E enjte, 01.05.2025, 12:13 AM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Riciklim nismëtarësh

E hene, 10.03.2014, 07:40 PM


Riciklim nismëtarësh

Nga Arbana Xharra

Vetë emërtimi i partisë “Nisma” është kontestues. Nuk po nis asgjë e re, kemi një vazhdimësi më të njëjtit njerëz. Dy nga figurat kryesore të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, janë larguar nga aty me arsyetimin se po shkelen parimet me të cilat dikur ata kanë krijuar këtë parti.

Në fakt qysh në kongresin e PDK-së, apo konventën ashtu siç kanë qejf ta quajnë, janë përjashtuar kritikët e kësaj partie. Haptazi u dëbuan mbështetësit e Fatmir Limajt, rajoni i Malishevës, edhe me dëbimin faktik të Hydajet Hysenit (PDK) qysh atëherë PDK ka përzënë një pjesë të mbështetësve edhe të Anamoravës. Ishte ky kongresi i fundit i PDK-së, ku me retorikë pro evropiane merreshin vendime të stilit të Koresë së Veriut. Kulmi i joseriozitetit ndodhi kur si me magji kjo parti u bë djathtiste.

Sidoqoftë ardhja e Kadri Veselit, i cili u promovua si prurje e re, por që në realitet ishte veçse zyrtarizim i fuqisë së tij brenda kësaj partie, ka shkaktuar edhe thyerje më të thella mes pretenduesve për pozitat kryesore pas kreut të saj. Është kjo lufta e llojit të vet, e cila kishte krijuar brenda partisë linjën ndarëse mes ish-zyrtarëve të SHIK-ut dhe krahut të UÇK-së.

Dhe sot përfundimisht “Nisma” është shkëputje nga pakënaqësitë e brendshme të PDK-së. Në fakt, Krasniqi është ai i cili më haptazi dhe më ashpër ka folur kundër PDK-së, duke mos hezituar shpeshherë të akuzojë edhe me emra bashkëpartiakët e tij. Ai ka qenë shumë më aktiv dhe pa hamendje ka folur për skandalet e qeverisë, duke e shfrytëzuar çdo mundësi edhe nga pozita e kryeparlamentarit për të kritikuar.

Nga ana tjetër, Limaj kohë pas kohe ka treguar përafrim me Thaçin, gjuha e tij ka reflektuar shumë më e matur, saqë shpeshherë ka vënë në mëdyshje opinionin nëse do të largohet apo jo nga PDK-ja.

Përjashto Krasniqin, të tjerët të cilët i janë bashkangjitur “Nismës” nuk e besoj se e kanë bërë për shkaqe ideologjike, ata veç nuk kanë pasur pozicion të mirë brenda PDK-së. Thaçi kësaj here si duket dështoi të kanalizojë pakënaqësitë brenda partisë.

Ajo çfarë bie në sy është se “Nisma” ka filluar të synojë marrjen e elektoratit të lidhur me fillet e UÇK-së, në anën tjetër Thaçi po tenton që të tregojë se është duke e pastruar PDK-në nga këto elemente, duke u përpjekur që sa më shumë t’i japë partisë sfond urban.

“Nisma” ende nuk ka prezantuar platformë as në vija të trasha, nuk e dimë se çfarë mund të ofrojë. Çfarë ka treguar të ngjashme me partitë e tjera, e që është praktikë pothuajse e të gjitha subjekteve, është vendosja se kush të jetë kryetar apo udhëheqës i saj.

Ka shumë mundësi që kjo parti nëse nuk ndryshon mendësinë totalitare, ku nismëtarit i garantohet edhe posti i të parit, e në këtë rast shtrohet pyetja pse duhet të jetë Limaj e jo Krasniqi, kur ky i fundit ka qenë shumë më aktiv? Kjo parti ka shumë mundësi qëtë mos sjellë asgjë pos riciklim të asaj çfarë kemi parë tash sa vjet në PDK. Thënë më mirë, një PDK të vitit 2002, e brumosur me folklorizëm dhe tradicionalizëm. Nëse pretendohet të ketë “Nismë” përnjëmend, atëherë nuk duhet të ketë profilizim të partisë me urdhra të shefit, por me përfaqësim të shtresave të caktuara të shoqërisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx