E hene, 29.04.2024, 03:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Mato: Shpella ime detare

E hene, 28.04.2014, 05:50 PM


Agim Mato

 

SHPELLA IME DETARE

 

Një shpellë detare,  me foletë e  pëllumbave të egër në

 krye,

me valët që llokoçiteshin në të

si frymëmarrja e detit,

me pllakat shkëmbore të bardha borë,

me plazhin sa një oborr i vogël, 

ishte limeri ku strehoja fantazinë time fëmijnore.

 

Shkrova atje emrin tim si një tabelë

që askush të mos ma zinte.

Në të çarat e pareteve të shpellës

plot me kristale shëllire,

ruaja gargale, patla, iriqë deti,

guaska të errëta,

si hajmali

dhe një libër të vogël që fliste për mitet e udhëtarët e

mëdhenj të detrave.

 

Tetis, Poseidoni, Odiseu, Simbad Detari,

Polifemi, Kolombi e Magelani

vinin e më takonin fshehurazi të tjerëve te kjo seli e

    ëndrrave të mia.

 

Atëherë Trëndafili i Erërave lulëzonte brenda meje.

 

Kur prapësitë e jetës

ma sillnin në majë të hundës

dhe doja të shprazja lotët,

i thoshja nënës:

“Do të shkoj te shpella ime!”,

sikur t’i thoshja:

“Do të shkoj te shtëpia ime!”

dhe ikja pa e parë në sy

merakun e saj.

 

Mbyllesha te kjo shtëpi

me mure transparente prej deti të kaltër,

e ngritur mbi shkulme drite, mbi vela ëndërrash,

mbi barkën  mitike të Odiseut,

me kacekët e erërave të Eolit mbi krye,

me themelet e baticave dhe zbaticave,

me dritaret e  hapura drejt galaktikave,

me trishtimin që s’më ndahej

dhe lotët, që detin e bënin më të hidhur.

 


LIMJA

 

Çahej mëdysh deti kur Limja futej në garën  4x100.

Hidhej si delfin përpara  dhe valët,

që krijonin elikat e krahëve të tij ,

kapërxenin shpatullat e gjera,

rrëshqisnin si vorbuj 

dhe vështirësonin notimin e të tjerëve që vinin pas.

 

Shputat e këmbëve rrihnin  me një ritëm  elegant,

të njëtrajtshëm,

sikur në to të ishte ndezur një motor me dy kohë.

 

Nuk e nxënte korsia. Edhe kur notonte në shpinë

edhe kur çante me stil të lirë, (me krol,

siç thonë në Sarandë),

çlirohej një energji që shkumbëzonte dritën e detit

dhe brohoritjet entuziaste të tifozëve të shumtë.

 

Kur thyhej rekordi i 4x100-shit

këto brohoritje

ngjiteshin në ekualiptet e larta të Plazhit të Ri

dhe binin pastaj me breshërimë

si ca rruzuj ajri të kaltër,

që çaheshin mbi platformën  e zadrës,

ku juria  shpërndante titujt.

 

Kampioni ishte Limja.

 

Adhuronjësit e vegjël e ndiqnin me vrap në bulevardin

      buzë detit,

shtynin në rrëmujë njeri tjetrin

dhe arrinin të preknin trupin e tij të madh

që lëkundej si një gafore gjigante,

duke dridhur  ajrin e xhamat.

 

P

INJOJ TË ARMIQVE

 

 Në këndin ku u afishuan të drejtat e studimit

kërkova edhe unë emrin nëpër lista.

Gjëkundi. M’u zbardh shikimi, m’u morën mentë në

diellin e egër të korrikut

dhe zbrita duke ngashëryer pranë detit.

 

“Kërkon kallëza në dëborë”,  më thanë,

kur trokita në derën e komitetit ekzekutiv.

U fola, duke belbëzuar, për poezitë, për një libër. Qeshën

            me ironi. 

Ma mbyllën derën dhe më nisën në zyrat e rekrutimit.

Atje më morën lirinë që ëndëroja, më kontrolluan

lakuriq dhe më dërguan 

ushtar në një ndërmarrje bujqësore ushtarake.

 

Shpyllëzonim malet për të hapur toka buke.

Në Qafën e Gjarpërit,

në Gurin e Prerë mbillnim patate, flinim poshtë shiut dhe

 borimës nëpër çadra. 

Hunda e Tomori përballë  shfaqej pas një dritareje reshë.

 

Ishim larg botës, filmave, librave, muzikës,

në ca kurrize malesh ku askush nuk shkelte.

 

Si duhej të ishin femrat atje poshtë? Si visheshin?

I kishim harruar linjat dhe kurbat e trupit të tyre.

 

Pak nga pak, pranë fatit të djemve  si unë,

u mësova të mendoja ndryshe. Na rreshtonin dhe

ndonjërit prej nesh i hidhnin prangat, 

të mos harronim se  ç’ishte diktatura. Dy të tjerë, të

terrorizuar, 

braktisën  çadrat dhe të nesërmen erdhi lajmi i arratisjes.

 

Rronim me frikën se mos i kapnin. Komandanti

bubullinte sipër nesh predikimin e tij:

“Pinjoj të armiqve! Bakterie parazitare!

Ka perënduar koha juaj! Nuk keni ku shkoni! Ulni

kurrizin!”   

 

Atëherë u vumë në pritje të ndodhive të reja.

Na rreshtonin në shi me gavetën në qiell të hapur

dhe na bënin orë e çast apelin.

 

Ndodhitë pëlcisnin si flluska

me pak frikë dhe pak vdekje.

Na linin mes një drite të verbër në majëmale mjegullash,

na shkonin mes përmes tehut të poshtërimit,

në ankthin e pasigurisë, mes rrëqebullit me sytë e

ndritshëm si të maceve,

na ndëshkonin ëndërrat dhe udhët.

 

Mes greminash ku rritej salepi

 shkonin ditët tona. Halat shponin cipën e

durimit, hijet e drurëve ishin kufiri i liridaljeve.

 

 

Kur hoqa kambalet dhe ju qasa shtëpisë sime i ndryshuar

krejt,

nëna si një e verbër më hetonte mes  cipës së lotëve,

 prekte mbresat e vuajtjeve, të çarat brenda meje,

zërin e tjetërsuar nga kalvari i parë i jetës.

 

I thashë, po iki të çmallem me detin,

të mbush me të zgavrat e boshatisura

të guackës së shpirtit tim. 

 

 

DUART E TATËS[1][1]

 

Në ditët e para të burgut shihte se si i tretej nga duart

bromuri i  argjendit

ngelur nga dhoma e errët e laboratorit të tij fotografik, 

si i zhdukej nga poret pluhuri i shkumësave

dhe  lëkura i  bëhej gati sterile.

 

Duke i lëvizur duart si dy kafshëza nervoze,

të cilat nuk ndjeheshin në livadhet e veta,

shihte e shihte me tmerr  se po i holloheshin.

 

Pas bastisjes së arkivit të familjes

Nuk dinte më se ku kishin përfunduar skicat

e  fabrikës së tharjes e të përpunimit të  frutave,

kalkulimet e tij për parashikimin e  eklipsit të hënës e të

   diellit;

librat e pedagogjisë, tekstet shkollore, biblioteka

dhe fletoret e nxënësve, të pambaruara së korrigjuari,

në ç’ humbella të errëta do t’i kishin degdisur;

Sirtarët e mbushur me sahatë dhe veglat e imta

për riparimin e qostekëve e orëve të dorës,

nuk u gjendën më në gjithë atë rrëmujë policore...

 

Vejevinte në hapësirën e ngushtë të qelisë,

i izoluar nga pasionet e tij,  tundte duart,

të cilat nuk lejoheshin më të mbanin një penel

të përfundonin tablonë e lënë përgjysëm, 

as të mbanin një gjilpërë me pe

të triposnin astarët e  kostumeve që la pa qepur, 

të mbushnin ornamentet e qëndismave;

nuk lejoheshin të mbanin një  sharrë

për të shartuar drufrutorët e kopështeve

që shtriheshin në pjerrësitë e kodrave.

 

Edhe shtëpitë,  edhe orenditë edhe kopshtet

ishin sekuestruar dhe nuk e dinte

se familja e tij jetonte tani në një  stallë kuajsh.

 

Lëvizte nëpër qeli brenda mureve të trasha

të kështjellës burg, me duart  si dy qenie

që nuk gjenin dot prehje,

të ndara forcërisht nga punët

me të cilat ishin mësuar.

 

Ato duar, damarë tempujsh, zemberekë

ëndërrash, dritë zografisjesh,

përrenj mitesh, ledhe karakteresh,

fluturuan si dy zogj mbi honet e harrimit

dhe zunë vend në gjymtyrët e të bijve.

 

16.04.2014

 

 

ISHTE MAGJIA

 

U  rritëm në një qytet të vogël

me palma, me bukonvile

dhe shkallë që  nxitonin drejt detit!

 

Atëhere deti me shkëmbenjtë dhe frymëmarrjen e tij

të pashterur

ishte për ne shumë më  shumë se sepeti i gjysheve i

mbushur me mistere.

Hapnim mbulesën e trazuar të dallgëve dhe fusnim në të

dëshirat, ëndërrat, udhëtimet e pakryera,

fusnim botërta e panjohura,  anijet e lashta, kohërat.

 

Deti ishte magjia që na ishte falur.

 

Ne, një tufë këmbëzbathurish të urritur,  me gishtat e

                                                                                       duarve

     të shpuara nga gjembet e fiqve të detit,

me duart e nxirra nga pefkat e pishave të buta,

me xhepat e fryra nga hizet,

të etur për lodra dhe bredhje,  mbushnim  si pinguinët

                                                 pllakat e  Plazhit të Vjetër.

 

Atje, askush nuk mund të na shkëpuste dot nga Guri i

 Madh,

i shtruar me beton si një trampolinë,

nga merrnim vrull,  hidheshim me rrotullime në ajër 

dhe zhyteshim me kokë në thellësirën e blujtë,  syhapur,

duke shijuar çdo herë magjinë e depërtimit të qenies

    sonë në të.

 

Kur na merrte uria e drekës

Shkëputnim patlat nga shkëmbinjtë e nënujshëm,

qërronin iriqtë e detit

dhe i kapërdinim të gjalla.

 

Deri mbasdite vonë dielli na digjte supet, ndërsa na

   ciflosej lëkura e hundës.

Shëtisnim pranë mureve antike, mozaikëve

dhe na dukej sikur rronim në kohë të largëta.

 

Ngrinim mbulesën e trazuar të dallgëve, nga merrnim

     me vete ëndërrat

për natën që po vinte.

 

14.04.2014


Tata – Ati ynë Remzi Mato, i dënuar në vitin 1949 me akuzën si “pjesmarrës në një grup armiqësor për përmbysjen e pushtetit popullor.”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora