E shtune, 27.04.2024, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahin Ibrahimi: Kur loton Zemra

E premte, 02.05.2014, 07:17 PM


Kur loton Zemra

Nga Shahin Ibrahimi

Pyes veten për çfarë kam ëndërruar

Kohës i bëj amnisti me zemër të mekur,

Nga zhgënjimi zemër sa më je varfëruar

Dhimbja për të tashmen ditarin ka tretur, diku lart-lart fluturojnë ndjenjat e mia, dhe bashkë me to dhe unë.

Sot ndjehem i përhumbur i mundur nga vitet e moshës dhe naivitetit të tyre, që nuk kanë parë me largpamësi ndonjëherë, por janë strukur nën peshën e kohës në të  cilën jetuan, ëndërrimet e mia të gjora. Duhen vite të shkri akulli që kemi poshtë lëkurës, dhe të kemi guximin të shohim veten në sy, sepse atje janë të ngrira tmerret me intriga fjalësh, që koha me ligjet e saj ende s`mund ti fshijë. Ne ishim udhëtarë të së pamundurës. Atherë nuk kish kaloriferë dhe as kondisionerë, në shtëpi rrinim mbërthyer në mëshirën e stinës, nuk kishim televizorë, kompiutera as telefona, por vetëm një radio që linte të ndëgjoje vetëm radio Tiranën. Jetoj me dhimbje dhe shoh i përlotur me sy realitetin. Në familje e shoqëri diskutonim jetën e përditshme ose unitetin, për Partinë, mirëqënie që kurrë se provuam, gjithmonë nën dirigjimin e misionarëve të Partisë. Liria e mendimit ishte një mollë e ndaluar.

Prandaj lumi i lotëve për të kaluarën e hidhur nuk na pushon. Ata mbasi kanë mbushur zemrën dhe gjithë qënien tonë, mundohen të rrinë varur që të mos largohen prej nesh, se dhe ata shprehin në vetvete një copëz portreti si unë. Lotë skllevërish që na sjellin jehona rënkimesh dhe mllefe urrejtjesh, të shumë zëmrave që prehen diku thellësive. Nga autobuzat zbresin njerëz të sakatosur dhe pa dinjitet, se ska kush ti mbrojë. Dielli i demokracisë tek ne lindi me njollë të zezë. Varfëria është ulur këmbë kryq, po vë dhjamë dhe po shtohet dita ditës. Më pikon zemra gjak kur shoh vogëlushë që dalin nga kazani i plehrave duke u përtypur. Nëna e tyre diku pranë, pret se mos i biri i sjell diçka për të ngrënë. Oh varfëri, oh ndëshkim shekullor që ka rënë mbi këtë popull! Pse prek ti zemrat e pa fajshëme të brezit të ri në këtë shekull progresi, në mes të Europës së kamur. Dua të mbuloj zemrën me mallin e të kaluarës së popullit tim, kur dëshira dhe dashuria ishin të shënjtë për ty Atdhe. Me mallin e kujtesës së atyre burrave që dhanë çdo gjë që kishin, dhe u flijuan për të të parë të lirë dhe të qeshur dhe jo të ndotur e të gjunjëzuar. Tani jemi të lirë por të varfër, me kulturën e krimit dhe mashtrimit shoqëror. Për dinjitet s`bëhet fjalë.

Prandaj qaj me ngashërim, smë bën zemra të dal në rrugë a rrugicë për tu përballur me realitetin e sotëm shqiptar. Shtërngatat e shiut nuk e lajnë varfërinë. Ato nuk fshijnë dot rënkimet e zemërave tona për një jetë më të mirë, por pëkundrazi vetëm na shtojnë pellgjet e vuajtjeve dhe moçaleve aktuale, si në Shkodrën e përmbytur nga uji i lumenjve Buna dhe Drini. Jam i vetëm në këtë mërmërimë trishtimi, që del nga thellësia e kësaj toke, që ne e quajmë Atdhe që jetojmë në të, dhe pushtetarët tanë e kanë për turp ta quajnë nënë. E shohim tjetrin nga lart, jo sa vlen dhe çfarë karakteri ka, por kush është, çfarë tarafi dhe sa lekë ka nëpër banka. Na janë varfëruar zemrat dhe po na nxihen akoma më shumë nga tymi dhe smogu i sotëm. Agallarët e rinj duan të pasurohen, ska gjë që atdheut po i dalin brinjët përjashtë dhe çdo ditë po dobësohet. Sheshet e ndërtimit po bëhen vetëm me beton, pa lule, pemë dhe ambiente shlodhëse. Bulevardet arnohen çdo vit për kanalizime dhe elektrifikime. Makinat ecin me shpejtësi pa rregull, semaforë ska, lulishtet dhe parqet për fëmijë mungojnë. E ç'ti shijojshë këtij vendi, veç borës së bardhë në dimër? Atdheu hesht, dhe kjo më gryen ngadalë mua dhe fëmijët e mij, të ardhmen dhe ty Atdhe.

I lyer me blozën e kombinateve apo me pluhurin mbytës të fabrikave të çimentove pranë zonave të banuara, nga të cilat dhe pështyma kthehet në gëlbaz e vrer, mendoj për genin tonë Europian. Kafshët nuk shijojnë tym në shtëpitë tona. Më rrënqethet trupi dhe bërtas me kujë sa më dhëmb koka, kur shoh fushat e gjëra të pa mbjella e  të lënë djerrë. Shikimi të venitet dhe zemra preket kur shikon shtëpi të lëna përgjysëm, vetëm me mure ngritur pa dyer dhe fëmijë. Vite të tërë qëndrojnë ashtu, se duhet mund e djersë, kursim për të vazhduar, që ajo të bëhet e banushme. Me atë ikën dhe jeta dhe shijon vetëm ëndrrën e saj. Shoh zemrën e sakatosur të nënës, kur fëmija kërkon bukë, dhe ajo qan bashkë me të se ska çfarë ti japë. Lotët përtypen në heshtje. Familje të ndara në dekada për tu ushqyer, fëmijët që rriten pa ngrohtësi të prindërve, pa fjalë gjyshesh dhe përkëdheli.

Sot zëri i arsyes nuk dëgjohet më, se bie në vesh të shurdhët, jo se nuk dinë, por nuk duan se kan frikë, se ju shkurtohen mundësitë për të abuzuar kudo, në tendera, në ankande dhe në ndjenjë. Historia e harroi shqiptarin trim, që në luftra për liri e ka derdhur gjakun rrëke. Sot ky popull për bukën e gojës hesht dhe nuk e ngre zërin, nuk ngrihet të krijoj vullkan dhe mbi të, të ndërtojë të ardhmen e tij krah për krah me popujt e tjerë Europian, se dhe ne jemi njerëz të mirë dhe meritojmë më shumë në jetë.

Sonte dua të ndjej pak aromë qetësie nën tingujt e një melodie me kitarë të ndjehem vetvetja e të largoj realitetin e hidhur të përditshmërisë, që po më shndrron në një rrobot mekanik, por në sy më venitet përsëri e kaluara e heshtur, dhe e ardhmja e pa sigurtë. Jam i zhgënjyer dhe po pres vdekjen i frikësuar, se nuk e di a do të varrosem apo jo, këtu apo diku në tjetër vënd, ndoshta nëpër këmbët e urave, mbuluar me ndonjë karton, në kërkim të një jete më të mirë. Dhe thërras në ndihmë lotët. Ata rrinë në gardhin e vetullave si për të më thënë mos harro të kaluarën, por mos jeto me të. Zhegu i nxehtë i këtyre ditëve më ka drobitur, më ka shtuar mërzinë dhe më ushqen me dobësi të madhe shpirtërore. Ngado kronikë e zezë, vrasje, plagosje, prerje kokash të pafundme.

Pa siguria na ndjek kudo, në çdo lajm që dëgjoj më drithërohet trupi, se jemi të larguar të gjithë, jemi jashtë në mëshirë të fatit. Ëndërrat tona ngrijnë që në embrion. Tani është e vështirë edhe të ëndërrosh. Lugën imagjinare të servirur bosh e quajmë ëndërr. Demagogjinë e politikës e quajmë realitet, premtimet e tyre për një jetë më të mirë, kthehen në shakara pa krypë, si dielli në një ditë me shi. Shkrin dinjiteti kur tjetri të jep lëmoshë, qoftë dhe një lugë çorbë që ju ka tepruar, apo disa pako biskota në skadencë e sipër, të shoqëruar me pak buzëqeshje fantazmë të nxjerrë nga frigoriferi i hipokrizisë. Dhe politika zgërdhihet.

Të qesh apo të qaj, unë sju ndihmoj dot, se ata që mund t`ju ndihmojnë janë në botën e përtejme, ose janë duke hëngur ndonjë paçamur. Eh Atdhe si je katandisur. Grurë prodhojmë por hamë atë të botës, mollët tona kalben nëpër fusha dhe ne importojmë nga Greqia dhe Maqedonia. Ushqimet O.M.GJ. po na zënë fytyn, dhe s`bëhemi burra që të sfidojmë konkurencën e mallrave të importit që hynë pa doganë. Dëshiroj me shpirt që psherëtima ime të jetë një mesazh mirkuptimi për qetësi, të shtojë dhe të afrojë dashuri dhe mirëqënie. Ky mesazh dashurie le të thithet në melodinë e këngës, dhe të largojë çdo brengë që na shqetëson. Endem si një gjethe e vetmuar vjeshte dhe sdi ku të vete. Në shpirtin tim ka gëzim prej djali, dhe dua të dimëroj me qetësi malli, me kujtime të bukura për të ardhmen. Lotët e dhimbjes për të kaluarën duhet ti fshijmë, që ata mos të na mbulojnë me pesimizëm. Atdhe të shoh si loton, dhe ne mallëkojmë fatin tonë jetim. E ardhmja s`dihet, ndoshta është e mirë për të dy ne. Hajde pra tja marrim një kënge të ngushëllojmë veten në pritje të ndryshimeve të mëdha.

Bollëku yt Atdhe, lag vetëm rrotat e makinave me të cilat lëvizin baballarët e kombit, atyre që s`ju vjen festa vërdallë për ty, ata që e kthejnë në pasuri çdo rënkim tëndin me gjithëse të shohin që po dobësohesh çdo ditë. Të lyer me graso e perfume Parisi ata qeshin, qeshin me ne dhe thonë:- Për Atdheun po pijmë me shëndete, po bëjmë gjithçka për ju, dhe në fakt bëjnë pushimet nëpër plazhet më të shtrenjta të Europës dhe Abu Dabit. I bëjnë që tju shërbejnë ty dhe popullit, se këtu s`është i mirë uji dhe ajri vjen erë gomash të djegura dhe blozë.

E kam akoma të freskët thënien e xha Musait kur erdhi nga Gjermania ku kishte shkuar për të parë djalin e tij emigrant.

-Janë njerëz të respektuar, por të ftohtë, nuk kruajnë asnjëherë zgjeben e komshiut por i buzëqeshin dhe qenit të tij. Të gjënden pranë në nevojë, komunikojnë shumë me përzëmërsi, kanë kulturë. Sa zbrita në aeroport në Tiranë ndryshoi çdo gjë fjalori, dhuna,  ambienti, shikimi tallës e mospërfillës dhe të tjera gjeste që manifestojmë ne si popull. Mundohem të kujtoj atë pak kohë që qëndrova atje, dua që mos ti largoj nga kujtesa pamjet. Shpesh herë me sy mbyllur më duket vetja se jam atje në botën e përtejme. Mundohem të harroj realitetin, por këtë kënaqësi ma prish gërthitja me zë të lartë e komshiut që më zgjon që pa gdhirë. Ma prish tymi i plehrave që po digjen nëpër kazane, apo klithmat e horrave që mbushin rrugët dhe kazinotë e qytetit tim. Ne dhe në biseda jemi jo të sinqertë me njëri tjetrin, prandaj na shoqërojnë lotët e mundimit që nuk na ngrohin shpirtin, por përkundrazi na i ftohin ndjenjat aq shumë sa, nuk na bën përshtypje asgjë, as dhe rritja e çmimeve. Me të drejtë na mallëkoj koha, se ndruam vetëm pronarë, klane sunduese në dekada. Shteti është pronë e tyre, se ata janë lart dhe aty do rrinë. Populli të ushqehet me lakra se ato kanë vitamina, thonë ata mes tyre hera herës dhe ne i votojmë.

Ata që inventarin na e bëjnë një herë në katër vjet me numërimin e votave në kuti. Më dhimsen bashkatdhetarët e mi të gjorë që dinë vetëm të besojnë, dhe të ulin kurrizin përballë së keqes në lulëzim e sipër. Më dhimsen miqtë e mi të përditshëm sepse nga askush deri më sot, nuk kam parë ndonjë revoltë apo alternativë për të ardhmen. Mendimet për të luftuar këto të këqia nuk duken as në horizont. pasi se vetë ai është i nxirë si ambenti që e rrethon, dhe nuk e ushqen mendimin e mirë. Shoqëria ku jetojmë është e sëmurë me polimelitin e pasurimit, egoizëm dhe vet kënaqësia e unit për unin. Si një gojë e trishtuar kollitet fusha e ngrohur nga mushkritë e diellit, por e lënë në harresë nga bujqrit e saj. Dhe ne duhet të dimë që një shoqëri nuk ecën para me një kujtesë të humbur dhe pa vullnet për ndryshim. Drejtësia jonë po zë myk nga mos zbatimi i ligjeve. Vajtojmë të kaluarën në heshtje, dhe portat e së ardhmes po i mbyllim me dëshirë. Të gjithë janë bërë pjesë e Europës ne mbetëm si dele të zeza, duke dobësuar dhe tretur më shumë vendin. Shtrydhim trishtimin e ditëve tona duke anashkaluar gjëndjen që sa vjen e përkeqësohet. E zhytur në këtë muzg edhe rinia, kërkon më kot një shteg rrugëdalje.

Më vjen të pyes ca të rinj që po e gdhijnë tërë natën në disko e kazino. Pse jo dhe ti polemizoj.

Mirë ne patëm frikë nga diktatura, po ju, nga kush?

Hapin tuaj mos e ndalni, mos u zhgënjeni si ne.

Përqafoni të renë dhe vendosni drejtësi dhe rregull me debate dhe inisiativa konstruktive plot këmbë ngulje, për një të ardhme më të mirë për ju. Buzëqeshni njëri tjetrit se jeni njerëz dhe njerëz të mirë. Në kërkim të së drejtës mos ndaloni asnjëherë. Bota është e juaja do të thoshte Migjeni po të ishte gjallë. Kërkoni dhe vini në vënd padrejtësitë. Ngrini lart dinjitetin tuaj njerëzor. Lëvizni para.

Zgjohu ëndrra ime, gjumi është vdekje prurës, më dërgo atje ku duhem të jem, në Parajsë si zot i vetes jo si hyzmeqarë dhe i përbuzur, por me dinjitet, si ortak dhe i barabartë me popujt e tjerë.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora