E hene, 29.04.2024, 12:15 AM (GMT+1)

Mendime

Mustafa Nano: Ka një problem me elitën “myslimane”

E marte, 18.03.2014, 08:41 PM


Ka një problem me elitën “myslimane” shqiptare

Nga Mustafa Nano

Arrestimi i dy imamëve (dhe i disa ndjekësve të tyre) po e mban median prej ditësh nën një tendosje të pazakontë, që vjen prej zellit e kërshërisë për të informuar deri në detajet më të imta mbi këtë ngjarje që ka brenda edhe shqetësimin mbi një çështje që është shumë serioze, edhe sensacionin (u bë kohë tanimë që ngjarjet “me myslimanë” ndjellin vëmendje). Faqet e para janë pushtuar këto ditë nga tituj të mëdhenj, me anë të të cilëve janë paralajmëruar shkrime e raportime të gjata në brendësi të tyre. E duhet thënë se është një nga rastet e rralla, kur shtypi në tërësi e bën të vetin fët e fët shqetësimin e qeverisë a të institucioneve, dhe flet me gjuhën e këtyre të fundit. Të njëjtën gjë bëjnë dhe intelektualë të ndryshëm publikë, e në këtë kor bie në sy fakti që opozita ka mbetur pa gojë, dhe është kjo heshtje e opozitës që paradoksalisht e bën më evidente dhe e thekson një si esprit de corps në rrethana të tilla.

Në gjithë këtë histori kanë patur e kanë rëndësi edhe zërat që vijnë nga brenda bashkësisë së myslimanëve. Këta të fundit kanë sot pa hesap njerëz që mund t’i përfaqësojnë me dije e me aftësi në atë që Habermas-i e Hannah Arendt-i e kanë përkufizuar si ‘sferë publike’. Janë teologë, klerikë, publicistë, shkrimtarë, etj, të cilët afërmendsh flasin për llogari të tyre, por duke qenë se ua ka qejfi gjithë kohën të identifikohen mbi të gjitha si myslimanë, janë në një farë mënyre, qoftë dhe pa dëshirën e tyre, fytyra publike e bashkësisë së myslimanëve. Asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë kjo bashkësi nuk ka pasur një elitë të vetën kaq të sofistikuar në terma akademikë e intelektualë, dhe kaq të pranishme e agresive në ‘sferën publike’.

Një pjesë e këtyre janë ngutur të distancohen nga imamët në fjalë, por nga frika se mund të identifikohen si pjesë e korit “pro qeverisë, shtetit, institucioneve” lëshojnë dhe ndonjë sinjal mirëkuptimi në adresë të të arrestuarëve. Kjo elitë “myslimane” (përdor thonjëzat, pasi personalisht jam i prirur t’i shoh si njerëz të kulturës) është në një pozicion ‘sandwich’: nga njëra kanë kanë presionin e besimtarëve, ndoshta dhe të besimit, e nga ana tjetër bëjnë çmos të mos mbeten në periferi të debatit publik, i cili rëndom zhvillohet në një truall laik, në terma laikë, e nën shtysa e motivime laike, siç mund të jenë identiteti kombëtar, interesi publik, kokëçarjet të natyrës politike, etj, etj.

Ka një numër gjërash që e komprometojnë këtë elitë “myslimane” në qëndrimet e veta publike, por mbi të gjitha është kjo drojë e ky hezitim i tyre për të qenë të qartë njëherë e mirë, për të qenë të qartë për veten, për besimtarët myslimanë, e në fund për ne të tjerët, me të cilët, duan s’duan, do kenë të bëjnë sa të kenë frymë (ose sa të ketë frymë ky komb). Përveç kësaj, pritet prej tyre që të flasin në vijimësi për probleme të kësaj bashkësie, të cilat janë të shumta e të rëndësishme, dhe të vjen keq që të shumtën e kohës ata shtiren sikur probleme të tilla nuk ekzistojnë. Të vjen keq edhe që flasin e bëjnë denoncime si kofini pas të vjelit.

Do ish mirë, fjala vjen, që problemin e imamëve të arrestuar, por edhe të imamëve të tjerë që veç urrejtje dinë të kallin në shpirtrat e besimtarëve, ta kishin denoncuar ata më së pari. Ata janë të mirinformuar mbi atë që ndodh brenda bashkësisë myslimane, e mbi segmenet ekstremiste të klerit të tyre, e megjithatë u desh ndërhyrja e policisë dhe e prokurorisë, ndoshta dhe kori për të cilin fola në krye, që ata të bëheshin të gjallë e të thoshin se “këta imamë kanë gabuar, se ata janë pjesa më e keqe e bashkësisë, se ata kanë qenë një problem për këtë baskësi, etj, etj”. Kjo nuk u falet n’daç si njerëz të besimit, n’daç si njerëz të kulturës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora