E diele, 28.04.2024, 10:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Aventura dhe ëndrra nga bregdeti

E enjte, 01.05.2014, 07:48 PM


Aventura dhe ëndrra nga bregdeti

(Lidhur me romanin e shkurtër të Hajro Ulqinakut “Thesari i piratëve”)

Nga Fatmire Duraku

Njohës i mirë i zejes së shkrimit,

Njohës i mirë i psikologjisë së fëmijës, i dëshirave, ëndrrave e lojërave të tyre,

Njohës i mirë i ambientit të jugut, bregdetit, Ulqinit të lashtë, vendlindjes së vet.

Shkrimtari Hajro Ulqinaku, me librat e vet për detin  i ka dhënë letërsisë sonë një vepër antologjike, që do të udhëtojë në breza e kohë falë vlerës së pakontestueshme që ka.

Ky  shkrimtar i shquar, do theksuar, është poet që shkruan në prozë. Kjo dhe është njëra ndër konstatimet e para dhe qenësore që mund të thuhen për të. Me një qasje të tillë, aspak të lehtë, por mjaft magjepsëse, ai pushton hapësira të reja, zbulon fshehtësi dhe me një shkrim atraktiv na i shpalos. Nuk është e tepërt, ta ritheksojmë, se si mjeshtër i mirë i zanatit të shkrimit dhe me një përkushtim të madh, pa e anashkaluar për asnjë çast përqendrimin, gjithherë arrin me sukses aty ku synon. Kështu,  duke e njohur mirë botën e fëmijës në radhë të parë dhe ambientin bregdetar-me të gjitha nuancat që ka, ia del me lehtësi të krijojë tërësi poetike në prozë, të ndërtojë rrjedha aktuale nga e përditshmja. Sukses të pamohueshëm, do të thosha unikat te ne, arrin sidomos me përshkrimet mahnitëse të bregdetit, të fuqizuara me gjuhën e ambientit (me fraza e fjalë të reja) për të cilin rrëfen ngjarje të zgjedhura nga rrjedhat e së përditshme, por gjithnjë  të pasura edhe me legjenda e mitologji, me peshq të artë e sirena deti. Vetëm kjo dëshmon se ai, përkrye përballjesh me vështirësi-në radhë të parë, çfarë të marrë nga e përditshmja e çfarë të flak,  u jepet tërësisht ngjarjeve, të cilat i ndërton me strukturë të veçantë. Ky ndërtim, në të parë i thjeshtë, i drejtpërdrejt, ngërthen në vete rrjedha të dyta brenda të të njëjtit tregim, skicë apo qoftë roman, e cila gjë shkrimit i jep tërësi të veçantë, rrumbullakim specifik me  vlerë artistike. Kështu, shkrimtari, me njohuritë deri në imtësi të temës që e ka zgjedhur për ta trajtuar, bashkë me nëntekstin e pasur,  bashkë me gjuhën adekuate që e përdor, bashkë me qartësinë e fjalisë dhe të tërësisë së tekstit, shtjellon prozë mozaiku, çfarë nuk është e shpeshtë në letërsinë te ne.

Secili nga të pesë librat e  përmbledhjes voluminoze “Libri për detin“  padyshim, i ka të gjitha karakteristikat që i cekëm, secili –kuptohet, në mënyrë të vet; me gjetje dhe zgjidhje mjaft origjinale. Kjo, vetvetiu të hamend, në cilin libër të përqendrohesh. Këtë herë ndava mendjen për t`u ndalë vetëm pak më afër te “Thesari i piratëve”, që është një roman i shkurtër me tematikë aventurash dhe ëndrrash nga bregdeti. Hajro Ulqinaku, duke e njohur mirë ambientin, mentalitetin e njerëzve të vendlindjes së vet-të bregdetit të jugut, bukuritë magjepse, me mbrëmjet e agimet magjike, me fshehtësitë e shumta të detit, na ofron një ngjarje të realizuar me përkushtim lidhur me bëmat dhe ëndrrat e detarëve për thesaret, të fshehura diku në ndonjë shpellë, apo dhe në botën nënujore. Si dhe në shumë struktura të shkrimeve të veta, Hajro dhe në këtë roman të shkurtër shfrytëzon dy rrjedha të ngjarjes, dy linja paralele; njëra përshkruan me mjeshtri të përditshmen e fëmijëve, e veçmas bëmat e vogëlushit Genc dhe të gjyshit të tij , ndërsa linja e dytë nga ngjarjet në natyrën e mrekullueshme të bregdetit, të  gjallë nga zërat dhe lojërat e fëmijëve, që lahen dhe luajnë në rërë, prek kujtim të largëta të para ardhësve  tanë, përmes evokimit të ndonjë kujtimi-ngjarjeje nga kustosi në Muzeun e Detarisë.

A ekziston apo jo thesari i piratëve? Ekziston!  Nuk ekziston. Po dhe jo. Kjo është dilema që e sjell shkrimtari, por jo vetëm dilema... Ky është preokupim i Gencit, i cili duke dëgjuar shumë rrëfenja për jetën dhe thesaret e luanëve të detit, gjithnjë e më shumë, dita më ditë, do të provojë të bëj një “shëtitje” në kopshtin përrallor-fundin e detit, sado që e tërë kjo bart në vete dhe rrezikun për jetën. Ai, megjithatë, nuk heq dorë nga një “shëtitje” e tillë, sidomos pasi të bindet se  e ka përsosur deri në imtësi notin... Autori, te Genci, përveç tiparit të këmbënguljes për një gjë,  mishëron dhe vendosmërinë e zbulimit, të shpalosjes së të vërtetës për  fundin e detit, e sidomos lidhur me jetën dhe bëmat e piratëve, të arkave të tyre me thesare, të anijeve të fundosura apo të rraqeve të ndryshme  me vlerë, siç janë amforat, enët e argjendta, të arta e gjësende, që me vjet i fsheh brendia e thellë e detit. Genci,  tashmë e ka bindur veten se  patjetër i duhet të zhytet në kopshtin përrallor-fundin e detit dhe t`i hulumtojë jo vetëm këto gjëra, por dhe fshehtësitë e shumta, të cilat i ruan deti në thellësi... Dhe, pikërisht këtu, ndërhyn pena e shkrimtarit. Rrëfimin – zbulimet që do t`ia dalë t`i bëj vogëlushi-zhytës, e këput dhe te lexuesi lë të hapur kureshtjen për arkat me thesare, për gjësendet e mbetura kaq vjet në kopshtin përrallor të detit. E këput rrëfimin dhe djaloshin e shpie bashkë me gjyshin e vet në Muzeun e detarisë, ku përmes eksponatesh të ndryshme ai do të ballafaqohet me të kaluarën e popullit të vet, detarë dhe kusarë të njohur në ujërat e shqetësuara të deteve dhe oqeaneve. Aty, do të mësojë edhe për shpellën e piratëve, për gjësendet me vlerë, të cilat ata i sillnin dhe i mbyllnin pas dyerve të sezamit, t`i hapin një ditë dhe  shkëlqimi i tyre t`i prekte viset e atdheut.

Do theksuar se përveç zbulimeve nga nëndeti, mbideti dhe jeta në brigjet e detit, përveç ritmit të së përditshmes së mbushur me tone të lehta valësh të detit, shkrimtari lexuesin e vet e “merr për dore” dhe e shpien edhe në zbulime të tjera atraktive, i mban orë praktike mësimi për ecje të mëvetësishme në jetë. Kjo dhe është, mendoj, edhe një vlerë shumë e madhe e librit. Kjo, sa i përket romanit të shkurtër “Thesari i piratëve”, ndërsa për “Librin për detin”, për të mos e tepruar, do të thosha se është sihariq i shkrimit artistik, i librit me tematikë nga bregdeti.



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora