E diele, 28.04.2024, 08:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Parabola infinite

E marte, 29.04.2014, 07:00 PM


Parabola infinite nga një rreze drite me spektra të veçantë

(Refleksione nga  novela  “Vajza që trazoi jetën time” të Lulzim Hajdarit)

Nga Vladimir Muça

Shpesh herë jemi mësuar që krijuesit t’i kërkojmë në promovime të bëra me shumë bujë , fanfare e pompozitet, të servirur bollshëm në tavolina të tejmbushura me lloje të ndryshme asortimentesh, ku në mbllaçitjen e byreçkave,sallamkave,  djathrave, shoqëruar me gllënka vere, të dëgjojmë kuturu dhe ndonjë fjalë lavdëruese, apo premtim publiciteti. Harrojmë se ata krijues të çiltër, fjalë pak, me atë librin e botuar me mundin e njëqind e një problemeve financiare e kemi midis nesh në atë varfërinë e radhëve tona. Një libër i tillë, i shumëpëlqyer nga lexuesit ( ky libër i Lulzim Hajdarit është botuar tre herë) më ra në dorë rastësisht në një festival, takim mes krijuesish.

“Vajza që trazoi jetën time “, një libër novelë, me një titull paksa intrigues në trendin letrar të rinisë së sotme. Por mua më shumë më befasoi sinqeriteti dhe reagimi i autorit të novelës , krijuesit  Lulzim Hajdari kur i bëra pyetjen provokative: “ Mos vallë kjo novelë është pjesë e jetës tënde?” Ai m’u përgjigj :” Eshtë shumë më e gjërë se një jetë!”  Ishte shumë e vërtetë përgjigja e Lulzimit. Hapja e rrëfimtarisë me letrën e Anilës si një introdukt prozaik e cila në vet- vete është një amalgamë e disa shkak- pasojave ndjenjësore e të raporteve të  ndërsjellta të respektimit të ndjenjave e konvulsionit të tyre si paradigmë mbi të cilën do të rrjedhin shumë shira e shumë diej do dalin mbi të.

Që në hyrje, novela ngërthen e kërkon të shkoqisë një lidhje mes një vikame  të një dashurie vajzërore edhe tingujve ujvarë të një dashurie djaloshare që gjumërin honeve të jetës diku mes një irealiteti të dytësuar në racionalitet, trajtëzuar në nocionet e një rrisku filozofik të jetës, jo aq shumë rastësor në vitet 1997, në një trafik galopant të qenieve njerëzore. Hajdari në rrëfimtarinë e tij, paksa të fragmentizuar, na tejçon me udhëtimin e tij në një gjeografi të paramenduar ku shtjellohen fatet e njerëzve në momentet më kulminante të jetës, të dashurisë e lidhjeve në krijimet familjare, mes problemeve fondamentale shoqërore dhe të parantezave  jo të rendësishme, por që kamuflohen nën petkun e problematikës e të lidhjeve si rastësore me jetën.

Autori e realizon gjithçka me një gjykim e finesë , si në gjuhë dhe në figuracion artistik ku: “Në këto moment ajo më hynte në gjak më shumë, më pëlqente, më dukej më e padjallëzuar, e drejtë, sikur çdo gjë që dëgjonte ose tregonte, ta thonte ashtu drejt e pa e zbukuruar, pa e dredhuar, çekani i saj nuk çukiste larg e larg, po hynte drejt e në temë.” Ndaj novela” Vajza që trazoi jetën time” lexohet me një frymë, qoftë për rrjedhshmërinë e lirëshmërinë fonetike të të shkruarit, por dhe nga futja e introdukteve  ditarorë, të cilët të fusin në një fikcion, në një intrigim dhe misteriozitet i cili të bën të mos i shqitesh leximit gjersa gjykimit t’i  gjesh “ fillin e kallamit”.

Sigurisht që kjo vjen ngase me dy linjat filmëzohen përjetime të ndryshme dashurore me synime përjashtuese ndaj njera tjetrës, por që kanë një objektiv të përbashkët. Në këtë kontekst ,autori i’a lë evazive lexuesit pyetjet: “Çfarë kanë të përbashkëta e të veçanta këto dashuri? Në çfarë mardhënie  janë ato në kontekstin shoqëror, komunitetin, traditat etno- kulturore e zakonore?”

Këto janë dhe fondamentet pyetsore që e ndjekin lexuesin kapitull pas kapitulli, duke ia kthjelluar mendjen në proçesin atraktiv të rrëfimit, e t’i zgjidhë po vetë këto pyetje ,-- ngulmon autori në këtë narracion evaziv. Mbasi e ke lexuar novelën “ Vajza që trazoi jetën time” , gjëja e parë që vëren është : rrëfimtaria në planin kompozicional është e thjeshtë e harmonike, me gjithë që kemi dy linja në kondraditsion, prap, në aspektin stilistik krijohet një korsi e mesme ku makina e mendimit kalon herë djathtas  e herë majtas, por duke iu shmangur gjykimit se gjithmonë kur dalin devijime, ka vetëm një korsi në mes që ka përparësinë e lëvizjes drejt përpara.

Në këtë ecuri narrative, thjeshtazi, ngjarjet e novelës ndërlidhen lirshëm, kalojnë nga një habitat e kohë, në një kohë e habitat të ri, hera – herës duke përmbysur dhe kokë poshtë, por dhe duke u ngritur si bedenat e një kalaje, megjithëse goditet nga shumë gjyle, qëndron kryelartë  për atë çka mbron.  Në të ndjesitë e Agimit, Almës, Laurës, si në përditshmërinë tonë që kalojmë, shpalosen si në reflekse kontraverse, si të çuditshme, si në thashethemnajë, si një reagim i shoqërisë në një vagulli marramendëse, duke u shkoqitur me anë të fantazisë së autorit.

Sado ndjesitë, në dukje kontraverse, me një përjashtueshmëri ndaj njera tjetrës në planin moral e filozofik, çdo gjë funksionon në mënyrë të njehsuar. Nëpërmjet labirintheve rrëfimore, autori gjen shtigje dhe hapësira  për të na futur në ato kopshtije të brishta shpirtërore, të cilat sa janë reale, e na përkasin dhe neve, po aq na duken ç’përfytëruese, duke tejkaluar kufijtë e mendësisë sonë në gjykimtari.

Në novelë kjo lakushmëri mendimore krijon ndjesitë e thella tek lexuesi duke e përballur me një botë ku përplasen ëndërra dhe zhgënjime, ku ngjarja konkrete , racionalja dhe e dëshirueshmja iracionale, bashkojnë ujërat ashtu si Drini i Zi dhe Drini i Bardhë , në kaskadën ujë- mbledhëse, për një energji potenciale shpirtërore në zgjidhjen e ngërçit shoqëror. Në romanin “ Rrëfimi për dashurinë dhe errësirën “ shkrimtari çifut, kandidati për çmimin Nobel, Amoz Oz , për familjen dhe qëndrimin ndaj saj është shprehur : “ Familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksi në botë, më i çuditëshmi në botë dhe më interesanti në botë. Në qoftë se do më jepnin mundësinë të zgjidhja mes dy dëshirash, mundësia e parë që të jem në satelitin e parë që do të shkojë në planetin Mars dhe mundësia e dytë që të kaloj  një ditë të vetme dhe një natë të vetme në shtëpinë e cilës do familje, nuk ka rëndësi se kujt familjeje, si një mizë në mur, unë do të zgjidhja të isha miza dhe jo astronaut. “

Lulzim Hajdari me prototipin e Agimit, duke patur si hajmali këtë sentenceë psiko – analitike për familjen të Amos Oz – it , ka zgjedhur të preferojë  të jetë qoftë edhe një mizë në familjen e tij, ndonëse në limanin familjar tërmetet e një dashurie të parme sjellin cuname shpirtërore.

Zgjedhja evazive që autori i ka bërë novelës përkon me konceptet e Amos Oz- it, çifutit të famshëm mbi institucionin e familjes.

Novelisti Hajdari duke zhbiruar nëpërmjet ditareve të Agimit e të Anilës, të ngjarjeve  dhe fenomeneve që bëjnë transfigurimin e tyre, bën historinë e familjes të vjetër e të re,të njerëzve më të afërt e më të dashur,duke ndërthurur një univers ekzocentrik, sa konkret aq dhe me një lidhëshmëri shpirtërore. Në kontekstin didaktiko – familjar autori evidenton vështirësitë në vendosjen e ekuilibreve, përcaktueshmërinë e atij mesi të artë, ku pluskojnë ndjesitë dashurore, detajet e harmonizmit familjar, momentet befasuese e të paharueshme të jetës në të shkuarën e të tashmen.

Kjo ortografi mendimore e prozatorit vjen nëpërmjet shkronjave, në kapitujt e fundit të novelës si një momografi   e subkoshiencës të Agimit, Lauretës, e qartë, me parabola infinite, të dala nga një rreze drite por me spektre të veçantë. Hapja drejt një bote të lirë , globaliste, nga autori, dualizmi shpirtëror i Agimit, Anilës dhe Lauretës, parafytyrohen jo në dritë – hijet e parafytyrimeve të rreme, as nuk na çon drejt shtigjeve të një Kazanove , si një skllavëri sociale ose një vetëskllavëri e njeriut të sotëm, por ai ruan ballancat e ndjesive si një shoqërim i ndjenjave nga më të çiltrat e më të madhërishme të njeriut.

Këtë novela , gjer në këtë stad tregimtar e ka kryer më së miri. Letërsi me funksionin e saj të shenjtëruar është kryer tek njeriu, ndaj dhe një mbyllje e tillë ndonëse në formatin e një sinopsi , me dy kapitujt e fundit vijnë si një blen i dytë novelistik. Ajo të mban në fikcion , duke  të tërhequr me një fuqi magnetike, drejt zbutjes të një digresioni shpirtëror, të një dashurie universale.

Tashmë, Agimi e di mirë ( autori) se urrejtja në dashuri është një vetëshkatërrim i të dashuruarve. Dashuria është një kontekst jetësor përtej çdo cmirësie e dashakeqësie, është një nevojë e subkoshiencës njerëzore në optikën e humanizmit social. Lulzim Hajdari në ekzaminimin e teknikës rrëfimtare ka marrë nga estetika studimore e Patricia Cohen, të njohur si “ stili i lirë indirekt” i cili përzien zërin e personazheve ( rrëfimet me ditaret) me rrëfimtarinë e autorit. Ky stil, sipas Cohen e aftëson lexuesin për të përjetuar dy – tre proçese mendore në të njejtën kohë.

Në këtë mënyrë leximi i kësaj lloj proze letrare ndihmon me altruizmin si mbisundues pavarësisht geneve egoiste të shfaqura. Kjo i lë më shumë hapësirë llogjikës shoqërore, duke evidentuar universin dashuror të njeriut.

Vetëgjyqësia në subkoshiencë që  bën Agimi dhe Laureta vetes për atë dashuri të “ çmendur” që s’u shqitet nga mendja ditë e natë, ku rrezatimi i hijeshisë femërore lind e ushqen gjer pasione të çmendura. Ndaj dhe në planin psiko – analitik, duke u mbështetur tek sentenca filozofike e Senekës se “ Një grua e bukur është një mallkim për atë vetë dhe për atë që lidhet me të” , autori e angazhon në kuadrin e një katarsisi shpirtëror me një psiko – terapi. Jeta duhet jetuar, jeta pa lidhje të qëndrueshme nuk reflekton ndjesi të lakmueshme shpirtërore.

Problemi, shtron autori , nuk është problem i një çifti por është vetë problem i jetës. Autori me kontrapunkt e shpërngul të bukurën si në një det me dallgë, herë me të bukurën e ndjenjës shpirtërore, platonike, e herë me kanunoren e lidhjeve fisnike, zakonore, duke lënë disi mënjanë estetikën e tmerrshme të së bukurës panoramike. Teksa lexon këtë novelë më shfaqet në titrat e mendjes koncepti tipik i Dostojevskit: “ Nuk ka asgjë më fantastike se realiteti”. Dhe kur rikujtojmë ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997, më vjen në mendje një sentenceë filozofike e Luis Borgesit kur thotë se: “ Tashmë nuk i ngjet letërsia jetës, por jeta i ngjet letërsisë.”

Ndaj sa herë që lexoj proza të kësaj kategorie, jeta e banorëve të Kukësit, buzë Komanit, rrëzë Gjallicës më përqaset si një libër i shkruar, si një novelë, pse jo dhe diçka edhe më gjërë.

(Durrës prill 2014, Vladimir Muça, Poet, studjues, Nënkryetar i K.Sh.A Durrës, E- mail : vladimir_muça@yahoo.com)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora