E merkure, 16.10.2024, 04:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Misionarë në udhën e dijes

E enjte, 25.09.2014, 06:56 PM


MISIONARË  NË UDHËN E DIJES

Përshtypje nga libri i Kadri Tarellit

NGA KRISTAQ TURTULLI

Një libër mirë, i shkruar me ndjenjë, përkushtim, përgjegjësi intelektuale e qytetare është si pëllumbi i bardhë, lajmëtari. Fluturon në mijëra e mijëra kilometra, të gjen, të troket në derë, thjeshtësisht, kudo, në çdo skaj të globit që mund ndodhesh. Atëherë librin me cilësi dhe vlera, nuk të bëhet ta heqësh prej dore, por e mban pranë, mbi komodinë. Të ngacmon, s’të lë të qetë, ngrihesh, ndez dritën e lexon dhe e rilexon, në çdo faqe dhe kapitulli të tij, gjen çështje dhe problematikë që të shtien në mendime...

Kështu më ndodhi edhe me librin me publicistikë, krijuar prej të përkushtuarit dhe të palodhurit, Kadri Tarelli. E njoha nëpërmjet të vëllait, skulptorit të talentuar Hytbi Tarrelit, ishte ai që ma pruri këtë libër me vlera dhe me porosi të veçantë të Kadriut. Rëndom, librat me publicistikë nuk të ngjallin shumë kureshtje, përkundrazi të shkaktojnë bezdi, mbasi për mendimin tim, akoma nuk na ka ikur përshtypja e tepruar dhe inati i hidhur i kohës së komunizmit. Në çdo faqe të librit gjeje dozën e hidhur, të padurueshmen dhe acaruesen ideologji. Kështu shpesh jemi munduar ti anashkalojmë këto libra. Dhuruesve të librave të kësaj natyre, u japim një buzëqeshje kortezie për mirësjellje dhe më shumë preferojmë të kalojmë nëpër duar e të lexojmë letërsi artistike, por dhe kjo e fundit, më të shumtës e herës është rënduar me ujë të tepërt, ngatë të gjithë duan të bëhen shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj...Kështu, prej mungesës së pathënies në vite, i bie që në çdo dy veta, një do jetë ‘shkrimtar ose poet...’

Libri voluminoz i Kadri Tarellit: ‘Misionarë në udhën e dijes, Nuk merr përsipër të bëjë rolin të pa shprehurit. Ai merr përsipër të jetë në rolin e mësuesit të thjeshtë, të përkushtuar në dhjetëra e dhjetëra vite, por njëherësh ai është dhe misionar i dijes, për të thënë të vërtetën ashtu siç është, për të dhënë sinjalin, se ardhmëria e një kombi në radhë të parë është gjuha shqipe dhe dituria. Libri i freskët dhe premtues i Kadriu Tarelit është me shkrime, artikuj plot jetë e mendime, shqetësime dhe problematikë. Vetëm nga titulli e nënkupton se në të është zëri, shpirti, përgjegjësia qytetare e intelektualit dhe mësuesit të përkushtuar, të cilit i rreh zemra çdo sekondë për mëmëdheun, mësuesinë, arsimin, kulturën. Ai shkruan me dashuri dhe respekt për personalitete të ndryshme të arsimit shqiptar dhe çështje të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar.

Kadriu ka një jetë të tërën në mësuesi dhe në drejtimin e shkollave në rrethin e Durrësit. Këndshikimi i tij origjinal përfshin kudo ku mësohet dhe flitet shqip. Shkrimet e Kadriut  në libër na vijnë si një rrjedhë e natyrshme, e logjikës së ngjarjeve dhe kushteve në të cilat është arsimi shqiptar dhe detyra e rëndësishme e mësuesisë. Libri ndahet në shtatë kapituj të rëndësishëm. Dhe janë të ndryshëm në vizion e ide, në formë dhe përmbajtje, në procesin e punës mësimore dhe edukative. Në shqetësimet, të drejtat dhe detyrat. Ato nuk janë vetëm konstatime të rastit, por të bëjnë të biesh në mendime, se në kushtet e ndryshimeve të rëndësishme shoqërore, mësuesisë dhe arsimit në përgjithësi i kanë dalë, i dalin përpara detyra dhe përgjegjësi akoma më të mëdha, në shërbim të arsimimit dhe edukimit të brezit të ri.

Kadri Tarelli shkruan thjesht, ai është mjaft komunikues me lexuesin e të gjitha shtresave e moshave dhe plot kulturë dhe profesionalizëm. Njohës i hollë i gjuhës së bukur shqipe dhe për këtë gjuhë të shenjtërie, ai ngre e trajton probleme të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, arsimin dhe edukimin e ardhmërisë së një kombi. Secili kapitull mbart në vetvete opinione dhe pasqyron, probleme të rëndësishme të mësuesisë, të personaliteteve të mëdha të arsimit dhe kulturës shqiptare, të cilën e lidhën jetën me detyrën e mrekullueshme, të vështirë të mësuesisë, sakrifikuan dhe vdiqën për të.

Autori qëllimisht ka vënë qysh në faqet e para të librit, thënien e mençur dhe shumë domethënëse të rilindësit ton të shquar Sami Frashërit:

‘Në ka gjë për të cilën ne shqiptarët duhet të kujdesemi më tepër, ajo pa dyshim është dituria.’

Thënie të tilla me plot me mençuri dhe domethënie, i hasim në krye të çdo  artikulli që pasojnë njëra pas tjetrës nëpër faqet e ngjeshura të librit. Kjo ndodh kur shumë fëmijë për arsye të ndryshme i kanë braktisur shkollat. Autori qëllimisht i vë këto thënie të mençura prej gjenive, për ta ilustruar dhe bërë më të prekshme çështjen që trajton në shkrim ose në artikull.

Kadri Tareli është vëzhgues i hollë i ngjarjeve dhe situatave që ndodhin në Shqipëri dhe për kulturën e arsimin Shqiptar. Çështjen e luftës kundër dhunës që shfaqet aty  këtu dhe detyrën që ka shkolla, mësuesi, por njëherësh ai ngre zërin dhe nuk lë pa përmendur se kjo është çështje e gjithë shoqërisë së civilizuar. Askush nuk duhet të qëndrojë i shurdhër përpara dhunës.

Në hyrje të kapitullit të dytë që bën fjalë për portretet shumë të goditura të arsimit Shqiptar, kemi një thënie shumë insifikative të F. N. Babuef:

‘Në shoqërinë e ardhshme, personaliteti kryesor do të jetë mësuesi, jo gjenerali.’

Në këtë të vërtetë të pakundërshtueshme, që disa bëjnë sikur nuk e dinë ose nuk e ka mendjen. Ne shohim qartë në libër, sakrifikim dhe përkushtimin e mësuesve të popullit, të cilët na kalojnë përpara syve, si në film  njëri pas tjetrit: Qysh prej mësuesit të popullit, Sulejman Ali Zalla, që e thërrisnin Sulë shqipja. Mësuesin e persekutuar, Martirin e demokracisë, Prenk Kaçinarin, një prej fajeve të tij të rëndë, për të cilën  u dënua ishte se kishte lindur në Mitrovicë. Interesante është shkrimi kushtuar Sabri Tuçit, të cilit nxënësit i ngritën përmendore me përkushtimin: ‘Profesorit që gdhendi dashurinë.’

Shkrim me interes i është kushtuar mësuesit dhe studiuesit, Hasan Ulqini, të cilin  unë pata fatin ta njihja shumë vite më parë kur punonte në gazetën, ‘Drita.’ Kadriu e ka skalitur portretin e këtij njeriu të mrekullueshëm, mësues dhe studiues i palodhur. Gjithashtu portretin e ‘ambasadorit’ të shqiptarëve në Suedi, Sokol Demaku, të cilin shpesh herë e quajnë:’ misionar i gjuhës shqipe.’ Ai me të drejtë përsërit thënien shumë të prekshme dhe ngandonjëherë të lënë pas dore: ‘Të gjithë mësuesit janë misionarë të dijes.’Ky fakt nuk duhet të harrohet kurrë.

Në kapitull e tretë, me reportazhe, ndeshim në të probleme të rëndësishme, të cilat i ka vëzhguar dhe trajtuar me finesë, objektivitet dhe dashuri Kadri Tarelli. Nga aktivitet ndryshme të jetës shkollore dhe jashtë saj. Takimet e ndryshme, mes nxënësve dhe mësuesve, këmbimet e eksperiencave të ndryshme, udhëtimet, mbresat. Ai thotë me plot gojë se ne shpesh; Kërkojmë të drejtat, por harrojmë detyrat. Autori në shkrimet e tij është i paanshëm dhe gjykues, ashtu siç ka qenë dhe manifestuar përgjatë jetës së tij si mësues dhe drejtues shkolle.

Në kapitullin e katërt: Opinione, Kadriu e përzgjedh me kujdes në këtë kapitull dhe në hyrje na jep bukur thënien  e Fosdikut:

‘Ai që zgjedh fillimin e një rruge, zgjedh edhe vendin ka ajo të shpie:’

Autori jep e merr mendime, paraqet opinione të goditura, hedh dritë dhe pasuron mendimin më të pëprparuar. Merr dhe shkëmben përvoja të ndryshme, me kënd shikime origjinale në shërbim të shkollave dhe arsimit shqiptar. Por njëherësh gjykon me paanësi, me përgjegjësi qytetarie dhe patriotike. Një prej tyre shkrim me interes është:

’Kujt i vret veshin gjuha shqipe?’ Mes të tjerave ai thotë: Më vrau veshin dhe më la përshtypje të keqe një udhëzim i ministrisë së arsimit: Në lëndët që zhvillohen në shkollë kërkohej të hiqej emërtimi: ‘Gjuha shqipe’ dhe të vendoset;’ Gjuha amtare’. Autori me mençuri dhe përgjegjësi qytetarie e analizon rëndësinë e mos ndryshimit dhe pasojat jo të mira që të ka ky ndryshim, që në aparencë duket krejt i parëndësishëm.’Gjuha amtare,’ më pëlqen shumë shkruan autori, por çfarë fshihet pas saj. Nuk po e teproj, vazhdon më tej autori, por kohët e fundit shumë ndodhi na lënë shije të hidhur dhe erë të keqe. Bëhen marrëveshje, ngrihen komisione të rishkruajnë historinë, sepse me demek na zemërohen fqinjët tanë...’

Gjithashtu shkrimi i mprehtë: ‘Në kërkim të nënë Terezës.’ Pra në kërkim të bustit të saj, i cili ishte vendosur në një vend të mënjanuar, kur duhej të ishte në qendër të sheshit, mbasi sheshi mban emrin e saj. Indifentizmi i qytetarëve dhe mefshtësia e pushtetarëve.

Në kapitullin shkrime historike të tërheq vëmendjen shkrimi: Manastiri i Shën Naumit, perlë dhe plagë e historisë së shqiptarëve.’

Këtë shkrim autori e ka bërë me dashuri dhe ndjenjë të lartë patriotike. Ai na përshkruan bukurinë e pakrahasueshme, perlën e vërtetë, të manastirit të Shën Naumit dhe burimit të famshëm të tij. Autori trajton përfoljen historike dhe më tej hedh dritë, na flet për ngjarjen e tmerrshme, për djegien e dokumenteve të çmuara rëndësishme në vitin 1851.

Libri me vlera: ‘Misionarë në udhën e dijes,’ me autor mësuesin misionar Kadri Tarelli, i cili në vite ka bërë një punë të konsiderueshme, të respektuar. Ky libër të lë përshtypje të thellë, shpesh të detyron të kthehesh ndonjë kapitulli ta lexosh dhe ta rilexosh. Nuk të lë pa menduar dhe medituar dhe ata që kanë qenë dhe janë mësues të ndjehen krenarë dhe të përgjegjshëm për punën që kanë kryer dhe kryejnë.

Të falënderoj misionari i dijes, Kadri Tarelli për këtë dhuratë të bukur. Libri juaj të krijon emocione dhe obligime. Përbën një mesazh për të gjithë ata që kanë sy dhe veshë, se arsimi, shkolla nuk duhet lënë nën mëshirën e njerkës dhe të sharlatanëve por kërkon përgjegjësi, ndjenjë të lartë qytetarie dhe kombëtare.

E thotë me vend i mençuri, rilindësi i shquar Sami Frashëri:

‘Në ka gjë për të cilën ne shqiptarët duhet të kujdesemi më tepër, ajo pa dyshim është dituria.’



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora