E marte, 30.04.2024, 12:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Sadije Aliti është e ''falur''

E shtune, 03.05.2014, 06:22 PM


SADIJE ALITI: ËSHTË “E FALUR”, PËR VARGJET E SAJ TË BUKUR  POETIKË…

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.

Kur po  qëndronim në mjediset e Hotelit “Livia“ të kryeqytetit, së bashku me kolegun e mikun nga Borasi i Suedisë, Sokol Demaku dhe shkrimtarin e njohur Viron Kona, aty erdhën dy mike  shqiptare, nga Tetova, Sadije Aliti dhe Mensure Ilazi. Siç ndodhë zakonisht ndërmjet krijuesve, menjëherë e gjetëm gjuhën e përbashkët. Pra, nisëm bisedat për  botimet e ndërsjellta. Por, si ta thuash, në këtë rast, “dollibashi” ishte pikërisht Sokoli. Pas botimit të librit për fëmijë, “Djali dhe tigri”, shkruar nga autori suedez  Lars Westman dhe që ai e kishte shqipëruar, e lëshoi menjeherë  “kushtrimin” në të gjitha trojet shqiptare, sapo erdhi nga Borasi i Suedisë, ku jeton e punon tash sa vjet. Pra, do të niste shpërndarjen falas të 1.000 kopjeve të atij libri.  Kështu, ndër të parët, që arritën ishin pikërisht këto dy mësuese tetovare.

Me pak “qortim” në vetëvete, që nuk kisha patur rastin më parë të lexoja poezi të Sadijes, ajo më tregoi se, deri tani, kishte publikuar shtatë libra të tillë. Me një shënim të saj dashamirës, ajo ma dhuroi vëllimin poetik, “A do t’më falësh, nënë”(Tetovë, 2012). Me këtë rast, mësova diçka më tepër edhe nga jetëshkrimi i saj.

Ka lindur në fshatin Gllogjë, ku dhe kreu shkollën fillore. Më tej, e mbaroi Gjimnazin në qytetin e Tetovës. Me dëshirën për të marrë arsimin e lartë, ndoqi dhe përfundoi degën për gjuhë e letërsi shqipe, në Universitetin e Shkupit. Tani ajo është e regjiustruar aty    kursin pasuniversitar, po për këtë degë. Në vitet 1999-2001, shërbeu mësuese në shkollën fillore “Asdreni” të vendlindjes dhe, më tej, 12 vjet në shkollën e fshatit Tercë. Ndërkohë, në vitet 2009-2010, ishte asistente në katedrën e gazetarisië të Universitetit të Tetovës. Ndihmesë të çmuar dha ajo në kurset e gjuhës për femrat e komunës së Tetovës, punësuar  atje në institucionet shtetërore dhe financuar nga IOM, në përiudhën shtator 2002-maj 2004. Mësime të tilla në gjuhën shqipe dha ajo edhe në vitet 2005-2007, për studentët e komunës së Tetovës e të rrethinave të saj, kurse per jo shqiptarët. Që në vitin 1991, ka qenë  bashkëpunëtore e gazetës në gjuhën shqipe “Flaka”, e Radios “Bleta” dhe gazetare e rregullt në “Fakti” (maj 1999-dhjetor 2010).

Që nga viti 1993, Sadije Aliti është dalluar për veprimtarinë e saj të pandërprerë në disa projekte dhe organizma shoqërore, sidomos në ato për gratë e vajzat, mbështetur nga fondacione të ndryshme etj. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar tema me interes në konferenca e seminare dhe veprimtari të larmishme jashtë vendit, si në Gjermani, Tiranë, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Stamboll e Izmir etj. Për tërë këtë veprimtari aktive dhe të frytshme, ajo është zgjedhur në forume të ndryshme në shtetin, ku jeton dhe është nderuar me disa Mirënjohje e ka marrë çmime të merituara.

2.

Siç është e kuptueshme, puna mësimdhënëse dhe përvoja e gjerë jetësore, kanë bërë që Sadije Aliti t’i shprehë mendimet e ndjenjat e saj, jo vetëm me artikujt e shumtë në shtyp e në radio, por dhe i është përkushtuar krijimtarisë poetike. Libri i parë i saj doli në qarkullim më 1996, me titullin “Koha blu”. Më tej, botoi librat tjerë me poezi: “’Dasmë  zanash” (Tiranë,2000),”Vallëzim parajse”(Tetovë, 2002), “Fjalë të heshtura”(Tetovë, 2006)”Valixhe kujtimesh” (Tetovë, 2008) “A do më falësh, nënë”, (Tetovë, 2012),  “Dritë Dashurie”(2014, Bukuresht), vëllim poetik, përkthyer në gjuhën rumune. Po kështu, ka botuar monografinë “Shkëndija është një dhe mbi të gjitha” dhe monografinë tjetër, “Sporti na bashkoi”(2012), ku  është bashkautore.

Tani kam ndër duar librin e përmendur më lart, “A do më falësh, nënë”, i cili më sjell ndjeshmëri të veçantë, që në titull dhe më ngjan se më bashkon diçka e brendsshme me këtë autore tetovare. Kjo, sepse nëna mua më la jetim, që në moshën 4,5-vjeçare dhe prej saj nuk ruaj asnjë fotografi. Prandaj, megjithëse nuk jam poet, pak vite më parë shkrova vjershën “Silueta”, e cila është publikuar edhe në përmbledhjen poetike, kushtuar nënave, “Karvan dashurie” dhe që është përgatitur nga Ilirjana Sulkuqi, me banim në Nju Jork.

