Mendime
Kastriot Myftaraj: Kthema borxhin Kosovë!
E hene, 17.03.2014, 07:08 PM
Kthema borxhin Kosovë!
Nga Kastriot Myftaraj
Gjatë njëqind viteve të ekzistencës së shtetit shqiptar, Shqipëria qartësisht nuk ka bërë për Kosovën aq sa ishte dashur të bënte, por megjithatë është e sigurt se ka bërë më tepër se çdo vend i vogël, të cilit i duhet të ballafaqohet me një vend disa herë më të madh dhe të fuqishëm, si Serbia, për një çështje si ajo e Kosovës. Madje, për më tepër se dy të tretat e kohës, gjatë këtij shekulli të ekzistencës së shtetit shqiptar, Shqipëria është ballafaquar për Kosovën me Jugosllavinë, një shtet ku fuqia e Serbisë ishte shumëfishuar. Asnjëherë deri më sot nuk është bërë një llogari se çfarë ka sakrifikuar Shqipëria duke mbështetur Kosovën. Shqipëria, për shkak të mbështetjes që iu dha kryengritësve shqiptarë të Kosovës, të cilët vepronin në zonat kufitare me Shqipërinë, në vitet 1918-1923, humbi rreth një të nëntën e territorit që i dha Traktati i Londonit i vitit 1913. Në vitet 1918-1923, në zonat kufitare të Shqipërisë me Mbretërinë Serbo-Kroato-Slovene ishte krijuar një situatë e ngjashme me atë që do të ishte në vitet 1998-1999, kur kryengritës shqiptarë të Kosovës, të gjendur ngushtë nga msymja e ushtrisë serbe tërhiqeshin në territorin e Shqipërisë, ose vinin këtu për t’ u furnizuar me armatim.
Siç ka thënë para Lidhjes së Kombeve Fan Noli, në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Komandanti i ushtrive të Antantës në Ballkan, Gjenerali francez D’ Esperey, në 1918, i lejoi ushtritë serbe që të pushtonin rreth një të gjashtën e territorit të Shqipërisë së vitit 1913. Ajo që nuk ka thënë Fan Noli, dhe që nuk mund ta thoshte, ishte se kjo ndodhi për shkak të zgjerimit të veprimeve luftarake të kryengritësve shqiptarë nga territoret e shtetit të ri serbo-kroato-slloven, në territoret kufitare të Shqipërisë. Serbët përfituan nga kjo situatë për pushtuar një pjesë të territorit të Shqipërisë, në zonat kufitare, deri në atë që serbët e quanin “Vija Strategjike” e nevojshme për mbrojtjen e kufirit të tyre. Të gjitha këto veprime luftarake kundër ushtrisë serbe qenë aventura kriminale se në atë kohë nuk kishte një fuqi të madhe që ta mbështeste kryengritjen shqiptare në Kosovë. Si pasojë, arbitrimi ndërkombëtar i Lidhjes së Kombeve, i dha Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene rreth 3000 km katrore tokë shqiptare, duke përfshirë edhe krejt Zonën Neutrale të Junikut.
Shqipëria sot do të kishte një sipërfaqe prej rreth 32 mijë km katrore, në rast se nuk do të kishte qenë për këto aventura të atyre shqiptarëve të Kosovës, të cilët pretendonin se do të çlironin territoret shqiptare të pushtuara nga serbët. Shqipëria, nga këto aventura që u bënë përgjatë kufirit të saj, humbi një pjesë të rëndësishme të luginës së Lumit Drini i Zi dhe një pjesë të rëndësishme të pellgut të Lumit Drini i Bardhë. Nga shqiptarët e Kosovës pati disa burra të mençur, të cilët e kuptuan se ishte duke u bërë një tradhti kundër shtetit shqiptar, në emër të luftës krejt të pashpresë për çlirim nga pushtimi serb. Një prej tyre ishte Beqir Vokshi, nipi i heroit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit, i cili guxoi të shkonte në kuvend të krerëve kryengritës shqiptarë në Zonën Asnjëanëse të Junikut, dhe t’ u thoshte se duhet të hiqnin dorë nga marrëzitë. Por atje Beqir Vokshin e vrau heroi i madh i Kosovës, Azem Bejta (Galica), dhe gruaja e këtij të fundit e përgëzoi për pushkën që qiti. Shumë vetë në Kosovë e dinë këtë histori. Edhe Shota shtiu mbi shoqëruesit e Beqir Vokshit. E megjithatë kur Qerime Galica erdhi në Shqipëri pas vdekjes së burrit të saj, shteti shqiptar i drejtuar nga Ahmet Zogu, u tregua zemërgjerë dhe e strehoi, i dha tokë e shtëpi dhe madje i lidhi një pension si veterane. Kurrfarë pendese nuk shprehu Shota për vrasjen e Beqir Vokshit.
Ndonëse shteti shqiptar ishte i varfër dhe kishte shumë probleme, ai pavarësisht se cili ishte në pushtet, Noli, Zogu apo ndonjë tjetër, i strehoi refugjatët shqiptarë që erdhën nga Kosova dhe që ishin me dhjetëra mijëra në vitet 20-30. Këtyre shqiptarëve të ardhur nga përtej kufirit shteti iu dha tokë dhe i ndihmoi me para dhe çdo mënyrë tjetër, për të ndërtuar shtëpi, blerë bagëti dhe vegla pune. Fëmijët e tyre u shkolluan në shkollat e pakta që kishte ndërtuar shteti shqiptar në atë kohë. Dhe nuk duhet harruar që atëherë shteti shqiptar ishte i varfër dhe madje ishte periudha e krizës ekonomike botërore, e njohur si Depresioni i Madh. Në vitet 20-30 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria ishte duke ndërtuar me mundim sistemin e saj shkollor modern, pasiqë nuk trashëgoi asgjë nga pushtimi otoman, gjeti vend për të pranuar në shkollat e saj, madje duke iu siguruar edhe ushqimin, fjetjen, veshjen, me qindra të rinj shqiptarë të ikur nga Kosova, të cilët donin që të shkolloheshin në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e elitës politike, administrative, kulturore të Kosovës deri në vitet tetëdhjetë vinte prej këtyre të shkolluarve në Shqipëri. Këta shqiptarë të ardhur nga Kosova u pranuan në shkollat më të mira të Shqipërisë së kohës, të cilat qenë shkolla teknike dhe Gjimnazi i Tiranës, Liceu i Korcës, shkolla tregtare e Vlorës, Gjimnazi i Shkodrës, shkolla teknike e Kavajës, shkolla pedagogjike normale e Elbasanit. Rreth një e treta e nxënësve të këtyre shkollave, në atë periudhë kanë qenë ose prej fëmijëve të refugjatëve shqiptarë të ardhur nga Kosova në këtë periudhë, ose prej këtyre fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë të ardhur nga përtej kufirit. Shumë prej tyre morën bursa studimi në universitetet perëndimore nga shteti shqiptar. Asnjë prej tyre nuk u arrestua dhe as u dënua si spiun serb në atë kohë.
Shteti shqiptar, së paku që prej vitit 1920 kur u konsolidua dhe në vazhdim, ka qenë i detyruar që të mbajë forca të mëdha ushtarake dhe armatime në kufirin me Jugosllavinë, kjo për shkak të marrëdhënieve të tensionuara midis dy vendeve për shkak të trajtimit që shteti i madh fqinj iu bënte shqiptarëve atje. Këto forca ushtarake dhe armatime kanë qenë një barrë e madhe për shtetin shqiptar.
Si një sakrificë e popullit të Shqipërisë për Kosovën duhet konsideruar edhe financimi që iu bëri Enver Hoxha organizatave dhe grupeve marksiste-leniniste nga Kosova që vepronin në Perëndim. Se këto para mund të qenë përdorur për të blerë barna e ushqime për fëmijët e Shqipërisë. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe ndihma që shteti shqiptar i dha në atë kohë Universitetit të Prishtinës me tekste dhe mësimdhënës, kur vetë sistemi arsimor shqiptar kishte shumë nevojë për ta.
Enver Hoxha, ndonëse nuk iu mësonte ndonjë gjë shqiptarëve në shkolla për Kosovën, kujdesej që t’ u mësonte me hollësi që në shkollën tetëvjeçare se çfarë të këqijash kishte pasur Shqipëria prej Kosovës. Kështu që edhe nxënësit më të mirë në gjeografi dhe në histori të shkollave tetëvjeçare dhe të mesme të Shqipërisë, të cilët nuk dinin as emrat e tre qyteteve të Kosovës, njihnin mirë çështjen e “Vijës Strategjike” serbe, të viteve 1918-1923. Prandaj, kur nisi lufta në Kosovë në 1998, në mendjen e shumë shqiptarëve të këtej kufirit u ngrit fantazma e Vijës Strategjike serbe. Shqipëria rrezikoi shumë duke u bërë baza e luftës së armatosur të Kosovës, në vitet 1998-1999. Unë kam qenë i sigurt se në Shqipëri nuk do të kishte reagimi të fuqishme kundër këtij qëndrimi të shtetit shqiptar ndaj luftës së Kosovës, por nuk e kam pritur që në Kosovë të mos kishte asnjë lloj mirënjohjeje për këtë. Është e vërtetë, se ishte fjala për një shërbim që gjysma e kombit ia bënte gjysmës tjetër, dhe vëllai nuk ka pse ta falenderojë vëllain kur i gjendet me sa mundet në ditë të keqe. Por ama ka edhe mënyra të tjera se si shprehet mirënjohja.
Si pasojë e mbështetjes që i dha Shqipëria luftës së Kosovës pësuan dëme të mëdha zonat kufitare të Shqipërisë me Kosovën, Luma, Hasi, Tropoja. Shumë njerëz u vranë dhe akoma më tepër u gjymtuan. Banorët e këtyre zonave patën dëme të mëdha në banesa, automjete, bagëti, prodhime bujqësore. Dëmtimet në njerëz, automjete, bagëti vazhduan edhe për shumë kohë pas përfundimit të luftës, për shkak të minave që kishte shpërndarë ushtria serbe në zonat kufitare të Shqipërisë. Këta njerëz nuk u dëmshpërblyen për këto humbje që pësuan gjatë luftës dhe pas saj.
Çlirimi i
Kosovës nga SHBA u bë arsyeja kryesore që Shqipëria të ishte gjithmonë ndër
vendet e para që i përgjigjej ftesës së SHBA për të marrë pjesë në misione
ushtarake ndërkombëtare. Shqipëria veproi kështu në rastin e Afganistanit,
Irakut, Çadit etj. Që prej vitit 2003 Shqipëria ka marrë pjesë në misionet
ushtarake ndërkombëtare me forca ushtarake të mëdha krahasimisht me madhësinë e
vendit tonë. Këto kanë pasur një kosto të madhe financiare për shtetin
shqiptar. Në këtë analizë nuk mund të mos llogariten edhe humbjet që ka pasur
Shqipëria nga marrëdhëniet jonormale me Serbinë për shkak të qëndrimit të
Shqipërisë ndaj Kosovës. Duke qenë
Shqipëria ndërtoi një autostradë shumë të kushtueshme për t’ u lidhur me Kosovën, e cila nuk do të ishte e justifikueshme nga çdo pikëpamje për t’ u ndërtuar, nëse do të përdorej vetëm për Kukësin dhe Hasin. Me shumë më pak shpenzime mund të ishte përmirësuar rruga e vjetër, duke u ndërtuar dhe aty-këtu tunele të shkurtra, dhe mund të shkohej nga Tirana në Kukës dhe anasjelltas, për një orë e gjysëm më tepër. Dhe kështu mund të ishin bërë të dy rrugët, edhe rruga turistike e Drinit, e cila do të shkurtonte rrugën Tropojë-Tiranë. Por u zgjodh të bëhet autostrada e kushtueshme, për hir të Kosovës. Dhe unë ende mendoj se u bë mirë që u ndërtua autostrada.
Kryeministri Edi Rama para pak muajsh tha se ai ia kishte dhënë fjalën SHBA për sjelljen në Shqipëri të armëve kimike siriane për t’ u shkatërruar, për shkak të detyrimit që i kemi SHBA si komb për çlirimin e Kosovës. A thua se në vitin 2013, kur Kryeministri Rama tha këto fjalë, nuk ekzistonte prej më tepër se pesë viteve një shtet me emrin Kosovë! Dhe ky shtet me emrin Kosovë as që tha zyrtarisht një fjalë të vetme se ai ofronte që t’ i shkatërronte në territorin e tij armët kimike siriane. Kosova ia kishte lënë në derë Shqipërisë edhe detyrimin ndaj SHBA për çlirimin e Kosovës. Kështu dilte se Shqipëria duhet të bënte për Kosovën më tepër se ç’ duhet të bënte vetë Kosova për vetveten!
SHBA, jo pak herë i kanë lejuar vetes në Shqipëri sjellje të cilat do të kishin sjellë shpërthimin e protestave antiamerikane në vend, nëse nuk do të kishte shërbyer si vetëfrenim mirënjohja për faktin që SHBA çliruan Kosovën. Mjaft të përmendim këtu faktin se një Fondi Amerikan i Ndërmarrjeve, një fond i krijuar si partneritet i qeverisë amerikane me biznismenë privatë amërikanë, ka marrë me koncesion afatgjatë nga Qeveria “Nano” që prej dhjetë viteve, aeroportin e vetëm civil të Shqipërisë, me kushte të-ish-republikave të bananeve, duke mos u lejuar që Shqipëria të ketë një aeroport tjetër civil gjatë kohës së ekzistencës së koncesionit. Për këtë arsye nuk mund të vihet në punë aeroporti i ndërtuar i Kukësit dhe as të ndërtohet me koncesion një aeroport turistik në Vlorë. Për një ironi të hidhur, kontratën si drejtoreshë e Aviacionit Civil në atë kohë e ka nënshkruar një shqiptare e Shqipërisë me origjinë nga një familje kosovare: Merita Bunjaku-Xhafa. Shqipëria i pagoi një dëmshpërblim të madh kompanisë amerikane General Electric, për shkak të anulimit të një kontrate absurde për ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike që lidhte Tiranën me Durrësin me vlerë 95 milion dollarë, për të cilat shteti shqiptar duhet të merrte një kredi. Për gjëra të tilla si koncesioni i aeroportit, apo ajo që bëri kompania “Bechtel” në autostradën Shqipëri-Kosovë, apo edhe dëmshpërblimi për hekurudhën elektrike, në ish-republikat e bananneve sot do të ishte djegur me siguri ambasada amerikane nga protestat popullore. Në Shqipëri ka vetëfrenim vetëm për një arsye, se SHBA çliroi Kosovën.
Si
antidot (kundërhelm) i antiamerikanizmit, për shqiptarët e Shqipërisë nuk ka
shërbyer aspak mirënjohja për atë që bëri Presidenti
Krahasimisht me atë që SHBA ka bërë për Shqipërinë, mund të thuhet se SHBA ka bërë shumë më tepër për Francën, duke derdhur gjak për ta shpëtuar nga pushtimi gjerman në dy luftra botërore, por kjo nuk i ka penguar Francën që të mbajë shumë herë qëndrime antiamerikane. Francezët konsiderohen në përgjithësi si një popull antiamerikan. SHBA i ka bërë Greqisë shumë më tepër të mira se Shqipërisë, e megjithatë Greqia shumë herë ka mbajtur qëndrime antiamerikane, dhe grekët janë një nga popujt më antiamerikanë të botës. Mirënjohja e Shqipërisë ndaj SHBA është qartësisht në shpërpjestim me shërbimet që SHBA i kanë bërë Shqipërisë, nëse përjashtohet çlirimi i Kosovës. Çlirimi i Kosovës bën diferencën.
Dëmi ekonomik që Shqipëria ka pësuar për shkak të Kosovës, me humbjet territorial, pasurore të cdo lloji, me shpenzimet e cdo lloji të bëra për shqiptarët e Kosovës të ardhur në Shqipëri, si dhe me shpenzimet e bëra për shkak të Kosovës në Shqipëri, shkon deri në 20 miliard euro të sotme. Duke konsideruar përmasat e Shqipërisë, mund të thuhet se asnjë vend tjetër nuk e ka bërë një sakrificë të tillë për pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve të tij.
Por nga kjo, dhe nga gjithçka thashë më lart vjen në pyetje shprehja e mirënjohjes së Kosovës për Shqipërinë. Është e vërtetë, se Kosova nuk mund të bëjë shumë për të shprehur mirënjohjen për Shqipërinë. Por gjithmonë mund të bëhet diçka. P.sh. politikanët, shtetarët intelektualët shqiptarë të Kosovës mund të kishin apeluar masivisht dhe fuqimisht që futbollistët e talentuar me origjinë shqiptare nga Kosova, Xherdan Shaqiri, Adnan Januzaj etj., t’ i bashkoheshin përfaqësueses së Shqipërisë. Vetë Shaqirit, Januzaj etj., duhet t’ ju ishte thënë publikisht se ata i detyrohen shumë edhe Shqipërisë, për atë që janë sot. Se nëse nuk do të kishte qenë Shqipëria që mbështeste Kosovën dhe në përgjithësi shqiptarët e Jugosllavisë, me siguri që Jugosllavia nuk do të kishte nguruar që t’ i dëbonte për në Turqi shqiptarët e Jugosllavisë. Në Beograd e dinin mirë se aleanca mes Shqipërisë dhe Italisë, që ekzistonte në vitet 20-30 kishte dhe një dispozitë të fshehtë, sipas së cilës Italia do t’ i jepte ndihmë Shqipërisë kundër Jugosllavisë për pjesën e kombit të mbetur jashtë kufijve, gjë që, pavarësisht gjykimeve ideologjike që mund të ekzistojnë, u realizua në 1941. Pra, nëse nuk do të kishte qenë shteti shqiptar familja e Shaqirit dhe Januzajt do të kishin përfunduar diku në Anadoll ku i sistemonte Turqia refugjatët shqiptarë të ardhur nga Jugosllavia, dhe atje nuk dihet se si do të kishte shkuar fati i tyre. Detyrimi më i paktë që kishin Xherdan Shaqiri dhe kolegët e tij shqiptarë që zgjodhën të luajnë për Zvicrën, si dhe Adnan Januzaj, ishte që t’ i kërkonin publikisht falje Shqipërisë për zgjedhjen që bënë për të luajtur me përfaqësueset e vendeve të tjera.
Por Kosova ka përfaqësuesen e vet, mund të kundërshtohet dhe nëse kishin të drejtë t’ i kërkonin diçka shqiptarët e Kosovës Shaqirit, Januzajt etj., duhet t’ i kërkojë që të luajnë për Kosovën. Është e vërtetë që Kosova ka përfaqësuesen e vet, por gjithashtu është e vërtetë se sa kohë që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk mund të luajë ndeshje zyrtare, dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë sa kohë që do të vazhdojnë të luajnë Shaqiri, Januzaj etj., madje nuk do të ndodhë as sa kohë që të jetojnë ata. Ftesa që do t’ ju bëhej nga Kosova Shaqirit, Januzajt etj., që të luanin për Shqipërinë, mund të ishte edhe një presion i tërthortë në dobi të përparimit të procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, pasiqë me këtë do të thuhej se çdo ndalim ndërkombëtar që i vihet Kosovës, çon natyrshëm nga bashkimi me Shqipërinë në rrafshin përkatës.
Nga politikanët e rëndësishëm shqiptarë të Kosovës, vetëm zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli u shpreh publikisht që Januzaj duhet të luante për Shqipërinë. Njerëzit duhet të gjykohen sipas veprimeve. Pacolli ka bërë të këqija në të shkuarën, por qëndrimi i tij për Januzajn e nderon. Ashtu siç foli Pacolli mund të kishte folur edhe Hashim Thaçi dhe të tjerë politikanë të rëndësishëm. Se nuk e besoj që Behgjet Pacolli të jetë më i guximshëm se Hashim Thaqi, apo të tjerë politikanë të rëndësishëm shqiptarë të Kosovës. Veçanërisht acarues ishte qëndrimi i ndonjë prostitute qeveritare e cila i drejtohej Januzajt duke e quajtur yll dhe duke i thënë që të luante për cilën përfaqësuese të donte. Çfarë problemi do të kishte pasur kjo nëse do të kishte heshtur? Të vetmit që mbajtën qëndrimin e duhur si shqiptarë qenë tifozët kuqezi nga Kosova. Dhe pastaj këta tifozë u fyen me frazeologji shumë të ashpër nga një numër i madh intelektualësh të paguar të Kosovës, të cilët tash sa vite e nxjerrin jetesën duke nxitur dasi dhe armiqësi mes shqiptarëve në dy anët e kufirit. Pjesa tjetër e intelektualëve të Kosovës, të cilët kanë zë publik, përgjithësisht heshtën.
Qëndrimi që u mbajt në Kosovë ndaj refuzimit që Shaqiri, Januzaj dhe të tjerë si ata i bënë Shqipërisë, ishte shumë zhgënjyes për mua si shqiptar i Shqipërisë. Shqiptarët e Kosovës duhet ta kishin kuptuar se këtu nuk ishte fjala thjesht për detyrimin që kishin këta lojtarë shqiptarë të Kosovës për të luajtur për përfaqësuesen e Shqipërisë, por ishte fjala për detyrimin që kishte Kosova për t’ ia kthyer borxhin e mirënjohjes Shqipërisë. Kosovës iu dha rasti që ta bënte këtë gjë dhe nuk e bëri. Dikush mund të thotë se megjithatë në përfaqësuesen e Shqipërisë luajnë shumë shqiptarë të Kosovës edhe pa Shaqirin, Januzajn dhe të tjerët si ata. Është e vërtetë, por Shaqiri dhe Januzaj janë lojtarë të klasit të lartë. Lorik Cana dhe të tjerë shqiptarë të Kosovës erdhën të luajnë për Shqipërinë me dëshirën e tyre, madje përposë kritikave të intelektualëve të Prishtinës, të përmendur më lart. Në rastin e Shaqirit dhe Januzajt, vërtet që shqiptarët e Kosovës nuk mund t’ i detyronin ata që të luanin për Shqipërinë, por mund ta gjenin mënyrën për ta shprehur publikisht dhe masivisht qortimin e tyre ndaj zgjedhjes që bënë Shaqiri dhe Januzaj. Kjo nuk ndodhi. Dhe kjo është një gjë e keqe, shumë e keqe.
“Kthema
borxhin” janë fjalët e një kënge të këngëtarit nga Kosova Ilir Shaqiri, kënduar
në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik të Shqipërisë, në 1994. Në
këtë këngë janë shqiptarët e Kosovës të cilët i drejtohen Europës me këto fjalë
që nga Tirana, duke i kërkuar ndihmë për t’ i shpëtuar nga dhuna e Serbisë. Në
këtë këngë Europa quhet “perëndia e kallkanit”. Njëzet vite më pas duhet të
ishte një këngëtar nga Shqipëria që të këndonte për Kosovën si “perëndia e
kallkanit”, që duhet t’ ia kthente borxhin Shqipërisë. Një pjesë e madhe e
shqiptarëve të Kosovës i kanë në majë të gjuhës sharjet “shkije” dhe “grek” si
reagim ndaj një analize të tillë. Kjo është mendësia e atyre bashkëkombasve nga
ana tjetër e kufirit, të cilët i qitën bukur shumë probleme Shqipërisë pas
Luftës së Parë Botërore. Cilido në Shqipëri që mundohej t’ i bënte të
arsyetonin ata, etiketohej “shkije” dhe "grek". Ende mbetet për t’ u
studiuar se sa e ka origjinën në atë periudhë një lloj animoziteti historik që
ka ekzistuar ndaj shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri dhe që më pas u ushqye me
dinakëri nga
Shqiptarët e Kosovës duhet ta ngulitin mirë në mendje se Shqipëria mund ta shesë kur të dojë pa asnjë problem Kosovën, madje me përfitime të mëdha. Por Kosova nuk e shet dot në asnjë rast Shqipërinë. Shqiptarët e Kosovës kanë një nevojë ekzistenciale për praninë dhe tutelën e SHBA. Shqipëria ka ekzistuar si shtet edhe pa mbështetjen e SHBA, madje për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj shtetërore. Shqiptarët e Kosovës duhet ta dinë se nuk mund të ketë prani efektive amerikane në Kosovë, nëse Shqipëria mban një qëndrim të ftohtë ndaj SHBA në atë masë që mban p.sh. fqinji jonë jugor anëtar i NATO-s, Greqia. Dhe shqiptarët e Kosovës duhet ta dinë se qëndrimi i shqiptarëve të Shqipërisë e për rrjedhim i shtetit shqiptar, ndaj SHBA, varet shumë nga qëndrimi i Kosovës ndaj Shqipërisë. Kjo do të thotë se qëndrimi i Shqipërisë ndaj SHBA varet shumë nga fakti nëse Shqipëria do ta perceptojë qëndrimin e Kosovës ndaj saj si mirënjohës ose jo.