Mendime
Alma Lama: Kohezion që përfshin të drejtat e grave
E marte, 11.03.2014, 08:59 PM
Për një kohezion kombëtar që
përfshin të drejtat e grave
Nga Alma Lama
Me lejoni të falënderoj së pari Aleancën e Grave Deputete që na mblodhi sot këtu në Kuvendin e Shqipërisë, dhe na krijoi mundësinë që ne gratë shqiptare përfaqësuese, t’u drejtohemi qytetarëve tanë, nga kjo foltore.
Gjithashtu sot, ne duhet të përkujtojmë me nderim të gjitha paraardhëset tona, në të gjitha trojet, të cilat luftuan nëpër dekada, duke sfiduar mentalitetin armiqësor për të drejtat e grave. Ato ishin modeli për ne, ashtu sikurse ne, me punën tonë duhet të shërbejmë si model për gratë në të ardhmen. Dhe të mos harrojmë, ne jemi kombi që lindi Nënë Terezën.
Të nderuara deputete,
Ky i sotmi është një kuvend sa i zakonshëm, po aq edhe i jashtëzakonshëm. I zakonshëm sepse gratë mblidhen përditë dhe kudo, këtu e anembanë botës, për të folur për shqetësimet dhe aspiratat e tyre, për sfidat dhe arritjet.
I jashtëzakonshëm sepse ne gratë deputete të të gjitha trojeve shqiptare u bëmë bashkë në një kuvend të vetëm, të përbashkët, të parë, që meriton të quhet Kuvendi i Grave Shqiptare.
Interesi ynë i përbashkët është të sjellim një energji të re dhe stabilitet në shoqëritë tona, deri dje të ndara nga historia, por sot e tutje të bashkuara.
Në Ditën ndërkombëtare të Gruas, ne të gjitha së bashku, duhet të ngremë zërin, për të gjitha ato gra shqiptare që rrisin fëmijët me vetëmohim; që nuk kanë qasje në shëndetësi e arsim; që janë të izoluara nga familjet e tyre; që vuajnë nga dhuna në familje e nuk gjejnë strehë askund; që u vranë mizorisht; që u trafikuan; që iu shkel dinjiteti nga media, shteti e shoqëria; që janë të papuna e jetojnë në kushte të skamjes.
Ne duhet të ngremë zërin për ato mijëra gra që humbën më të dashurit e tyre në luftë; për ato gra që u dhunuan gjatë luftës e u anatemuan nga shoqëria; për ato gra që përplasen dyerve të gjykatave të korruptuara, të cilat shpesh iu marrin gjithçka; për ato gra nëpër burgje që u detyruan të marrin ligjin në dorë sepse shteti nuk ishte aty për t’i mbrojtur kur ato kishin nevojë; për ato gra që punojnë në kushte të rënda për shëndetin e tyre; për ato gra që paguhen më pak se burrat, për të njëjtën punë; për ato gra që diskriminohen në secilën sferë të shoqërisë , për ato gra që diferencimi gjinor filloi që ditën kur lindën.
Ne gratë deputete shqiptare duhet ta ndryshojmë këtë gjendje.
Ne duhet të angazhohemi për ta sjellë përfaqësimin në institucione, veçanërisht në Kuvend ku miratohen ligje në nivelin e kuotës natyrore, 50%. Aktualisht jemi larg, shumë larg por askush nuk e ndan me dëshirë pushtetin; ne duhet të luftojmë për ta marrë atë që na takon.
Ne duhet të fillojmë urgjentisht të shkëmbejmë praktikat më të mira të legjislacionit që mbështet përmirësimin e rolit të gruas në shoqëri.
Ne deri
tani kemi dështuar me bashkëpunimin në arsim. Integrimi dhe një plan kombëtar
për ta zhvilluar këtë fushë është esenciale. Gratë shqiptare në një vlerësim
mbarëkombëtar, janë në disnivel me burrat. “Një shtet që nuk arsimon gratë
është si një njeri që ushtron vetëm krahun e djathtë” ka thënë shkrimtari dhe
filozofi norvegjez, Gaarder. Vajzat diskriminohen që në çerdhe pasi statistikat
tregojnë se shumë prindër i dërgojnë aty më shumë djemtë se vajzat.
Thuhet se nëse arsimon një grua ke arsimuar një familje, nëse arsimon familjen arsimon shoqërinë, e ne kemi nevojë të arsimojmë kombin. Pushteti ekzekutiv duhet të na dëgjojë me vëmendje sot. Ministritë përkatëse të arsimit,duhet të krijojnë një fond të përbashkët për të ndihmuar ato vajza nga të gjitha trojet shqiptare, që nuk kanë mundësi financiare të shkollimit universitar.
Gjithashtu si deputete duhet të shfrytëzojmë mundësinë e hartimit të ligjeve apo amendamentimin e tyre për t’iu krijuar grave mundësinë që të bashkëpunojnë për sa i përket ekonomisë, punësimit, tregtisë. Grave sipërmarrëse iu duhet krijuar mundësia e një tregu të përbashkët, të hiqen barrierat doganore për prodhimet e tyre.
Bashkëpunimi ndërpartiak, shkëmbimi i praktikave më të mira demokratike duhet të jetë i përditshëm. Ne duhet të bëhemi bartëse të frymës demokratike nëpër parti, të frymës së moderuar që sfidon arrogancën maskiliste dhe primitive. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë tjetër politike, një kulturë evropiane.
Qeveritë e shteteve që përfaqësojmë duhet të krijojnë ministri për barazi gjinore. Jo për të shtuar numrin e ministrive, që aktualisht është mjaft i madh, por për tu përkujdesur që perspektiva gjinore të përfshihet në të gjitha fazat e procesit të vendimmarrjes . Nëse vendet me barazi gjinore më të lartë në botë e kanë një të tillë si Suedia, pse nuk duhet ta kemi ne.
Unë mendoj se jemi ne momentin e fundit për krijimin e një kohezioni kombëtar që në radhë të parë përfshin të drejtat e grave dhe liritë e tyre. Kemi humbur shumë kohë. E sotmja është e pasigurt, e nesërmja e panjohur. Si e tillë mund të na sjellë sfida të cilat duhet t’i përballojmë së bashku.
Ne gratë shqiptare duhet të reagojmë si një trup i vetëm, sa herë liria jonë sfidohet nga armiqtë e lirisë, sa herë që integriteti ynë cenohet nga armiqtë e demokracisë.
Në sot nga ky Kuvend, duhet të dalim me një dokument të përbashkët integrimi, detyrash, objektivash; të gjitha në funksion të sjelljes së gruas në një gjendje më të mirë, më dinjitoze; të gjitha në funksion të një komunikimi më të afërt e më të natyrshëm mes nesh; të gjitha në funksion të përmbushjes së objektivave të OKB-së për mijëvjeçarin e tretë.
Ne gratë deputete duhet të dëgjojmë zërin e grave shqiptare në të gjitha trojet dhe të bëhemi zë i tyre.
(Ky është fjalimi i mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë ku morën pjesë gratë deputete nga të gjitha trojet shqiptare)