E marte, 15.10.2024, 10:20 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Sy-zogjtë Konica-Pikaso nën penën e Apolinerit

E marte, 23.09.2014, 08:06 PM


Sy-zogjtë Konica-Pikaso nën penën e Apolinerit

Fletore Koniciane nr 4

Nga Fotaq Andrea

Le të theksojmë që në fillim se 45 letrat e Faik Konicës (1903-1913), drejtuar poetit frëng Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire), shfaqin interes të veçantë jo vetëm për ne shqiptarët - për të thelluar njohjen e promotorit të gjuhës letrare shqipe dhe të Rilindjes sonë kombëtare -, po edhe për studiuesit francezë e të huaj që vazhdimisht hulumtojnë rreth jetës dhe veprës së poetit gjeni. Gjen në atë epistolar burimin e frymëzimit të shkrimeve të Apolinerit për Shqipërinë, shqiptarët dhe për vetë Konicën, si dhe çelësin e zbërthimit të mjaft çështjeve të përbashkëta të dy lëvruesve modernë të Letrave shqipe e frënge.

Edhe pse letërkëmbimi i pasur i Apolinerit me mori shkrimtarësh e artistësh të shquar ka qenë dhe mbetet në qendër të vëmendjes së studiuesve të huaj, përsëri, letrat e Konicës për Apolinerin njihen, do thoshim, nga një rreth i kufizuar hulumtuesish, dhe për më tepër për çështje të kufizuara. Përjashtim bëjnë dy njohësit me themel të jetës dhe veprës së Apolinerit, profesorët Marsel Adema e Michel Décaudin, si dhe studiuesi e shkrimtari Luan Starova, të cilët kanë nxjerrë në pah elementët më domethënës të lidhjes epistolare e miqësore Konica-Apoliner.

Adema e quan Faik Konicën “politikan profesionist, mbrojtës të zjarrtë të minoriteteve të shtypura, që ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm në formimin politik të Apolinerit” (Actes du Colloque de Stavelot – 1968, f. 89). Décaudain, nga ana e tij, vë në dukje se “lidhjet këmbyese midis Konicës dhe Apolinerit janë larg së qeni të rastësishme dhe anekdodike..., ato janë përkundrazi, lidhje të ngushta afrie që duhen vënë në dukje” (Que Vlo-Ve, seria 4, 1998). Dhe, më mirë se kushdo, afrinë e këtyre lidhjeve e ka nxjerrë në pah Prof. Starova me veprën e tij të shquar Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire, Një Miqësi Europiane.

Megjithatë, pa u kufizuar te kjo vepër e Starovës, por duke u nisur drejtpërdrejt nga letrat e Konicës për Apolinerin, vëmë në dukje një fakt të anashkaluar, por tepër domethënës: se Faik Konica shqiptari është ndër të parët personalitete europiane të kohës, në mos i pari, me të cilët do të lidhej me letërkëmbim poeti i ri francez në fillim të shekullit XX. Kjo lidhje e tyre, përtej kuadrit të thjeshtë epistolar, shfaqet e fuqishme dhe e gjithanëshme, deri në njohje të tyre familjare (dy vizitat e Apolinerit te Konica në Londër, si dhe takimi i Albertit, vëllait të Apolinerit me Konicën po në kryeqytetin anglez).

Sepse, bien në sy në letrat e Konicës për Apolinerin, veç fushave të përbashkëta të interesit intelektual - këmbimi i ideve lidhur me folklorin, muzikën, artin, gjuhën, letërsinë apo fatet e popujve të vegjël të shtypur (si shqiptarët) - edhe çështjet e zemrës (si dashuria), apo më tej në intimitet: qarja e halleve të përditshme, me vështirësitë profesionale e financiare që pasojnë. Pikërisht, kjo problematikë e fundit, toni familjar i letërkëmbimit të tyre, nuk është vënë në dukje nga studiuesit. Dhe fakti është se jo vetëm që nuk mungon fryma solidare, bashkëpunimi i ndërsjellë, por as ndihma konkrete, deri në materiale. Kështu, tek janë njohur mirë nga afër të dy gjenitë, shqiptari me frëngun, shohim Konicën t’i propozojë mëse një herë Apolinerit të punojnë bashkërisht, madje të çelin edhe një revistë të përbashkët (letra e 19 gushtit 1904). “Si po ia bëni me persekutuesit tuaj? – e pyet Konica  poetin e ri frëng kur ky kishte probleme të mëdha financiare dhe kreditorët i ishin qepur pas për të shlyer borxhet. – [...] Nëse e shihni veten të detyruar të largoheni nga Parisi, mendoj se Londra do të ishte për ju një strehë tërheqjeje më e mirë nga çdo vend tjetër. Madje, mund të projektojmë së bashku themelimin e një reviste [...] Nëse kani arritur t’ia dilni mbanë atje ku jeni, më mirë ta lëmë çdo plan për më vonë, duke qenë se përvoja më ka mësuar që një projekt i menduar gjatë, ka shumë gjasë të shfaqet i suksesshëm”.

Një propozim i tillë i Konicës, me gjithë zemër e kaq hapur, për bashkëpunim me Apolinerin nuk është aspak i rastësishëm. Në fakt, pas vizitës së parë që poeti frëng bëri te Konica në Londër për të takuar të dashurën e tij Annie Playden, në letrën e 20 nënorit 1903, shqiptari i shkruan francezit gjithë ngrohtësi e duke i dhënë zemër: “Letra juaj më jep përshtypjen e një trishtimi të madh dhe të një shkurajimi të skajshëm. Por ja që duhet luftuar kundër kësaj gjendjeje shpirtërore [...] Mësoni mirë anglishten [...] sepse shpresoj që brenda pak muajsh t’ju shoh sërish në Londër. Nëse do hidhni spirancën në Angli, do të isha i lumtur, sepse kam besim në tregëtinë tonë intelektuale”.

Pra, Konica, jo vetëm respekton, nga fillimi në fund, ndjenjat e dashurisë së Apolinerit për Anin, por ai projekton edhe më gjerë: bashkëpunimin konkret, profesional, të themi, në fushën e Letrave, të dy miqve europianë, në cilësinë e emigrantit të huaj në Londër (a nuk shkroi vetë Apolineri më 1904 poemën e mirënjohur Emigranti i  Landor Roadit?!...).

Dhe një projekt i tillë bashkëpunimi profesional Konica-Apoliner, edhe pse nuk hodhi rrënjë, nuk është pa baza. Ndonëse na mungojnë 40 a më shumë letrat e Apolinerit drejtuar kryeredaktorit të Albanias, vërejmë në epistolarin e Konicës se është pikërisht poeti frëng ai që i kërkon mendim shqiptarit për të botuar në Londër një gazetë me lëndë franceze (simotrën e revistës le Festin d’Esope - Gostia e Ezopit). “Do përgatis, i përgjigjet me këtë rast Konica Apolinerit (letra e 18 marsit 1904), një plan të hollësishëm për të botuar në Londër gazetën në frëngjisht, me minimumin e shpenzimeve të domosdoshme – dhe do t’jua dërgoj shumë shpejt.”

Veçse nevojitej para së gjithash që “Gostia” e Apolinerit të afirmohej në Francë, të çante në shtigje të reja, të lulëzonte. Andaj dhe Konica nuk kishte munguar t’i shkruante mikut të tij: “Do t’ju komunikoj pas ca ditësh disa ide për të çuar përpara Gostinë e Ezopit. Do dëshiroja së tepërmi ta shihja të fuqizuar, mbi baza të shëndosha dhe të vlerësuar. Do dëshiroja madje të ndihmoja edhe unë vetë materialisht sikur ata horra turqish, duke ndalur padrejtësisht gjuhën shqipe, nuk do të më kishin kufizuar së tepërmi mjetet, tek më penguan të kisha ata mijëra abonentë [të Albanias] me të cilët do lidhesha” (letër e 20 nëntorit 1903).

Mirëpo do ndodhte që, përtej çdo dëshire e përpjekje, projekti për bashkëpunim të ardhshëm të dy miqve të ngushtë do shuhej me rrokullimën e ngjarjeve, dhe vetë “Gostia e Ezopit” në frëngjisht do mbyllej pas një viti lulëzim. Dhe kjo, për keqardhjen e madhe të Konicës, i cili që në fillim u angazhua me mish e me shpirt për të ndihmuar në mbarëvajtjen e saj me shkrime, mendime, rubrika e abonime, si për shembull nisma e kryeredaktorit të “Albanias” që revista “Gostia” të çelte rubrikën “Anketë për Orkestrën” (numri i shkurtit 1904) - ku dhanë përgjigje gjashtë specialistë të kohës, e ndër ta akademisti i ardhshëm francez Fernand Gregh.

Pra, të dy miqtë ushqenin një miqësi të tillë sa jo vetëm e kuptonin në thelb njëri-tjetrin, me njohje të shëndoshë, përtej kuadrit të Letrave, por do arrinin gjer aty sa t’i besonin shoshoqit me zemër të pastër edhe “detyra” delikate, që kërkonin sakrifica. Kështu Konica do t’i ndihte mikut të vet për regëtimat e zemrës djaloshare dhe ky, nga ana e tij, do solidarizohej me të në çështje politike me rrezikshmëri të lartë për kohën, duke i ardhur në ndihmë për të shpërndarë me anë të postës traktate klandestine të qeverisë së Durrësit më 1913.

Një njohje e tillë nga afër, një bashkëpunim kaq konkret, një miqësi kaq e shëndoshë midis  Konicës dhe Apolinerit do bënin që ky i fundit t’i shpeshtonte shkrimet e tij për shqiptarin, duke parë tek ai njeriun e dijes dhe të kulturës frënge, europiane e paneuropiane. Dhe Apolineri do vërë në veprim forcën e fjalës së tij artistike për të na dhënë një portret të pazakontë për Faikun tonë tek shkruan: “Ky dijetar [Faik Konitza alias Pyrrhus Bardyli], është në llojin e tij një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun”. E thënë ndryshe, kjo figurë e shkëlqyer apolineriane për Konicën tonë, përmban në vetvete simbolikën mitologjike të gjigandit Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin përherë hapur, dyfishuar me gjigandin tjetër Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. Dyfishimi figurativ është kështu në natyrën e Apolinerit dhe s’ka si të jetë ndryshe përderisa syri i Konicës-Argus sheh, vëzhgon e hulumton, teksa dora e Konicës-Briare lëviz, vepron e rrëmon. Po ky dyfishim gjen të barasvlefshimin e vet artistik apolinerian tek personazhi letrar i Pablo Kanurisit në shkrimin “Shqiptari”, të rimarrë më pas nga autori në një formë tjetër në vëllimin “La Femme Assise (Gruaja ndenjur)”. Te portretizimi “Shqiptari”, poeti frëng shkruan: “Pablo Kanuris, piktori me duar të kaltra, ka sy prej zogu. Me origjinë shqiptare, ai ka lindur në Spanjë, në Malaga...Në karakterin e Kanurisit përzihej pra, Spanja dhe Shqipëria. Nga pamja ishte siç janë shqiptarët, midis të cilëve ka burra të hijshëm, fisnikë, guximtarë...”. Vërtet kemi të bëjmë këtu me një portret letrar, por ama në stilin që përdorte Picasso në pikturë kur, nëpërmjet formës së shpërthyer (forme éclatée) shfaqet, në ballor e në profil, një portret i kryqëzuar, në rastin konkret një portret albano-spanjoll, i njëjësuar dhe i dyzuar njëkohësisht, portreti i ndërthurur Konica-Pikaso, që të dy me sy prej zogu.

Me sy prej zogu, prej shpendi. Në fakt, po të shohim nga afër portretet e tyre, do vëmë re se këta dy personalitete gjeniale kanë një tipar të përbashkët anatomik: janë sy zioshë, por dukshëm të mëdhenj dhe veçanërisht të shndritshëm, që shfaqin pamje të zgjuar e të mprehtë, dhe që asgjë nuk u shpëton. Kanë gati-gati sy skenikë nga të aktorëve të mëdhenj, si për shembull sytë karakteristikë të Aleksandër Moisiut.

Dhe epiteti krahasues sy-zogu, aq fort i goditur nën penën e Apolinerit, u përshtatet mrekullisht, kur dihet se sytë e zogut kanë fushëpamje më të gjerë se sytë njerëzorë, kanë shikim panoramik, madje më ndonjë rast edhe vështrim nga prapa (tek pëllumbat) apo vështrim shqiponje, e cila arrin ta dallojë prehën e vet gjer në dy kilometra larg. Andaj dhe Apolinieri e ka quajtur shqiptarin Konica “chkipe”, shqipe mali. Por nga ana tjetër, epiteti sy-zogu nën penën e tij nuk është aspak i rastësishëm. Sepse, që Konica mbante pula dhe zogj në Chingford të Londrës kjo dihet nga vetë shkrimi i bukur i Apolinerit titulluar “Faik Bej Konica”, ku nuk mungon ironia e këndshme dhe përfytyrimi i guximshëm i poetit frëng për ta metamorfozuar një pulë koniciane në pulë-laraskë dhe më në fund thjesht në mi. “Konica, na mëson Apolineri, mbante në shtëpinë e tij pula për të ngrënë vezë të freskëta”. Ndoshta ashtu. Po ndoshta edhe për të kujtuar fëmijërinë e tij në Konicë. Veçse, tjetër gjë del nga dy letrat e shqiptarit dërguar frëngut: që pulat koniciane janë ekzotike, janë një kryqëzim: “Kanë për baba, thotë ai, një fazan të praruar dhe për nënë një pulë të egër. Nuk janë pra pula në kuptimin e vërtetë të fjalës” (Letra e 19 shtatorit 1904). Dhe kjo lloj pule e egër, e shartuar, e dyzuar, do t’i nxiste Apolinerit përfytyrimin e pulës-mi, të mbijetuar pas një përleshjeje me pulat e tjera në një skenë të llahtarshme. Një hollësi e tillë nuk i ka shpëtuar studiuesit Marc Poupon kur trajton poemën e Apolinerit “Muzikanti i Sent-Merrit”, duke parë simbolikisht te pulat koniciane të poetit frëng “prostitutat apo gratë e lehta (të përdala)... në atë lagje të Sent-Merrit ku priftërinjtë u orvatën shumë herë me radhë, po më kot, t’i largonin që andej” (Kumtesë në Kongresin XXII të Shoqatës ndërkombëtare të studimeve franceze, 23 korrik 1970).

Sa për zogjtë e Konicës, të cilët ky i quan “princër në mbretërinë e tyre kafaz”, ato ishin shkurta që ai i emërtonte Piçuneta I dhe Piçuneta II, apo garguj rënë nga foleja që zogtha, që ia sillnin në shtëpi çapkënët e fshatit Chingford dhe ai i rriste me emrat: Gjoni i parë, Gjoni i dytë (John I, John II), Fritz, etj. Dhe Konica nxit edhe më shumë fantazinë e Apolinerit kur i shkruan për zogjtë e vet duke i paraqitur para poetit me “botë shpirtërore”: “Sa për Fritzin, ai, duket që e ndjen largimin tuaj, sepse vendosur përballë jush kur uleshim në tryezë, ai ishte mësuar me fytyrën tuaj, por edhe më shumë pa dyshim me zërin tuaj: pale që gjatë dy ditëve që pasuan largimin tuaj, ai as që ka kënduar, madje as që ka bërë kurrfarë kërcimi, dhe qëndrimi i tij i zymtë mori fund vetëm ditën e tretë. Pulat dhe gjeli janë për mrekulli” (letra e 18 qershorit 1904).

Pra, epiteti sy-zogu te Apolineri për Konicën dhe Pikason e ka një burim frymëzimi konkret. Për më tepër që dukuria e mbajtjes së pulave dhe zogjve te Konica i viteve të Londrës mund të jetë e nxitur ndër të tjera edhe nga zakoni i filozofit shqiptar të shekullit XVI Nicola-Leonik Thomaeus (Nikollë Tomeu), i cili, siç vë në dukje enciklopedisti frëng Pierre Bayle “E kuptoi si një paralajmërim për vdekjen e tij të afërt ngodhjen e një grille, që e kishte ushqyer për dyzet vjet me radhë”. Këtë fakt të ekzagjeruar, Konica e kishte botuar tashmë te “Albania” e tij e shkurtit 1903, dhe pikërisht, po në atë kohë, ai kishte filluar të mbante edhe vetë zogj. Sepse Konica e njihte me themel Fjalorin e famshëm të Pierre Bayle, që e merrte me vete ngado që shkonte, siç na mëson Apolineri. Madje edhe vetë frontispicin e këtij fjalori, Konica e përdori si mbulesë për librin e Ndoc Nikajt “Historia e Shcypniis”, të cilin e botoi më 1902 dhe e reklamoi shumë herë te “Albania”.

Ndokush te ne - dhe për fat të keq! - i fanatepsur vetëm pas idesë së patriotizmës së verbër, vetëm pas dualitetit brutal “i mirë - i keq”, “bardhë - zi”, “e nevojshme - e panevojshme apo dërdëllitëse” etj., do mund të thotë: e ç’na duhen tërë këto përralla zogjsh e syzogjsh, tërë këto muhabete dashuriçkash tek Apolineri apo Faiku; e ç’na duhen në fund të fundit qejfet apo hallet e tyre? Në këtë rast, edhe ne kemi të drejtë të përgjigjemi: njeriu është qenie komplekse, dhe gjeniu bën pjesë në të, e tejkalon madje me një mision tepër të lartë e fisnik në shpirt e në veprim, dhe askush nuk e vë në dyshim patriotizmin e lartë konician, largpamësinë e tij për gjuhën letrare e standarte shqipe që flasim sot, për luftën e tij në drejtim të emancipimit të shëndoshë të shoqërisë shqiptare - anadollake e zullullande, të kohës së tij - me botëkuptim modern për jetën. Nga ana tjetër, ajo çka duket e zakontë, e rëndomtë, e hallit, e qejfit, e hobit në mënyrë të përgjithëshme, te gjeniu merr një përmasë tepër të veçantë e të jashtëzakontë, sepse bëhet burim frymëzimi për ta ngritur këtë të veçantë në art e letërsi, sikurse na e jep Apolineri personazhin e Pablo Kanurisit, shqiptaro-spanjollit të mrekullueshëm, në të cilin dualizohet e dyzohet letrarisht Pikaso madhështor me Konicën tonë, po aq madhështor. Sepse sytë tek këta dy gjeni janë ato vatra të ndezura me thëngjij e prush të zjarrtë, janë sy vrojtues e zhbirues, magjepës njëkohësisht, janë vetë syri pishë, si thotë shprehja e bukur shqipe, syri fajkua, që kap, trajton e përpunon atë të veçantë gjeniale që jo gjithkush arrin ta sendërtojë.

Çështje tjetër që gjen shpjegim në letrat e shqiptarit për poetin frëng është edhe roli që ai ka luajtur në marrëdhëniet e Apolinerit me të dashurën e tij Ani Plejden. Shkrimet për këto marrëdhënie nuk kanë munguar, po as shtrembërimet, dezinformimet. E shohim kryekëput të gabuar të vihet në dukje, sidomos nga studiues të huaj, se Apolineri u lidh me Konicën thjesht për çështjen e Anit, që vërtet zë vend të veçantë në letërkëmbimin e tyre, por që nuk është çështje thelbësore. Interpretimet e gabuara shkojnë madje tepër larg dhe arrijnë caqet e fantazisë së kulluar kur disa autorë të huaj, ku nuk mungojnë as autorë shqiptarë, i shohin ngjarjet të shkëputura, nisen nga citimet dhe kujtimet e X-it apo Y-it dhe parashtrojnë lloj-lloj hipotezash se si janë lidhur fillimisht Apolineri me Konicën apo si ka ndërmjetësuar Konica tek Ani Plejden për dashurinë e djaloshit frëng, i cili do shkruante për dashurinë e tij poema-kryevepra.

Është tërësisht e gabuar të thuhet se Konica e kishte njohur Anin para Apolinerit (që në vitin 1900, siç thotë Steegmuller!) e më keq akoma se Konica shkoi nga Parisi në Londër (më 1903?!) për t’i rënë pas Anit, e më pas shkoi në Amerikë ngaqë po aty na vajti e u ngul Zonjusha Plejden! Këto janë broçkulla, fantazi me ujë trëndafili të autorësh të fandaksur pas romanesh rozë dhe asgjë serioze nuk ka në deklarime të tilla. Sepse Konica shkoi nga Brukseli në Londër në korrik 1902 (sipas Albanias së tij Nr. 6-7 korrik 1902, për arsye shumë më serioze) dhe e ka njohur Anin së bashku me Apolinerin vetëm në fillim të nëntorit 1903, kur ky ndërmori udhëtimin e tij drejt Londrës për të takuar mikun e tij shqiptar, por edhe të dashurën e zemrës (Letra të F. Konicës drejtuar Apolinerit më 28 tetor 1903 dhe 16 nëntor 1903). Madje njohësi më i mirë i jetës dhe veprës së Apolinerit Prof. Michel Décaudin ka shkruar në këtë drejtim: “Kujtimet e mëvonshme të Annie Playden, të mbledhura nga Robert Goffin, e më pas nga Le Roy Breunig dhe Francis Steegmuller nuk janë të vërtetuara as nga disa letra drejtuar Apolinerit që i kemi në dorë, as nga treguesit që na shfaqen aty-këtu. Kështu karta që ajo i dërgon Apolinerit të kthyer në Paris më 26 maj 1904 [...] si dhe një shënim i Apolinerit në axhendën e tij më 28 janar 1905, ditën e lindjes së Anit e vënë në dyshim interpretimin tradicional. Nga ana tjetër, një letër e Konicës  ku ky i thotë [Apolinerit] se mënyra më e mirë për të rigjetur Anin është që të shkojë në Londër tregon se ai gjithonë mendjen e ka te vasha e re, edhe pse është pa lajme nga ana e saj”.

Po ashtu, siç del drejtpërdrejt nga epistolari që kemi në duar, shqiptari Konica – i cili në atë kohë, në fakt, bashkëjetonte në City Road të Londrës me franko-gjermanen Antonia (ende nuk e njohim identitetin e plotë të saj) – e respektoi gjer në fund ndjenjën e dashurisë së pastër të Apolinerit për Ani Plejden, duke e ndihmuar poetin frëng me shpirt, tek e grishi dhe priti dy herë në shtëpi të tij, madje tek i propozoi edhe një bujtje të tretë në Londër.

As që do t’ia vlente për ne shqiptarët të ndaleshim gjatë në këtë pjesë të jetës së poetit francez dashuruar pas anglezes së tij Plejden, sikur të mos bëhej fjalë për Faikun tonë, për ndihmën e madhe shpirtërore, morale e materiale që ai i dha mikut francez, pa e ditur, por duke e nuhatur së largu, që një ditë poeti frëng do bëhej emër i lavdishëm i Letrave botërore, emër që do shkruhej me germa të arta në Panteonin e Parisit. Për më tepër që në letrat e Konicës na shfaqet një karakter tepër i lartë e fisnik prej shqiptari, një Konicë që shpesh vihet në rolin e profesorit për poetin e ri, që di madje të shijojë e vlerësojë prirjen e re artistike dhe moderne të poetit francez, të atij që shpejt do bëhej strumbullari i një plejade të tërë piktorësh, poetësh, letrarësh, artistësh, kompozitorësh nga Franca dhe mbarë Europa e para Luftës së parë botërore. Konica arriti madje të përligjë për bukuri edhe shkrimet më të guximshme erotike të Apolinerit - shkruar nga nevoja për para, por me vërtetësi origjinale -, që sot bëjnë pjesë në letërsinë klasike erotike me bukuri të veçantë. “[...] Prisja, i shkruan Konica Apolinerit më 23 dhjetor 1907, të më vinin akuareli dhe libri erotik [Historitë e një hospodari – 1907] që më thatë se do m’i nisnit. [...] Do kisha dashur ta lexoja librin tuaj. Sa më shumë bën jetë të pastër, aq më shumë shtohet dëshira për të lëçitur e hartuar shkrime libidinoze, dhe Bayle apo La Mothe Le Vayer kanë botuar tërë ato lapërdhi vetëm e vetëm ngaqë jeta e tyre ishte e një rreptësie gati murgëtore”.

Në fakt, për jetën personale të Konicës është folur mjaft, aq sa nuk janë kursyer që në kohën e tij sulmet dhe denigrimet nga ana e ndonjë bashkëkohësi për gjoja shthurje të tij morale, duke ditur më së miri se tek shqiptari i të gjitha kohërave, akuza për imoralitet ishte dhe mbetet pika e tij e dobët, për t’i shkelur në kallo e për diskreditim publik. Konica në këtë rast, duke u mbrojtur me argumente të fuqishme, duke mbrojtur njëkohësisht lirinë individuale e personale, vetë lirinë e Njeriut, tregohet i pamëshirshëm, me një fjalor të rrallë à la Faikio, ndaj tërë atyre shthuranakëve, tartufëve, sadistëve e të marrëve që arrijnë të “shpojnë në mishin tonë me perversitet”. Ai kërkon madje hapur edhe duel me ta, në bazë të zakonit fisnikëror klasik europian të personit të fyer. Sepse Ai, di dhe respekton mrekullisht ndjenjën e dashurisë së fuqishme, jo vetëm për Sofinë franceze (të dashurën e tij të parë, me të cilën bashkëjetoi në Paris e në Bruksel dhe pati edhe djalin, Henrikun, mikun e ardhshëm të Sejfulla Malëshovës), por edhe për mikeshën e dytë të zemrës, franko-gjermanen Antonia (me të cilën bashkëjetoi pesë vjet në Londër, edhe pse në letrat e tij për Apolinerin ai e cilëson këtë “gruaja ime”. Konica, duke i paraprirë si gjithnjë kohës, me prirje përherë moderne,  zbatoi, në jetën e tij private e familjare, dukurinë bashkëjetesë, që në kohën e tij domosdo që shihej e trajtohej vëngër, thjesht për arsye mentaliteti të ngushtë.

Sot, të dashurosh e të bashkëjetosh me mikeshën e zemrës është një dukuri mëse e zakontë, dhe fakti është se përherë e më shumë bashkëjetesa po fiton e do fitojë terren mes brezit të ri, në kurriz të martesës tradicionale, ligjore a fetare qoftë. Por ta mendosh një gjë të tillë në fillim të shekullit XX, sidomos tek një i ri shqiptar si Konica, është diçka krejt e pazakontë. Sepse, vetëm një Konicë i përparuar për kohën, i emancipuar shoqërisht në shkallën më të lartë, di c’do të thotë të përjetosh e të respektosh ndjenjën e dashurisë së pastër, larg çdo imoraliteti e dashurie të vockël, larg çdo lidhjeje bashkëshortore me detyrim civil a tjetër.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora