Mendime
Sylë Arifi: Historia sipas dëshirave lokale
E premte, 14.03.2014, 08:09 PM
Tendenca për ta interpretuar
historinë sipas dëshirave lokale !?
“Pse ! duhet ti ndërtohet përmendore Fadil Hoxhës?!”
Nga Sylë Arifi, avokat
Diskursi i ngjarjeve në periudhën e pasluftës dhe në veçanti pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka hapur debate të ndryshme dhe nisma kontraverse, siç është tani ngritja e lapidarëve për nderimin e ish-liderëve komunistë! Të marrësh iniciativë të tillë në emrin e qytetarëve të një komune apo më gjer është më shumë se përgjegjësi jo vetëm politike, por dhe morale karshi shumë brezave që kishin pësuar më të keqen nga kjo kastë e ideologjisë sllavo-komuniste. Tendenca për ta interpretuar historinë sipas dëshirave lokale dhe ideologjike na sjellin në pozita politikisht çoroditëse para popullit ton dhe para të tjerëve. Kur e gjithëbota demokratike e gjykon të kaluarën komuniste që e kanë kaluar shumë popuj dhe shtete, te neve tentohet të krijohet disponim për propozime qesharake të ngritjes së përmendoreve për figura politike kontraverse. Ky akt anakronik në këtë përudhë të shtetndërtimit të Kosovës do të ishte në kundërshtim me shumë vlera historike që i ka populli Shqiptar. Periudhat e sundimit komunist në hapësirat shqiptare në ish- Jugosllavi dhe në veçanti në Kosovë i takojnë së kaluarës së hidhur për shumë gjeneratat që i kanë përjetuar të bëmat e këtyre hyzmeqarëve sllavo-komunist.
Ligji i Lustracionit dhe hapja e dosjeve të domosdoshme për shtetin e Kosovës
Prandaj, nismat e tilla për t’i rehabilituar komunistet si elita pushtetare, e dirigjuar nga pushteti komunist serb, do të gjykohen rëndë nga mentaliteti politik, intelektual dhe kombëtar i gjeneratës së sotme në Shtetin e Kosovës. Megjithatë, në demokracinë e avancuar dhe të pretenduar të jemi konkurrent të vlerave demokratike në rrafshin ndërkombëtar, mund të ketë edhe vlerësime të ndryshme në tregun e sotëm politik. Kjo kastë politike e periudhës komuniste ende nuk është e vlerësuar gjithanshëm nga Instituti i Historisë, Albanologjisë dhe Akademia në Republikën e Kosovës. Arsyet objektivisht mund të jenë se nuk kemi ende qasje në arkivat e ish-Jugosllavisë-Serbisë dhe dosje e tyre e shumë të tjera, gjatë kohës së okupimit janë ende sekrete për popullin e Kosovës. Megjithatë, populli dhe gjeneratat i din dhe i kanë të freskëta të bamat e kësaj elite komuniste, sepse kanë lënë gjurmë në kujtesën tonë historike. Miratimi i ligjit të Lustracionit na mundëson të hapen dosjet për të gjitha kategoritë e pushtetarëve komunistë dhe këtë veprim e kanë bërë të gjitha shtetet që kanë dalë nga sistemet komuniste. Njëkohësisht, është edhe detyrë parësore të ndodhë ky moment edhe në Republikën e Kosovës.
Asambleja komunale e Gjakovës, e vendoi se ish kastës komuniste nuk duhet të ju ndertohen buste.
Të hulumtohen arkivat…….
Prandaj,
publikimi i dosjeve dhe hapja e arkivave për këtë kategori të lartë politike të
shqiptare që kanë shërbyer sistemit komunist jugosllav për shumë vite, do të na
rezultojë me pasqyra mbi të vërteten e krimeve politike. Assesi nuk mundemi që
apriori të konsiderohen të gjithë ish-pushtetarët e asaj kohe si tradhtar apo
kriminel sepse asgjë nuk ishte bardh e zi. Ende, nuk kemi të dhëna zyrtare për
masakrat që përjetoi populli i Kosovës gjatë vitit 1944/45 dhe sigurisht se do
të dihen edhe për imtësi me fakte konkrete vetëm pas qasjes në arkivat
jugosllave dhe serbe. Gjithashtu, na duhet qasja edhe në arkivat e shtetit
shqiptar kur kemi të bëjmë me masakrën e Tivarit, ku janë vrarë dhe plagosur me
mira shqiptar. A duhet të ndërtohet përmendorja e Fadil Hoxhës, kur dihet roli
dhe funksioni i tij në këtë tragjedi kombëtare për shqiptarët. Pra, populli
duhet ta dijë të vërteten për të gjitha figurat nga të gjitha periudhat
historike, pra të dihen jo vetëm të mirat e tyre por edhe ato të këqija,
veprime apo mos veprim që e kanë dëmtuar interesin kombëtar.
Çfarë mund të thoshin qytetaret për disa nga ish komunistet dhe në veçanti Fadil Hoxhën, i cili i kishte quajti “plehu i Kosovës” Lëvizjen e studentore të Prishtinës, nga ngjarjet e 81-ës, që kërkonin barazi mes gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, demokraci edhe për shqiptarët, Republikë dhe bashkim kombëtar. Se studentët kanë qenë të mashtruar dhe kanë pasur ndonjë iluzion ndaj krerëve të Kosovës, e kanë kuptuar qartë se kush janë ata, kujt i shërbejnë dhe për kënd punojnë e luftojnë. Me qëndrimin e tyre frikacak, kapitullues dhe krejtësisht antishqiptar. Këta sahanlëpirës jo vetëm që nuk përkrahin luftën e drejtë të popullit, jo vetëm që nuk përkrahën asnjë nga kërkesat e tij të ligjshme, por përkundrazi, morën hapur anën e armiqve më të urryer të popullit tonë, u bënë bashkautorë të forcave më të zeza rankoviqiane në veprimet e tyre mizore. Hyzmeqarët besnikë të ish-Jugosllavisë, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, Dushan Ristiqi, Ali Shukriu, Asllan Fazlija etj., jo vetëm që u dalluan në masat e egra që u ndërmorën kundër rinisë dhe popullit tonë, por u treguan shumë të zellshëm edhe në fushatën propagandistike që kishte shpërthyer në të gjithë ish-Jugosllavinë për t'i dënuar demonstratat e Kosovës dhe kërkesat e tyre.
Ka shumë reagime nga shumë veprimtarë politikë, ish të burgosur politikë, intelektualë dhe tani deputetet të Kuvendit të Kosovës, ndaj qëndrimit të kryetares se Gjakovës, e cila ka paralajmëruar se mund t’i ndërtohet një përmendore ish- udhëheqësit komunist Fadil Hoxha në qendër të Gjakovës. Se ngritja e një përmendoreje të tillë është provokim për të gjitha viktimat shqiptare, të cilët u terrorizuan, u vranë, u masakruan dhe u burgosën nga sistemi ish-komunist të udhëhequr nga Fadil Hoxha.
Rrëfimi i ish-udbashëve!
Pjella e këtyre ish liderëve komunistë shqiptarë që i shërbenin sistemit jugosllav dhe serb kanë edhe sot përkrahësit dhe shërbëtoret e tyre sidomos ish mbetja ‘udbeske e soit’, Mehmet Loci dhe shumë locëve të tjerë. Nuk është faj i mediumeve gazetareske dhe elektronike më pak sesa mekanizmave tonë shtetërorë dhe sidomos të Shërbimit tonë inteligjent që t’u lejohet mundësia dhe hapësira mediatike këtyre udbashëve që i kanë shërbyer me devotshmëri shërbimeve dhe mekanizmave shtetërorë të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, nga një politikë antishqiptare.
Duke i dhanë përparësi spiunit të Serbisë, Mehmet Loci, ai e shfrytëzoi rrëfimin e tij për ta "ndryshuar" dhe zbukuruar realitetin e jetës dhe të punës së tij si spiun në UDB-në e Serbisë. Pamja dhe gjuha e manipuluar e një sigurimisi jugo-serb, i njohur në Pejë e rrethinë, si udbashi Mehmet Loci, ishte një amoralitet politik për shtetin tonë, sepse po “pastrohej“ moralisht e politikisht udbashin si nocion. Shumë familje shqiptare janë shokuar, traumatizuar dhe helmuar nga udbashi Mehmet Loci, se ishte i frikshëm, i uritur me atë çfarë e kishte bërë në Kohen e vet kudër shqiptarëve.
Fjala e tij e mbështjellë me gënjeshtra e shpifje, por jo pa tendenca që ta vazhdojnë programin e tyre duke tentuar në shkaktimin e mjegullnajave se ata nuk ishin e keqja e këtij vendi dhe populli. Gjuha e tij e mbushur me urrejtje dhe propagandë sllavo-komuniste, me plot helmime dhe luftë speciale, e vlerësuar mirë dhe e lansuar nga disa media shqipe, më shumë na sjell frikë, panik dhe mjegull me qellim përçarjen mes të familjeve dhe gjeneratave.
A do t’i lejonin apo si do të reagonin francezët, anglezët, dhe gjermanet sikur në mediat e tyre do të ftoheshin si „mysafir“ spiunët dhe bashkëpunëtorët e policisë sekrete të shtetit okupator me regjim komunist përtej fashizmit dhe si do të reagonte populli dhe viktimat e këtij regjimi? Shteti i Kosovës përmes mekanizmave të vet duhet të ndërmarrë veprime të ngutshme që ky rast të jetë i fundit që këtyre „mbeturinave të UDB-së“ të ju krijohet mundësia e tillë e paraqitjes publike. Kjo kategori e këtyre hyzmeqarëve duhet të mbikëqyret dhe të izolohen sepse janë rrezik për popullin e Kosovës dhe pengesë për avancime politike për shtet ndërtimin e Kosovës.
Zaten, procesi i lustracionit është i domosdoshëm, për ta hequr këtë mjegullnajë dhe pasojat që po i shkakton në opinionin tonë shqiptar, këto veprime anadollake! Sa më parë do ta miratojmë këtë ligj do të jemi më afër botës demokratike, dhe pjesë e mekanizmave-forumeve ndërkombëtare si shtet sovran e demokratik.