E diele, 28.04.2024, 11:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadare: Letra tragjike e Dhora Lekës

E hene, 28.04.2014, 07:33 PM


Kadare: Letra tragjike e Dhora Lekës, çfarë i mungon historisë

NGA ADMIRINA PEÇI

TIRANE- Një dokument që zbulon degjenerimin e plotë të rendit komunist dhe shtetit të vet. Kështu do ta cilësonte shkrimtari Isamil Kadare letrën  e qershorit 1967 që kompozitorja Dhora Leka ia niste Enver Hoxhës, letër ku ai është personazhi, që kompozitorja dhe shefat e saj të sigurimit të shtetit do ta fusnin në kurth.

Një ditë pas botimit të këtij dokumenti të rëndësishëm, ne sjellim një bisedë ekskluzive me shkrimtarin, duke shfaqur për lexuesit edhe disa anë të panjohura të kësaj historie, që kompozitorja zgjedh të mos ia rrëfejë udhëheqësit të saj, prej nga pret mirëkuptim. Kadare rrëfen përmbajtjen e korrespodencës që Dhora Leka ka zhvilluar më të nën pseudonimin Lindita, karakterin e atyre letrave të rrezikshme, ku bëhej aluzioni për përmbysjen e regjimit në Shqipëri, apo për rikthim te familja sovjetike... Kadare rrëfen edhe shumë detaje që kompozitorja Leka nuk i tregon në letrën e saj mbi mbledhjen e tmerrshme të Beratit, analizon një mister që e mbështjell këtë personazh dhe këtë histori, dhe ndalet tek dy ngjarje të aktualitetit, që i kujtojnë revolucionin famëkeq kinez, arrestimet e mjekëve dhe rastin e fundit me poetin Pojanaku.

Z.Kadare, Ju u njohët me letrën që kompozitorja Dhora Leka i shkruante Enver Hoxhës në qershor të vitit 1967. Ishit personazh në atë letër...

Çfarë ndjesie ju krijoi përballja me këtë dokument?

Është një letër e jashtëzakonshme, për të kuptuar degjenerimin e plotë të rendit komunist dhe të shtetit të vet. Një denoncuese e nivelit të lartë i shkruan shefit më të lartë të vendit, e bindur se do të gjejë mirëkuptim prej tij. Çështja ka të bëjë me një shkrimtar të njohur, të cilin ajo, e shtyrë “nga dashuria për shokun Enver, për Partinë dhe për Sigurimin”, është përpjekur ta fusë në kurth, domethënë në burg. Mirëpo, diçka nuk ka funksionuar dhe aksioni është ndërprerë.

Përpara se kundër saj të shpërthejnë sharjet: grua e pabesë, spiune etj., duhet kujtuar se Dhora Leka,  përveç që ishte një kompozitore e njohur dhe e talentuar, autore e shumicës së këngëve partizane, ka qenë një grua inteligjente, aspak naive, dhe e dënuar fare pa të drejtë më 1956. Letra e saj e vitit 1967 dëshmon se ajo ka kuptuar thelbin e logjikës së mbrapshtë të kohës, ndaj dhe është e bindur se shefi i madh do të ketë mirëkuptim ndaj saj. Është fillimi i Revolucionit Kulturor në Kinë, dënimi i shkrimtarëve është në modë dhe kjo grua s’bën gjë tjetër veçse, për fat të keq, si rrjedhojë e traumatizimit të kësaj kohe të çmendur, bie nën hipnozën e saj.

Parë në këtë këndvështrim, letra e saj është, para së gjithash, tragjike.

A mund ta kujtoni këtë ngjarje? A është e saktë ajo që tregon zonja Leka?

Pjesërisht është e saktë, pjesërisht e paplotë. Çështja e letrave, për shembull. Ato janë dy llojesh, krejtësisht të pangjashme mes tyre. Lloji i parë janë letra pasionante të shkruara nga një kinse tetëmbëdhjetëvjeçare me ngarkesë të dukshme erotike. Lloji i dytë, ato që përbëjnë thelbin e çështjes janë një seri letrash politike, plot kërcënime dhe shantazhe.

