Mendime
Adil Fetahu: Tribunali i shpifjeve të Serbisë
E merkure, 12.03.2014, 07:32 PM
TRIBUNALI I SHPIFJEVE TË SERBISË E
TË DICK MARTIT
Nga Adil Fetahu
Kohë më parë u publikua “Draft-statuti” i Tribunalit për krimet e kryera gjatë periudhës 1998-2000”. Nga teksti i projekt-statutit, shihet se cilat do jenë kompetencat e atij Tribunali, cilat janë krimet në kompetencë të tij, cilat janë ligjet që do t’i zbatojë Tribunali, çfarë do të jetë organizimi i Tribunalit dhe imuniteti i personelit, cilat do jenë procedurat që aplikon Tribunali, çfarë dënime mund të shqiptojë, dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me punën dhe kompetencat e atij ad-hoc Tribunali. Kohëve të fundit kjo temë po trajtohet nëpër media, dhe natyrisht se akoma nuk është qartësuar se kush do ta themelojë, ku do ta ketë selinë dhe çështje tjera lidhur me punën e tij. Për këtë nuk ka një qëndrim as Qeveria as Kuvendi i Kosovës, sado që individë nga këto organe dalin me mendime individuale, se nuk duhet pranuar themelimin e një tribunali të tillë ad-hoc.
Çka janë ad-hoc tribunalet dhe baza juridike e themelimit të tyre
Ad-hoc tribunalet themelohen për ndonjë rast konkret, si gjykata të jashtëzakonshme ndërkombëtare, për shkak të mosbesimit në gjykatat nacionale, se mund të pritet e besohet që ato do të gjykojnë drejt e në mënyrë të paanshme për krimet e luftës. Në historinë më të re janë të njohura tribunale të tilla, qysh nga Procesi i Lajpcigut (1919), kundër pjesëtarëve të ushtrisë dhe marinës gjermane prej Luftës së Parë Botërore. Emërtimi “tribunal” më herët kishte kuptimin e gjykatës ushtarake, si ai i Nynbergut dhe ai i Tokios, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa kohët e fundit, përkundër faktit se ekziston Gjyqi Penal Ndërkombëtar i themeluar sipas Statutit të Romës, për raste të veçanta janë themeluar: Tribunali i Hagës (1993) për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Triubnali për krimet të luftës civile në Ruandë (1994). Gjykata hibride të formuara me marrëveshje midis subjekteve vendore dhe ndërkombëtare ka pasur: Gjyqi Special në Siera Leona, dhoma të veçanta gjyqësore në Kamboxhë, Gjykata në Bosnje-Hercegovinë, Dega për krime të luftës të Gjykatës së Lartë në Ugandë, etj.
Në qoftë
se tribunalet për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën
janë themeluar në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të
Kombeve të Bashkuar, duke u mbështetur në Kreun
Sa i përket Kuvendit të Kosovës, ai nuk ka bazë juridike as për të themeluar vet, as për të kërkuar nga BE themelimin e një gjykate/tribunali ad-hoc. Në dispozitën e nenit 103 par.7 të Kushtetutës së Kosovës, është përcaktuar se “Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj, kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme”. Tribunali ad-hoc, të cilin BE po pretendon ta themelojë me statut (e jo Kuvendi i Kosovës – me ligj), nuk e ka karakterin e gjykatës së specializuar, sikur do ishte për shembull: gjykata e punës, gjykata administrative, gjykata ekonomike apo ndonjë lloj tjetër i gjykatave të specializuara në sistemin gjyqësor të Kosovës. Qeveria nuk ka ingerenca lidhur me themelimin e gjykatave, qofshin ato të rregullta, të specializuara as aso ad-hoc!
Themelimi i ad-hoc Tribunalit në fjalë, kryekëput mbështetet në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të miratuar më 7 janar 2011, në bazë të përrallave shpifëse të senatorit zviceran Dick Marti, të cilat e kanë fillimin dhe bazën në gënjeshtrat dhe shpifjet e Serbisë, për gjoja krimet me trafikimin e organeve (nga “Shtëpia e Verdhë”). Pas publikimit të raportit të Dick Martit, mediat serbe me një eufori triumfaliste të parparë, disa javë e muaj rresht bënë propagandë në këtë temë. Hashim Thaçi i pat shkruar letër sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Torbjan Jangland, me të cilën kërkonte që sa më parë të zhvillohen hetimet lidhur me rastin e atij raporti. Delegacioni i Shqipërisë ia pat dorëzuar KE përgjigjen ndaj akuzave të Dick Martit, dhe kategorikisht i hedh si të pabaza, raciste dhe antishqiptare e në shërbim të Serbisë. Eulex-i pat kërkuar nga Dick Marti t’ia dorëzojë prokurorisë informatat dhe provat që ka për akuzën që bënte, ndërsa një delegacion i Eulexit e pat vizituar Prokurorinë e Shtetit në Tiranë. Ish-ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, Denis Mc Shane e ka pat quajtur “turp për Këshillin e Evropës që ka lejuar të publikohet raporti i Dick Martit, i mbushur me propagandë dhe pa kurrëfar dëshmish konkrete”.
Askush nuk ka kundër që çdo pretendim i bazuar për krime të kryera, të hetohet, vërtetohet e gjykohet. Për këtë qëllim EULEX-i ka themeluar një të ashtuquajtur “Task-forcë speciale”, e më vonë si kryeprokuror për këtë çështje u emërua Clint Williamson. Ky ishte mekanizëm i aprovuar nga vet Këshilli i Evropës. Përse tash ky mosbesim ndaj EULEX-it dhe ndaj prokurorit të cilin e ka emëruar vet për hetime? Kemi arsye të dyshojmë, se themelimi i ad-hoc Tribunalit që po përmendet, është rezultat i angazhimeve të Serbisë, me miqtë e saj, që ta denigrojë sistemin gjyqësor të Kosovës, punën e EULEX-it, udhëheqësinë dhe shtetin e Kosovës, në këtë vit të zgjedhjeve të përgjithshme, e pasiqë nuk arriti që në Tribunalin e Hagës të krijojë balancë të krimeve: Serbi – Kosovë! Nëse vërtetë themelohet ky Tribunal, do të jetë ky rast i vetëm për Kosovën, derisa për asnjë nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë nuk është themeluar një tribunal i tillë, dhe kjo nuk i bënë nderë as Kosovës, por as vet Evropës e cila i ka mekanizmat e veta të angazhuara në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Kompetencat, veprat, ligji i aplikueshëm dhe dënime
Nëse themelohet, Tribunali do të jetë një ad-hoc gjykatë penale ndërkombëtare e pavarur, që nuk do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por do të jetë mbi këtë sistem, pasi që në çdo fazë të procedurës, cilësdo gjykatë a prokurori të Kosovës, mund t’ia merr kompetencën, lëndët dhe provat të cilat kanë të bëjnë me rastet nga kompetenca e Tribunalit.
Tribunali
do të ketë kompetencë të gjykojë për veprat: gjenocid, krime kundër njerëzimit,
krimet e luftës, krimet kundër
administrimit të drejtësisë dhe krimet të tjera të sanksionuara me ligjet e
Kosovës. Është ky një spektër i pakufishëm i krimeve dhe veprave penale, për të
cilat Serbia do t’i sugjerojë dhe ofrojë Tribunalit “prova” të sajuara, të shpifura e të falsifikuara, sa të mos lejë njeri pa e futur në procedurë të hetimit a gjykimit. Derisa
Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, gjenocidin e ka vërtetuar vetëm për
Srebrenicën, e nuk kanë gjetur gjenocidin qe ka bërë Serbia ndaj popullit të
Kosovës, ky Tribunal “paska indikacione” se kosovarët paskan bërë gjenocid?!
