Kulturë
Cikël poetik nga Dashamir Malo
E premte, 24.04.2015, 07:54 PM
Dashamir Malo, lindi në Malëshovë të Përmetit. Pas mbarimit të Shkollës së Mesme në Kelcyrë (sot Gjimnazi "Sejfulla Malëshova"), mbaroi Akademine Ushtarake dhe më vonë Akademinë e Policisë. Prej vitit 1990 -1997 punoi në profesionin e tij në qytetin e Sarandës. Në vitin 1997 emigron në Athinë - Greqi ku punoi dhe jetoi deri ne vitin 2002. Në vitin 2003, rifillon përsëri punë ne profesionin e tij si Oficer Policie dhe aktualisht është Shef Administrate në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.
Ka botuar librat me poezi "Midis vetmisë dhe heshtjes", "Precedent" dhe "Fshehja e Lotit". Ka përkthyer nga greqishtja vellimin poetik "Poezi te zgjedhura"te poetit publicistit dhe gazetarit grek Jorgos Hronas si dhe librin me esse "Vallja e çmendur e Merylin s". Gjithashtu eshte pjesemarres ne antologjite poetike "Portat e harreses", "Itaka e fjales" dhe "Korsi e hapur". Ka botuar vazhdimisht cilke me poezi në gazetat letrare të tilla si: "Drita", "Fjala", "Nacional", “Shkrimtari”, “Art Jonian”. Gjithashtu ka botuar cikle me poezi në gjuhën greke, norvegjeze dhe gjermane. Në prill 2012 botoi vëllimin poetik me titull “Ndoshta”. Ne vitin 2014 ka botuar librin me poezi “Vagellimthi”.
Poezia e Dashamir Malos është e qetë,e rrjedhëshme,spontane, diku një portret njerëzor i sjellë ne vargje, diku një ndjenje, diku çel natyra e bukur e vendit ku jeton, diku fëmija, gruaja dhe çdo gjë tjetër që e rrethon, e tejçon bukur në vargje dhe permes tyre, deri tek lexuesi. Në të gjitha thuajse, ndihet shpirti i butë i poetit, lidhja me vendlindjen dhe vendin ku jeton dhe përmes poezive të tij, arrijmë të shohim tablo te qarta, që përmbajnë dhimbjen, ose gëzimin brenda.
Dashamir Malo, eshte një poet fjalëpakë në poezi,por që arrin të na thotë shumë, përmes pak vargjeve, e kjo është arritje.
Poezitë e tij, nuk janë të rënduara në metafora, por ndihet shpirt ne çdo varg, dhe ngjyra sikurse ne nje pikture te heshtur.
Drita Lushi, Autore
DASHAMIR MALO
NË SYRIN E KALTËR
-Cikël poetik-
* * *
Ndajnatë
deti pasqyrë e mugët
qeti’ tej e përkëtej
blerimit të ullishtes
kalon
një grua
me të zeza
dele të bardha
e ndjekin
pas.
Kushtuar A
Ti
vështroje
dhe vështroje
“Syrin e Kaltër”
unë
vështroja
dhe vështroja
sytë
e tu.
KISHTE VITE QE MUNGONIN MJELLMAT
Llohë dimri
ti vije nga larg
nuk dinim hollësira rreth udhëtimit
tënd
vetëm mësonim se atje ku mbrrije
ndalte stuhia
të njihnim vetëm mes vargjesh
plepat dhe akaciet e brishta
mes thëllimit
prej orësh kishin dalë
dhe të prisnin buzë rrugës
ja ti erdhe
më në fund
në liqen kishte vite
që mungonin mjelmat
mua kishte kohë
që s’më kishin vizituar Muzat.
KOLEGES OFICESE
(për Ronin)
Na thanë se do të vinte
të nesërmen nga Bullgaria
nuk e njihnim
i dinim vetëm emrin
Veronika
që në gjuhën time shkurt thirret
Vera
verë e nxehtë
apo verë e ëmbël
folëm për të
siç mund të flitet për një femër
vetëm midis
burrave
ishin Fabio
që vinte nga Roma e lashtë
Janeku prej Estonisë së largët
dhe të ftohtë
Ionuti
nga
dhe unë
secili prej nesh
të nesërmen ajo erdhi
e bukur si vetë ajo
e nxehtë si stina e verës
që shkuam
heshtëm përpara bukurisë së saj
secili nga ne
në fshehtësi
dhë në heshtje
ndoshta për të ra
në mendime
jam Veronika u prezantua
ajo e shpenguar
por shokët dhe shoqet
më thërrasin thjesht Roni
më vonë
morëm vesh se vetëm dikush
por vetëm dikush
e thërriste Veronçke
ne gjithmon e thirrëm
Roni
ERATOJA
Eratoja erdhi përsëri
një tjetër plagë
më hapi në shpirt
dhe iku
e mira
e bukura Erato (1)
(1) – njëra nga nëntë muzat