Në to bëhen aluzione të hapëta për përmbysje të regjimit në Shqipëri, për rikthim te familja sovjetike, për besnikërinë e detyrueshme që duhej të tregonim meqë kishim studiuar në Moskë, ndaj BS. Shkurt, me këto letra unë trajtohesha gati-gati si një ish-komplotist filo-sovjetik, që tani isha tërhequr nga komploti, dhe që kjo zonjë po më bënte thirrje t’i vija gishtin kokës.

Për t’u bërë sa më e besueshme kjo gjuhë komplotistësh, një pjesë e tekstit ishte shkruar në rusisht.

Ku mund të jenë ato letra sot? A mund të gjenden?

Letrat duhet të gjenden ende sot në arkivat e fshehta të Sigurimit. Veç në mos ndodhtë që shteti ynë i dashur të jetë ende këmbëngulës, siç ka qenë gjer tani, për të mbajtur të fshehta krimet dhe dosjet e komunizmit.

Ç’ndodhte me letra të tilla zakonisht? Si funksiononte provokacioni?

Me letrat intime ishte diçka e thjeshtë. Në qoftë se ti u përgjigjeshe, mund të shërbente më vonë si shantazh banal kundër teje. Përdorej në atë kohë një formulë e njohur:

“degjenerimi moral të çon drejt degjenerimit politik”. Shumë njerëz binin pre e provokacionit. Megjithatë, s’mund të thuhej se ishte diçka dramatike, në krahasim me të tjerat. Kurse me letrat politike ishte krejtësisht ndryshe. Ti hyje në lidhje me dikë që propozonte haptas rrëzimin e regjimit. Më kujtohet se në letrat e muzikantes Leka, për shembull citoheshin dy vargje të famshme të Pushkinit: “I nad oblomkaj samovllastia, napishut nashi imena”. Si të thuash, mbi gërmadhat e tiranisë, do të shkruheshin emrat tanë (Imi dhe i saj!).

Ia tregova këto të fundit njërit prej miqve të mi besnikë, inxhinier T. Bahollit, gjithashtu i qarkulluar, ish-student në Poloni. Ai u tmerrua nga përmbajtja e tyre dhe të dy ishim në një mendje se letra të tilla s’mund të mbaheshin në shtëpi, ngaqë, në rast bastisjeje të çonin në burg, madje në pushkatim. Ia treguam një shoku të tretë, i cili u alarmua edhe më keq. Sipas tij, ishte një provokacion që po përdorej shpesh kohët e fundit. Njëkohësisht, nëse kujtesa s’më gabon, të fshehtën e mori vesh S. Mato, në atë kohë poet i ri.

Kjo hapje e sekretit ka gjasë të ketë qenë edhe shkaku kryesor që provokacioni, i cili sot, pas gati gjysmë shekulli, dëshmohet haptazi nga kjo letër e kompozitores, iu doli nga duart organizatorëve. Historia e “letrave të çuditshme” po bëhej bisedë kafeneje, gjersa përfundoi në Komitet të Partisë.

Para pak vitesh, K. Trebeshina ka thënë se në ngjarjen e Beratit nuk ka qenë fajtore Dh. Leka, por ju. A keni për t’i thënë diçka Trebeshinës në këtë rast?

Letra dërguar Hoxhës është më e qartë se çdo gjë. Do të shtoja se nuk më habit opinioni i njerëzve si ky. Të tillë njerëz kanë bërë vetë krime në emër të Sigurimit, ndaj dhe ndihen të afërt me të. I lartpërmenduri, për shembull, jo vetëm ka qenë oficer i Ministrisë së Brendshme, por ka kryer vrasje me dorë të tij (vrasje të mirëfilltë me plumb pas koke, siç e ka pohuar vetë.). Shqipëria është i vetmi vend në Europë që vrasës të tillë ende nuk i dënon. Dhe ky është një nga turpet e saj.

Mbledhja që përshkruan në letrën e saj zonja Leka ka qenë vërtet aq e tmerrshme?

Ka qenë më keq. Një mbledhje mizore, e pashembullt. Britmat e muzikantes e tronditën krejt sallën. Më shumë se e frikësuar ishte e revoltuar, si njeriu që i është bërë më e rënda padrejtësi. Midis britmave filloi të thoshte gjëra tepër të rrezikshme: për shembull, “Nuk e bëra provokimin me kokën time!”. Duke lexuar letrën e saj sot, pas gjysmë shekulli, zbërthehet kuptimi i atyre britmave. Organizatorët e mbledhjes ndërkaq i kishin marrë masat. Kur ajo tha fjalët e mësipërme, dy-tre njerëz të policisë së fshehtë iu hodhën në grykë duke ia zënë gojën me duar. Pastaj e nxorën jashtë, duke e zvarritur për flokësh. Pra u kuptua se dikush tmerrohej nga fjalët “s’e bëra me kokën time”.

Edhe në letrën e Hoxhës ajo vazhdon të jetë e revoltuar për një pabesi që i është bërë. Vetë fakti që pas dy-tre muajsh e ka shkruar atë letër, tregon se ka pasur shpresë të fitojë.

Nuk di në qoftë se diku, në ndonjë ditar, apo shënim ka lënë diçka më shumë. Do të ishte interesante të gjendej gjithçka që ajo mund të ketë lënë për këtë ngjarje.

Pas viteve ’90, Dhora Leka mori një sërë nderimesh e vlerësimesh, madje opera e saj “Një vjeshtë në stuhi” u vlerësua si treguesi i “rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri”. Si shpjegohet kjo?

Pas rënies së komunizmit, prania e kompozitores Dhora Leka në jetën e përditshme moralo-kulturore ka qenë një nga ato lloj pranish që konsideroheshin pak a shumë normale. As e trembur, as revanshiste.

Për sa u përket disa vlerësimeve që i janë bërë, mendoj se për vuajtjet në një regjim tiranik, është vështirë të ketë dëmshpërblim. Zonja Leka, pavarësisht nga gjithçka që ka ndodhur në jetën e saj, pavarësisht nga natyra dramatike e gabimeve të saj, vuajtjet që ka hequr i ka pasur të vërteta.

Dhe janë pikërisht ato që, me sa duket, janë bërë shkas për humbjen e drejtpeshimit shpirtëror, që e kanë çuar disa herë nga një gabim në tjetrin.

Po përpiqem të jem më i qartë. Rasti e ka sjellë që thelbin e së vërtetës që zbulohet befas në letrën e saj, e kam ditur gjithmonë, por ju e dini se asnjëherë nuk kam bërë spekulime me të. Dhe aq më pak do të doja tani, që ajo nuk është më në jetë. Kjo është arsyeja që qysh në krye të bisedës sonë e kam cilësuar letrën e saj si diçka, në radhë të parë, tragjike.

Mendoj se si e tillë, tragjike, me një mister që ndoshta ndryn së brendshmi, duhet lexuar.

A mund të thoni diçka më tepër për këtë “mister” siç e quajtët. Dhe, në mbyllje të bisedës, a mund të themi se shoqëria jonë merr një kumt prej saj?

Në qoftë se përdora fjalën “mister”, kjo s’do të thotë se e kam lehtë ta shpjegoj. Ka pasur diçka të pazakontë në veprimet dhe sjelljen e zonjës Leka. Për shembull, pas asaj mbledhjeje të lemerishme, që tronditi një qytet të tërë, do të pritej që muzikantja të ulte kokën. Por kjo nuk ndodhi. Duket sikur tërbimi shtetëror do ta fusë në dhé të gjallë, por ajo prapë s’heq dorë nga rebelimi. E habitshme është se nuk i bëjnë asgjë. Qysh atë mbrëmje detyrohen ta çojnë në shtëpi. Pyetja mund të shtrohet ndryshe: nuk i bëjnë asgjë, apo nuk i bëjnë dot asgjë?

Pak kohë më pas vjen në Tiranë. Takon prapë zyrtarë të lartë të Sigurimit. Pastaj i bën letër Enver Hoxhës. Shpreson se ai do t’i japë të drejtë. Gati-gati ka bindje.

Çfarë ia jep këtë shpresë?

I ka zënë ngushtë të gjithë me diçka, ndonëse nuk e thotë? Në mos ajo vetë, një tjetër prani, që është pas shpinës së saj? Një prani për të cilën ish-zyrtarët e lartë komunistë, bashkë me pinjollët e tyre më të rinj, nuk duan të flasin kurrë, por që ndoshta do të shpjegonte disa nga enigmat e errëta të një rendi të errët.

Lidhur me ndonjë kumt të mundshëm, mendoj se nga çdo ngjarje e dhimbshme vjen një i tillë.

Përmenda pak më lart Revolucionin Kulturor kinez. S’ka kaluar shumë kohë kur në lajmet televizive shqiptare, u bënë të zakonshme ca pamje tronditëse: arrestime mjekësh përpara kamerave. Mjekë, disa herë të shkuar në moshë, zakonisht kirurgë, ndonjëherë me veglat e operacionit në duar, me kryet që iu uleshin brutalisht gjatë shtyrjes brenda makinës së policisë, poshtëroheshin duke iu hedhur prangat përpara telespektatorëve. Ishin skena tipike që të kujtonin revolucionin famëkeq kinez. Edhe ai kështu kishte nisur: kundër mjekëve dhe shkrimtarëve.

Para ca ditësh ndodhi diçka e ngjashme që e tronditi opinionin shqiptar: arrestimi i Dhimitër Pojanakut: gjyqtar dhe poet i njohur. Faji: çështje korrupsioni (Shuma rreth 150 euro!). S’më shkon mendja të mbroj ndonjë teori sipas së cilës poetët e njohur janë të pandëshkueshëm, qoftë edhe për shuma modeste. Megjithatë, zelli për arrestimin e këtij njeriu ishte aq i dukshëm, saqë nuk mund të mos shkaktonte revoltim. Fillonte ky zell i shëmtuar qysh me mbledhjen e jashtëzakonshme, siç e njoftoi shtypi, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në ngutjen për t’i hedhur prangat poetit sikur të ishte një bandit KLD u mblodh posaçërisht për poetin e njohur. Ai Këshill që kishte qenë aq shpërfillës kur kriminelë një mijë herë më të rrezikshëm talleshin publikisht me drejtësinë shqiptare. Kur nga salla e gjyqit liroheshin vrasës dhe përdhunues të neveritshëm të miturish, kur bëhej fjalë për shuma korruptuese miliona eurosh. Duhej t’i vinte radha poetit edhe 150 eurove të tij, që Këshilli i Lartë të “egërsohej”.

Shija e njohur e acarimit, për të mos thënë urrejtjes kundër njerëzve të letrave dhe të artit, ajo ndjesi e egër e vulgut rus, kinez apo shqiptar, e nxitur qysh nga Lenini, te Mao Ce Duni, gjer te komunizmi ynë, duhet të na shqetësonte të gjithëve. Shteti ynë dhe institucionet e tij, pa asnjë hezitim, duhet t’i kërkonin ndjesë qytetarit dhe poetit Pojanaku. Dhe bashkë me ndjesën, ti hiqnin prangat, ta çonin në shtëpinë e vet, për të pritur gjykimin atje, siç do të ndodhte në çdo republikë të Europës.

Në qoftë se do të kërkohej një kumt, siç thatë ju, ky do të ishte ndoshta më i ngutshmi që do të na vinte nga kjo dosje.

Në një vizion më të gjerë, kurthet kundër shkrimtarëve, përbëjnë një nga njollat më të zeza në historinë e komunizmit botëror. Në Shqipëri ato kanë arritur kulmin për vetë faktin që janë ende të pazbuluara. Sepse të tillë, të pazbuluar vazhdojnë të jenë spiunët, artizanët e kurtheve bashkë me mjeshtrat. Dhe jo vetëm të pazbuluar.  Ata janë shpesh të preferuarit e instituteve shtetërorë, katedrave dhe ministrive. Në këtë kah kumti më i gjerë do të ishte ky.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora