E diele, 28.04.2024, 08:59 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Shtypi, çensurë ndaj Krimesë!

E premte, 21.03.2014, 08:29 PM


GAZETAT E TIRANËS CENSURË NDAJ KRIMESË! EDHE POLITIKA HESHT!

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Ngjarjet në Krime kanë përfshirë të gjitha mediumet kryesore të botës, të lajmeve kryesore dhe të faqeve të para. SHBA dhe Perëndimi ndihen të zhgënjyer dhe të sfiduar nga aneksimi që Putini i bëri Krimesë, ndërkohë opinioni botëror pyet a mos Rusia po i rikthehet erës sovjetike dhe në mos ndodhemi në prag të Luftës të Tretë Botërore – a jemi de facto përpara një ere të re të Cold War – Luftës të Ftohtë.

Aneksimi i Krimesë nga Rusia u bë si një fait accompli me praninë e 25 mijë trupave ruse, nën hijen e të cilave u mbajt edhe referendumi.

Por arsyeja e këtij shkrimi është reagimi i shtypit të Tiranës ndaj kësaj ngjarjeje, që ka tronditur botën dhe paqen, nisur edhe nga fakti se në fjalën që mbajti dje, Putini përsëriti shpesh fjalën Kosovë, ku, sipas tij, ai ndërhyri në Krime ashtu si Perëndimi në Kosovë.

Perëndimi në Kosovë nuk ndërhyri fshehtas, in cognito, por pas një komunikimi të gjatë dhe shumë intensiv midis shteteve të NATO-s ku u përfshi edhe Rusia. Perëndimi ndërhyri në Kosovë për të ndaluar një genocid dhe spastrim etnik që kishte ndërmarrë shteti pushtues. Për paralelizim, Rusia mund të ndërhynte në Krime në bashkërendim me NATO-n, pasi Ukraina ndodhet në Europë, vetëm nëse qeveria ukrainase do të kishte ndërmarrë spastrim etnik ndaj rusëve! Por fakti që rusët në Krime janë 58 % tregon se nuk i ka shqetësuar askush.

Por le të kthehemi tek arsyeja e këtij shkrimi, që ka të bëjë me censurimin e ngjarjes kryesore të ditës prej deklaratës të Putinit, reagimit të shefit të NATO-s, presidentit Obama, nën presidentit Joe Biden, zonjës Merkel e me rradhë. Në gazetat e Tiranës nuk rezulton e pasqyruar asgjë! Po ashtu, asnjë opinion nga opinionbërësit e Tiranës. Sepse lajmet dhe ngjarjet kryesore lajmërohen në faqet e para.

Le t’i marrim me rradhë, Gazeta Shqip, Shekulli, Panorama, Gazeta Shqiptare, Koha Jonë, Mapo. Këto që thonë se jemi gazeta kryesore. Në faqen e parë asgjë. Si me magji. Të gjithë botuesit, kryeredaktorët dhe opinionshkruesit paskan pasur një mendje, që ta heqin nga qendra e vemendjes atë që po ngjan në Krime.

Të gjithë botuesit, kryeredaktorët dhe opinionmanipuluesit e Tiranës paskan qenë në unison për t’ia hequr të drejtën e informimit qytetarit shqiptar.

Me këtë rast ata kanë shkelur Kushtetutën e vendit dhe do të duhet të mbajnë përgjegjësi.

I hodha një sy faqeve të para të gazetave kryesore në SHBA dhe Europës, The New York Times, The Washington Post, la Repubblica, Corriere della Sera, Il Giornale, la Stampa, Die Zeit, Frankfurter Allgemeine Zeitung, NZZ, Die Welt, Le Figaro etj. Në të gjitha Krimea rezulton në faqen e parë. Në Shqipëri jo, sepse ka censurë!

Absurdi shkoi deri aty sa të gjitha gazetat e përmendura më lart, që janë gazetat kryesore të Tiranës, kishin censuruar edhe deklaratën e dy kryeministrave, atij shqiptar dhe rumun, Rama dhe Ponta, të cilët mbajtën një qëndrim të qartë dhe paekuivok ndaj veprimit të Putinit.

Të censurohet deri kryeministri i Shqipërisë merret me mend ku arrin kontrolli. Po nga kush? Kush i ka urdhëruar të gjithë botuesit që të censurojnë Krimenë?

Sigurisht nuk është shefi i SHISH-it sepse ai është pranë shkarkimit. Po kush është?

Për të respektuar të vërtetën rreth Krimesë në faqe të parë gazeta Telegraf kishte botuar një opinion të gazetarit të shquar Frank Shkreli, ndërsa Tirana Observer dhe Standart kishin pasqyruar deklaratën e Ramës, e para me titull e foto në faqen e parë, ndërsa e dyta vetëm me titull.

Edhe politika shqiptare po ashtu u bë shurdh-memece ndaj asaj që po ngjet në Krime. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe e kishte për detyrë që të shprehej.

Nuk pati reagim as nga krerët e institucioneve, përveç prononcimit të Rama-Ponta që u bë duke patur si shkak pyetjen e një gazetari, kur ata dhanë konferencën për shtyp. Edhe lideri i opozitës gojëkyçur!

Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë i cili vuan nga scribomania nuk i kishte shkruar asnjë rradhë rreth asaj që po ngjet në Krime. Përveç një ftese që ta ndiqnim tek TV Agon dhe po ashtu po dje kishte bërë romuzin e rradhës me „piktorin e dështuar“ dhe asgjë tjetër.

Më kujtohet një intervistë e tij, ku pretendonte se ishte bërë anëtar i Partisë të Punës në vitin 1968, pas invadimit të BRSS Çekosllovakisë, sepse, sipas tij, besohej se BRSS do t’i sulej edhe Shqipërisë. Pallavra pretendimet e Berishës. Por, gjithsesi, për Krimenë asnjë fjalë.

Shqipëria ka qenë vendi më stalinist i Europës. Kur Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit, regjimi komunist i Tiranës e shpalli armik Hrushovin dhe u betua se nuk do t’i tradhtonte asnjëherë as idealet dhe as metodat staliniste. E mbajti fjalën!

Zgjatja e tranzicionit bashkë me problemet e vazhdueshme që lidhen me mosrespektimin e standardeve të demokracisë i dedikohen klasës politike e cila për shkak të hipotekave me të shkuarën, nuk i ka hapur Dosjet e diktaturës dhe ish-spiunët e Sigurimit vazhdojnë të dominojnë mediat dhe shtypin e Tiranës, pasi propaganda ka qenë një mjet shumë efikas i diktaturës të proletariatit.

Ndryshe më gjeni një arsye se përse gazetat e Tiranës e censuruan në kor atë që ngjau në Krime, përfshirë reagimin e Perëndimit. Përse opinioni i shëndoshë që sëmuret për çdo ditë mendërisht nga krimet e kronikës të zezë, të cilat pushtojnë faqet e para të lajmeve dhe gazetave të Tiranës, u censurua nga e drejta e informimit rreth asaj që po ndodh në Krime?

A meriton të ketë këtë lloj shtypi Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s që aspiron të anëtarësohet në BE?

Përgjigja është „JO“!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora