Kulturë
Poezi nga Alma Begaj
E marte, 28.04.2015, 07:11 PM
Alma Begaj - Durrës
PËSHPËRITJE
Një det
që s’pushon kurrë
së foluri
kohë e pa kohë
orë e pa orë.
Përballë meje
vrapon së prapthi
e rikthehet sërisht
veç me fjalë.
Me pëshpërima
m’i kreh flokët
dora e brishtë
e syvalës.
Por unë
di ta dëgjoj detin
edhe brenda
një guacke.
DIELLADET
U fsheha brenda buzëqeshjes
ndoqa rrugën e së dielës.
E putha diellin buzë më buzë
zhuritur puthjes zjarrmshpuzë
loti u gjunjëzua nën hundë
këndoi faqeve gjer në gushë.
E kapërceva bulevardin
afërmendsh përballë detit
bëhem rrjedhë ujëvare
tangon
Dielladet titullkënga
fytit ngjirur rrëshket vera
melodia zbret ngadalë
kryqëzohem si pulëbardhë.
DUKE PRITUR TË AGOJË
Duke pritur të agojë
qëndroj në shtratin e natës
si një varkë në errësirë
që breg kërkon
spiranca e ëndërrave
ka nxjerrë thonjtë
e të linjtat gjakos
druaj se
jastëku i çdo nate
bymehet lotësh
e më fundos
pres agun
heshtur
si një varkë
pa spirancë.
MË DUHET TË FLE TANI!
Më duhet të fle tani,
a mund të fle?
në stolat e stacionit
që të mund të kap një tren,
një tren që të më shpjerë diku,
diku larg nga këtu.
Nuk di pse jam e sigurt se
asnjë vagon
nuk ka një vend bosh
për mua, qoftë dhe në këmbë,
edhe nëse gjithë trenat
do t’i ruaj kur vijnë apo
do t’i shoqëroj me pagjumje
kur shkojnë.
A ka më shina për trenat?
Stacionet a kanë trena?
Edhe stolat qenkan zënë
nga të pastrehët..
NDËRHYRJE
Frymoj ngadalë
sepse mendimi për ty
është bërë gjilpërë
me fije
dhe hyn e ndërhyn
në qepjet
brenda qenies sime,
mbytur jam në narkozë
me dozë dopio dashurie
e s’kam si ndjej dhimbje,
nuk gaboj kur them se
kjo ndërhyrje kirurgjie
ma arnon ëmbël shpirtin
me fije.
PËRPUTHJE
Puthje e butë
frymë e ngrohtë
pas veshit lehtë
dhe përmbi gjokse
mbështjellur krahësh
shtrënguar kofshësh
fle hëna me yllin
në blunë e qiellit.
TË VESH ME FJALË
Të vesh me fjalë
formave të bukura
sikur një pemë gjigande
në mes të një pllaje
ia ledhatojnë trupin
degët me gjethnaja,
të vesh çdo linjë
me muskuj të ëmbël
sikur një lumë i vrullshëm
në mespranverë
kërkon dashuritë
jashtë shtratit të vetë,
me fjalë të vesh
me mendje të zhvesh
realisht je lumë
që shtratin ke tek unë.
ASGJË
Sytë pafund rrotullohen,
rrotullohen mes zgavrave
si zero brenda zeros,
shpërndajnë shikimet
tej e tej asgjësë
dhe mbeten autor
i asgjësë.
Në gjeometri ngjyrash
kërcejnë me njëri-tjetrin
tango abstrakte pa tinguj,
pamja në çast
zhbëhet si flluskë,
a është zero sferë
e asgjësë?