Jo dënim me vdekje, por dënim – deri në vdekje
Sa u përket dënimeve që mund t’i shqiptojë Tribunali, projekt-statuti (neni 34-35) parasheh dënimin me burg dhe gjobat. Për krimet më të rënda,Tribunali mund të shqiptojë dënimin me burgim të përjetshëm, pa specifikuar se për cilat vepra. Për krimet kundër administrimit të drejtësisë (dëshmitë, deklaratat, ekspertizat, dhuna etj, të parapara në nenin 7), dënimi nuk mund të kalojë periudhën dhjetë vjeçare. Dënimi me burg të përjetshëm është dënimi më i rëndë, pas dënimit me vdekje, sepse edhe ky dënim është – deri në vdekje, por cilësohet si zëvendësim “human” i dënimit me vdekje, i cili është hequr nga legjislacionet e shumicës së vendeve të botës. Dënimi me burgim të
përjetshëm konsiderohet si masë efikase kundër përsëritjes së krimeve, por edhe të gjykuarit me dënim të tillë mund të lirohen me kusht. Përndryshe, edhe Kodi Penal i Kosovës e parasheh dënimin me burgim të përjetshëm (neni 44), duke përjashtuar personat të cilët nuk i kanë mbushur 21 vjet moshe në kohën e kryerjes së krimit, dhe personat me aftësi të kufizuara. Përveç dënimit me burgim, Tribunali mund të shqiptojë edhe konfiskimin e pasurisë, në llogari të viktimave.
Dënimet me burg do të ekzekutohen në një nga shtetet që zgjedh kryetari i Tribunalit, në bashkëpunim me shtetin që ka shprehë vullnetin për të pranuar personat e dënuar. Për kushtet e vuajtjes së dënimit, faljes ose zvogëlimit të dënimit vlejnë ato që janë në fuqi në legjislacionin e shtetit përkatës, e nën mbikëqyrjen dhe pëlqimin e Tribunalit.
Organizimi i Tribunalit
Për
lexuesit janë më pak interesante dispozitat që kanë të bëjnë me organizimin e Tribunalit,
por sa për informim të përmendim se parashihet që të ketë: dhomat e gjyqtarëve të procedurës paraprake,
dhomat e gjykimeve të shkallës së parë, dhe dhomën e Apelit, për gjykime në
shkallë të dytë sipas ankesës apo rishqyrtimit. Do ta ketë Zyrën e prokurorit
dhe Zyrën e administratës, e cila mbanë regjistrin e mbrojtësve, të viktimave,
të pjesëmarrësve në procedurë, të dëshmitarëve të mbrojtur etj. Do të ketë 15
gjyqtarë, por në projekt-statut nuk është përcaktuar se kush do t’i emërojë ata
(a do t’i emërojë Këshilli i Evropës, apo Këshilli i Sigurimit të KB; kjo varet
nga ajo se kush do ta themelojë Tribunalin?). Parashihet mundësia që prej një
shteti të emërohen tre gjyqtarë, gjë që nuk është mirë sa i përket paanësisë së
gjykimeve, sepse pavarësisht se në cilën shkallë të gjykimit zhvillohet
procedura, ata mund ta përkrahin vendimin e kolegëve nga vendi i tyre.
Gjyqtarët dhe prokurori gëzojnë imunitet ndërkombëtar, madje edhe pas
përfundimit të mandatit. Tribunali dhe prokurori mund të kërkojnë asistencë dhe
bashkëpunim nga shtetet anëtare ose shtetet e tjera, organizatat dhe entitetet,
për hetimin dhe ndjekjen e personave të akuzuar nga Tribunali. Bile mund të
kërkojnë dhe marrin donacione prej tyre. Në këtë hapësirë,
Kundërshtarët
e themelimit të këtij Tribunali, pa u lëshuar në çështjet më të thella, këtë e
shohin si humbje të imazhit të sistemit gjyqësor të Kosovës. Sa për imazh, nuk ka se çka të humbë më
tepër, se që ia kanë prishur vet qytetarët, politika, mediat dhe OJQ-të e
Kosovës, të cilat ankohen deri në kupë të qiellit për “korrupsionin e
gjyqësorit”, deri sa vet janë më të korruptuar-a se gjyqësori. Por imazhin ia
ka prishë edhe UNMIK-u dhe nuk ia ka përmirësuar për asnjë “milimetër” as
EULEX-i.