Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Edouard Schneider - Ideja e fesë në kohërat parahistorike në revistën ''Albania'' të Faik Konicës
E enjte, 09.05.2013, 06:00 PM
EKSKLUZIVE:
IDEJA
E FESË NË KOHËRAT PARAHISTORIKE
NË
FAQET E REVISTËS “ALBANIA” TË FAIK KONICËS*
Nga Edouard Schneider
Përgatiti Fotaq Andrea
Në tre numra të revistës së tij rrezeartë Albania,
që depërtonte në shpirtin patriotik të çdo shqiptari të kohës, gjeniu djaloshar
Faik Konica, boton më 1897, drejtpërdrejt nga dorëshkrimi, fillimin e një
studimi të veçantë të një pellazgologu, i cili sot është jo pak i njohur nga
lexuesi i vëmendshëm shqiptaro-kosovar dhe i përmendur jo rrallë edhe nga
autorë vendas e të huaj. Është fjala për studiuesin dhe udhëpërshkruesin
francez Eduard Shnaider [Edouard SCHNEIDER], që i ka njohur mirë
dhe nga afër shqiptarët në dy dekadat e fundit të shekujve XIX-XX. Madje do
thoshim që i ka njohur shqiptarët shumë mirë dhe shumë nga afër, për vetë
faktin se jo vetëm jetoi mes tyre vite të tëra, duke qenë kryedrejtuesi i
xhenios në provincën e Shkodrës gjatë kohës së regjimit osman në Shqipëri, por ai,
siç na mëson Konica, “hyri drejtpërdrejt në aleancë martesore me një nga
familjet më të mira të Shqipërisë”. Për fat të keq, Konica nuk na e jep emrin e
kësaj familjeje shkodrane sepse respekton anonimatin, siç e kërkonte rregulli i
botimit për konfidencialitetin në publik.
Por çka është e rëndësishme, që në fillim të
shkrimeve të panjohura të Eduard Shnaiderit, Konica lajmëron me kënaqësi
lexuesin se studiuesi pellazgolog “Do të botojë artikuj dhe studime për të
gjitha lëndët që janë në programin e Albanias, me përjashtim të
politikës”.
Domosdo, që në fillesë të Albanias, Konica
do t’i ruhej censurës belge për të mos dalë hapur që revista e tij do kishte
përmbajtje të thellë politike, kundër pushtimit osman të vendit dhe kundër
ndërhyrjeve të jashtme për copëtimin e Shqipërisë. Sepse, duke pasur nuhatje,
intuitë dhe parashikim gjenial, duke ngulmuar me tërë mjetet dhe format për një
jetëgjatësi të Albanias dhe zgjim të shqiptarizmës, Konica nuk
kish si të mos merrte masat paraprake mbrojtëse dhe të mos dilte në revistë dhe
në shtypin e huaj me rreth 15 pseudonime e iniciale të tij të ndryshme. Dhe fakti
është që policia belge, tejet e intriguar dhe e nxitur nga jashtë, kërkonte në
fshehtësi informacion të gjerë për atë të ri shqiptar, ardhur nga Parisi për
t’u vendosur në Bruksel, për atë Albanez, siç thoshte Apolineri, që
banonte në rrugën Albania dhe që botonte revistën Albania në kryeqytetin belg.
Duke u larguar paksa nga tema, sot, kur arkivat
janë të hapura dhe publike, disponohen pikërisht dokumente të këtij interesimi
të policisë blege rreth veprimtarisë dhe jetës private të Faik Bey Konitzas,
konvertuar që adoleshent në fenë katolike me emrin Dominik dhe i
cilësuar si “revolucionar” e “anarkist” nga përfaqësuesit diplomatikë të
Kostandinopojës në Bruksel, madje edhe shpallur si “i dënuar me vdekje”, në
mungesë, nga gjykatat turke, sipas një fermani sulltanor botuar në gazetën
zyrtare të Stambollit Ikdam. Por do të ishte pikërisht Ministri i
jashtëm i Austrisë konti Agenor Gulochowski, si dhe diplomatët e tij të cilët,
në kuadrin e politikës “Kultursprotektorat Österreich-Ungarn”, do të
bëheshin garantë tek zyrtarët belgë që Konica të vazhdonte “qetësisht” botimin
e Albanias, kur tashmë atij i duhej ta cilësonte revistën, që në numrin
e parë të saj, dhe drejtpërdrejtën në ballinë e në frëngjisht si një “Revistë
mujore shqiptare [që merret vetëm me] Letërsi, Gjuhësi, Histori e Sociologji”.
Duke u rikthyer te pellazgologu francez, Konica na
mëson i pari ndër albanologët shqiptarë, se Shnaider është “autor i një vepre
të shquar, Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, një racë e harruar”, botuar
që më 1894 në Paris. Vëmë në dukje me këtë rast, se tanimë, dhe fatmirësisht,
kjo vepër është përkthyer denjësisht dhe botuar vitet e fundit (2008) nga
studiuesi e shkrimtari i njohur Lek Pervizi, pinjoll i një familjeje fisnike
shqiptare, i cili vazhdon të drejtojë si kryeredaktor, me sukses dhe
shpirtndrituri patriotike, që nga viti 1993, revistën Kuq e Zi po në
Brukselin e Faik Konicës.
Nga ana tjetër, në hyrjen e tij
për studimin e Shnaiderit, Konica vë në
dukje se “Shkrimet e Z. Schneider
nuk kanë thjesht një vlerë të brendshme në vetvete... Z. Schneider arrin t’i
trajtojë disa çështje me tërë autoritetin e një njeriu që ka parë, ka dëgjuar e
ka mbajtur shënim...” për gjithçka, drejtpërdrejt mes shqiptarëve, si pasardhës
të ilirëve, dhe vetë këta, si pasardhës të pellazgëve.
Është më se e qartë se Shnaider, vazhdimisht iu
përmbajt tezës se shqiptarët jo vetëm janë me prejardhje tepër të lashtë
pellazgjike dhe protohistorike, por ata kanë mbartur, përcjellë e përhapur në
shekuj, falë rrënjëve të lashta të gjuhës së tyre mëvetësore, edhe kultura të
ndryshme, duke bërë kështu lidhjen e kulturës pellazgjike me ato etruske, ilire
e helene, e më tej deri edhe me gjuhët dhe kulturat e shuara, si ajo e Trakisë,
Maqedonisë, Dakisë,
etj. etj. Tek vendosi kontakte dhe bashkëpunim me Shnaiderin dhe tek i nxiti që
në fillim studime të tilla, Konica e kishte më se të qartë se ato përbënin një
nga epiqendrat e vetë studimeve albanologjike të rilindësve shqiptarë e të
huaj, që nga De Rada e Kamarda me shokë dhe deri te Dora d’Istria e Louis
Benloew, pikërisht për një mision tepër të lartë e fisnik: zgjim dhe ringjallje
të shpirtit shqiptar e patriotik në shekuj. Vlen të përmendim shkarazi këtu
edhe bashkëpunimin e ngushtë të djalosharit Konica (19 vjeçar) në Paris, me
Profesorin dhe ish rektorin e Universitetit të Dizhonit Louis Benloew (75
vjeçar) për të studiuar ky i fundit në thellësi gjuhën shqipe dhe i riu
shqiptar, për të pasuruar hiper-poliglotizmin e tij gjer edhe me hebraisht,
sanskritisht, induisht, etj. Por mbi të gjitha, duke botuar Shnaiderin që në
fillim dhe drejtpërdrejt nga dorëshkrimi, Konica çelte rrugë të reja për një
kuptim më të gjerë të çështjes së fesë tek shqiptarët, me qëllim që ata ta
konceptonin këtë lëndë, si të themi, edhe “materialisht”, që në zanafillat më
të hershme të njerëzve të parë primitivë, nga do lindnin shoqëritë njerëzore
parahistorike, e ndër ta vetë pellazgët. Dhe fakti është që Konica, në mori
shkrimesh do ta thellonte përherë e më shumë dhe vite të tëra çështjen e fesë
tek shqiptarët, sidomos fanatizmin e tyre të ngushtë kur vinin interesat fetare
mbi ato kombëtare, qoftë nga ana e ortodoksve vendas të lidhur shpirtërisht me
kishën greke, qoftë nga ana e myslimanëve të lidhur me fenë e turkut pushtues,
i cili u përpoq shekuj me radhë si e si të rrënonte, deri në shuarje të plotë,
fenë e Kastriotit të madh, Kampionit dhe Atletit të Krishtit, siç e
kishte cilësuar edhe vetë kreu i Vatikanit.
Është disi për t’u çuditur pse u ndal nga Albania,
pas tre numrash të saj, botimi i dorëshkrimit të Shnaiderit lidhur me çështjen
e fesë në parahistori. Ta ketë ndalur vallë vetë autori studimin e tij të nisur
aq bukur? Ta ketë trajtuar çështjen si një “aventurë” studimore disi “të
rrezikshme”, kur teoria pellazgjike kishte nisur të sulmohej si “e pathemeltë”
në fundshekullin XIX nga një takëm studiuesish të angazhuar politikisht për t’i
shërbyer interesave të shteteve të veçanta të Ballkanit, të cilat lakmonin
llokme të trojeve të lashta shqiptare, e ndër to në radhë të parë Serbia? Sepse
dihet fort mirë që edhe vetë shkencëtarin e madh Arthur Evans arritën ta
burgosnin në atë kohë, vetëm e vetëm sepse konkluzionet e studimeve të tij
madhore në Ballkan binin ndesh me pazaret e Kongresit të Berlinit të Fuqive të
Mëdha për zgjidhjen e çështjes lindore, sidomos kërkimet e tij arkeologjike për
ilirët si banorë më të hershëm të Ilirikumit të lashtë, gjë që sllavëve të
Jugut s’u ka pëlqyer kurrë ndonjëherë, as dje, as sot.
Hamendësimet për këtë ndërprerje mund të jenë nga më të ndryshmet, deri te
një shkëputje e pavullnetshme e lidhjeve të Konicës me Shnaiderin për shkak
largësie të shoshoqit, apo deri edhe te një prirje e re e vetë Konicës (në
evolucion të pandalshëm botëkuptimor e filologjik) për t’i dhënë përparësi në
shkencat albanologjike jo më parahistorisë pellazgjike, ku humbisje në
humbëtirë të kohërave dhe të hipotezave, por vijimësisë dhe lidhjeve organike e
historike të ilirëve me shqiptarët. Dhe dihet se sot e kësaj dite, detyra
parësore e shkencave albanologjike është pikërisht konsolidimi nëpërmjet studimeve
të pareshtura të lidhjeve iliro-shqiptare, kur edhe vetë këto lidhje, studiues
të vendeve fqinje të Shqipërisë bëjnë çmos t’i shkëpusin e t’i mohojnë.
Sot, rikthyer “në modë”, teoria pellazgjike po
rilulëzon mes albanologëve shqiptaro-kosovarë, me të drejtën e plotë të
kërkojmë thellë rrënjët e gjuhës së lashtë shqipe dhe të vetë shqiptarëve, jo
thjesht në histori por, pse jo, edhe në protohistori e më thellë, atje ku
pellazgët e parë kryqëzonin graikët, selët, thrakët, asiro-lidienët, khetasit,
fenikasit e egjiptianët e lashtë, e më pas helenët, dorët e të tjerë.
Para se të japim më poshtë të plotë përkthimin e
studimit të Shnaiderit Ideja e fesë në kohërat parahistorike, ku del në
pah mendimi i autorit se pellazgët, si paraardhës të ilirëve dhe shqiptarëve,
janë ata që kanë mbartur e përcjellë idenë e parë të fesë në Evropë, na e ka
ënda t’i japim lexuesit, si “aperitiv” a si “ëmbëlsirë”, këtë Kushtim për
vajzën time të studiuesit francez, të cilin e kemi botuar në antologjinë
tonë “Pena të arta franceze për shqiptarët – 1332-
FOTAQ ANDREA
KUSHTIM PËR VAJZËN TIME, MATILDËN
Shumë miq të nënës tënde dhe të mitë, njëzet herë
më kanë thënë të shkruaj çka di për Shqipërinë, ku kam njohur nënën tënde vajzë
të re, me të cilën u martova dhe të lindi ty.
Gjak shqiptari rrjedh në venat e tua, dhe nëse po
të kushtoj këtë libër të vogël, këtë e bëj që ta kesh gjithmonë pranë vetes,
për të mos harruar kurrë mëmëdheun tënd dhe gjuhën tënde amtare, vlerën e së
cilës e ardhmja do ta njohë.
Këtë çast, ti ende nuk di të lexosh, por tashmë e
flet më mirë nga unë këtë gjuhë të ashpër, të ëmbël në gojën tënde, që u ka
buzëqeshur vetëm katër pranverave të gëzueshme. Por di të tregosh tashmë
përralla e legjenda, dhe tek më sheh përherë duke shkruar, në gjuhën tënde
fëmijërore, i thua kujtdo se unë punoj për ty, që të fitoj para e të të blejë
lodra.
Kur të lëçisësh këtë libër të vogël, dhe kur vashë,
grua e nënë fëmijësh, të njohësh më mirë botën se tani në këtë moshë, do
kuptosh se qëllimi i netëve të mia pa gjumë nuk ish për të fituar para për
lodrat e tua, po për të ngjallur kujtimin e racës së lashtë të harruar të
pellazgëve, që kanë lindur shqiptarët, nënën tënde.
Shekulli në të cilin ti do jetosh, do jetë i njëjtë si për burrin, dhe për gruan ; nëse do pra që eshtrat e yt eti të prehen të qeta në varr, bë si ai, që nuk ishte shqiptar ; puno, me të gjitha forcat e tua, për të ringjallur gjuhën e pasur të stërgjyshërve tanë të përbashkët, sepse, edhe unë, si evropian, jam pasardhës i pellazgëve autoktonë që populluan Evropën, këtë kontinent ishullor gjigand i cili pa, që në fillesa, të shfaqet mbi tokë pararendësi i familjes së madhe dhe të mençur të hominianëve.
Konstandinopojë,
31 dhjetor 1893.
ED. SCHNEIDER, Një racë e harruar. Pellazgët dhe pasardhësit e tyre, Paris, 1894.
IDEJA E FESË NË KOHËRAT PARAHISTORIKE
Nga Ed. Schneider
Duke depërtuar thellë në
përmbajtjen e mitologjisë, të fabulave dhe legjendave për kohërat
parahistorike, nuk vonon së vëni re se është krejt e pamundur të pranohet që
aspiratat fetare të njerëzorëve të parë kanë qenë koncepte të pathemelta e
tekanjoze të mendimit të tyre, madje edhe të instinktit të tyre. Jehona besnike
dhe regëtitëse të hoveve të para të shpirtit naiv e të pavetëdijshëm të atyre
stërgjyshërve të njerëzimit, të ashtuquajturat mite e fabula përmbledhin në
vetvete dhe na shfaqin fakte reale të përcjella nëpër breza që kanë ndjekur
njëri-tjetrin përgjatë kohërave dhe që janë poetizuar më vonë nga një gjeni i
epërm natyror, aspak i detyruar, bukuritë, trimëritë dhe pasuritë përfytyruese
të të cilit aq shumë na kanë mbërthyer, sa ne jemi ndalur thjesht në admirimin
tonë të thellë vetëm për to, duke lënë kështu mënjanë thelbin e vërtetë të
kryeveprave kosmogonike të kohërave parahistorike, lakuriqësia domethënëse
e të cilave prej kohësh do na kishte vënë ndoshta në zotërim të sekretit të
thellë të origjinave tona.
Mitologjia, fabulat dhe legjendat
e stërgjyshërve tanë nuk përmbledhin, siç është thënë shpesh, historinë e
qytetërimeve të para njerëzore, zhvillimin e tyre, shpërnguljet, luftërat etj.
etj. Këto rrëfenja arkaike të paraqitura në të shumtën e rasteve në pamjet e
tyre të jashtme nga më të larmishmet, përmbledhin në thelb historinë e vërtetë
të planetit që ne banojmë gjatë epokës terciare; historia e vitalitetit, e
energjisë dhe e përpëlitjeve të tij, si forca mbresalënëse me shfaqjet e tyre
madhështore, duhet ta shtrëngojnë njeriun dhe të sanksionojnë në tërësinë e
tyre idenë e parë të fetarisë.
Qenia më e privilegjuar e Natyrës,
Njeriu-Fëmijë u shfaq mbi tokë pikërisht në çastin kur u zgjua, në krejt
madhështinë e vet mrekullore vullkanizmi i përfjetur tokësor gjatë epokës së
dytë. A mund të mendohet se ai njeri do të jetë i pranishëm në mënyrën më të
qetë përpara shfaqjeve energjike të gjallërisë së lëndës që përbënte mjedisin
në të cilin ai jetonte? Sigurisht që jo. Përkundrazi; instinktivisht, në
fillim, ai njeri do ketë frikë; do t’i trembet errësirërave, rrufesë,
bubullimës, stuhisë, furtunës, vullkaneve etj. Ai do t’i trembet Natyrës
përpara se ta dojë dhe pikërisht kjo frikë do ta bëjë fetar, domethënë do ta
detyrojë ta adhurojë këtë natyrë në shfaqjet e veta më madhështore.
Rrjedhimisht, krejt adhurimet e
para të njeriut të epokës terciare duhet të përfaqësojnë forcat e natyrës; dhe
shi këtë ne e gjejmë në mitologjinë e të lashtëve, po qe se e zhveshim nga
pëlhurat magjike me të cilat e ka veshur vetë poezia.
Merrni dhe shtrydhni shkrimet e
filozofëve më të mëdhenj, të mendimtarëve më të thellë, të poetëve më magjeps
që kanë pasqyruar njëzet e kusur shekuj që kanë rrjedhur që prej Hesiodit dhe
Homerit; më kot do kërkoni në kryeveprat e tyre një koncept të vetëm që të ketë
lartësinë, madhështinë dhe njëkohësisht thjeshtësinë e koncepteve të këtyre dy
poetëve që përmendëm, të cilët kanë përmbledhur në shkrimet e tyre të
pavdekshme aspiratat e paraardhësve të tyre, njerëzorëve të parë.
Hesiodi dhe Homeri nuk i kanë
shpikur fabulat, mitet, teogoninë e stërgjyshërve të tyre; ata veç kanë
mbledhur traditat, kanë koordinuar faktet karakteristike që ato përmendnin, dhe
këto i kanë transkriptuar me një poezi po aq të thjeshtë sa dhe të epërme.
Moisiu nuk bëri më shumë për traditat e popujve semitikë; e megjithatë, nuk
dihet se për çfarë arsye teogonia e Hesiodit është konsideruar si një
përmbledhje e thjeshtë mitesh të rëndomta, fabulash groteske, vegullish, madje
edhe marrëzish të mendimit njerëzor; ndërsa vepra e Moisiut, Bibla, është -
thuhet - zbulim, domethënë shfaqja e hyjnisë e bërë nga Krijuesi drejtpërdrejt
tek krijesa e veta. Qofshin të lumtur hebrenjtë të cilët, të vetëm në krijimin
e pafund patën privilegjin të vihen në kontakt të drejtpërdrejtë me Shpirtin e
Universit!...
Disa autorë kanë pretenduar se
grekët e lashtë dhe romakët, duke u frymëzuar nga rrëfenjat biblike të
Testamentit të Vjetër, e kanë shtrembëruar dhe përçudnuar frymën e tyre. Duan
të lënë me këtë të kuptohet se popujt semitikë ishin të parët e pellazgëve.
Ndoshta një ditë, ne do të pohojmë të kundërtën; në pritje, meqë gjithçka në
natyrë duhet të ecë drejt përparimit, drejt transformizmit, po të pranojmë se
librat e Testamentit të Vjetër përmbledhin idetë e fetarisë të njerëzorëve më
të hershëm, do të na duhet të pranojmë gjithashtu se këta na qenkëshin më të
zgjuarit, në krahasim me brezat që do t’i pasonin menjëherë dhe, rrjedhimisht, na
paska ndodhur në natyrë, as më shumë e as më pak, veç bastardim e zvetënim: do
kishim të bënim atëherë me një aforizëm, e asgjë më shumë, po qe se do
shpreheshim se sa më shumë punohet toka, aq më e mirë bëhet.
Neve, që besojmë se Para-Pellazgët janë krijesat më të para që panë dritën e diellit në fushëgropën e Arkipelit dhe të Mesdheut, na duhet të mbështesim po ashtu idenë se këta stërgjyshër të racave europiane ishin të parët që adhuruan forcat e natyrës në shfaqjet e tyre mbresalënëse, pa ndihmën e idhujve apo të figurave të tjera përfaqësive. Ata adhuronin shpirtin e natyrës pa arritur ta përcaktojnë atë, pa pasur vetëdijen e unitetit të saj. Ajri, toka zjarri ishin forca aq qartë të dallueshme sa të shtrëngonin t’i respektoje dhe, doemos, njeriu i atëhershëm përulej para tyre gjithë adhurim.
Duke qenë se monoteizmi sundoi në
Testamentin e Vjetër, ky nuk mund të përmblidhte në asnjë mënyrë idenë e parë
të përshpirtshmërisë së njerëzimit. Kemi pra të drejtë të mendojmë se libri i
Moisiut nuk është gjë tjetër veçse përzgjedhja e ideve fetare kozmogonike të
Para-Pellazgëve shamanistë dhe të Pellazgëve sabeitistë e fetishistë;
ashtu sikurse krishtërimi është përzgjedhja e ideve fetare të popujve
semitikë, kurse vetë islamizmi, përzgjedhja e krishtërimit dhe judaizmit,
ky i fundit për herë të dytë i përpunuar nga gjenia e fuqishme e Muhametit.
Nëse do t’i kushtonim më shumë
vëmendje asaj ndodhie te mitet e lashta që flet për arratinë e perëndive në
Egjipt, të cilat ishin metamorfozuar në kafshë për t’i shpëtuar më të
tmerrshmit Fëmijë të Tokës që i përndiqte, ndoshta do mund të shihnim së bashku
se si Pellazgu i kontinentit të vjetër të Arkipelagut të zhdukur, në atë kohë
adhurues i shpirtrave të Natyrës, krijonte në tokën e tij të mërgimit - Egjipti
-, Sabeizmin dhe Fetishizmin, që më vonë do t’i sillte, duke i marrë me vete,
në kontinentin evropian, ku u rikthye shi në vendet që e kishin parë të lindte.
Herodoti për më tepër na e thotë,
që pellazgët nuk kishin perëndi në parim, por një kult mistik, të cilin
pellazgo-helenët e personifikuan. Çfarë adhuronin, në mos Shpirtrat që
gjallëronin Natyrën dhe që u bënin aq shumë përshtypje?
Mirëpo, nëse do t’i kushtonim
vëmendje përputhshmërisë së ngjarjeve më të vogla mitologjike, me gjendjen
krejt të veçantë të planetit tonë gjatë rrjedhës së epokës terciare, jemi të
detyruar të pranojmë - në mos nuk kemi të bëjmë me ndonjë paragjykim apo një
fanatizëm fetar, të pafalshëm në epokën e sotme -, se raca e pellazgëve, është
pa dyshim, ajo që ka dhënë e para, të paktën në trojet ku ajo vetë ka
lindur, idenë e parë të së përshpirtmes, aq gjallërisht dhe aq poetikisht
metamorfozuar nga helenët, por pa i humbur megjithatë tiparet e saj të mëdha
parësore.
Le t’i drejtohemi më mirë
Hesiodit.
Para çdo gjëje, thotë poeti, qe Kaosi. Është pikërisht si të thuash parimi para-ekzistues, duke qenë se gjithçka vjen nga kaosi. Askund në teogoninë e Hesiodit, nuk thuhet se kaosi qe, dhe se një ditë pushoi së qeni: ai pra ishte i krejt përjetësisë, por duke ndjekur ligjin e përgjithshëm të Natyrës, atij iu desh të shndërrohej. Të mbështetesh në kuptimin e vetë fjalës dhe që këtej, të hamendësosh se ajo nuk përfaqëson kurrfarë ideje, kjo do të thotë ta parashtrosh çështjen me bindjen e fortë për të mos kërkuar zgjidhjen e saj. Ideja e Jehovait, ideja e Zotit do të ishte, në këtë rast, po aq bosh nga ana kuptimore sa dhe ideja e vetë Kaosit; sepse Jehovai,1 duke shfaqur në vetvete Ekzistuesin dhe Zotin, shfaq Absoluten dhe nuk përcakton asgjë tjetër veçse Parimin para-ekzistues, të përjetshëm. Mirëpo, duke qenë se gjithçka ka dalë nga Kaosi, pikërisht këtu kemi parimin sipas të cilit tërë emrat që duam t’ia njohim i përshtaten po ashtu.
Pra, ideja e një Parimi të
përjetshëm, pak a shumë të përcaktuar qartë, ekzistonte që në zanafillë të
kohërave. Dhe nëse kjo ide e madhe dhe mbisunduese nuk është përzier më pas në
mitin e grekëve dhe të romakëve, kjo tregon se këta të lashtë, më të drejtë nga
ne, e shihnin jo fetare dhe të padobishme të merreshe me Të përjetshmen,
zanafillën e gjithçkaje, e kënaqur vetëm duke hedhur në Univers elementët
përbërës të botëve, duke u dhënë atyre forca jetësore të domosdoshme për
zhvillimin e tyre, pa u merakosur fort për aventurat pak a shumë romaneske që
duhej të hasnin gjatë rrjedhës së ekzistencës së tyre. Të përziesh Krijuesin me
tërë peripecitë e ekzistencës njerëzore ishte pra një ide tepër e ngushtë për
gjeninë antike, që nuk mund të pranonte kurrsesi, si Moisiu (që personifikon
krenarinë e njeriut), se ai hiç i krijuar, i quajtur Njeri, meritonte të
hynte në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Hyjninë e Madhe Krijuese. Kjo ndjenjë
e lartë për më tepër, absolute tek pellazgët, me sa duket ka lënë gjurmë të
thella si në fenë hebraike, ashtu dhe në krishtërim: hebrenjtë, për respekt,
nuk e shqiptonin emrin e Jehovahit, dhe parimi i krishterë thotë se nuk duhet
shqiptuar kot më kot emri i Zotit.
Nëse ne, dhe hebrenjtë para nesh,
jemi përpjekur ta përkufizojmë Krijuesin, gjenia antike nuk ka kërkuar të
krijojë kurrfarë mendimi për të, as për formën, as për veprimin, as për
vitalitetin e tij: nuk kishte parandjerë veçse ekzistencën e këtij Krijuesi,
domethënë të Kaosit: ishte Ai, vetëm Ai, i gjithi Ai, kokë e këmbë. Edhe pse i shihte veprat e tij, vlerësonte
forcat e tij, dallonte energjinë dhe vitalitetin e tij, vetë Ai nuk qe
parë kurrë, nuk qe përshkruar kurrë, sepse nuk kishte as vatër, as familje, as
altar, as sakrifica: Ai qëndronte pra përmbi Gjithçka, i pakrahasueshëm, i
paafrueshëm, i papërcaktueshëm; as nuk i trembeshin, as nuk e donin, por i
trembeshin dhe donin gjithçka që ishte tek Ai, që vinte prej
Tij, brenda Tij, drejtohej për tek Ai. Me një
fjalë, ishte Ideja e Madhe Krijuese, e Madhja, Gjithçka. Emri i saj grek
për më tepër ???? [Kaos],2 do të
thotë pështjellim, i paformë, boshllëk, i panjohur; emri i saj pellazgjik
[shqip] Hâo, Hâp, do të thotë[ha, ngënësi] përpirësi, i hapuri, boshllëku, hiçi.
Moisiu, që do mund të ishte, me
disa përngjasime Bakusi i grekëve - ky i fundit i njohur gjithashtu me
emrin Moses, domethënë në gjuhën e pellazgëve, ai që mëson,3 ligjvënësi -, Moisiu, pra ka
thënë edhe vetë se Toka ka dalë nga Hiçi, pa formë dhe bosh. Mirëpo ky
Hiç, a nuk është boshllëku, i panjohuri, kaosi?
- Nëse po, ky Kaos para-ekzistonte, apo, të paktën, ishte vepër e
Parimit krijues që kishte dhënë Hiçin për të nxjerrë që andej Tokën. Kemi këtu,
për mendimin tonë, dy ide, të papranueshme teologjikisht në mund të themi:
sepse Zoti, duke qenë kudo dhe në çdo vend, do ketë bërë pjesë edhe ai tek
Hiçi, tek ky boshllëk, tek ky kaos. Kësisoj, ose duhen pranuar dy parime
të përjetshme, Krijuesi dhe Kaosi; ose duhet pranuar një parim i vetëm i
përgjithshëm, gjë që është më racionale, duke thënë: me Paganizmin kemi Kaosin;
me Judaizmin, Jehovain; me Brahmizmin, Brahman; me Budizmin, Nirvânën;
me Krishtërimin, Zotin,4 Deus,
Dieu; me Islamizmin, Allahun; shprehje këto të larmishme dhe të
interpretuara në mënyra të ndryshme, por që në thelb i referohen të tëra një
Parimi të vetëm Krijues, të papërkufizuar e të papërcaktuar, të
pakrijuar e të përjetshëm.
Kur ky Parim Krijues pra,
vuri rregull në lëvizjet e lëndës parësore që ishte në gjirin e vet, që ishte Ai.
Atëherë u shfaq Toka, Baza e përjetshme e Gjithësisë, thotë Hesiodi.
Për njeriun e atëhershëm, ky pretendim lejohej: Gjithësia nuk ishte asgjë për
të, tek e trajtonte këtë Tokë që e mbante si parimin e parë kozmogonik
material, kur mbante përbrenda Tartarën, e cila i jepte idenë e
palëvizshmërisë e të vdekjes, dhe Dashurinë (që nuk duhet ngatërruar me
Kupidonin), e cila përfaqësonte idenë e lëvizjes parësore dhe që jepte
ngrohtësi e dritë, vetë Jetën. Dhe kjo Tartarë ishte ???????? e grekëve;
tartarus e latinëve dhe tèrètérit e pellazgëve [shqip: terr e
terr, të errëtit], domethënë ndjenja e errët e hijeve. Kurse ajo dashuri,
që jep ngrohtësi e dritë ishte ???? te grekët, e-rèz te
pellazgët, domethënë rreze [shqip] ndriçuese, jetë, lëvizje, fuqi
parësore, fuqi krijuese tokësore që vinte në veprim dhe manipulonte vazhdimisht
grimcat origjinale apo atomet kozmo-gjeneruese për t’iu përgjigjur kërkesave të
transformizmave universale ndaj të cilave priret Natyra.
Duke vijuar alegorinë, pa iu shmangur në asnjë rast të vërtetave gjeologjike, fizike dhe kimike, të cilat Hesiodi as që i njihte, ai thotë: “Toka, Ghé, Ghéa e grekëve, Dhé, Dhéa te pellazgët [Dheu shqip], në parim, nëpërmjet forcave të veta, veprimit të saj të vetëm, mbars grimcat origjinale për të krijuar fillimisht Qiellin, i cili do ta mbulojë atë, do të shndërrohet në strehë e perëndive, duke kufizuar mjedisin në të cilin forcat jetësore të lëndës duhej të zhvilloheshin. Parimi i madh i Krijimit ishte i parashtruar në këtë mënyrë: lënda do të lindte mendimin5, ajrin, atmosferën, e cila duhej ta sundonte krijimin; dhe të dyja së bashku duhej të bashkoheshin për të lindur, falë një këmbimi të thjeshtë të forcave, një jetë krejt të veçantë me pjesëzat e kësaj lënde dhe të këtij ajri, që mjediset e veçanta dhe ndikimet e ndryshme e kërkonin për të ndjekur ligjin e madh të transformizmit.
Dhe ky Qiell, në zanafillë i vranët, u-vran sipas pellazgëve [u-vrenjt], domethënë u bë i errët6, nga ku Grekët nxorën ??????? [uranos-Urani]; qiélh [qiell] i po këtyre pellazgëve, domethënë krijuesi, nga ku romakët bënë Cœlum-in e tyre, ishte ajo atmosferë e padepërtueshme që vishte Tokën gjatë një periudhe të epokës terciare, atmosferë vullkanike e trashë, që ishte rezultat i paimagjinueshëm i energjisë së brendshme të planetit tonë në riorganizim e sipër, atmosferë e ngjashme me ato që kishte karakterizuar epokën primare. Si prodhoi Qiellin, Toka prodhoi - gjithnjë në sajë të virtytit të saj të vetëm -, malet e larta, në të cilat Erosi duhej të lindte e të zhvillohej, si dhe disa Ciklopë që shquheshin për guximin dhe për pashpirtshmërinë e tyre të tepruar, pajisur me një sy të vetëm mes ballit. Duke krijuar malet e larta, do shfaqeshin humnerat e pafundme të deteve, të gatshme për të mbledhur ujërat e mbiepërme që do binin rrebesh mbi to dhe do të krijonin Oqeanet.
***
Pra, si ndodhi kështu, Toka u bashkua me Qiellin për të vijuar veprën krijuese. Dy parimet e para të mëdha kozmogonike ishin krijuar, dhe duke u bashkuar, do të krijonin të tretën, ujin. Nuk mund të hidhet poshtë karakteri shkencor i kësaj alegorie: vitaliteti i lëndës në lëvizje, në jetë, krijonte atmosferën qiellore që, në kontakt me të ftohtin e hapësirës, duhej të kondensohej dhe të përcaktonte një zonë të kufizuar ngopjeje, nga ku reshjet atmosferike do të kryheshin duke sjellë në tokë elementë të përpunuar, të gatshëm për të krijuar elementin ujë, si nevojë për të mbushur honet e deteve dhe për të krijuar rrjedhat e ujit, burimet, etj. etj.
Në fakt, nga bashkimi i Qiellit me Tokën, Gjéës dhe
Uranit lindën Oqeani dhe Tetisa. I pari, vëllai i madh i
Titanëve dhe perëndi e ujërave përgjithësisht, duke u martuar me Tetisën,
motrën e tij, do lindnin Oqeanidat dhe Nereidat, ato nimfa të
panumërta të ujërave që mbulojnë sipërfaqen e globit. Ç’ishte oqeani për
pellazgët? – uji që anëson tokat dhe i kredh, pra uji që anashkalon
tokat në përgjithësi, Uji-ghe-ans7. Nga
kjo mbledhje fjalësh, grekët krijuan fjalën ?????? [Okeanos] dhe latinët Oceanus,
shprehje që karakterizon pra ujët që anësojnë kontinentet.
Nga bashkimi i Qiellit me Tokën
lindën përsëri shumë Titanë të tjerë. Po japim më kryesorët: Saturni dhe
Titani, vëllai i tij i madh, që më pas do bënin luftë me shoshoq. Japeti
që pati me Oqeanidën për bij Klimenën, Atlasin, Prometeun dhe Epimetenë;
emri i tij rrjedh nga latinishtja Japetus [Japedi], formë e bastarduar e
Diapetus, që duhet t’i ketë rrënjët organike përsëri në gjuhën shqipe, jap
dritë, ditë; sepse, dihet se Japeti simbolizonte forcat e
shpirtit, dhe pa dyshim, për këtë arsye i biri i tij, duke i rrëmbyer
Qiellit një rreze jete, mundi të gjallërojë statujën që ai kishte bërë me
dhe e përmbi dhe (pormedhé e përmidhé, Prometeu8).
Përsëri, nga bashkimi i Qiellit me Tokën do të lindnin Gjigandët dhe Centimanët9. Më të famshmit e tyre ishin Encelade, ??-??????? tek grekët, In-ghe-lot10 te pellazgët, domethënë ai që bën të dridhet toka kur luante nga vendi në Etna, atje ku e mbanin të mbyllur. – Gyas, apo Gegas, kolosi Ghé-gaz11 i pellazgëve, apo ai që digjte tokën, e cila ishte zjarri i tokës. – Briaré, ky bir i pamposhtur i Tokës, i cili më pas do të shpëtonte Jupiterin gjatë ngritjes së Olimpit kundër tij, mbahej i lidhur, thotë legjenda, rrëzë malit Etna, në bri të arave të mbjella: këtë ndëshkim na e thotë edhe emri Briare, po t’i referohemi rrënjëve organike të gjuhës shqipe: Briare apo bri arve12, që do të thotë pikërisht pranë [në kufi të] arave të mbjella. Tifoni, më në fund, i quajtur po ashtu Tifeu, ai centiman i frikshëm, siç e thotë edhe emri i tij, Vret besimin, The-fe,13 bën katrahurën në Olimp dhe e detyron Jupiterin apo Zeusin me oborrin e tij t’ia mbathë në Egjipt. Perënditë tek ia mbathin në vende të tjera, a nuk do të thotë kjo besim i harruar, i humbur? Vetë emri i centimanit shpreh mitin, edhe sikur ky të na mungonte.
Këta fëmijë të ashpër e të rreptë të Tokës dhe të Qiellit ishin, thotë legjenda, të një përmase kolosale; mbi shpatullat e tyre të gjera dhe leshtore shiheshin pesëdhjetë kokë që villnin flakë, ndërsa rreth shtatit të tyre njëqind duar kërcënuese lëviznin nëpër trup dhe nuk njihnin kurrë lodhje. A është e vështirë të shihen në këto krijesa të përbindshme e të frikshme vullkanet, me konin e tyre të stërzgjatë, duke vjellë llavë të zjarrta si duar e duke nxirë me avujt e tyre atmosferën ku mbretëronte Jupiteri? Gjithçka na bën të mbështesim këtë hipotezë dhe të njohim në të personifikimin e elementit të katërt, zjarrit.
***
Megjithatë, ne nuk mendojmë se
nocioni i zjarrit, si element më vete, ka arritur të përcaktohet në epokën kur
njeriu primitiv kishte kuptuar tre elementët e parë themelorë, toka, ajri,
uji; ky njeri shihte vullkanet në aktivitet dhe i quante Qiklopë,
Gjigandë, Centimanë dhe me këtë thuhej gjithçka. Por kur Jupiteri arriti të
mposhtë tërë të tmerrshmit Bij të Tokës, që ishin revoltuar kundër tij;
kur ai forcoi pushtetin e vet edhe përpara të Pavdekshëmve që ishin betuar për
vdekjen e tij; domethënë, kur Fryma e Kulluar filloi të sundojë lëndën dhe
njeriu, i pajisur me gjuhën e folur mund t’i interpretonte më mirë dukuritë e
natyrës që shfaqeshin para tij, atëherë u përcaktua edhe zjarri, si dhe u
kuptua vlera që ai përmbante.
Miti i lashtë, duke folur për
lindjen e Vullkanit, më i shëmtuari, më i paformëti i perëndive, që me
një shkelm, Jupiteri [Zeusi] e degdiste në tokë për të farkëtuar rrufetë
e veta, mund të përcaktojë në njëfarë mënyre periudhën kur u njoh zjarri nga
njerëzit me tërë cilësitë e veta: u pa nga afër, filloi të manipulohej, u
provua kur të përvëlonte tek përkëdhelej me duar dhe njerëzit u bindën më në
fund se zjarri përpinte, zhdukte gjithçka që prekte. Këtë na e thotë shprehja Hefistos
e grekëve, dhe po të shkojmë tek rrënjët organike pellazgjike kemi: e-fik-
tok që, fjalë për fjalë ka kuptimin zjarri ia zhduk tokës çdo ndjenjë, e
mbyt, e asgjëson, e djeg. Romakët, duke e quajtur këtë perëndi Vulkanus,
me siguri kujtonin stërgjyshërit e tyre që thoshin, tek shihnin vullkanet
në aktivitet Vul-kan14, ata
vjellin.
Përfundimisht, gjatë mbretërimit
të Jupiterit, njiheshin pra të katër elementët sipas mitologjisë të të
lashtëve, tiparet kryesore të të cilëve sapo i përmblodhëm.
Le të përpiqemi me këto të dhëna
të gjejmë moshat e planetit tonë që karakterizonin epokën terciare, kur njeriu
ishte shfaqur mbi kontinentet e dalë në sipërfaqe, por ende të paqëndrueshëm
për të qenë në njëfarë mënyre dëshmitarë të dukurive madhështore që kujtesa e
tij duhej të regjistronte për t’u përcjellë rrëfenjën fillestare brezave që
duhej të pasonin shoshoqin në vijimësi.
Nisur nga veprimet e ndryshme që stimulonin elementët fillestarë përbërës të tokës, ngriheshin nga toka masa të paimagjinueshme avujsh të trashë që përbënin atmosferën e parë, të rëndë e të errët personifikuar nga Urani. Me një lidhje të drejtpërdrejtë, veprimet e tokës dhe të kësaj atmosfere krijuan ujërat e larta, të cilat vërshuan mbi dhé, duke përmbytur pjesën më të madhe të tokave të shfaqura mbi sipërfaqe nga poshtë lart dhe depërtuan gjer në boshllëqet e brendshme të kores tokësore. Pikërisht atëherë, veprimet vullkanike, shoqëruar nga masa llave që derdheshin nga lart poshtë u zgjuan për të dytën herë, ashtu si gjatë periudhës sekondare përreth ujërave: krijoheshin qendra shpërthyese që dilnin mbi sipërfaqe të ujërave, duke buthtuar e formuar masa malesh gjigande kurorëzuar nga kratere që villnin pa pushim llavë të përflakur; dhe pikërisht këto male ishin Bijtë e Tokës, të tmerrshmit Qiklopë, me një sy të vetëm mbi ballë, me shtat kolosal, me arrogancë revoltuese. Njëmijë herë, këto male vullkanike formoheshin e shformoheshin duke u përpirë në humnerat e deteve: Ishte pikërisht Urani që mbyste bijtë e tij me të lindur.
Pas kësaj veprimtarie shpërthyese,
vatrat vullkanike të brendshme të çliruara dhe krejt boshllëqet e thellësive të përmbushura u dhanë kështu
drejtim masave ujore të epërme duke ulur sipërfaqen e tyre. Kështu lindën
kontinentet ishullore, pak a shumë të mëdha, jo më vullkanike, tek përfaqësonin
në këtë mënyrë Titanët, të cilët nuk do vononin të revoltoheshin ndaj
Qiellit dhe të rrëzonin nga froni Uranin, si dhe të vinin në vend të
tij një nga vëllezërit e tyre, Saturnin
apo Kohën, i cili u thirr pikërisht për të mbretëruar qiejve së
bashku me Rean apo Të lakuriqtën, që ishte njëkohësisht motra dhe
bashkëshortja e tij.
A mund të shihet në këtë mit gjë
tjetër nga një dukuri gjeologjike e meterologjike, e pakuptueshme për njerëzit
e parë, por aq mbresalënëse për t’i çuditur, duke i lejuar ta shndërrojnë këtë
në një nga pikat thelbësore të besimit të tyre? Nuk e besojmë. Në fakt, nuk
mund të kundërshtohet se, duke qenë sundimi i Uranit kryesisht
vullkanik, atmosfera duhej të ketë qenë e ngarkuar me elementë shpërthyes aq
shumë të kondensuar, sa çdo nocion i natës a i ditës duhet të ketë qenë i
pamundur; për më tepër, në gjirin e një atmosfere të tillë rrymat e ajrit nuk
mund të krijoheshin, retë nuk mund të formoheshin, nga ku dhe pamundësia e
elementëve atmosferikë për të vepruar në formë elektriciteti etj. Ja pse gjatë
sundimit të Uranit, miti nuk përmend as Kohën, as Rean, as Jupiterin.
(Vazhdimi së afërmi).15
Ed. Schneider
*
Ndalohet ribotimi apo përhapja në internet pa emrin e autorit dhe të
perkthyesit, si dhe pa leje perkatese nga forumi Zemra shqiptare.
1 Jehovah në hebraisht do të thotë “Ekzistuesi që shndërron”, që bën çka do ndodhë, pra ka një formë të papërkryer shkakësore.
2 Sot kuptohet që flitet përherë e më shumë për teorinë e Big Bangut, të shpërthimit të lëndës kozmike, nga ku lindi Universi (Gjithësia), domethënë galaktikat, vrimat e zeza dhe planetet, vetë pafundësia në kohë dhe hapësirë.
3 Kjo fjalë rrjedh nga rrënja Men [Mend], që do të thotë inteligjencë, zgjuarsi, dhe që ka dhënë rrënjën foljore misû [mësoj], që do të thotë mësoj [ushqej] inteligjencën, prejardhur nga fjalët men dhe nga sû, pra Msoïs [Moisi], që në shqip do të thotë mësues, ligjvënës. (Shënim i autorit Ed. Shnajder. – Ne nga ana jonë si botues do shtonim këtu me këtë rast se shqipja ka edhe foljen me mend, ushqej me gji foshnjën, nga ku substantivi mendeshë. Ndoshta, që në fillesë duhet të ketë ekzistuar onomatopeizmi më-më, - d.m.th. edhe më, edhe më, nga ku mbase fjala më e dashur në shqipe mëmë, nënë, ndërkohë që në gjuhët e tjera kjo fjalë vjen nga rrënja mader, (mater) madera, apo materie, (lëndë); si shembull, ishulli Madera, siç e shpjegon Frojdi, vjen nga fjala lëndë, (drusore apo pemë), duke qenë se në atë ishull ka pasur shumë pyje – Shënim ynë F. Andrea).
4 Nuk ka pse të mos pranojmë
hamendësimin e bërë tashmë se në shqipen Zot, duhet të shohim emrin e
kryeperendisë Zeus, që ndoshta vjen nga fjala Zë, Ai që godet
me zë, me buçimë, me rrufe, kur ndëshkon perënditë e tjera. Edhe
këtu mund të shohim pra onomatopeizmin pagan Z-Z-Z apo Zë-zë-zë, nga ku
fjala pellazgjike apo shqipe zëri dhe vetë Zeusi nuk do të ishte tjetër
veçse perëndia e Zërit, kreyperëndia e Oshëtimës dhe Rrufeve,
të cilat i mbante në kthetrat e tij si vetëtima.
5 Edhe këtu mund të parashtrohet një hamendësim, apo guxim hipotetik deri në lajthim fantastiko-shkencor nga ana jonë: nëse do vërtetohej ndonjë ditë ekzistenca e OVNI-ve (Objekteve fluturuese të pa identifikueshme, të quajtura zakonisht disqe fluturuese, që ndoshta vazhdimisht kanë vizituar Tokën, ardhur që nga Kozmosi, - teori kjo e mbetur në gjendje enigmatike apo përfytyruese), ndoshta po kuturisim të themi se këto OVNI mund të drejtohen edhe nga “qenie kozmike” në formë grimcash apo rrezesh tepër-tepër inteligjente, të elektrizuara apo ngarkuara me mendim, si të kishim të bënim me qeliza fluturake të trurit njerëzor të sotëm, me ADN vërvitur në Gjithësi, drejt aventurash kozmike, të afta të drejtojnë objekte fluturuese me destinacion edhe Planetin e Kaltër ardhur nga pafundësitë e galaktikave. Në këtë rast ne njerëzorët e sotëm do të dukeshim për këto “qenie kozmike”, siç thotë një shkencëtar, thjesht në rolin e kavieve apo minjve laboratorikë, që çuditen, pa kuptuar, se çfarë eksperimentimesh po bëjnë kërkuesit shkencorë në trupin e tyre (shënimi ynë – F. Andrea).
6 Ndoshta termi vranësirë vjen nga koncepti fillestar errësirë
që vret, për kohë që vrenjtet.
7 Shqipto: ui-që-anës (F. Konica) – [uji që anëson, që i shkon anës]. Vëmë në dukje se autori Schneider për germën q të shqipes përdor bashkimin e germave gh, ashtu si edhe vetë Konica te Albania.
8 Fjalë shqipe nga autori për të shpjeguar emrin e Prometeut
9 Centiman – qenie mitologjike me njëqind duar. Nuk duhet ngatërruar me centaurin, qenien mitologjike gjysmë kalë gjysmë njeri.
10 Shqip: Ai që lot, që lëviz, që tundet.
11 Shqip: Ai që gaz, që ndez.
12 Shqipto: Brin-arët apo arve. (Shënim i F. Konicës). [Bri – arave].
13 Shqip: theu fe-në, besimin.
14 Autori ka parasysh lidhjen organike të fjalëve shqipe: Të vjellë kanë.
15 Në fakt, nuk ka më vazhdim te Albania.