E hene, 29.04.2024, 07:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Bisedë me shkrimtarin Jusuf Buxhovi

E shtune, 03.05.2014, 07:51 PM


Një populli, vetëm krijimtaria ia kthen atë që ia merr historia...

Bisedë me shkas me shkrimtarin e njohur Jusuf Buxhovi, laureat i sivjetëm i shpërblimit  kombëtar „Azem Shkreli“ për veprën më të mirë të vitit

Bisedës i priu Fatmire Duraku

Iliria Post: Shpërblimi vjetor kombëtar „Azem Shkreli“ iu takoi për romanin „Kodi i dashurisë“.Në një intervistë të vonshme shpjeguat se fjala është për një prozë me të cilën përmbyllet „Trilogjia gjermane“,e cila zë vend në projektin  tuaj letrar prej dhjetë romanesh,që ruajnë një tërësi tematike?

Buxhovi: Romani „Kodi i dashurisë“ ,edhepse qendron si tërësi e pavarur, ai megjithatë, me romanët „Vdekja e kolonelit“ dhe „Kujtimet e Zonjës von Braun“, të botuara gjatë këtyre dy vjetëve,rrumbullakson  „Trilogjinë gjermane“,me çka,me trajtimin e një ngjarjeje,që bartet nëpër dy luftrat e mëdha botërore dhe deri te kjo e fundit,projektit tim letrar ia plotëson koherencën e paraparë të një thellësie historike të veçantë prej njëzet shekujsh nëpër të cilën kalon qenia jonë, së cilës i ka munguar trajtimi krijues për t´u kthyer në një fakt jetësor nëpër të cilin do të kalojë një bashkësi shoqërore me  gjithë dramën e vet të pandalshme rrënjët  civilizuese të së cilës nisin qysh nga antika për të ardhur deri te koha jonë ...

Natyrisht se „Trilogjia gjermane“,ku bën pjesë „Kodi i dashurisë“ do të shfaqej e mangët pa trilogjinë „Prapë vdekja“ dhe trilogjinë tjetër asimetrike „Libri i mjesjetës“,në të cilën bëjnë pjesë romanët „Nata e shekujve“,“Letrat për Kryeprincin“ dhe „Vera e fundit e Gjin Bardhit“,ku ndërlidhja e tyre e brëndshme reflekton thuajse të gjitha etapat e një eposi të gjatë ekzistencial po aq edhe sa tragjik,që si të tillë e ka bërë ai kufiri i besimeve dhe përpjekjet e vazhdueshme të lëvizjes nga njëra anë në tjetrën,që do të kthehet në një    kufi të përgjakshëm të ndarjes  botërore,qoftë si ndeshje e qytetërimeve apo edhe e ideologjive,që për fat të keq edhe sot e gjithëditën ruan ato segmente që u duhen konjukturave bashkëkohore të sferave të interesit dhe të tjerave...

Sidoqoftë,në këtë vorbull,bota shqiptare,me rrënjët pellazgo-ilire,është munduar të mbijetojë,pa marrë prasysh çmimi që i është paguar,dhe e shikuar nga ky prizëm,vepra ime letrare mëton t´i fokusojë  çastet më karakteristike të këtij zhvillimi,që asaj ia japin përmasat e përseritjes së të njëjtës,jo si fatalitet,por më shumë si vitalitet,ngaqë edhe vetëzbrazjet më të ashpra,çuditërisht kthehen në përmbusheje që mund të quhen vetëmbushëse,të cilat mundësohen në saje të atij ndijimi të thellë shpirtëror të cilat i takojnë trashëgimisë së lashtësisë,metafora e të cilave përshkon thuajse gjithë prosedeun e „Kodit të dashurisë“...

Iliria Post:Nuk ka dyshim se proza juaj,kur shfrytëzon faktin historik dhe këtë e bën me përkushtim të vazhdueshëm,sikur ndonjëherë harrohet në të dhe duket se  mbetet peng i tij.E keni pasë parasysh këtë „rrezik“,i cili përhera mund t´i kanoset krijimtarisë?...

Buxhovi:Jo rastësisht është thënë se vetëm  krimtaria është në gjendje një populli t´ia kthejë ato që ia merr historia dhe këtë mundohet ta bëjë në një mënyrë të veçantë që jo gjithnjë i shkon për shtati historisë.Andaj,edhe të ashtuquajturat „fërkime“ midis tyre që jo rrallë kthehen në disonanca dhe kundërshtime të papajtueshme kanë të bëjnë me mënyrën e përpunimit,por edhe të shfrytëzimit të fakteve dhe të vlerësimit të ngjarjeve  jo vetëm si procese të thjeshta shoqërore,por edhe të dramave të brëndshme.Kështu, ndërkohë që historia faktet i shfrytëzon kryesisht si fundament mbi të cilat qendron ngrehina e një trajtimi shkencor,që jo gjithnjë  shfaqet e qëndrueshme nga shkaku se fitimtarët dëshirojnë t´ua përcaktojnë vlerën fakteve duke ua ndërruar rëndësinë dhe t´i orjetojnë ato në përputhje me synimet që të ndërtohen përmendore për vete,ku synojnë të mbesin përgjithmonë,pa marrë parasysh se ato janë të paqendrueshme,e të tjera si këto,krijimtaria artistike e shfrytëzon të kundërtën,pra  ngjarjet i trajton me anën e përpjekjeve të  përjetësimit artistik, që ato të kthehen në kujtesë të përhershme shpirtërore prej nga pastaj kalojnë në vetëdije dhe prej andej të barten edhe atëherë kur qenësisë i kërcënohet rreziku i shkatërrimeve....Kështu,historia e njerëzimit ka gjetur monumenet më të qëndrueshme vetëm në saje të krijimtarisë dhe kjo mund të shihet më së miri nga lufta e Trojës dhe ngjarjet tjera të mëdha kur ato ia kanë dalë të bëhen të tilla vetëm kur kanë kaluar nëpër trajtime artistike.Sigurisht se pa Homerin dhe „Iliadën“ e famshme, lufta e Trojës ndoshta as që do të përmendej dhe nuk do të kthehej në një referencë të gjithëkohshme dhe gjithënjerëzore.Ngjashëm mund të thuhet  edhe për eposet tjera,të cilat janë kthyer në monumente të përhershme dhe tashmë i takojnë kujtesës së përbashkët të njerëzmit...

Kjo zatën ka qenë është dhe mbetet  kredoja e çasjes sime fakteve historike dhe trajtimit të tyre me të cilën,në veçanti, synohet që të qitet në pah drama dhe tragjika e një historie të gjatë shpirtërore nëpër të cilën është kaluar,që ng antika e deri te ditët tona,me çka duhet të bëhet e ditur pjesmarrja dhe bashkëveprimi në të gjitha proceset e asaj që mund të merret për histori njerëzore,e cila,sipas të gjitha gjasave, si mbretëri tokësore,nis me pellazgët dhe shfqjen e tyre si një pandan mbretërisë qiellore,pra asaj të Olipit me aktorë perenditë e shumtë...

Që t´i iket „rrezikut“ që kundrimi i faktit historik të mos mbetet vetëm histori,kam bërë përpjekje që mbi premisën e fakteve të vendos  dramën e  brëndshme të ngjarjeve,si kompleksitete jetësore,të cilat edhe mund të përseriten,dhe në këtë përseritje e sipër,si trajtesa artistike, „t´u merret e drejta“ që të duken si histori...Pra,shkrimtari e ka „privilegjin“ që edhe ngjarjen që ka ndodhur ta shohë  „edhe ndryshe“ dhe ta trajtojë edhe si të djeshme në të nesermën e sotme,e edhe si të sotme në të djeshmën e nesërme dhe kështu me radhë,gjëqë jo rrallë kjo ka shkaktuar keqkuptimet dhe kundërshtimet që krijuesin e kanë ballafaquar me anatemimin e „ prishësit“ apo edhe „të rrënuesit të historisë“ dhe ndryshe ndryshe,të cilat qesin në pah atë disonancën e përhershme rreth faktit të kryer,të cilin historia dëshiron ta mbrojë më këmbëngulje,ndërkohë që krijimtaria „e shqetëson“ përhera pikërisht pse e shfaq në rrethanat jetësore dhe jashtë oreolit të fitimtarëve...

Iliria Post: Duket se  disonancës midis faktit të kryer  dhe demontimit të tij nga ana e krijuesit,sikur nuk i ka shpëtuar edhe Gjon Nikollë Kazazi,njëri ndër përsonazhet kryesore të veprës suaj „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“,që shumëkush e sheh si njërën ndër veprat më të qëndrueshme të prozës sonë,ngaqë  në vend se të shfaqet si prelat në mbrojtje të doktrinës së krishterë,ai defilon si intelektual i shquar,që vehet në krye të një lëvizjeje për shpëtimin e popullatës nga murtaja dhe këtë nuk e bën me anën e lutjeve për shpëtim,por të kundërvënies së drejtpërdrejtë,që në njëfarë mënyre,ky veprim del prej konceptit „të të lejueshmes“ dhe „të të palejeushmes“,të cilit duhet t´i nënshtrohen  njerëzit e meshës...

Buxhovi: Siç e thashë më parë,krijuesi shfrytëzon faktin historik për rindërtime të tjera dhe kjo është ajo që e dallon atë nga historia.Natyrisht se edhe Gjon Nikollë Kazazi  duhet të shikohet në përputhje me këtë kundrim dhe assesi ndryshe.Përcaktimi për figurën e Gjon Nikollë Kazazit si përsonazh krysor,që do të shfaqet ashtu si shfaqet në romanin tim,mesiguri se ka të bëjë jo vetëm me kompleksitetin e Gjon Nikollë Kazazit dhe veprimtarisë së tij madhore  në radhë të parë kulturore,që lidhet me zbulimin e „Mesharit“ të Buzukut në Vatikan dhe aktualizimin e kësaj vepre si një ngjarje të madhe  për historinë e mendësisë dhe rrënjët e qytetërimit tonë perëndimor,por për më tepër lidhet  edhe me faktin se Gjon Nikollë Kazazi,që vinte nga Gjakova,kishte përkatësinë nga një familje  me besime të përziera (pra, me atë krishten dhe musliman,(siç mund të gjenden të tilla edhe sot e gjithëditën),të cilat bashkëjetonin,pa ndodhur që të përqaheshin,të ndaheshin,apo të ktheshin në kundërshtarë dhe armiq,siç kishte ndodhur në vendet tjera dhe te popujt tjerë,ku edhe mëtutje përkatësia e besimeve shfaqet si fesat,kur „njerit zot“ nga ky apo ai libër,detyrimisht shtyn që të përjashtohet,të mohohet por,në rast nevoje,edhe të luftohet „zoti tjetër“...

Me Kazazin,kjo dokuri,e ngritur në fakt letrat,për herë të parë në prozën tonë,hap atë faqen e lavdishme  të tolerancës së brëndshme    besimeve,me çka bëhet e ditur botërisht se përjashtimi i kryqëzatës fetare brënda për brënda një populli nuk është çështje e rastësisë,por fjala është për atë mendësinë    dallimet,qofshin ato edhe si të imponuara,siç edhe kanë qenë në rrethanat e garës së besimeve,të mos kthehen në përçarje,por në një bashkëjetesë të thjeshtë jetësore të të kundërtave...

Kujtoj se  mospranimi i luftës së brëndshme sipas përkatësisë së besimeve,ku e kanë rrënjën gjithë ato që më vonë do të kthehen në kufinjë qytetërimesh dhe dhunë ideologjike,që popullin tonë e ka bërë të veçantë,pos tjerash,mund të arsyetohet edhe me qendrimin e përgjegjshëm prej intelektualëve në radhët e klerit katolik,siç ishin veprimet e prelatëve të rëndësishëm Marin Bici,Pjetër Budi,Pjetër Bogdani,Gjon Nikollë Kazazi dhe të tjerë,por edhe të sjelljes së përgjegjshme te një pjese të mirë edhe  të klerikëve muslimanë nga radha e  sekteve shiite të bektashnijve,rufainjve dhe të tjerëve,të cilët,jo vetëm në rrethanat e krizave,por edhe të aspekteve të tjera shoqërore  përhera kanë pasë kujdes ndaj  komponentës kombëtare,duke e parë atë si diçka që duhet ruajtur,si veçori të rëndësishme identiteti me anën e së cilës më së miri shprehet besimi dhe fuqia shpirtërore,si pjesë e asaj ngritjeje të  brëndshme e cila shpjen kah kuptimi sa më i thellë i krijuesit dhe lidhja me të,që nuk ka paraqitur tjetër pos njëfarë pikëpamje metafizike...

Pra,në përputhje me këtë kundrim është parë edhe roli i  përsonazhit  të Gjon NIkollë Kazazit  bashkë me atë të sheh Alisë,dërvish Rremës dhe të tjerëve,të cilët ,si klerikë,ata njëherash shfaqen si  intelektualë të përgjegjshëm për fatet e vendit dhe bashkarisht vehen në krye të mbrojtjes kundër sëmundjes së murtajes që i kërcënohet qytetit të Gjakovës dhe rrethinës.Kjo sjelljes sigurisht se nuk do të ishte e tillë pa atë vetëdijen që vjen nga një qytetërim i lashtë,që për shumëçka,si shembëllesë pozitive i shkon,por edhe i duhet,edhe kohës sonë dhe gjithë atyre përpëlitjeve me të cilat sikur ushqehet,por edhe kërkohet ajo që quhet ndeshje e civilizimeve,që do të duhej të paraqiste njëfarë si zëvendësimi për rënien e konfrontimeve ideologjike dhe gjithë asaj që karakterizonin kohën e bipolaritetit politik...

Iliria Post: Megjithatë,kjo vepër,kohëve të fundit nuk shfaqet më si lektyrë shkollore.Si mund të shpjegohet kjo?

Buxhovi: Kam dëgjuar se nga ata që kanë bërë „korrigjime“ dhe „plotësime“ të plan programeve shkollore në përputhje „me rrethanat e reja“,romani „Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit“, bashkë me disa vepra  të tjera të autorëve tanë të njohur me të cilat gjeneratat e fundit të shkollarëve tanë kanë vu kontaktet e përhershme me letërsinë,pa ndojë shpjegim,janë hequr nga lekyra shkollore dhe në vend të tyre janë futur veprat e disa prej atyre që thuhet se kanë bërë „korrigjime“!Edhepse përfaqësimi i ndonjë vepre letrare në lektyrat shkollore nuk do të thotë  kriter që ndonjë vepre mund t´i përcaktohen vlerat,dhe madje ka  edhe shkrimtarë që nuk ndjehen gjithaqë komodë nëse veprat u zënë vend vetëm në kuadër të lektyrave pa shkuar mëtutje,prapë se prapë duhet thënë se ata që e kanë hequr „Kazazin“ dhe disa vepra të tjera nga lektyra shkollore,mesiguri se më së paku kanë vepruar me argumente letrare.Nëse opinionit nuk i jepen arsyetime për këto ndryshime dhe e gjitha edhe mëtutje mbahet nën velin e një misteri,mund të hapet dilema  se heqja e Kazazit ka të bëjë pikërisht me atë se dikujt mund t´i ketë penguar se është parë i tillë dhe madje të shkohet edhe deri te ndonjë hamendje tjetër që përkufizohet edhe me aso qendrime „të prodhimit“ të të ashtuquajturave  „identitete fetare“,me  të cilat duhet të rrënohen,ose të anashkalohen  gurthemelet e identietit kombëtar dhe çmos që përnjëmend tmerrojnë,e  me të cilat sikur kërkohet kthimi tragjik i ndeshjes së qytetërimeve dhe golgotat tjera nëpër të cilat kemi kaluar!...Përsonalisht kam arsye për këtë shqetësim,kur kihet parasysh se këtyre viteve të fundit, edhe një pjesë e veprës sime,nga ana e disa „kruzhoçeve“,me prirje të çoroditura rrënuese, që mund të prodhojnë vetëm gjendjet e tilla kalimtare,ku rendom mediokrit fitojnë pushtet të madh,u është nënshtruar gjithëfarë vlerësimesh,sa edhe triologjia „Prapë vdekja“,në njëfarë si pamfleti të botuar në „Sheshi“ (e përkohshme kjo financuar  nga një fondacion europian për zhvillimin dhe përhapjen e  demokracisë me anën e mediave!), me konotacione tepër negative (ku nuk  mungon edhe thirrja për linçim të autorit), është parë si „fundament i programit të LDK-së“,ndërkohë që edhe njëri nga përsonazhet e saj kryesor,Baba Tali,të shihet si proptotip i Ibrahim Rugovës!

Iliria Post:E përmendet gjendjen kalimtare,nëpër të cilën kalohet,si diçka që ushqen mediokrit.A mos është kjo shkaktare e asaj rrëmuje që po mbizotëron në mediat tona,ku redom shitet dushk për gogla dhe më së paku flitet për velera?

Buxhovi:Shikuar historikisht gjendjet kalimtare pëhera kanë qenë të papërshtatshme dhe madje të rrezikshme kur kanë qenë si qëllim i vetvetes,pra kur kanë zgjatur thuajse pafundësisht dhe me to është synuar që sistemet e rrënuara të  vlerave të mos zëvendësohen  me tjetrin.Megjithatë,do të ishte gabim që këtë krahasimi ta shihnim si të tillë në rrethanat tona,ngaqë dihet se vetëm në saje të ndërhyrjes së perëndimorëve me NATO-n është mundësuar që populli ynë t´i shpëtojë gjenocidit,gjë që për pasojë ka pasë edhe vendosjen nën mbikëqyrjen ndërkombëtare,me të cilat i krijohen parakushtet proceseve të  pavarësisë,qoftë edhe me kushtëzime të caktuara.

Por,kësaj gjendje,pa të cilën Serbia nuk do të nxjerrej nga Kosova, edhe si të tillë,duhet parë lëshimet dhe të metat,që më së shumti janë pasqyruar, në njërën anë me  mos konsolidime të qarta shpirtërore,(ku janë anashkaluar intelektualët dhe mendësia kreative),dhe në tjetrën anë,te shfaqjes së furisë së mediokrive,të cilëve çuditërisht  u është lëshuar gjithanshëm hapësira e veprimit,prej nga ata kanë sulmuar me përkushtim të madh të gjitha ato vlera dhe gjithë ata krijues të cilëve  ua kanë pasë zilinë për sukseset e tyre në planin krijues dhe atë intelektual,por njëherash kanë vepruar me zell që t´i pushtojnë e edhe t´i bëjnë për vete shumë nga shoqatat dhe institucionet e suksesshme në të kaluaren,me çka janë krijuar rrethanat,që shumë prej anëtarëve të tyre të dalluar të largohen prej tyre.

Natyrisht se mediokrit nuk do të ishin mediokër,rrënues  të pamëshirëshëm po qe se nuk do të kishin përkrahjen e disa mediumeve dhe atyre qendrave ,të cilat ua kanë frikën intelektualëve dhe krijuesve të përgjegjshëm me kredibilitetin e drejtimit  të lëvizjes së rezistencës aktive kundër regjimit serb,nga droja se ata do të  mund të ngrisin zërin në rrethanat kur shoqëria nuk ecën drejt tejkalimit të gjendjes kalimtare,e cila,siç thashë,edhepse ishte e pashmangshme dhe vendimtare madje që ndryshimet historike të veheshin në veprim,duhet të jetë vetëm kalimtare dhe të kalojë sa më shpejt,në mënyrë që të kthehet ajo e përhershmja,që nuk mund të jetë tjetër pos gjendje  civilizuese,e velerave të qëndrueshme...

Iliria Post: Thatë se nga trysnia e mediokrëve shumë nga krijuesit janë larguar nga shoqatat dhe asociacionet e krijuesve.Mos u ka ndodhur edhe Juve kjo?

Buxhovi:Dikur kam qenë anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës,të asaj që në fund të viteve të tetëdhjeta dhe të fillimit të atyre të nëntëdhjeta ka qenë inspiruese dhe bartëse e kundërvenies fushatës së egër hegjemoniste serbe, dhe me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës,krahas rrënimit të totalitarizmit komunist,është vu në krye të organizimit të sukseshëm të lëvizjes së rezistencës dhe ndjehem krenar për këtë.Meqë ç´prej vitesh nuk jetoj dhe nuk veproj në Kosovë,por gjendem në Gjermani,fillimisht si  korrespodent i gazetës „Rilindja“ dhe tash me statusin e analitikut të pavarur,nuk ndjej kurrëfarë nevoje apo arsyeje të jem anëtar i ndonjë lidhjeje të shkrimtrëve të Kosovës apo të Akademisë së atjeshme të Shkencave dhe të Arteve...



(Vota: 51 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora