Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Zëri “Albanua”
E hene, 03.11.2014, 09:25 PM
Zëri “Albanua”
në Fjalorin historik të gjuhës së vjetër frënge
Nga Fotaq Andrea
“Fjalori historik i gjuhës së vjetër frënge”, apo ndryshe “Glosari i gjuhës frënge nga zanafilla deri në shekullin e Luigjit XIV”, hartuar nga Curne de Sainte-Palaye, anëtar i Akademisë së mbishkrimeve dhe i Akademisë franceze, dhe botuar në dy vëllime më 1875, përmban në zërin “Albanua” [Shqiptar] shpjegime historike lidhur me përdorimin e këtij termi, kuptimin e tij në kontekst të ngushtë e të gjerë, sidomos në mori shprehjesh karakteristike frënge që pasqyrojnë banorin e Albanisë apo albanojin, siç quhej më konkretisht, identifikuar njëkohësisht edhe si “ushtar albanoi” apo si “stradiot albanoi” (soldat albanois - shqiptar), sikurse njhej në Venedik dhe në krejt gadishullin italik, e më tej në mbarë Europën, nga Spanja në Holandë, duke filluar që nga Mesjeta.
Një përshkrim të hollësishëm të dukurisë së stratiopisë shqiptare dhe të kapeles së tyre të famshme në Europë, sidomos gjatë shekujve XIV-XVI, të cilën e kemi pagëzuar me termin e vet origjinal “albanua”, e kemi dhënë tashmë në esenë tonë titulluar “Albanuaja, kapelja historike shqiptare”, botuar në revistën Perla nr. 4, 2008 dhe në esenë “Stradiotët shqiptarë dhe kontributi i tyre historik”, botuar në Revistën Ushtarake, nr. 4, 1012. Veçse, vlen të theksojmë këtu tipare tepër të veçanta të stradiotit shqiptar të Mesjetës që hasen çuditërisht tek samuraji japonez po në të njëjtën periudhë hsitorike mesjetare. Samuraji japonez është një ushtar i vënë në shërbim të dikujt; po ashtu edhe stradioti shqiptar, është një ushtar me pagesë, apo mercenar i kohës, sikundër ishin edhe alemanët, zvicerianët, etj.
Veshja e samurajit është e rëndë, po
ashtu edhe e stradiotit të kohës, me gunën e tyre karakteristike. Heshta jari e
samurajit të shekullit XV është po aq e gjatë dhe vdekjeprurëse sa dhe ushta
(usht – ushtar) e straditotit shqiptar me dy skajet e veta të mprehta. Mburoja
e samurajit është e përbërë nga kartona të trashë të ngjitur njëmbinjë, po
ashtu edhe “sekreta”, që mbulonte kryet e stradiotit shqiptar poshtë kapeles
albanua, dhe që i rezistonte për bukuri goditjeve të shpatave. Samuraji priste
kokën e kundërshtarit të mposhtur dhe e merrte me vete si trofe.
Po ashtu, tipare të përbashkëta midis stradiotit (apo estradiotit) shqiptar të Perëndimit europian dhe jeniçerit shqiptar të Orientit - vëllezër armësh të një gjaku, që përbënin dikur Gardën e famshme të Kastriotit të Madh -, i kemi vënë tashmë në dukje në studimet tona, ku bie në sy tek të dy palët mbuloja e lartë e kryeve dhe shpesh veshja e guntë (e dhirtë), apo mënyra e rrëmbyeshme dhe e shpejtë e të luftuarit, për ta hutuar e shpartalluar armikun me goditjen e parë, taktikë dhe strategji kjo skënderbejane e suksesshme dhe e paparë për kohën, që i bëri ballë për një çerek shekulli dy sulltanëve në krye të Perandorisë Osmane, superfuqisë së vetme të kohës.
Albanua, në formën mbiemërore, emërore, gjinia mashkullore. 1.Banor i Shqipërisë [Albanisë]. 2. Stradiot albanua [shqiptar]. 3. Tip heretiku. 4. Skocez.
Kjo fjalë ishte mbiemër kur thuhej: “Estradiot albanua”, kapele albanua, kapele e bërë në mënyrën albanuaze, shqyt albanua, përdorim albanua i armës, etj. (Shih J. d’Auton, Anale të Luigjit XII, mss. vit.1503-1505, fleta 62; vëll. V: - Cotgrave Dict.; Rabelais, vëll. IV, f. 130, - La Colombière, theâtr. d’honn, vëll. II, f. 126 – Merlin Cocaie, vëll. II, f. 239, etj).
Si emër, kjo fjalë përckton banorët e
Shqipërisë: “Vend më i shtrirë nga
Albanojët që vendosën të mos i nënshtroheshin sundimit osman, kur turqit zaptuan vendin që ata banonin, zgjodhën tërheqjen drejt Italisë, në mbretërinë e Napolit dhe në shumë ishuj që ndodheshin nën vartësinë e Venedikut. Të tjerët mbetën subjekte të Turkut (Sulltanit), i cili i vlerësoi për vlerën e madhe që kishin.
Kjo vlerë nuk ishte e panjohur as në
trevat ku ata u tërhoqën. Njiheshin albanojët si ushtarë shumë të mirë dhe u
përdorën me sukses si trupa të lehta nën emrin “Albanoi”. Quheshin gjithashtu
“Moriatë” apo “Morianë”, sepse kishte shqiptarë në More. Njiheshin me emrin
“Gjenetarë” tek spanjollët, sepse përdornin kuajt “gjenetë” të Spanjës; tek
venedikasit quheshin Korvatë,[1] për shkak të shtrirjes së tyre si komb;
më shpesh quheshin Estradiotë, domethënë
që rrihnin shtigjet[2], shprehje
që tregon mënyrën e tyre të veçantë të luftimit. “Mënyra albanuaze e luftimit është goditje me grupe të vogla, duke shkaktuar rrëmujë në radhët e
armikut, pastaj tërheqje e shpejtë, pjesë-pjesë, me t’u dhënë sinjali i
tërheqjes” (Merlin Cocaie, vëll. II, f.
239). Secilin nga këto emra e gjen të shpjeguar në rend alfabetik në këtë
Fjalor. Ndoshta emri Capelet (Kapëlet –
Kapelas) bën drejtpërdrejt aluzion për vetë lartësinë që kishte kapelja e
tyre, e quajtur “kapele shqiptare” (chapeau albanois), e cila përfundonte me
majë. (Shih J. d’Auton, Anale të Luigjit
XII, viti 1599-1601, f. 91 – Deserey, në vijim të Monstrelet, fleta. 99, V –
Brantôme, kreu fr. vëll I, fq. 116-117. – Rabelais, vëll.
Është krahasuar si me shaka forma e kapeles albanua me atë të një tamburi:
“Pontalis rrëmbeu tamburin e vet dhe rendi drejt atij mëkatari, edhe pasandaj
vajti e ia rrasi në kokë si një kapele
albanua duke ia ngjeshur nga ana ku ishte çarë” (Rrëfenja të Desperlers-it, f. 214). E megjithatë, kapelja albanua ishte një lloj mbulese e
kryeve si kapuçi turk,[3]
por në formë piramidale[4].
Dhe për më tepër dukej e lartë ngaqë nuk kishte sesse, atë rrip të gjatë pëlhure apo taftaje që mbështillej përreth
një kapuçi çallmë. Nga ana tjetër, që albanojët visheshin edhe si turqit dhe
përherë kishin kuaj të mirë. Zakonisht luftonin mbi kuaj. Të palodhur në luftë,
nuk e linin një hop të qetë armikun, të cilin e dobësonin me prita të shpeshta.
Filipi i Kominës duke folur për albanojët apo stradiotët në shërbim të
Republikës së Venedikut më 1494, thotë : “Ata ishin të gjithë grekë [të fesë
greke], ardhur nga trevat që zotërojnë
venedikasit, disa nga Nauplia, nga
Shqyti albanua me të cilin do duhej të pajisej
Fisniku De la Châtaigneraye ditën e dyluftimit të tij me Fisnikun De Jarnac
dëshmon për përdorimin e kësaj arme mbrojtëse midis albanojëve. (Shih La Colombière, Théâtre d’honn. vëll.
II, f. 426). Sidoqoftë, armët e tyre ofensive ishin heshta, në majë të së
cilës lidhej një banderolë, një pinjall dhe arzegeja[5].
“Albanojët... tek i bënin kuajt e tyre të rendnin me të katra, ishin të bërë
enkas për pritat e maleve; ata e shponin armikun me majat e heshtave, duke depërtuar
në zemër të përleshjes dhe duke e thyer”. (D’Auton,
Analet e Luigjit XII, viti 1507, f. 174). Këto ushta janë pa dyshim më të
shkurtra nga heshtat e zakonshme, madje i quanin gjysmë heshta: Albanojët me gjysmë heshta / Zhurmë bënin me banderolat
që valëviteshin. (J. Marot, f. 25).
Albanojët mbanin
pinjallët nën fustan, dhe zakon e kishin ta përvishnin e ta lidhnin këtë në mes
të trupit. “Fustane të gjatë përveshur sipas modës albanoi” (J. d’Auton, vep. e cit.f. 283). “Albanoi
nuk arrinte të mbërthente pinjallin e vet, që e kishte nga pas kurrizit shtrënguar me një palë të fustës së tij të gjatë.
Kur luftonin në këmbë, përdornin arzegejën. Kjo ishte një shtagë me majë të hekurt nga dy anët, me anë të së cilës mund të mësynin drejt kalorësisë duke shpuar përpara. E përdornin këtë lloj shkopi me një shkathtësi të paparë, duke goditur herë me një skaj, herë me skajin tjetër. (Daniel, Milicia franceze, vëll. II, f. 439).
Ndonëse albanojët ishin shumë trima, sidomos mbi kuaj, zjarri i artilerisë, me të cilën nuk ishin mësuar aspak më 1491 i trembte: “Sepse kur një fokon[6] bëri një të shtënë, vrau njërin prej kalorësve të tyre, që në çast i bëri të sprapseshin.” (Kujtimet e Kominit, vëll. II, f. 618.) Kjo frikë i bëri ata supersticiozë. Tek mbanin mbi vete ca germa [tatuazh], besonin se ishin të siguruar nga të shtënat e zjarrit. (De Thou, Hist. Vëll. X, libri 90, f. 226).
Me sa dukej, francezët nuk i shihnin ata me sy të mirë, sepse, me dorëzimin e qytetit të Novarrës më 1500, ata nuk pranuan lejimin e tyre, sikurse ndodhte me të tjerë, ardhur nga vende të largëta që i kishin shpesh për zemër” (J.d’Auton, Anale, viti 1500, f. 103).
Mund të thuhet se efektet e kësaj armiqësie morën fund sapo u morën albanojë në shërbim të Francës. U njoh vlera e tyre gjatë betejës së Fornovës. Më 1503, kishte në ushtrinë e Luigjit XII në Itali “një kalorës albanoi i quajtur Fisniku Mërkur, njeri shumë i zoti, shumë i shkathët në veprmet luftarake sipas modës së vendit të tij, të cilit i ishin bashkëngjitur njëqind albanojë, të tërë një për një të përzgjedhur për zanat të luftës” (J. d’Auton, Anale, dorëshkrime, fashikulli 60, R, II e V). Pjesa e mëposhtme paraqet një përshkrim të saktë të mënyrës se si luftonin albanojët. “Me gjashtëdhjetë albanojë nga të vetët, ai [Fisniku Mërkur Bua] iu drejtua spanjollëve dhe sapo u ndodhën pranë tyre, ata të tërë nganë mamuzet, rrafshuan heshtat me banderola dhe rendën si furtunë, aq shpejt e aq fort, sa i çanë radhët e spanjollëve të sipërthënë, duke krijuar përmes tyre pështjellim dhe thyerje; pasandaj, tek panë Zotërinë e Vandricourt-it që kishte nevojë për ndihmë, i hynë përleshjes, prenë një pjesë dhe i bënë të tjerët të marrin arratinë (Po aty, fashik. 63, R) E hasim të njëjtin Kapiten [Kapedan] me njëqind albanojët gjatë rrethimit të Gjenovas më 1507. (J. d’Auton Anale, vit. 1506-1507, f. 169).
Nevoja për këto trupa të lehta do të sillte doemos shtimin e numrit të tyre [në ushtrinë franceze]. Kështu lexojmë se ndër një mijë e dyqind kalorësit e lehtë, në krye të të cilëve u vu si Gjeneral-kolonel Zotëria De Fontrailles, pjesa më e madhe e tyre ishin albanojë. (Shih Daniel, Milicia franceze, vëll. II, f. 440). Luigji XII e donte atë ngaqë ishte “Komandant i mirë i kalorësve të lehtë, që dinte t’i drejtonte... dhe e bëri kështu Gjeneral-kolonel të albanojëve që kishte në shërbim të tij”. (Brantôme, cap. fr. vëll. I, f. 116.) Megjithëse albanojët nuk na sollën formën e kalorësisë së lehtë, ndërkohë që Brantôme pretendon të kundërtën ubi supra[7], e vërteta është të thuhet, të paktën, se vetë dobia që ata sillnin qëndron në themel të idesë për krijimin e trupës së Kalorësisë së lehtë franceze; sepse nisur thjesht nga kjo ide,” u krijua një trupë e veçantë e Kalorësisë së lehtë në trupat franceze, si trupa e albanojëve, e estradiotëve, ashtu sikurse ishin edhe në ushtritë e turqve dhe në ato të venedikasve; u pajisën këto trupa me kapitenë dhe me oficerë të tjerë të pandryshuar, si dhe me një Komandant të përgjithshëm, etj.” (Daniel, Milicia fr. vëll. II, f. 440).
Mund të shihen me vëmendje gjithashtu basorelievet e varrit të Luigjit XII si një shtojcë e asaj çka lëçitëm më sipër lidhur me veshjen e albanojëve, armët e tyre dhe mënyrën e luftimit. Pas vdekjes së këtij Princi [Fisnikut De Fontrailles], albanojët vijuan të mbushnin radhët e kalorësisë së lehtë kombëtare. Më 1513, Zotëria De Brissac komandonte në ushtrinë që vepronte në Vendet e Ulta njëmijë e pesëqind kalorës të lehtë, midis të cilëve kishte edhe albanojë. (Shih Daniel, Milicia franceze, vëll. II, f.44). Duka i Majenës [Mayenne] kishte katërqind kalorës albanojë në ushtrinë e tij më 1585. (Shih De Thou, Hist. Vëll. X, L, 82, f. 403). Nicot-i flet gjithashtu për praninë e albanojve në ushtri. “Tanimë, thotë ai, flitet në mënyrë të veçantë për albanojët, këta kalorës armatosur lehtë... që mbajnë kapele të larta dhe përdoren për kalorësinë e lehtë; vijnë nga vendi i quajtur Shqipëri [Albanie] dhe janë vënë në shërbim të papëve që në ato kohëra kur kishte garnizone në shumë qytete të Selisë së Shenjtë”[8] (Nicot, Dictionnaire).
Thuhet se këta albanojë ardhur nga Greqia dhe nga Epiri e kishin zanafillën e tyre të parë nga albanojët e Azisë[9]; dhe se quheshin kështu për shkak të ngjyrës së tyre. Në këtë rast, fjala latine albus, i bardhë, do të ishte etimologjia e emrit të tyre. (Shih Fjalorin e Martinière dhe Fjalorin e Trévoux).
Në shekullin VIII kishte heretikë që quheshin albanojë nga emri i vendit ku kishte lindur sekti i tyre. Shkatërruar në Orient, ky sekt u riprodhua në Albaninë greke, nga ku u përhap në shumë treva të Francës. Ishte një degë e Manikeasve[10] [apo Manikeenëve]. (Shih Fjalorin e Trévoux dhe Fjalorin e Herezive).
Pretendohet gjithashtu
se Skocia, pjesa veriore e së cilës është e mbushur me male tepër të bardha
është quajtur për këtë arsye Albania,
dhe skocezët, si banorë të Skocisë quheshin albanojë.Në
fund të fundit, origjina e fjalës Albania
mund të jetë po ajo e Albit[11],
e prejardhur nga Alb apo Alp, që do të thotë mal.(Shih
Albia). Sido që të ketë ndodhur, thotë Walafridius Strabo, vetë zakoni i të
udhëtuarit ishte i natyrshëm për Albanojët e për Skocezët, dhe thirreshin
kështu Albanojë tërë të huajt. Prej
këtej edhe fjalët aubain, aubaine .(Dic. de Trévoux).
[1] Sepse vinin nga zona bregdetare e Dalmacisë (Kroaci), që ndodhej nën sundimin venecian gjatë shekullit XV.
[2] Nga shprehja frënge battre l’estrade, domethënë t’i biesh kryq e tërthor një terreni për të njohur pozicionin dhe lëvizjen e armikut. Në fakt, termi stradiotë nuk ka të bëjë me shprehjen e vjetër frënge, por vjen nga fjala greke stradiotë, që përcakton historikisht banorët e hershëm shqiptarë (albanensis) ardhur nga Arbëria gjatë shekullit XI, kur u thirrën nga perandorët bizantinë si forca ndihmëse ushtarake, duke krijuar në More e gjetkë vendbanimet e tyre të para, të quajtura ndryshe stratopia.
[3] Është fjala këtu për kapuçin e lartë të dervishëve, të sektit bektashian. Jeniçerët i përkisnin këtij sekti dhe kishin për simbol e flamur “Mëngën e Haxhi Bektashit” (Shih: Leon Cahun, Hasan Jeniçeri, Historia e një shqiptari më 1516. Përkthyer nga frëngjishta nga Fotaq Andrea).
[4] Në revistën franceze “La revue de l’art ancien et moderne” të vitit 1901, f. 336-337, vihet në dukje konkretisht se në vitit 1555, “Papa Pavli IV i dërgoi mbretit të Francës Henrit II, nëpërmjet një prej nipërve të tij, kardinalit Caraffa, një kapele që Brantome [kronikas francez] e ka parë me sytë e tij: “krejtsisht i bërë sipas mënyrës albanuaze, por me cohë të praruar, si dhe një shpatë po të praruar, për t’i kërkuar ndihmë, duke prishur armëpushimin dhe duke nisur luftën”.
[5] Lloj ushte, më e shkurtër nga heshta.
[6] Lloj topi i kalibrit të vogël në artilerinë e dikurshme franceze.
[7] Latinisht: në veprën e cituar. Kjo tezë, në fakt, meriton studim më të thelluar për të vërtetuar se ishin pikërisht stradiotët shqiptarë ata që qëndronin në themel të Kalorësisë së lehtë franceze dhe europiane, po të kemi parasysh edhe Traktatet lidhur me strategjinë dhe taktikat e Kalorësinë europiane të hartuara nga shqiptari Gjergj Basta, Gjeneralisim i Trupave perandorake austro-hungareze, figurë madhore e artit ushtarak mesjetar.
[8] Në
ushtritë e Henrit
[9] Tezë e gabuar. Sot është vërtetuar shkencërisht se shqiptarët janë autoktonë, pasardhës të ilirëve të lashtë.
[10] Manikeizmi në Mesjetën e hershme përfaqësonte mendimtarët dualistë të krishterë, që ndanin, pa dallim, të mirën nga e keqja.
[11] Është e njohur për ne shqiptarët që emri Albania është i prejardhur nga fisi ilir i albanëve, të cilët kishin për qendër qytetin Albanopoli.