| E hene, 27.04.2015, 06:03 PM |
QAZIM D. SHEHU
FYTYRA E DHJETË
Fytyrës i iku një fytyrë tjetër,
Lumit një tjetër prej rrjedhës,
Nisem ta gjej fytyrën time të humbur,
Ajo është fshehur tek njerëzit e lumtur,
Tek koha spërdredhur e bukur,
Spërdredhur në mijëra reklama,
Që vuajnë shitjen kur s`vjen fama.
Më ngjan s`kam për ta gjetur kurrë,
Fytyrën e dhjetë mbaj për torturë…
SY
Dikur ishin të gështenjtë,
Tani të shkruar, xixëllijnë thellë,
Aq sa nuk e di, ç`sy ti ke.
Ngjyrat e larme të mungesës,
Një dashuri të djegur.
Gëzimet, trishtimet me epsh.
Sytë u kthyen në palimpsest...
ORA NË
Për të pasur dritë në natën që vjen,
Fosforin në mëngjes shuan,
Do ketë mbetur ndonjë ëndërr që ia vlen,
Ndërsa më
Në alarm zilja tingëllon,
Më jep kumtin për gjithçka,
Këpucët ,varka që lundrojnë
Në dallgë të rrugës me një varkëtar.
Tinëzisht meje akrepat,
Hapin krahët e shkojnë ku duan,
Më duket se ia thyejnë qelqin të shkretës,
E nxjerrin ëndrrën që për mua vuan….
ZONJAT
Ngrihen zonjat nga shtrati,
Brilantet në qafë ua rrëmbeu agimi,
Burra të tjerë u zgjodhi fati,
Në mëndafsh qan trishtimi.
Mëri e fatit zemëror,
Mjaltit të dëshirës hedh pika pelini,
Për burra të padëshëruar bëhen theror,
Pranga të vjetra bie agimi…
PABLO NERUDËS
Fjalët më të zjarrta në lëkurë pemësh janë shkruar,
Përmes limfës së gjarpëruar.
Fjalët në faqe elektronike a letër,
S`e arrijnë gjelbërimin e vjetër.
Për vargun që në pemë shkruan,
Lavditë më të mëdha aty jehuan.
Ndodhi kjo me Pablo Nerudën,
Vargu i tij ëmbël na jep bukën…