Libri i Sadijes përmban 121 poezi dhe, në fund, recensionet e shkruara nga Rami Kamberi e Nexhat Rexha.  Ato janë ndarë në tre cikle, që lidhen harmonikisht me njëri-tjetrin: “Ditari i Atdheut”, “Ditari i fjalës” dhe “Ditari i dashurisë”.  Sipas datave në fund të tyre,  poezitë janë shkruar në vende e vite të ndryshme, pra në: Ohër e Strugë, Gostivar e Kumanovë, Prizren e Vushtri, Shkup, Tiranë, Vlorë, Korçë e Durrës, Gjenevë, Stamboll e Bursë, Zyrih e Bernë, Padovë, Vjenë e Budapest etj.

Si një formë përkushtimi, libri hapet me “Ditar i ditareve”, ku shkruhen këto radhë: “Miqtë e mirë, çdo herë, janë si yjet e qiellit,/ nuk i sheh gjatë një shekulli,/ por e di se ata një shekull janë aty,/ pranë teje…”. Meqenëse autorja e ka vendosur titullin e tërë librit, nga ai i poezisë së parë, vetëm po riprodhoj këtu disa vargje dhimbjeje e malli të pashuar të saj për Nënën:”Pranoj se nëna është vetëm një,/ që çdo herë e falë atë që e lindi,/atë që i dha dritë e jetë në këtë botë./A do më falësh, nënë,/ për jetë të jetëve?” Ndërsa në poezinë “Pse s’u bëre mëmë?” shpërthen me dufin e zemrës, ndaj një faji të dikujt tjetër, për mosbërjen nënë: “Sa dëshirë pate të thirresh nënë,/ ëmbël e bukur tingëllon kjo fjalë./Por ajo thirrje, ai zë mbeti larg./…U përgjërove para çdo gjëje,/ vetëm e vetëm të bëhesh nënë”.

Poezitë e kësaj autoreje  janë “të ngarkuara” me emocione dhe mendime përgjithësuese, të cilat e mbajnë afër  lexuesin:” Për të lumturuar të tjerë,/ duhet të jeshë vetë i lumtur”.(Poezia “Liri burgu”). Njeriu i përjeton të gjitha, ai sikur dehet nga çdo gjë, prandaj në poezinë me këtë tematikë, renditë shumë ndjeshmëri të tilla, duke nisur me vargjet: “Njeri çdoherë i dehur,/ shumë çaste i dehur:/Dehje nga gëzimi,/ dehje nga dëshpërimi,/ dehje nga dashuria,/ dehje nga ashpërsia,/ dehje nga xhelozia,/dehje nga mërzia.,/ dehje nga skamja, dehje nga pasuria…”. Poetja ka një mision fisnik dhe prandaj shkruan, në “Buzëqeshje dite”:“Dita e re është planifikuar,/ shpesh nga të tjerët;/ mua më mbetet obligim,/ që ta kaloj me dashuri e buzëqeshje”. Ndërsa te “Prcjellje porosie”: Misioni i artit/ kënga të jetë poezi” dhe, më tej, te poezia “Zbardhim imazhi” shkruan: “ Ndjenjë e mirë, kur dikush/ të kujton për ditë të mirë/ e punë të mbarë…”.

Me po këtë ritëm dhe ndjenja vazhdojnë poezitë e  dy cilkeve të tjera. Koha e shkuar nuk kthehet më dhe këtë poetja na e pohon me vargjet: “Kujtimet u tretën në këtë ditë,/për atë dashuri,/ perëndoi bashkë me diellin e ëndrrën” (Poezia “Të gjitha perënduan”). Kurse te poezia “Kohë të dala mendsh”: “Dhimbja e ndarjes së madhe/ nuk besoj të kthehet”.Prandaj na flet ajo në një poezi tjetër: “…për të thënë fjalën e pathënë,/ por vetëm me shikime,/ për vrullin e dashurisë së thyer” (“Dasmë  aristokrate”).

Në shumë poezi të këtij vëllimi, si të gjitha femrat krijuese, Sadija i këndon me ndjenja të bukura dashurisë njerëzore. Ja, te “Ujëvarë dashurie” shprehet: “E bukur nga natyra,/ e bukur nga dora, /panoramë magjepse,/me ujë kristali shumëngjyrsh…”. Ndërsa te “Kallëzim përrrallor” shkruan: “Të ftoi me yjet,/ mori lule të vizatuara në kaltërsi”. Por jeta ka edhe ndarje, dhimbje e lotë: “Valët e liqenit vijnë e shkojnë,/ bartin e sjellin mbeturina,/ të çdo fare e soji./ Mbeturinat e një dashurie/ dhembin e copëtojnë…”.(“Kur  je duke pritur”). E, po kështu, te “Ishte vetëm një lojë nate”: “Ngatërruan shkronja e fjalë,/ ishte një rastësi njohjeje…”.Ndërsa në  një tjetër poezi: “ Mbaroi loja e pafilluar,/ ëndrra e gjumit të pafjetur”(“Dashuria magjike”).

Sidomos, te cikli “Ditari i dashurisë” autorja vazhdon të “zërthehet” e të flasë për këto ndjenja, të pastra e të çiltëra. Pa i përmendur të gjitha, shënoj këtu vetëm pak vargje të një poezie, si për t’i përmbyllur mendimet rreth ktij vëllmi poetik të Sadije Alitit. Aty, ajo shkruan: “ Dy sy të bukur,/ vjedhurazi shikojnë,/ asgjë nuk flasin,/ vetëm rrinë në heshtje,/ edhe heshtja tregon dashuri”( “Sy të bukur”). Prandaj, mendoj se është i përligjur edhe titulli, që i vura këtij shkrimi modest për atë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora