E premte, 29.03.2024, 06:57 AM (GMT)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Kohë e pamjaftueshme

E diele, 03.05.2015, 03:00 PM


KOHË E PAMJAFTUESHME DO TË ISHIN NJËQIND VJET...

Nga Ramiz LUSHAJ

Selim Aliaj i Tropojës iu përket me gene dy fiseve: fisit të madh të poetëve të botës dhe fisit me epose e epope të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës. E gdhend bukur fjalën poeti e shkrimtari ynë euro-kontinental Besnik Mustafaj tek parathania e vëllimit poetik “Muzat e dhimbjes” teksa medalion për autorin: “Selim Aliaj pati pa dyshim një përceptim prej poeti të botës. Dhe jo vetëm në anët e mira të veprës së vet, por edhe në të metat mbetet diku thellë poet. Ai është i vetëdijshëm se jeton diku në periferi dhe nuk kërkon të ikë prej saj. Përkundrazi, vendos ta kthejë periferinë në qendër, një ndërmarrje kjo, që mund t’i shkojë vetëm një poeti” (“Muzat e dhimbjes”, fq. 4-5).

Selim Aliaj është rrënjas nga fshati Kasaj i Shipshanit, fshat të cilin, sëbashku me kusherinin e tij, me poetin kombëtar Hamit Aliaj, qyshse në vitet ’70 e banë të njohur në hartat e kohënave dhe si “ fshat i poetëve”.

Poeti ynë Selim, “shtegtar i veprave të dritës” (fq. 4) si e quan ai veten në kohë dhe rrugëton dhjetra kilometra e vjen këtu në metropolin Tiranë me librin e parë poetik “Për njerëzit e dritës” (viti 1977) e u banë miradije të gjithëve në zyra e bulevarde të kryeqytetit: Kam ardhur andej nga Alpet / t’ju sjell një grusht fjalësh veriore /(Po aty. fq. 5).

E fshatit Kasaj i lisnojnë prapë njerëzit e letrave shqipe si poeti e studiuesi me libra të botuar Hasan Selimi – njeri i veçantë e që po del në pension si gjyqtar i Shkodrës, apo studiuesit me libra dorëshkrimorë si pedagogu e avokati Ali Aliaj (vëllai i Selimit) dhe i nderuari e i ndjeri Ramadan Çelaku.

Selim Aliaj është nga bajraku i Shipshanit, bajrak me prijëtarë historik Din Bajram Bajraktarin, Bek Din Bajraktarin, Tahir Bek Bajraktarin e të tjerë, po edhe vet është një bajrak, një ndër bajrakët e poezisë shqipe në Kasaj e Malësinë e Gjakovës, ndër treva etnike shqiptare në Ballkan. E poeti i thotë vendlindjes së tij: Biografia jote do të na duhet përherë...”(“Për njerëzit e dritës”. fq. 27).

Selim Aliaj është poet i vërtetë me dy libra poetik të pjekur, që nuk i ka djegë kurrnji furrë e kohënave që i përjetuem bashkarisht me fate e fatalitete.

Ai ka në arkivin e kullës së tij në Kasaj dhe në faqe të gazetave e revistave të Tiranës poezi të tij të palueme e të botueme, që sigurisht janë disa vëllime poetike, krejt si “kulla poetike” të reja të tij e të kohës sonë, që presim prej truallit të tij të na vijnë në duar e bibliotekat tona dhe brumi e toka e vet ka me i mbajtë gjatë në udhë e istikame.

E, për ata që nuk e dijnë, Selim Aliaj është dhe poet i kangëve të Malësisë së Mirë, Tropojës, e për ma tepër, me njanën prej tyne “Çou moj çikë e del te ara” doli në skenë për herë të parë kangtarja Fatmira Breçani, Mjeshter e Madhe, çika e dajës tem, Cen Selim Breçanit të Markajve, një nga vendet ma të mira të botës. Këtë kangë e ka kompozue i ndritshmi e i ndjeri Bashkim Gjyriqi.

Selim Aliaj ishte dhe dramaturg, pasi ka shkrue disa drama, qyshse herët e tevona.

Për Selim Aliajn kisha me folë bukur gjatë, po diçka nga jeta e pena e tij ka me mbetë tana herët në memorien e kohës: Ishte poet i brezit të viteve ’70 të Tropojës poetike, sëbashku me Ndoc Paplekën, Mehmet Elezin, Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Avni R. Mulaj, Besnik Mustafaj, Halil Buçpapaj e të tjerë. Selim Aliaj ishte mik i mirë dhe me brezat e rinj të poetëve e krijuesve të tjerë të Tropojës: kompozitorët Kolë Susaj e Bashkim Gjyriqin, poetët Jaho Margjeka, Mujë Buçpapaj, Marash Mëhilli e të tjerë.

Rreth këtij fakti deshta me thanë diçka:

Tropoja i ka rritë poetët e vet.

Po mbi të gjitha, si rrallkund e rrallherë: poetët e Tropojës e kanë rritë njani-tjetrin në breznitë e veta poetike.

Tropojës ia kanë marrë deri në tepri pasuritë e saj nën e mbitokësore po kurrnjiherë nuk kanë mujt’ me ia marrë poetët e saj.

Triania e Selim Aliajt është kjo: simbolika Drita. Ndërtues i veprave të dritës në Vaun e Dejës e në Fierzë. Mësues i dritës në disa vise të Tropojës. Autor i vëllimit poetik “Për njerëzit e dritës”. Pra, në jetën e tij prej poeti, prej malësori, prej misionari, i pati të tria me Dritë: Shpirtin, Udhën, Fjalën Poetike.

E, në përmbyllje: Selim Aliaj kishte dy dashuri të tij të mëdha, binjake siameze, që lartësojnë njana-tjetrën, dy dashuri të përjetshme dhe pas vdekjes: Poezia e Vendlindja.

E, sot, sikurse dhe herë të tjera, ne, shokë e miq të tij të jetës e letrave po flasim në këtë sallë për dashurinë e tij të madhe: Poezinë.

E, sot, si astenjëherë tjetër, kanë ardhë dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Tropojës, nga vendlindja e Selim Aliajt  dhe e imja; kanë ardhë nga dashuria e madhe e trollit të Selim Aliajt; kanë ardhë me e nderue sot Selim Aliajn e tyre, Selim Aliajn tonë, poet i kohës e i botës.

Përndryshe, në ditë të sodit: dhania e titullit “Qytetar Nderi” nga komuna e vendlindjes së tij, Tropojës, poetit Selim Aliaj më ngjan si një dasëm legjendë në Tiranë, ku krushk të parë jo vetëm simbolik, kena poetin e njohur Besnik Mustafaj, shokun e rinisë të Selim Aliajt dhe redaktorin e librit të dytë poetik të tij “Muzat e dhimbjes” (Botime Ora. Tiranë, 2001), moderatorin e kësaj veprimtarie. Krushk’ të parë kena dhe drejtuesit e ardhun nga komuna e Tropojës: Ram Kortoçi, Xhavit Çela...

A e ndiet’ dhe sot kangën: “Çou moj çikë e del te ara”. Për atë Zot nuk e di se kur e ka pasë kohën me ardhë ajo çika e kangës së tij, për me e marrë nusen e tij, po veç po due me thanë: Selim Aliaj në koft se i iku kësaj dasme të tij, ai kurrë nuk iku nga vendlindja e vet – fshati Kasaj e komuna Tropojë, e rrethi Tropojë. Kurrë nuk i iku Poezisë. As me lindjen e tij, as me vdekjen e tij. E, prandaj kjo ditë po më përnget brenda legjendës, mbi realitetin, përtej vizioneve si “Dasma e Selim Alisë”.

E tashti boll fola me fjalët e mia e tuajat për Selim Aliajn: shokun tim, poetin tonë, Qytetarin e Nderit të Tropojës. Prandaj po e mbylli me vargjet e poezisë të Selim Aliajt, shkrue 40 vite ma herët, botue tek “Për njerëzit e dritës” (fq. 10), me titull: “Shokëve të mi”:

Ju më mbollët poezinë në shpirt

që gjithnjë të më rrjedhë si krua,

i shoh të zgjaten  vargjet e mia

sikur ditët në duart tuaja...

 

Çdo ditë ju shtoni një heroizëm të ri...

pranverës sonë i shtoni jetë.

Që të shkruaj për ju

Kohë e pamjaftueshme do të ishin njëqind vjet.

E, tashti, po shtoj dhe diçka, që desha të ishte kryefjalë nderimi për Këshillin e Komunës të Tropojës, për kryetarin e tij Adem Beli e sekretarin Idriz Bugushi dhe veçmas për nismëtarin bajemirë e faktkryem Xhavit Çela, që i dhanë me unanimitet babës tim, Ali Mus Lushaj, veteran i luftës e i punës, autor i monografisë “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”, etj. titullin “Qytetar Nderi” i komunës Tropojë. Mirë u takofshim bashkarisht në një eveniment nderimi për babën tem, në një veprimtari të tillë, si kjo e sodit. që do ta organizojmë me vllazninë e madhe Lushaj e fisin e Shipshanit, me komunen Tropojë, me Malësinë e Gjakovës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora