E enjte, 01.05.2025, 06:58 AM (GMT+1)

Mendime

Dibran Demaku: Gjuha shqipe dhe politikanët

E hene, 10.03.2014, 08:59 PM


GJUHA SHQIPE DHE POLITIKANËT

Nga Dibran Demaku

Ishte fundi i majit apo fillimi i qershorit të vitit 1980.Fakulteti i Folologjisë( atëherë quhej fakulteti filozofik) i Universitetit të Prishtinës festonte njëzetvjetorin e themelimit.Ai fakultet ishte si të thuash dallëndyshja e parë e arsimit të lartë në Kosovë e që pas saj kishin ardhur edhe dallëndyshet e tjera  dhe të gjitha së bashku kishin sjellur pranverën në Kosovë ,që do të thotë kishin themeluar Universitetin e Prishtinës, një dhjetvjeqar më vonë.

Ato ditë, pra Fakulteti i filologjisë festonte njëzetvjetorin e themelimit dhe në Festën e madhe ishin ftuar përfaqësues të të gjitha universiteteve të atëhershme jugosllave si dhe përfaqësuesit e Universitetit shtetëror të Tiranës.

Akademia festive do të mbahej ku tjetër pos në Sallën solemne të fakultetit në fjalë që për kohën ishte mbase edhe salla më zulmëmadhe.

Përveq botës akademike ishin ftuar edhe mysafirë dhe njeëz të politikës së kohës të Kosovës.Dhe siç e donte rendi fjalën e parë përshëndetëse do ta mbante i pari i Kosovës,atëherë e quajtur Krahina autonome socialiste e Kosovës.I pari i saj ishte një ish partizan që kishte marrë pjesë në luftën e dytë botërore.Se ç`luftë kishte bërë nuk dihej,por dihej se pas përfundimit të saj ai kishte fituar shumë mirënjohje e dekorata.Dhe falë atyre mirënjohjeve dhe dekoratave ishte zgjedhur edhe si i pari i vendit.

Kur ai do të fillonte të lexonte referatin( që nuk dihej se nga kush ishte shkruar) shumica e studentëve në manifestim do të fillonin të qeshnin.Ish partizani, që tash ishte zgjedhur si i pari i vendit, mezi arrinte t`i lexonte ato që ishin të shkruara në letër.

Dhe derisa i pari i Kosovës vazhdonte leximin, ndërkaq studentët kishin filluar të qeshnin me atë lexim skandaloz të tij, profesorët e shumtë që ishin vendosur në mes të studentëve nga ana e partisë,mundiheshin që t`i qetësonin studentët që ta ndalnin qeshjen e tyre.Ishte koha kur edhe të qesheshe me ndonjë dukuri të pamirë ishte e ndaluar! E jo më të thoje ndonjë fjalë fyese?!

Njëri nga studentët, që atëherë paraqitej si më i guximshmi do të fliste:-“Përse e keni nxjerrë të flasë këtë analfabet?! Dëgjojeni se si e lexon atë që ia kanë shkruar.Lexon si të kishte „burgalema“ në gojë!“(Fjalën „burgalem“ e shkrova në mes thonjëzash, sepse të them të drejtën as sot nuk e di nëse kjo fjalë gjendet në fjalorin drejtshkrikor të gjuhës shqipe apo jo).

Pas thirrjes së studentit të guximshëm, të tjerët, pra studentët filluan të qeshnin edhe më dhe filluan të duartrokisnin.Fatmirësisht ai, i pari i Kosovës dhe ata që e shoqëronin atë , të qeshurat dhe duartrokitjet e studentëve do t`i kuptonin si përkrahje dhe përshëndetje për të parin e vendit dhe për fjalimin e tij!Ndërkaq i pari i vendit, duke menduar se studentët ishin të kënaqur me fjalën e tij do t`i përshëndeste ata dhe edhe më i ekzaltuar do të vazhdonte fjalën e tij!...

Kjo ngjarje më erdhi në mendje në një mbrëmje derisa po i dëgjoja lajmet nga lelevizori.Në ato lajme po fliste njëri nga liderët e partive të tashme politike, që në Kosovën tonë të vogël janë aq shumë!Dhe lideri i sotëm partiak, në krahasim me ish të parin e Kosovës të kohës së socializmit apo të komunizmit(quane si të doni)  fliste me një fjalor tmerrësisht edhe më të keq!Gjuha e tij ngjante me gjuhën e kalamajve kur lozin në rrugë?!Dhe domosdo si shqiptar u ndjeva keq!Keq më erdhi edhe për liderin partiak i cili fliste në atë mënyrë!Dhe lideri në fjalë thuhet se e ka të mbaruar Universitetin?!

Me liderë të tillë partiakë si dhe me politikanë të shumtë që nuk dinë të flasin gjuhën shqipe, sot Kosova është e tejmbushur!Dhe jo vetëm kaq.Mjafton që të ndiqet një seancë e Parlamentit të Kosovës dhe të shihet se çfarë gjuhe flasin deputetët e popullit?! Ndërkaq deputetët e popullit të Parlamentit të Kosovës e kanë për obligim , në bazë të Kushtetutës së Kosovës, që ta flasin dhe ta shkruajnë drejtë Gjuhën e nënës së tyre, e që në këtë rast është Gjuha shqipe!Themi se ata e kanë për obligim që ta flasin dhe ta shkruajnë drejt gjuhën,sepse ata i miratojnë të gjitha ligjet, me këtë rast edhe ligjin për gjuhën!Dhe po nuk e folën dhe nuk e shkruan ata si duhet gjuhën shqipe, si do të mund të miratojnë ligjin e gjuhës për të tjerët?!

Meqë zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë në prak, do të ishte mirë që Parlamenti i Kosovës të hapte ndonjë shkollë nate, në të cilën deputetët e tij të mësonin gjuhen e tyre! Në një shkollë të tillë të natës do të duhej që të shkonin edhe disa nga liderët e sotëm partiak!

Nëse ish të parit të Kosovës, të kohës së socializmit edhe mund t`i falej mosmësimi i drejtë i gjuhës shqipe,sepse atëherë më shumë se gjysma e popullates ishte analfabete, politikanëve të sotëm kosovarë nuk u falet një gjë e tillë!Nuk u falet, sepse sot Kosova jonë e vogël i ka Gjashtë Universitete publike?!(Të shpresojmë që këto gjashtë Universitete publike të mos nxjerrin „Analfabet me diplomë universiteti“, siç e tha kryeparlamentari i Kosovës në një seancë të parlamentit, kur kryeministri i Kosovës bënte publike themelimin e tri universiteteve publike në një ditë?!)…



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx