E enjte, 10.10.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Rikard Vangeri dhe dashuria e parë e Faik Konicës

E hene, 11.11.2013, 07:01 PM


RIKARD VAGNERI DHE DASHURIA E PARË E FAIK KONICËS

Me rastin e 200 vjetorit të lindjes së Rikard Vagnerit

Nga Fotaq Andrea

Është e njohur se më 1889, djaloshi 13-vjeçar Faik Schichgo Konitza e mban vrapin nga liceu perandorak Galatasaraj i Stambollit në liceun e Karkasonës, Francë, nga Lindja në Perëndimin evropian, me një hovje të paparë, që do ta bëjë adoleshentin shqiptar të kapërcejë me hapa talenti të paradokohshëm dy klasë njëherësh brenda një viti shkollor. Dhe do ta vazhdojë këtë hovje gjer në mbarim të kolegjit dhe liceut në dy-tre qytete franceze, para se të përfundojë si poliglot e filolog kurset e specializuara universitare të Sorbonës dhe të Kolegjit të Francës, njohur ndryshe si Akademia Franceze.

Pikërisht, në moshën 13-vjeçare, Konica bie për herë të parë në kontakt me fyellin apo flautin që, edhe sot e kësaj dite është instrumenti simbol, më klasik e domethënës i orës së muzikës në kolegjin francez. Djaloshi Konica nuk do t’i ndahej më fyellit magjik e magjeps, që të kujton sa titullin e veprës së përkryer të Mozartit, aq edhe rrëfimin Fyelltari i Hamelnit të Prosper Merimesë. Do mësonte kësisoj që herët, krahas një duzine gjuhësh të huaja, edhe “gjuhën e perëndishme të muzikës”, siç e quan ai, duke mësuar të luante vetë në gati tërë instrumentet frymore, ku vendin e parë do e zinin klarineta, oboji dhe kornëmuza, apo gajdja angleze, siç na e dëshmon Apolineri.

E jo vetëm kaq, por me mësimin e “gjuhës së perëndive, që ka një tërheqje magjike”, ai do dinte të shijonte në thellësi të shpirtit muzikën klasike, shi atë Muzikë të Madhe të kompozitorëve gjenialë, që parakalojnë gati të tërë nën penën e tij, nga Beethoveni, te Mozarti, nga Bachu, Shcuberti, Chopin, Bizet, Giordani, Verdi, Debussy, Rachmaninov, Ravel, Prokofiev, List, Dvorak, Massenet e deri më në fund te gjigandi Richard Wagner, 200-vjetori i lindjes të të cilit po vazhdon të kremtohet këtë vit me madhështi të paparë në botën e qytetërimit e të përparimit.

Vagneri! Me siguri kompozitori i madh gjerman e ka kulmuar në mënyrën më sipërore krejt adoleshencën e Faikut, për arsyen e thjeshtë se ai do shihte te Vagneri të ndërthureshin mjeshtërisht e mrekullisht dy elementë themeltarë: Drama e jetës dhe Muzika hyjnore, si tipar i veçantë vagnerian i muzikës klasike. E themi këtë pa kurrfarë mëdyshje, duke pasur parasysh se aty nga mosha 18-19 vjeçare, në lulen e çelur të adoleshencës, krahas hoveve të gjithanshme në fushën e dijes dhe muzikës, Konica do ndjente dhe do ndiqte edhe rrahjet e ethshme të zemrës djaloshare, hovet e marra shpirtërore, dridhjet e ëmbla mishtore, tek ra për herë të parë në dashuri me bukuroshen leshraverdhë ojonakse Hugon Sophie Josephine Annette, 15-16 vjeçare, dhe kur u bë me të me djalë në qershor 1897, në Sent-Zhil të Brukselit, djalë të cilit Konica i vuri emrin Henrik Lohengrin beg Konitza Schischgo, sipas aktit të lindjes së tij që disponojmë.

Nuk është e vështirë për të pikasur në këtë emër të të birit të Konicës mënyrën shqiptare të të shkruarit të emrit Henrik, me k, dhe jo Henrique apo Henric, ashtu siç do duhej shkruar në gjuhë të huaj. Por në mënyrë të veçantë bie në sy këtu emri ndajshtimor Lohengrin, që të kujton në çast veprën e famshme të Rikard Vagnerit, operën Lohengrin, përqendruar te personazhi kryesor simpatik vagnerian me të njëjtin emër, “Kalorësi me mjellmë”.

Ja një gëzim madhor e madhështor në jetën e një njeriu kur bëhet me fëmijë për herë të parë! Dhe në ç’moshë! Ja dhe një pagëzim konkret vagnerian i foshnjës ardhur në jetë me emrin Henrik Lohengrin Konitza! Gjëmojnë trumbetat e engjëjve dhe të hyjve vagnerianë në shpirtin e djaloshit Faik, si në preludin e parë të operës Lohengrin. Shqyen dhe çahen retë në furtuna qiejsh e ndjenjash, dhe nuk do të vonojë drita e tejteshme e shpresës dhe e lumturisë për të ardhmen, nën rrezen e parë të një dielli shpirtëror patriotik. Konica, i bërë me djalë, por edhe me fletë, nxjerr me shpejtësi rrufe, atë vit 1897, numrat e parë të kryeveprës së tij Albania, në Bruksel, boton në frëngjisht esenë Mbi Edukimin (1898), ku nuk mungon të përmendë publikisht, për herë të parë e të vetme, praninë e djalit të tij në jetë. Gjithçka premtuese fillimisht midis Faikut 20-vjeçar dhe Sofisë 16-vjeçare, e mes tyre engjëllushi Henrik Lonhengrin. Një aventurë e tërë, tërë ëndje dashurore, ashtu si në operën e Vagnerit Tristani dhe Izolda, ku Dashuria (me germë të madhe), që ushqehet ethshëm nga arti lirik gjatë shekullit të romantizmit, personifikohet tek këta dy personazhe të Mesjetës kelte në shkallën e saj më të epërme. Dhe ashtu si Vagneri, që e shndërroi operën në dramë muzikore të fuqishme, plot shkëndijime dhe ëndje të mishit e gjakut, mbartur në pentagrame hyjnore, po ashtu edhe Dashuria mes Faikut e Sofisë, shfaqur ëmbël midis Dr. Gjilpërës (Konica d.v.) dhe personazhit të Verës nuk do vononte të kishte një përfundim fatal, kur udhët e jetës zënë e ndahen dhe zhurmë tronditëse e kataraktit alpin të dashurisë vagneriane zë e shndërrohet në murmurimë pasionesh e zënkash, në përplasje botëkuptimesh, gjer në shuarje të plotë.

Profesor Isak Sheme është i pari që ka shfletuar dokumentet arkivore të Brukselit për Faik Konicën. Që më 1997, ai e ka përmendur tashmë faktin që Faiku ka pas njohur një vajzë në Francë me emrin Sophie Annette Hugon, me të cilën ka pasur një djalë, Henrikun (Vepra 5, f. 335). Por gjithë informacioni, ndonëse tepër i vyer, kufizohet me kaq. Në fakt, pas disa vitesh bashkëjetese të lumtur në Francë e Belgjikë me Sofinë, me hovet dhe përplasjet e duhive të zemrës, Konica do detyrohet të largohet nga Brukseli për në Londër (1902), duke vazhduar Albania-n e tij, teksa francezia Sofia, duke mos mundur t’i përshtatet shqiptarit Faik, do dashurohet pas një piktori në Bruksel, Sylvestre Arschoot, me të cilin do kthehet në Ojonaks të Francës, vendlindja e saj, dhe do të ketë edhe një vajzë, Jeanne Joséphine Catherine, gjysmë motra e Henrikut, me baba tjetër, e cila do të ndërronte jetë jo më parë se në maj 2007, në moshën 98 vjeçare.

Henriku, djali i Konicës (që u rrit nga e ëma Sofia, së bashku me Katerinën, gjysmë-motrën e tij), më 1920, do martohej me Marthe Suzanne Sieg, dhe do kishin për prikë një lokal, Café des Sports në Sent-Klod të Zhyrasë, pikërisht vendi nga ku Henriku do t’i shkruante letër Fan Nolit në kërkim të atit të tij, e ndoshta edhe vendi ku do takohej më pas (në vitet 20-30)  edhe me mikun e tij Sejfulla Malëshovën, ish sekretarin e Nolit më 1922.

Por le të kthehemi te Vagneri, te muzika dhe Konica, para se të japim të përkthyer letrën e Henrikut. Shumë herë Konica e përmend emrin e gjenialit Vagner në shkrimet e veta. Në esenë Skicë metode për t’u duartrokitur nga borgjezët, shkruar drejtpërdrejt në frëngjisht dhe botuar nga Apolineri te revista e tij le Festin d’Esope më 1903, Konica, jo pa humor, e sheh edhe vetë rolin e dirigjentit brenda lëkurës vagneriane. Por në mënyrë të veçantë vëren se në epokën e tij “kompozitori, për t’u vlerësuar, duhet të jetë vagnerian, të ndjekë stilin vagnerian, që e bën muzikën të vijë gradualisht kreshendo, me mbisundim të instrumenteve frymore”. Është pikërisht ky stil muzikor klasik elementi thelbësor që e dallon muzikën tipike/atipike të Vagnerit. Sepse, kur violinat shushurijnë ëmbël një vijë melodike me ulje-ngritjet e veta, si një erë që luan me gjethet e thara gjer në vrumbullimë të marrëzishme të tyre, një linjë e dytë melodike, në harmoni të plotë me të parën, vjen e dallgëzohet rëndë-rëndë përmes instrumenteve frymorë, për të përfunduar ethshëm e furishëm në shpërthime furtunash të detit e qiellit me një bruhaha të paparë. Gjëmojnë atëherë kimbalet, xingohet e oshtin ajri krejt, përmes rrezatimesh të tilla shpuese që paralajmërojnë ngadhënjimin hyjnor. Këtë ndjesi, nuk ka si të mos e provojë gjithkush që përpihet nga muzika gjeniale e Vagnerit. Unë vetë, tërë këto ditë, me kufjet në vesh, për gati një orë majë biçikletës sime eliptike, u përpoqa të ndjekë sa më pranë veprën e kompozitorit të adhuruar të Konicës. Dhe e trallisur, krejt qenia ime u përpi nga muzikë e tij, nga maja e flokut te thoi i këmbës, si një magji plot lirizëm.

Në tërë këtë madhështi vagneriane, Faik fisnik Konica ynë, në pararojë të intelektualitetit evropian dhe të modernitetit të kohës, përkrah Apolinerit me shokë, do shkonte edhe më tej për të vlerësuar veprën e kompozitorit gjerman. Ai nuk do interesohej thjesht për muzikën e këtij kolosi klasik, por edhe për veprën e tij të shkruar, për esetë dhe shkrimet teorike e filozofike të Vagnerit (rreth njëzet vepra).

Pikërisht, për të pasqyruar mendimin e tij për muzikën vagneriane, Konica do gjejë rastin për t’i shkruar një letër të parë Apolinerit, gjeniut poet francez, aty nga shtatori 1903, shoqëruar nga një koment i tij. Për fat të keq, komenti ka humbur, por gjithçka lë të kuptohet se Konica po interesohej nga afër për rubrikën e revistës L’Européen titulluar Një anketë mbi Vagnerin, organizuar nga muzikologu dhe kritiku Hugo Tomicich. Apolineri, që punonte në atë kohë si redaktor i kësaj reviste, fillon kështu, nga ajo kohë, një letërkëmbim të rregullt me Konicën. Nuk do mungojnë atëherë rastet kur do kuvendojnë së toku për një anketë të re muzikore të revistës le Festin d’Esope, lidhur me tematikën Evolucioni 200-vjeçar i orkestrës. Dhe kohë më pas, konkretisht në vitet e Havardit, do e shohim tashmë Konicën t’i hyjë edhe studimit të Shopenhauerit e Niçes, duke ditur që ndikimi i tyre ishte i madh në veprën vagneriane.

Nga ana tjetër, është i njohur edhe letërkëmbimi i Konicës me bashkatdhetarët, kur ndan me ta gëzimet e veta për Muzikën e Madhe. Veçojmë këtu letrën drejtuar mikut të tij Milto Gurra, ku Konica flet se ka shkuar në 14 koncerte në Vjenë brenda një periudhe të shkurtër, duke ndjekur sonatat e Scarlattit, simfonitë e Mahlerit, të babush Haydenit, të Beethovenit, kantatat e Bachut, etj. etj. Dhe përmend një pas një me radhë tërë dirigjentët e njohur të kohës, violinistët më të mirë e gjer te orkestruesit dhe kantautorët, me atë entuziazëm të artdashësit erudit që di të ngazëllehet nga “muzika e parajsës”, pa hequr dorë një hop prej saj.

“Në Bruksel, Londër, Vjenë, Romë, thotë Konica, asnjëri s’ka qenë më besnik, më i rregullt se unë në koncertet simfonike. Kur hyj në tempull të muzikës, kam një të qëlluar të zemrës me shpejtime, ndjej nderim të frikësuar e të përulur” (Vepra 2, 252). Sepse Muzika e Madhe është, siç shprehet ai, “Dritë e shpirtit tim”, tek hedh në kartë me këtë rast një vjershë nga më të bukurat, një arie të vërtetë, mbështetur në melodinë e Guiseppe Giordanit. Dhe ja si shkruan: “Drit’ e shpirtit t’im, / Ki pakëz besim:/ Se pa ty s’rroj dot, / Jeta është kot. / Un’ i mjeri heq, / Zemra më rënkon: / Si s’të vjen keq,/ Pse më mundon? (Vepra 1, f. 82).

Këtë fuqi të magjishme të muzikës klasike, Konica e ngre në piedestal hyjnor në shkrimin The sweet power of music, duke mbështetur përkufizimin shekspirian se Muzika, të ligën e bën të mirë, dhe të mirën e shtyn tek e liga. “Muzika, do shprehet me këtë rast Konica, nuk është qejf. Është fe. Muzika është lutja më e madhe e fesë sonë, që na lartëson e na forcon në luftë me shëmtimet e jetës.” Ja fjalë të arta koniciane me pathos gjeniu, një përkufizim mjeshtëror për Muzikën e Përjetshme, që “zgjon ndjenja në fund të shpirtit me fuqi të ëmbël”, që edhe një tufë kuajsh të hazdisur i zbut “po të dëgjojnë një erë (aire) muzike”.

E ndërsa Konica nuk mungon të lëvdojë e shenjtërojë tërë kampionët e muzikës klasike, Vagneri, dhe vetëm Vagneri ha bukë veç tek ai. Sepse ai e mban të mbërthyer, pa e lëshuar, e dalldis në mendime, e shpie tutje larg në kujtime, te Sofia dhe Henriku, thjesht me atë mesazh të pavdekshëm muziko-filozofik të pranimit të fatit, të përuljes para tij, por edhe të shkëputjes nga rrënimet e jetës dhe të gjetjes së baraspeshës shpirtërore, gjer në prehje e qetësi fisnike mes furtunave.

Atëherë, ashtu siç e shohim me sytë e mendjes Konicën e ri, të zymtë e të menduar, duke dhënë “koncertin e vet me klarinetë” në shtëpinë e tij në Londër (1904), përpara mikeshës së tij të dytë Antonia (Ingrida e Dr. Gjilpërës) dhe përpara Apolinerit, dy spektatorët e tij të vetëm, e shohim po ashtu Konicën e mpakur dhe serioz (vitet 30-40), rënë në të thella, tek ndjek ethshëm përmes gramafonit të tij grykë-hinkë Preludin e parë dhe të dytë të operës Lohengrin. Domosdo, si  çdo prind, do dëshironte ta kish pranë Henrikun e tij, Lohengrinin e tij, për ditë të mirë e ditë të keqe, pas tërë atyre tallazeve e luftërave të ashpra të jetës, pas tërë atyre gëzimeve e zhgënjimeve që kish kaluar. Domosdo i drithërohet zemra dhe i dridhen mishtë për çdo haber që merr për të nga Lamja i Vogël (i urti dhe fisniku i përkorë Sherif Delvina më ka pohuar se S. Malëshova lidhi në Francë miqësi me Henrikun) apo nga vetë Noli, i cili, siç e dimë, në shuarjen e eruditit të paarritshëm shqiptar, do të organizonte ceremoninë e varrimit të tij nën tingujt magjikë të uverturës Lohengrin në dhjetor 1942, tinguj që do merrnin me vete në pafundësi dhe do lartonin madhërishëm emrin dhe figurën emblematike të atij që themeloi gjuhën letrare shqipe si thesarin më të çmuar që kemi sot, të atij që hodhi bazat e kritikës letrare, të estetikës shqiptare, të sociologjisë, filozofisë, qytetarisë moderne shqiptare, të atij që u përkushtua me mish e me shpirt për Përlindjen shqiptare, për prirjen dhe zhvillimin perëndimor evropian të shpirtit të përparuar kombëtar shqiptar.

Duke u përulur gjithë nderim para Veprës së Konicës, para Veprës së Vagnerit, me një anatemë për gojëshpuarit e gojëlëshuarit që nuk dinë të vlerësojë gjeniun dhe gjeninë, s’na mbetet veç të bëjmë një thirrje për fisnikët e shpirtit: Zotërinj, hiqni kapat, kur të përmendni emrat e tyre!

Letër e Henrik bey Konitza drejtuar Ministrit Fan Noli

Botohet për herë të parë sipas dorëshkrimit origjinal që ruhet në

Arkivat e Shtetit, Tiranë

Saint-Claude, më 16/1 – 1922

Zoti Ministër,

Ju drejtohem juve plot siguri, për të më dërguar, falë dashamirësisë suaj, disa të dhëna lidhur me anëtarë të familjes sime.

A mund të më thoni nëse Zoti Faik bey Konitza është kthyer në Shqipëri?

Lindur Shqiptar, pasi u largua prej vendit të tij tek s’duronte regjimin turk, ai kreu studimet në Paris dhe i përfundoi në Bruksel (Belgjikë) ku, që andej botonte më 1901 një Revistë letrare titulluar “Revista Shqipëria”, që kishte për qëllim mbrojtjen e kombit shqiptar. Politikan i guximshëm, ai ishte me emër në Belgjikë.

Në ju jap tërë këto të hollësi, kjo, për të vetmin qëllim që t’ju lehtësojë ndjekjen e gjurmëve të tij, apo ato të vëllezërve dhe motrës së tij. Kishte një vëlla që ishte konsull në Shqipëri (Turqi – gabim në origjinal -FA) më 1901, nëse nuk gaboj.

Pra, Zoti Ministër, ju lutem të kini dashamirësinë e madhe për të më dhënë, në është e mundur, adresën e Zotit Faik Bey Konitza, ose në mungesë të kësaj, atë të familjes së tij.

Por do të isha shumë i lumtur të kisha të dhëna më të zgjeruara lidhur me personin e parë, të cilit do doja t’i përcillja lajme të domosdoshme (nënvizuar në dorëshkrim).

Në pritje me padurim dhe me shpresë të një përgjigjeje të favorshme, dhe me falënderimet e mija të çiltra, pranoni Zoti Ministër, sigurinë e konsideratës sime të veçantë.

Firma :  Henrik bey Konitza

Henrik bey Konitza, Café des Sports

Saint-Claude- Jura.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora