E shtune, 27.04.2024, 06:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Fytyra e dhjetë

E hene, 27.04.2015, 06:03 PM


QAZIM D. SHEHU

 

FYTYRA E DHJETË

 

Fytyrës i  iku një fytyrë tjetër,

Lumit një tjetër prej rrjedhës,

Nisem ta gjej fytyrën time të humbur,

Ajo është fshehur tek njerëzit e lumtur,

Tek koha spërdredhur e bukur,

Spërdredhur në mijëra reklama,

Që vuajnë shitjen kur s`vjen fama.

Më ngjan s`kam për ta gjetur kurrë,

Fytyrën e dhjetë mbaj për torturë…

 

 

SY

 

Dikur  ishin të gështenjtë,

Tani të  shkruar, xixëllijnë thellë,

Aq sa nuk e di, ç`sy ti ke.

Bari i rrjedhës shkroi në të,

Ngjyrat e larme të mungesës,

Një dashuri të djegur.

Gëzimet, trishtimet  me epsh.

Sytë u kthyen në palimpsest...

 

 

ORA NË MUR

 

Për të pasur dritë në natën që vjen,

Fosforin në mëngjes shuan,

Do ketë mbetur ndonjë ëndërr që ia vlen,

Ndërsa më nis për rrugë si të huaj.

 

Në alarm zilja tingëllon,

Më jep kumtin për gjithçka,

Këpucët ,varka që lundrojnë

Në dallgë të rrugës me një varkëtar.

 

Tinëzisht meje akrepat,

Hapin krahët e shkojnë ku duan,

Më duket se ia thyejnë qelqin të shkretës,

E nxjerrin ëndrrën që për mua vuan….

 

 

ZONJAT

 

Ngrihen zonjat nga shtrati,

Brilantet në qafë ua rrëmbeu agimi,

Burra të tjerë u zgjodhi fati,

Në mëndafsh qan trishtimi.

 

Mëri e fatit zemëror,

Mjaltit të dëshirës hedh pika pelini,

Për burra të padëshëruar bëhen theror,

Pranga të vjetra bie agimi…

 

 

PABLO NERUDËS

 

Fjalët më të zjarrta në lëkurë pemësh janë shkruar,

Përmes limfës së gjarpëruar.

Fjalët në faqe elektronike a letër,

S`e arrijnë gjelbërimin e vjetër.

Për  vargun që në pemë  shkruan,

Lavditë më të mëdha aty jehuan.

Ndodhi kjo me Pablo Nerudën,

Vargu i tij ëmbël  na jep bukën…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora