E hene, 29.04.2024, 08:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Dukagjin Hata: Ajet Shala, poetika e rilindjes

E shtune, 03.05.2014, 06:58 PM


Ajet Shala, poetika e rilindjes si Feniksi të shqiptarisë

Nga Dukagjin HATA

Është i njohur si postulat dhe, me të drejtë thuhet, se ardhja e një poeti të vërtetë në letrat poetike të një kombi mund të konsiderohet si ardhja e një profeti, pasi, në thelb, me fatin e tij dhe të poezisë që ai përcjell ndër breza janë të mpleksura fort rrënjët e fatit kolektiv të një kombi, dramat etnike dhe kthesat epokale, sidomos në kohëra udhëkryqesh të trishta, siç kanë qenë njëra pas tjetrës kohët në këtë visin tonë ballkanik, plot luftëra e trazime kolektive.

Ka poetë që vijnë nga sallat e auditorëve, mbushur dëng me leksione dhe trashëgimi të urtësh, ka të tjerë që vijnë nga përvoja jetësore, nga vazhda e atyre gjurmëve të mbetura në kohë nga mjekërthinjurit, në të cilat ata kanë rendur me nxitim, duke lënë pas shenja të ardhjes së tyre. Por ka dhe poetë që i kanë të dyja: kulturën e leximeve, atë tjerrje të gjatë filozofike, etike, poetike ku përfshihen njerëzit e veçantë dhe mendjet e veçanta, por njëkohëshisht dhe sprovat jeësorë të përvojës,  të cilave iu shtohet dhe një element tjetër, që e fisnikërion akoma më shumë racën e poetëve: të qenit aktivë me armë në dorë në luftën e radhës, në qëndresën e radhës, për liri e dinjitet shoqëror.

Nëpër këtë rrugë të vështirë dhe plot befasime ka ardhur në letrat tona kombëtare poeti nga Drenica, Ajet Shala, i cilësuar si aktivist i palodhur në kontributin për Bashkim Kombëtar, pjesëmarrës aktiv në luftën e Kosovës, njeri i mendimit epiko-lirik të një poezie kualitative, siç është dhe njeri i aksionit dhe vepprimit atdhetar.

Vetëm gjatë vitit 2013, falë përkushtimit në 101 vjetorin e Pavarësisë, Shala ka botuar tre vëllime me poezi, “Në krahët e mjellmës”, “Atdheu brenda vetes”, dhe “Plisi i dheut dardan”, të cilat pasi i ka promovuar në sallën e Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, para të pranishmëve, miqve dhe familjarëve të tij, kanë bërë rrugëtimin e tyre drejt lexuesit të botës shqiptare, drejt qarqeve letrare të Tiranës, Shkupit e Pristinës, ku janë mirëpritur.

Shala e e quan rrugëtimin artistik si pjesë të rrugëtimit njerëzor, si një emocion vetjak që nuk mund të mbahet brenda unit, por duhet shumëfishuar, që të mund të bëhet pjesë e emocioneve të botës shqiptare, të kombit tonë.

Portreti estetik i një autori ka qasje drejt shumë elementëve të formës e të përbajtjes, të strukturave të brendshme dhe risive që ai tenton të përcjell në raport me të tjerët, por ajo që është e dorës së parë dhe që përcakton fatin e një poeti mbetet dimensioni estetik, këndvështrimi me të cilin ai e kundron realitetin, përditshmërinë, kujtesat që e shtyjnë drejt objektit poetik.

Ajo që duket se është krejt e veçantë dhe autentike në veprën poetike të Shalës është vizioni kombëtar, i zbërthyer në funksion të unit dhe përditshmërisë.

Shala, në thelb, duket se është poet tradicionalist, pasi shumica e poetëve të  angazhuar me çështjen kombëtare kanë qenë në rrjedhat e traditës; çdo risi e tyre ka qenë pjesë e kredos atdhetare, pjesë e botëvështrimit patriotik dhe impulseve meditativo-lirike-epike, që ka mbajtur gjallë prushin e talentit dhe të kredos së tyre. Në këtë pikëpamje, duket se poezia e Shalës vijon të jetë në gjurmët më të mira të traditës poetike shqiptare, në ato hullinj ku kanë lënë shenja poetët më në zë të botës shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë, në Mal të Zi, ndër arbëreshët e Italisë e të Greqisë, në diasporë e kudo, në të gjithë hapësirën ku flitet shqip dhe gjallon me fuqinë, elegancën, sharmin, magjinë komunikuese, madhështinë dhe freskinë mrekullore, fjala e gjuhës sonë.

Të qenit emigrant, siç del nga shumë vargje, strofa dhe poezi të tij, ia bën Shalës edhe me të shenjtë fjalën, amanetin, kodin e nderit të burrit, që jeton për hir të kujtesës, për hir të kohë-hapësirës së lirisë, ku endet malli, dashuria e kryqëzuar dhe e ringjallur, si kryefjalë e procedimit estetik. Kjo endje, midis trazimeve, mallit, idilit, mungesave, përjetimeve të dhimbshme, dashurive të mbetura në kohë pa kthim, kjo endje gati mitologjike, në ferr-parajsën e një kujtese të mohuar, është alfa dhe beta, shkaku dhe pasoja e atij komunikimi të vrullshëm, që e shtyn Shalën drejt lexuesit të tij.

Nëse në vëllimin poetik “Në krahët e mjellmës” Ajet Shala, kërkon të tejkalojë vetë kohën, moshën dhe ëndrrat, duke shpërthyer në një laryshi ngjyrash e dritash dehëse e provokuese, tek “Atdheu brenda vetes” tenton të shkrijë në një unin dhe jashtësinë e tij, në një rrekje të lakmueshme për të zbërthyer dialektikën hegeliane “të sendit në funksion të idesë”, me një shprehësi poetike që vjen duke e ngritur kurbën e valëzimit poetik. Tek përmbledhja me poezi “Plisi i dheut dardan” duket se depërtimi në simbolikën atdhetare në penën e Shalës është më konkret, më i prekshëm dhe më i figurshëm në të njëjtën kohë, teksa dhe mjetet shprehëse, figurat dhe stilemat poetike bëhen më tendencioze, më dinamike dhe më të vrullshme në procedimin poetik. Epizmi, lirizmi dhe dramtaizmi shkrihen bëhen njësh në poezitë e Shalës, tablotë lirike mpleksen me fatet e personazheve epikë, drama individuale e vetmisë dhe pamundësisë shkrihet me dramën kolektive të ndarjes artificiale mdis shqiptarëve; pjesët e kujtesës ku përfshihet emocionalisht poeti, duke qenë një luftëtar aktiv i UÇK-së, shkrihen në kujtesën e përgjithshme, në tablotë e luftës dhe të paqes së tokës së tij, që ka rilindur si Feninski nga hiri i kujtimeve të hidhura.

Në këtë kuptim, ta keshë atdheun “brenda vetes”, siç e ka ka Shala, do të thotë që poeti gjen tek çdo shenjë e kujtesës një simbolikë kombëtare, që tek lufta e Preshevës, tek “eksodi drejt lirisë”, tek “masakra e Reçakut”, tek “marrshi i martirëve” të kryqëzuar, që kërkojnë një copë qiell nën tokë, etj. Është një endje biblike përtej të zakonshmes. Është një shumëfishim i atyre jehonave që i vijnë poetit në kokë që nga prehistoria,  shumëzuar me datat, dëshmorët, luftërat, zhgënjimet, dashuritë e vrara, iluzionet e thërmuara nga klanet nepotike të paqes etj etj. Në këtë pikëpamje, tek Shala nocioni i atdheut dhe lirisë bëhen kumte të një fiksacioni poetk, përgjatë një kërkimi poetik befasues, ku sundojnë figura të gjalla, një kolorit gjuhësor i beftë dhe impulse të fuqishme shpirtërore, plot dehje ideo- emocionale.

Kosovë o kështjella ime e dashur arbërore

Ngritur mbi themele të një kulture epokash

E ndërtuar nga mjeshtër me duar hyjnore

Me gurë të skalitur nga mbretër në kohëra.

Bota shqiptare, me farfuritjet, dritëhijet, magjitë e një bukurie të virgjër, pasionet dhe dramat e përplasjet njerëzore, vjen në krijimtarinë poetike të Shalës me shpalimin e gjithë spektrit të ngjyrave të jetës, gjallërinë dhe vrullin e vektorit të së drejtës, të së bukurës, të së madhërishmes, përballë rënies, shëmtimit dhe zvetënimit të veseve njerëzore.Është një botë virgjine, e thyer, vertikale, disi trandenshente, ku në humnellën e saj vërtiten si një karusel gjigand pasionet dhe brengat njerëzore, veset dhe ligësitë, heroizmi dhe besnikëria, dashuria për jetën dhe gjithçka e bukur që gëlon në mendjen, shpirtin dhe jetën e gjallë njerëzore. Nëse në poezi Topollaj ka një komunikim refleksivo-sugjestiv, ku zotëron një lirizëm i ngrohtë e spontan, teksa përzihen tradita me modernen dhe postmodernen dhe poeti zhbirilon anët e errëta të dhembjes njerëzore, i ngre ato në art, duke ndërtuar portretin e Unit të tij dhe të shpirtit kolektiv të bashkëkohësisë, në prozën e tij zotëron rrëfimi i shtruar dhe i ngjeshur, ku shkrihet monologu dhe dialogu, rrëfimi në linjë horizontale dhe thyerjet e digresionet në kohë.

Shala duket se i kundron objektet e tij poetike në brendësi të tyre, duke zbuluar dritëhijet, dramën dhe dyzimin që ato përcjellin. Poezia e tij është një poezi spontane, e shtruar dhe e thellë, herë herë ajo rebelohet, por në asnjë rast nuk thërret, siç ndodh me poezinë retorike dhe shabllone.

Poeti Ajet Shala nuk është interesant dhe aq për kualitetin e njësisë poetike (edhe pse ky kualitet është në nivele të kënaqshme) se sa për sinqeritetin tronditës, për gjallërinë e imazheve, për freskinë e gjetjeve, për lokacionin e mesazheve, për gjallimin në çdo varg të asaj që Karl Gustav Jung mund ta quante “imazh primordial i shqiptarisë” dhe që është ajo që e bën poezinë e tij të jetë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, me kreativitetin e duhur të shprehjes dhe të mendimit poetik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora