Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Më jep dikë
E enjte, 20.11.2014, 10:15 PM
Më jep dikë
Lutje e misionarëve japonezë Nënë Tereza
Nga Fotaq Andrea
“Njeriu nuk është kurrë larg Perëndisë sesa një lutje”, ka thënë Nënë Tereza e madhërishme.
Dhe lutjet e shpirtit shqiptar kanë gulfuar historikisht në kuadër të besimeve dhe riteve fetare, duke ruajtur një baraspeshë shpirtërore të domosdoshme në tallanditë e jetës.
Domosdo, ka lutje e lutje, që në thelbin e tyre janë për falje mëkatesh, për udhën e drejtë të shpëtimit, për ndihmë, për sendërtim dëshirash, për ngushëllim, lutje për forcë, për vullnet e dituri, lutje për gëzim në shpirt, për mbarësi, shëndet, paqë, lumturi e dashuri. Lutja pra, është nevojë shpirtërore, me fjalë a pa fjalë, tek shpreh në thelb ndjenjë, përkushtim e besim.
Në botën shqiptare, figura të shquara kanë mbartur përherë një lutje nga shpirti. Naimi, tek i kërkon Perëndisë që t’i falë njeriut urtësi, mirësi, njerëzi, butësi, miqësi, tek i kërkon që t’i falë natyrës lule e bar, gjethe e fletë, vesë e shi, erë trëndeline dhe manushaqe, zë bilbili e bukë në kalli, rrushë në pjergull dhe verë në vozë, tek i kërkon që t’i falë diellit flakë e zjarr dhe hënës yje e dritë, veç kur i kërkon Perëndisë t’i tregojë shqiptarëve udhën e punës së mbarë, bashkim e vëllazëri për një Shqipëri me ditë të bardha të lirisë.
Fishta, në vargjet për Zojën e Shkodrës, pajtore e Shqipërisë, i kërkon Mrisë, Nënës së Ynëzot, t’i japë atij një zemër të thjeshtë, besnike e bujare, zemër të butë e të ëmbël plot dashuri. Dhe shton: “Të falemi Virgjin’Nana e Tënzot, / Ndihma e kshtenimit me hire plot; / T’bin ne mend se Zoja e Shkodrës je: / Lutu për ne, lutu për ne!” Ernerst Koliqi nxjerr nga shpirti një klithmë të dëshpëruar kur thotë: “O Perëndi, ndër shekuj ûja buzën na e zverdhi. /Shpesh u errëm pa hangër, bukën me e ruejt për fmi”. Migjeni, teksa revoltohet ndaj mjerimit që nuk ka një grusht të fortë t’i bjerë mu ne zemër malit që s’bëzan, i lutet Perëndisë në poezinë e tij “Lutje” për një simfoni me tinguj të argjendtë dhe akorde të artë plot dashuri, për një paqë shpirtërore që “të dëfrej në lumni, ... / Të lutem o Perëndi, / për një simfoni/ - e kurrë e kurrë të mos zgjohemi.”
Pashko Vasa, në poezinë e tij të lapidar “O moj Shqypni” tek monumentalizon shqiptarizmën, thërret fuqimisht me fjalë të pavdekshme që i burojë të kulluara nga shpirti dhe që çdo shqiptar i di përmendësh që nga bankat e shkollës: “Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,/ Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu, / E mos shikoni kisha e xhamia, / Feja e shqyptarit asht shqyptaria!” Kurse Faik Konica, në luftë me meskinitetin, mediokritetin, antivlerën, verbërinë shpirtërore, në luftë për një mendim të pjekur intelektual, për një forcë pene e shprehie në emër të drejtësisë dhe kundër shpirtit të skllavëruar, shkruan lutjen e tij aq të veçantë që përmban vetë thelbin e konceptualitetit intelektual, kulturor e modern të njeriut të përparuar shqiptar tek shprehet aq bukurisht: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm për paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë”.
Mund të vijohet kësisoj me lutjet e shpirtit shqiptar skalitur mrekullisht nga penat e spikatura të figurave të ndritura të Rilindjes sonë. Por veç një lutje ama, lartohet mbi të gjitha, ajo e kryetrimit shqiptar Skënderbe. Është një lutje zbuluar mrekullisht nga gjurmuesi dhe studiuesi pasionant Gjon Keka, lutje që tingëllon sipas stilit barlecian (i padokumentuar): “Zot, ti je i lavdëruar, i nderuar e i bekuar, që sërish ke dëbuar ushtrinë turke nga vendi ynë, dhe e ke sjellë vendin tonë në themelet e tij të vjetra. Atdheu im, unë jam i yti gjithmonë. Na e dhuro o Zot një fund të bekuar”. Fjalë të arta, ndoshta të penës së Johann Gotthilf Von Striter që, ne shqiptarëve na i ka ënda t’i besojmë edhe sot e kësaj dite, ndonëse mund të jenë fantazi
e autorit
në shekullin XVIII, ashtu sikurse mjaft “fjalime” të Skënderbeut para ushtarëve
të tij nën penën e shumë autorëve të huaj. Në fund të fundit, një gjë ishte e
sigurt:
Në mbyllje, po japim lujen e misionarëve japonezë Nënë Tereza, që simbolizon aq bukur ndjenjën e solidaritetit e të humanizmit, të afrimit me shoshoq dhe të ndihmës së ndërsjellë, ndjenjën për pajtim e paqe, për bujari, fisnikëri e vëllazëri shqiptare, atë ndjenjë të shenjtë të rilindasve tanë, për të cilët kemi sot nevojë, më shumë se kurrë, përballë furisë së mendjeve të prapambetura, jashtë kohe.
Lutje e misionarëve japonezë Nënë Tereza
Kur i uritur të jem, më jep dikë, që nevojë të ketë për të ngrënë.
Kur etje të kem, më jep dikë, që nevojë të ketë për ujë.
Kur ftohtë të kem, dërgomë dikë ta ngroh.
Kur shpirtin plagë ta kem, më jep dikë ta ngushëlloj.
Kur kryqi im i rëndë të më bëhet, më jep edhe kryqin e një tjetri
që peshën e tij me të ta ndaj.
Kur i varfër të jem, shpejt më dërgo te një mjeran.
Kur kohë të mos kem, më jep dikë një çast t’i ndih.
Kur i poshtëruar të jem, më jep dikë, zemrën t’ia lartoj.
Kur zemra të më lëshoj, më jep dikë zemër t’i jap.
Kur dua që të tjerët të më kuptojnë, më jep dikë që atë unë vetë të kuptoj.
Kur mendjen e kam te vetja ime, më jep dikë që për të të mendoj.