Imer Bllaca u thotë shokëve të vet: ”Shumë i fortë or vëllezër u bë armiku,/ si në ushtri edhe në teknikë,/ unë shokë jam i plagosur  e nuk mund të ik”. Porosit shokët që të vazhdojnë luftën për liri, e ai do të dal vetë në shesh të mejdanit, dhe vetë do të luftojë kundër forcave partizane. Nëse vritet, porosit shokët që trupin e tij të pa jetë, të mos e lënë që të luajnë shkietë. Porosit shokët e vet të luftës që trupi tij i pajetë të varroset në varrezat e Bllaceve. Atë ditë së bashku me të në luftë këndon autori, dëshmorë bie edhe Destan Qafa. Luftën për liri këndon autori në këngë e vazhdon Mefaili i vogël duke shkatërruar forcat partizane për dy ditë, dhe duke çliruar Kërçovën. Vijnë edhe ditë të zeza për popullin shqiptarë, këndon autori, kur Mefaili i vogël tradhëtohet nga një shqiptar dhe rrethohet në shpellën e gurit me një rrugicë nëpër lumë e një lis pylli si oxhak. Mefailit i jepet urdhër që të dorëzohet i gjallë. Dorëzohu, i thotë tradhëtari Mefailit se je i rrethuar nga të katër anët, por Mefaili nuk dorëzohet i gjallë. Del nga shpella dhe me armë në dorë vazhdon luftën duke lënë mbi 200 partizanë të vrarë, por bie edhe vetë dëshmorë i kombit. Trupi i pa jetë me sajë zbritet në qytet dhe maltretohet nga shki e shkina ditën e pazarit, në Kërçovë.

Në fund, autori na porosit që kontributin që e dhanë këto personalitete historike të mos harrohet, ndërsa vepra e tyre historike të përcillet nga gjenerata në gjeneratë, që brezat e ri mos i harrojnë kurrë dëshmorët.

Përmes të këngëve, dëshmohet se në Cërvicë ka dominuar brez pas brezi ndjenja patriotike. Këngë të kësaj natyre janë thurur edhe nga shumë këngëtarë të katundit Cërvicë. Këtu vlen të veçohen këngët e thurura nga Xhaferr Dauti, Xha Deralla, Afmet dhe Rahit Spahiu, Sefer Ballazhi, Hasip Xhambazi etj. me shokë.

Grupet e burrave nga fshati Cërvicë, me respekt këndonin këngë për trimat e Zajazit. Të gjitha këngët që këndoheshin në Zajaz, për kaçakët e Zajazit, interpretoheshin edhe nga grupi i burrave të fshatit Cërvicë. Grupet e burrave nga Cërvica këndonin edhe shumë këngë patriotike që këndoheshin edhe për trimat e fshatit Jagoll, për Sulltënën e Qafës, trimat e Kosovës, si dhe shumë trima të tjerë shqiptar.

Ndër këngët që la jehonë, jo vetëm në Cërvicë por edhe në rrethin e Kërçovës, ishte edhe “Kënga e Gjermanit”, thurur nga mjeshtri i këngës të fshatit Cërvicë, Xhaferr Dauti. Ky mjeshtër i rrallë i këngës popullore, tregon Afmet Spahiu, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, duke vërejtur situatën e asaj kohe, vetë kishte thurur një këngë për fillimin e luftës nga ana e Gjermanisë, e cila me furi sulmonte Europën dhe mbarë botën. Xhaferr Dauti me një mjeshtri të rrallë thur vargjet e këngës duke shkuar sipas rendit rresht pas rreshti. Ai në fillim përshkruan lidhjen e besës në mes të Gjermanisë dhe Austrisë dhe pushtimin e shpejtë të Serbisë, e cila shekuj me radhë bënte krime e masakra ndaj shqiptarëve kudo që jetonin ato brez pas brezi. Në vazhdim autori shkruan për qëllimet e Gjermanisë për të nënshtruar Turqinë, dhe qëllimin kryesor për të shkelur edhe Rusinë, e pastaj edhe Francën dhe Anglinë. Ai në këtë këngë me forcë vullkani që shpërthen, nga mbrënda lëshon fjalët e Gjermanisë drejtuar Rusisë:

 

“Kadalë Rus bre Rus i madh,

nuk jam unë bre Rus nji Ballkan,

mua më thonë një gjerman,

çi të djeg me aeroplan”…

 

Pra me këto fjalë Xhaferr Dauti, përshkruan forcën e madhe të Gjermanisë dhe luftën totale që kishte filluar kundër gjithë botës e në veçanti ndaj Rusisë, e serbëve gjakpirës. Kah fundi i këngës autori përshkruan edhe aleancën e Anglisë, Francës dhe Amerikës, për të bërë luftë kundër Gjermanisë fashiste. Kjo këngë tregon Afmet Spahiu, më së shumti është kënduar nga vetë autori e i ndihmuar edhe nga këngëtarë tjerë nga Cërvica e në veçanti nga Shefik Ballazhi. Më vonë kjo këngë është kënduar edhe nga grupe të tjerë këngëtarësh nga fshati Cërvicë.

Këngë tjetër që dha jehonë në popullatën shqiptare, pas ngjarjeve në Prishtinë të Kosovës në vitin 1968, e thurrur dhe kënduar, nga Afmet Spahiu, Rahit Spahiu dhe Mersim Çupi, ishte “Kënga e flamurit”. Kjo këngë është kënduar në Cërvicë në vitin 1972, nga rapsodët që u përmendën më lartë. Kjo këngë në atë kohë është përcjellë me duartrokitje frenetike kudo që këndohej nëpër dasma shqiptare e festivale. Kënga fillon me fjalët historike:

 

“Gjashtë tetor 1968, na është hap një lajm i vërtetë,

si në radio e poashtu edhe në gazetë, se në kuvend

në Beograd, është vendosur që flamuri shqiptarë

të valojë i lirë si në dasma, poashtu edhe

nëpër festa kombëtare, kudo në Jugosllavi”.

 

Anembanë, kudo që jetojnë shqiptarë. Autorët me kënaqësi të rrallë shprehin ndjenjat e tyre kombëtare, duke cekur fjalët se tani erdhi koha kur u çlirua shqipja dy krenare nga kthetrat sllave. Në këngë autorët cekin edhe kontributin e shqiptarëve për ruajtjen e dinjitetit kombëtar e sidomos Isa Boletinit me shokë, bashkimin e shqiptarëve dhe ruajtjen e kombit. Kjo këngë më vonë u bë simbol bashkimi, por pushteti i atëhershëm komunist jugosllav, ndiqte hap pas hapi çdo aktivitet të shqiptarëve.

Grupi i burrave nga fshati Cërvicë, në përbërje të: Rahit Spahiut, Afmet Spahiut, Mersim Çupit, dhe disa antarëve të tjerë, me sukses këndonte edhe shumë këngë të tjera patriotike dhe lirike. Një këngë e cila përcillej me duartrokitje të fortë ishte edhe “Kënga e Isa Boletinit”. Në këtë këngë grupi nga Cërvica i këndonte trimërisë së Isa Boletinit, dhe reagimeve të shqiptarëve kundër vendimit të Turqisë, në dëm të shqiptarëve. Kënga flet për tubimin e shqiptarëve në Ferizaj, dhe pjesëmarrjen në këtë tubim të trimit të sypatrembur Isa Boletini. Në këtë tubim flet kënga, shqiptarët nuk janë pajtuar me vendimet e Turqisë duke shitë trojet shekullore shqiptare. Sulejman Pasha hidhërohet dhe mbledh tre taborre dhe rrethon shtëpinë e Isa Boletinit. Kënga thotë se nëna e Isës, del në dritare, dhe vëren se si rrethohet shtëpia. Ajo i drejtohet djalit të saj me fjalët:

 

“Isa Beg bre ku të ka nana,

të vijnë topat me gatëna”…”

 

Duke ia tërhequr vërejtjen se është i rrethuar, nga të katër anët. Si që mësohet nga kënga, Isa Boletini shpërthen rrethimin dhe më vonë vazhdon luftën kundër forcave turke, për të fituar lirinë dhe pavarësinë. Kjo këngë është përcjellë edhe me instrumente muzikore, si çifteli, fyell, kavalla e vegla të tjera muzikore.

Gjatë dasmave në Cërvicë, nëpër konaqe kanë kënduar shumë grupe burrash. Grupet janë formuar aty për aty, sipas prezencës dhe afërsisë familjare. Për fat të keq nuk kemi të dhëna për grupet e këngëtarëve që kanë kënduar para këtyre grupeve që do t’i përmendim më poshtë. Si grupe që kanë figuruar aso kohe, njohuri kemi nga paraqitja e  grupeve në përbërje të këtyre këngëtarëve: Xhaferr Dauti dhe Shefik Ballazhi, grupin tjetër në përbërje nga Xha Deralla dhe Habib Vrangalla.

Grup tjetër e përbënin:  Faik Rika, Murat Tika, Hashim Rika dhe Afmet Çupi. Afmet Spahiu fliste me shumë respekt për grupin e burrave në përbërje të: Shefik Ballazhit, Sali Spahiut dhe Metit Rejfit (Spahiu). Me sukses prezantohej edhe grupi i burrave në përbërje të vëllezërve: Hamdin dhe Tasim Doga. Edhe vëllezërit: Shukri dhe Vesel Xhambazi me sukses prezantonin emrat e këngën e bukur burimore kërçovare. Në Cërvicë me sukses funksiononte edhe grupi i këngëtarëve në përbërje të: Esat Muratit, Bajram Mehmedit dhe Sulejman Vrangallës. Gjatë kësaj periudhe flet Afmet Spahiu kanë funksionuar edhe shumë grupe të tjerë, të cilët nëpër dasmat që mbaheshin në fshat, jepnin një kontribut të lartë artistik në të interpretuarit e këngës së bukur burimore kërçovare. Gjatë kësaj periudhe të egër këndojnë edhe disa grupe të tjera, si grupi i këngëtarëve në përbërje prej: Sali Vrangallës,  Habib dhe Mevaid Vrangallës. Shpesh herë formohej edhe grupi në përbërje të: Shefik dhe Imet Ballazhit. Më vonë flet Afmet Spahiu, në skenë vjen plotë vështirësi grupi jonë në përbërje të këngëtarëve: Rahit dhe Afmet Spahiu me Mersim Çupin, dhe Shukri Reçku.

Ky grup këngët i interpretonte edhe përmes veglave muzikore, si çiftelisë, fyellit, kavallit e instrumenteve tjerë popullore. Gjatë kësaj periudhe kohore nuk mundeshte të paramendohej dasëm pa këte grup. Në përbërje të këtij grupi më vonë do të kyqeshin edhe disa këngëtarë të tjerë, si: Mefmedali Balla, Abdulla Dauti, Fejzulla Vrangalla, Habib Vrangalla, Mexhit Xhambazi, Ibrahim Reçku, Sheza Xhambazi etj. Ky grup këngën e bukur kërçovare do të e prezantonte edhe jashtë komunës së Kërçovës.

Afmet Spahiu flet me krenari për aktivitetet e këtij grupi, i cili pasi u themelua SHKA “Shkëndija”, nëpër festivale të ndryshme të këngës, nëpër shumë vise të ndryshme të Maqedonisë, korrte suksese duke fituar çmime dhe vende të para. Gjatë kësaj periudhe rol të rëndësishëm në interpretim të këngës së bukur burimore kërçovare në suaza të shoqërisë së lartëpërmendur nga ky fshat luajti edhe grupi i ri i këngëtarëve: Sefer Ballazhi dhe Hasip Xhambazi. Këto dy këngëtarë vazhduan zinxhirin i cili vazhdon të funksionojë edhe ditëve të sodit.

Kurbeti i dha një grusht të rëndë  këngës burimore dhe grupeve të këngëtarëve në Cërvicë, duke i shpërndarë nëpër Europë, Amerikë e vende të tjera. Dasmat tani filluan  të bëhen nëpër restorante, e këngëtarët të sillen nga Kosova, Shqipëria e vise të tjera të Maqedonisë, e të paguhen me para marramendëse duke i mbuluar me dollarë sipas marrëveshjes. Kënga nëpër konakë u shua, me përjashtim të një nate më parë gjatë marrjes së nuses, ose “majës,” si që thuhet te ne në Katund, kur gratë i këndojnë nuses. Gjatë kësaj periudhe Cërvica nuk e shuan tërësisht këngën, sepse në skenë del një këngëtarë i ri me emrin Abdulla Reçku - Duli, i cili me mjaft sukses do të këndoj nëpër dasmat që mbahen  nëpër restorante. Përveç këtij këngëtari të talentuar nga Cërvica, nëpër dasma që mbahen nëpër restorante me mjaft sukses do të prezantohet edhe këngëtari Hasip Xhambazi, i cili që më parë ishte i njohur edhe nëpër dasmat që mbaheshin dikur nëpër konakë në duet me Sefer Ballazhin, dhe gjatë kohë ishin pjesë e pandarë e SHKA “Shkëndija”, nga fshati Cërvicë.

Grupet e këngëtarëve të vjetër, nëpër konakë këndonin këngë trimërie, kurbeti, dashurie, tragjike etj. Të gjitha grupet dalloheshin me disa këngë që më së miri i interpretonin. Secili grup, ose udhëheqës i këngës në grup dalloheshin me atë këngë që më së miri e interpretonin. Grupi në përbërje të: Faik Rikës, Murat Tikës, Hashim Rikës dhe Afmet Çupit, dallohej në të kënduarit e këngëve: “Kënga e Sadin Selmanit”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, “Kënga e Demë Sadikut”, ‘’Ne kjo senja 22”, “Si tja bojmë kësaj shalës zezë’’,  e disa të tjera. Grupi i burrave në përbërje të: Xha Derallës dhe Habib Vrangallës, do të interpretonte shumë këngë e në mes tyre, vlen të përmenden këngët:  Kënga e Rumelisë”, “Kënga e Elifes”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, e disa këngë të tjera. Grupi në përbërje të: Xhaferr Dautit, dhe Shefik Ballazhit, do të interpretonte me sukses këngët: “Kënga e Gjermanit”, “Këngën e Sefer Zajazit”, “Këngën e  Bymbashit”, “Këngën e kurbetit”, “Këngën e askerëve”, “Ditën e Ruzit”, “Myzhde shokë” e disa të tjera. Grupi i burrave në përbërje të: Abdulla, Mexhit dhe Ramazan Xhambazit, me mjaft sukses do të interpretonte këngët: “Vaj zamani”, “Kënga e askerëve”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e bylbylave”, “Kur boni hëna për me dalë”, “Kënga e Xhylefajës”, “Kënga e Haxhi Mustafës”, “Kënga e Mafmut Dacit”, “Kënga e Hasimes”, “Kënga e Sulçe Begut”, “Ça çe poshtë”, “Dy tri ditë para bajrëmit”, “Vjeshta moj virëne” ,“Kur jam kënë 12 vjet”,’’Në bafçe na ka ra bryma”, ”Vajzën tujë ne mor nuk e dumë”, etj. Grupi i burrave në përbërje të: Shefik Ballazhit, Sali Spahiut dhe Meti Rejfit (Spahiu), me sukses interpretonin këngët: “Kënga e Bymbashit”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, “Kënga e Murat Qafës - Boshnjakut”, “Dola në milet bafçes”, “Kënga e Cen Maçunit”, “Kënga e Halilit dhe Hajries”, “Kënga e Qerimisë”, “Mora rrugën për Shijak”, “Luto fukaraja”, “Kënga e Halitit”, “Kënga e Mexhit Bllacës”, “U grejta herët”, “Në sabah këndon bylbyli”, “Këndon bylbyli”, etj. Grupi i burrave në përbërje të: Vesel, Ali dhe Shukri Xhambazit, me sukses nëpër konakë këndonte këngët:  Kënga e haxhilerëve”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, “Kënga e Dones”, “Kënga e temel urës”, “Kënga e Gjylistanës” etj. Grupi i burrave në përbërje të: Hamdin dhe Tasim Dogës, me sukses interpretonte këngët: “Kënga e Halim Beg Tetovës”, “Kënga e Sali Shabanit”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, “Kënga e vajtimit të dashnorit”, “Kënga e Rexhës”, “Kënga e Sulejman Litës”, etj. Grupi i burrave në përbërje të: Sali, Habib dhe Mevaid Vrangallës, me sukses do të interpretonte këngët: “Kënga e Osman Xhinit”, “Kënga e Kalosh Dënit”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, “Jeva- jeva”, “Qafën e gjatë”, “Rrushja e Rexhës”, “Vjeshta moj virëne”, ‘’Kush është ai që kënon në at mal’’ etj. Grupi i burrave në përbërje të këngëtarëve: Mexhit Xhambazi, Habib Vrangalla, dhe Mefmedali Balla, me sukses do të interpretonin këngët:  Kënga e Hasimes”, “Kënga e Kalosh dhe Lazam Dënit”, “Kënga e Sulltanë – Qafës”, “Kënga e Maliq Zenelit”, “Jeva- Jeva”, “Metelikun”, “Kur mi ishnje cucë”, e të tjera. Grupi i burrave në përbërje të: Shefik Ballazhit, Selman dhe Imet Ballazhit me sukses do të interpretonin këngët: “Djemtë e Sulës”,’’Bylykbashi soj arsllëni”, ’’Në Mitrovicë mëlidhen orditë’’, ’’Kur jam kënë 17 vjet’’, ”Beno Bajraktari’’, ‘’Emin Mixha’’, ‘’Bylykbashi Murat Dulla”, “Kishte dalë nji çikë e mirë,” “Kënga e Osman Pashës”, “Kënga e askerëve”, ”Kënga e kurbetit”, e disa të tjera. Grupi i burrave në përbërje të këngëtarëve: Esat Murati, Bajram Mehmedi, dhe Sulejman Vrangalla, me sukses interpretonte këngët: “Rrushja e Rexhës”, “Jeva- Jeva”, “Kënga e Hasimes”, “Dola në milet bahçe”, “Kënga e kurbetit”, “Kënga e askerëve”, e disa të tjera. Grupi i këngëtarëve në përbërje të: Rahit Spahiut, Mersim Çupit dhe Afmet Spahiut me shumë sukses do të interpretonin shumë këngë e në mes tyre edhe këngët: “Kënga e flamurit”,”Këngë për Isë Boletinën”, “Këngë për Skenderbeun”, “Jeva - Jeva”, “Binjin tri dahire”, “Moj xullufë me bojë”, “Këngë për trimat Kërçovarë”,  e shumë këngë të tjera lirike. Grupi i burrave në përbërje të këngëtarëve: Mexhit Xhambazi, Habib Vrangalla, Mefmedali Balla, Afmet Spahiu, Shukri Reçku, Sheza Xhambazi dhe Ibrahim Reçku do të interpretonte me sukses një numër të madh këngësh burimore kërçovare, patriotike, lirike, këngë dasmash të përcjellura edhe me instrumente të ndryshme muzikore. Ndër këngët që interpretonte ky grup vlen të përmenden këngët: “Moj xullufe bojë”, “O çëm çonte drejqi të bi udhës”, “Vjen Valija prej Manastiri”, “Dola një kohë mrëmni”, “Kur më ishnje cucë”, “Dola në milet bafçe”, “Kur boni hëna për me dalë”, “Vaj zamëni”, e disa këngë të tjera popullore.

Edhe grupi i këngëtarëve të ri, në përbërje të: Sefer Ballazhit dhe Hasip Xhambazit, me shumë sukses do të paraqiteshte, jo vetëm nëpër konakë gjatë dasmave, por edhe në festivale të ndryshme në mbarë territorin e Maqedonisë, e sidomos në viset e banuara me shqiptarë. Këto dy këngëtarë, duke kënduar në DUET  e në SOLO, kontribuan që Cërvica, të marrë vendin që e meritonte. Ato duke kënduar së bashku ia çuan lartë emrin Cërvicës, por kurbeti e bëri të veten, Sefer Ballazhi, u vendos me punë në Zvicër, ndërsa Hasipi mbeti këtu në vendlindje. Pasi i shkoi shoku i këngës, ai filloi të këndojë vetë, e pastaj filloi të këndojë në duet me Arsllan Tafën, nga Zajazi, ose me Abdul Abdulin nga Drogomishti i Madh. Ndër këngët që këndonin Sefer Ballazhi dhe Hasip Xhambazi, vlen të përmenden këngët: “Kënga e Abas Agës”, “Kënga e Hajredin Pashës”, “Kënga e Ali Pashë Tepelenës”, “Moj xullufë me bojë”, “Kur më ishnje cucë”, “Mori faqe kuqe”, “Hajde moj e mejro”,Çysh më shkon termë - teposhtë”, “Mori cucë e re”, “Vinte një pampurr”, “Vaj zamënit”, “Dola nji kohë mrëmni”, “Kënga e Bajram Begut”, “Kënga e Jakup Ferrit”, “Mal më mal të kërkova”, “Këngë për trimat kosovar”, “Festoj ditën e lirisë”, e disa të tjera. Pas shkuarjes së Seferit në Zvicër, Hasipi do të vazhdonte të këndojë vetë nëpër dasma ose në duet me disa këngëtarë të tjerë. Ai do të thurte vetë disa këngë, të cilat do të përcilleshin me duartrokitje të forta nga të pranishmit. Si këngë të thurura nga vetë Hasipi ose të interpretuara nga ai, vlen të përmenden këngët:  Kënga e Cërvicës”, “Kënga e Mefailave”, “Kënga e UÇK -ës 2001” dhe “Molla xhelabi”.

Si grup i fundit i cili funksionon në Cërvicë, vlen të përmendet dueti: Abdulla Reçku dhe Sefer Ballazhi. Këto dy këngëtarë të talentuar, veprojnë në Zvicër, por shpesh i takon edhe këtu në vendëlindje. Shpesh këndojnë në DUET, por edhe veçmas. Për Sefer Ballazhin nuk ka nevojë të flitet shumë. Ai me këngët e tija, si ato patriotike e poashtu edhe ato lirike, vite me radhë kënaqte të pranishmit që e dëgjonin, si në dasma e gjithashtu edhe nëpër festivale të këngëve, që mbaheshin dikur këtu në Maqedoni. Abdulla Reçku - Duli, na vjen nga një familje muzikore. Babai i tij, Shukri Reçku, gjatë kohë ishte pjesë e pandarë e grupeve të burrave që këndonin nëpër konakë të dasmave, jo vetëm në Cërvicë por edhe më gjërë. Abdulla Reçku - Duli, do të ishte një kapital i madh për Cërvicën. Ai me zërin e tij të bukur do të vazhdonte rrugën malore, që kishin hapur këngëtarët para tij, duke vazhduar traditën që Cërvica përsëri të jetë lidere e këngës, në komunën e Kërçovës. Ditëve të sodit është e pa mundëshme që të bëhet dasëm e të mos këndojë Duli. Ai në duet me Seferin, do të këndonte një numër të madh këngësh, e ndër to vlen të përmenden këngët:  Do dal në Pazar”, “Këndon bylbyli”, “O çëm çonte drejqi të bi udhës”, “Hajde lule te bunari”, “Dushe- Dushe”, “Vjeshta moj virëne”, ‘’Cucat e Cërvicës me flori në vesh’’, e shumë këngë të tjera. Duli me zërin e tij të bukur këndon edhe në SOLO, jo vetëm këngë trimërie por edhe një numër të madh këngësh lirike. Ai me stilin e tij dhe zërin e tij karakteristik, sot dallohet nga këngëtarët tjerë, duke marrë simpatitë e dashamirëve të këngës së bukur.

Edhe një grup tjetër burrash nga Cërvica la një jehonë të madhe në të interpretuarit e këngës së bukur burimore në Kërçovë. Ishte ky grupi i cili përbëhej nga këngëtarët:  Fejzulla Vrangalla, Baki Rika, Isen Xhambazi dhe ideologu i këngës, dhe këtij grupi Rahit Spahiu. Ky grup shpesh plotësohej edhe me këngëtarët:  Mevaid, Habib dhe Feto Vrangallën. Ky grup do të këndonte këngë lirike e po ashtu edhe patriotike, kjo nxiti pushtetin e atëhershëm komunist që të ndiqte hap pas hapi këtë grup. Rahit Spahiu me grupin që do të udhëhiqte ai, shpesh herë, do të thirrej në polici, duke iu tërhequr vërejtja që të mos këndojnë këngë me tematikë patriotike, se për ndryshe do të merreshin sankcione ndëshkuese ndaj tyre. Edhe pse qenë të kërcënuar nga pushteti i atëhershëm komunist, grupi nuk ndërpreu aktivitetin, duke kënduar nëpër dasma por ishte i kujdesëshëm me këngët “nacionaliste”. Grupi i Fejzulla Vrangallës, i njohur si djali i Habib Vrangallës, nëpër konakë të dasmave do të prezantohej me një thesar të pasur këngësh, lirike dhe patriotike. Si këngë më të preferuara të këtij grupi vlen të përmenden këngët: “Oj voglushe përtej gardhit”, “Imer Aga një mjekër zi”, “Nëpër fusha dhe kodrina”, “Dola në milet bafçes”, “Lulja prej lules, “Po bjen era, retë e zeza”, “Xhevahir ka rritë Mirdita”, “Gjithë ditën si shotë, këmët nëpër ujë”, “I  lumtur jamë në këtë jetë”, “O Demir i Ramçes - Demir terezi”, “Çuni më shkon sokakut”, etj. Ky grup shpesh transformohej edhe në grup familjar i udhëhequr nga babai i tij Habib Vrangalla ose ndryshe si e thirnin në fshat Xha Habibi, dhe djemve të tij: Mevaidi, Fetoja, Feza. Grupi familjar do të interpretonte një numër të madh këngësh si: “Këngën e Selman Litës”, “Bylykbashit”, “Sulë Starovës”, “Jeva- Jeva”, “Kur boni hona për me dalë”, “Metelikun”, “Këngën e Hasimes”, “Këngën e Elifes”, e shumë këngë të tjera burimore kërçovare. Këngën e bukur burimore kërçovare e kënduan edhe shumë këngëtarë të tjerë nga Cërvica. Këtu vlen të përmenden edhe: Bexhet Xhambazi, Rasim Xhambazi, Xhevdet Ballazhi, e ditëve të sodit edhe djali i këngëtarit dhe ekzekutuesit të fyllit, kavallit e cingënës, Mersim Çupit, Profesori i muzikës, Bajram Çupi.

Grupi i burrave dhe vajzave në përbërje të SHKA “Shkëndija”, nga fshati Cërvicë, sukses të veçantë korri në festivalin: “Takimet e Bigorit”, në Dibër, aty kah viti 1977. Në këtë tubim Cërvica u prezentua me tri pikë në program. Pika e parë, u prezentua me grupin e valltarëve në përbërje të: Sadin Tikës, Xhevdet Ballazhit, Aziz Kukës, Nijas Tikës, Jusuf Spahiut dhe Shemadin Spahiut, me vallen “Patruna,” duke fituar çmimin e parë. Grupi i vajzave u paraqit me pikën: “Marrja e nuses sipas traditës në Kërçovë”. Edhe ky grup nga ana e jurisë do të shpërblehej me çmim të parë. Çmim të parë fitoi edhe dueti Sefer Ballazhi dhe Hasip Xhambazi me këngën: ”Na leu dielli në fushën tonë”. Kjo dëshmoi se Cërvica vazhdoi rrugën dhe sukseset që u arritën në vitin 1949 dhe 1952, kur grupet e këngëtarëve dhe valltarëve, në festivalin e këngës dhe valles në Tetovë dhe  në Manastir, shpallen fitues në të dy garat. Kjo dëshmon se Cërvica gjithmonë ka pas këngëtarë dhe valltarë të mirë, e kualiteti i mirë ka mundësuar që të korren fitore të vlefshme nëpër manifestime të ndryshme kulturore.

Edhe grupet e grave dhe vajzave nëpër dasma, këndonin këngë të bukura thurur nuseve dhe synetive. Ato këndonin në këmbë, dhe këngët e tyre përcilleshin me anë të dahires. Grupet e vajzave këndonin këngë të bukura të cilat i patën trashëguar nga brezi në brez, të përcjellura me dahire. Këto këngë vazhdojnë të këndohen edhe sot e kësaj dite duke vazhduar traditën. Si këngë që më së shumti  këndohen edhe tani nga grupet e vajzave dhe grave nëpër dasma gjatë marrjes së nuses dhe bërjes së synetisë vlen të përmenden këngët e synetisë: “Kur ta bëjmë djalin synet”, “Dajallarët”, “Këndo o zog”, “Na vinte berberi”, “Jaran aga - çysh i the babës”, “Hypi kalit”, “Mali me mal”, “Fryni erë e poshtme”, “Dy mollat e kuqe”, etj. Si këngë dasme ku i këndohet nuses, vlen të veçohen këngët:  I hypi kalit – jaran aga”, “Binjin dy dahire”, “Kapërceva kodrën e ballkonit”, “Nejsu Lulije lule”, “A ma mejr nusnej-a ma mejr cucnejë”, “Qajë Lulije”, “O mori hava - çilu pak”, “Ka dalë babaj nuses”, “E mora ferexhen”, “Binjin trej dahere”, “Iku beqaria”, “Darsëm të mëdhe – kemi nis”, ‘’Këndonte bylbyli kajsejë më kajsejë”, ‘’Dola në bafçe me shetrejt’’, “Mojë e mejra e bardhë si hëna’’etj.

Në Cërvicë dekada me radhë nga grupet e grave me dahire janë kënduar, një numër i madh këngësh lirike. Ato këndoheshin në grupe vajzash të përcjellura me dahire ose ndonjëherë edhe pa dahire. Si këngë që më së tepërmi këndoheshin nëpër dasma vlen të përmenden këngët e dashurisë: “Dy të mejra në nji katun”, “E mora ferexhen”, “Shtejva me nji mollë”, “O more djali rejë nama besën”, “Molla mollalije”, “O moj vetull hollë po si peni”, “O çëm çonte drejqi - të bijë udhës”, “Do dal në pazar”, “Molla xhelabi”, “Mori faqe kuqe”, “Mori cucë e re”, “Dola një kohë mrëmni, ku s’e rrok murrani”, e shumë këngë të tjera popullore lirike.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora