E merkure, 01.05.2024, 07:50 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Të kërkosh falje publike!

E hene, 17.03.2014, 07:11 PM


Të kërkosh falje publike!

Nga Halil Matoshi

Pas shkrimit “Ndërgjegjet e sëmura të akademikëve” është mobilizuar një togë e tërë vrasësish mediatikë, të cilët e kanë shkëputur nga konteksti një fjali të vetme timen, për ta orkestruar një sulm me topuz e zjarr ndaj meje - ad hominem - dhe asnjëri s’është ndalur tek fokusi i shkrimit: tek gjuha e bastarduar e përplot urrejtje e akademikëve të apostrofuar në shkrim. Sidoqoftë, të gjithë shqiptarëve kudo qofshin e që nuk bëjnë pjesë në skuadrat e pushkatimit të strukturave paramilitare, ju kërkoj falje publike

Të gjithë atyre shqiptarëve të rëndomtë, kudo që jetojnë e që nga një lexim i ngutshëm kanë mundur të ndiheshin të prekur ose të fyer nga termi “kosovar i natyralizuar”, u kërkoj falje. E, sidomos miqve të mi në Prishtinë, Preshevë e Bujanoc, në Shkup e Ulqin, me të cilët me dashamirësi e qëndrim parimor e kemi diskutuar këtë temë...

U kërkoj falje të gjithë njerëzve mendjehapur e normalë, para së gjithash, kolegëve të mi preshevarë Belgzim Kamberit ose Skënder Latifit, ose edhe Riza Halimit e Drita Osmanit (një ish-pjesëtare e luftës në Luginë dhe aktiviste për të drejtat e grave atje) dhe të gjithë qytetarëve të ndërgjegjshëm shqiptarë, kudo që jetojnë dhe i dalin në mbrojtje komunitetit të tyre, jo nga sallonet luksoze ose kafehanet e Prishtinës, por duke u ballafaquar përditë me persekutorët.

Kërkoj ndjesë prej mikut e poetit nga Gostivari, Lulëzim Haziri, kolegëve e miqve në Shkup, Shkëlzen e Avni Halimit dhe Ilir Hajdinit; mikut tim nga Tuzi, Martin Berishajt, miqve nga Presheva, Ulqini e Kumanova, Nerimane Kamberi, Granit Kurti, Nebi Merseli e Emin Azemi...

Por nuk kërkoj falje kurrë nga ata autorë letrash denoncuese e plot urrejtje, që shfryjnë ndaj meje e nuk u intereson thelbi i çështjes, që nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për fokusin e këtij debati – gjuhën e urrejtjes të atyre dy akademikëve – porse u intereson vetëm autori i shkrimit dhe përmes një fjalie të nxjerrë nga konteksti e kanë organizuar sulmin me hunj gardhi e “molotov coctaile” si në “natën e tyre të kristaltë.”

Thjesht, një dorë zemërgurësh e duan autorin para togës së pushkatimit!?

Nuk kërkoj falje ndaj atyre akuzuesve të mi me kartela klinike rehabilituese, që kanë ngrehur pritë ndaj meje në një portal shpifës e me qëndrim armiqësor, portal që i vihet në shërbim një zyre konspirative në Prishtinë ose që sillet në orbitën e saj.

Kërkimfalja, ajo që është fisnikëri, ajo është një e drejtë.

E drejtë themelore të cilën duhet t’ia njohim tjetrit.

Duke e pasur për zemër dëshirën që tjetri të ketë të drejtë. Prandaj dhe kërkimfaljen e çmoj si akt në majat e njerzillëkut dhe në secilin debat publik.

Kjo fushatë denigruese kundër meje - ad hominem – është sa egërshane po aq edhe e pa objekt dhe ka për autorë shpellarë e kapsamunë, që marrin porosi nga qarqe paramilitare e konspirative, duke e anashkaluar tërësisht fokusin e shkrimit tim, gjuhën e urrejtjes dhe fashizmin e hapur në komunikimin publik në Kosovë.

Kontaminues të tillë, të cilët tashti duke mos pasur guxim qytetar e intelektual që të debatojnë vetë, yshtin të tjerët: reagojnë kinse akademikë të proviniencës staliniste në Tiranë (organizata bazë e partisë së Qosjes, sipas opinionistit Alfred Lela) dhe spiunë të vegjël e pionierë të nacional-socializmit në këto hapësira si U.L; Xh.A; Sh.M.; N.A. etj. që u shërbejnë organizatave staliniste e paramilitare në Kosovë, kurse njëri nga ta është këshilltar i Qeverisë së Tiranës.

Dhe duke i injoruar të tjerët, do të them pak fjalë për alamet këshilltarin qeveritar, i cili disa kolegë serbë i dezinformon në facebook, duke e defiguruar shkrimin tim, duke e ekzagjeruar padrejtësisht madje deri në përmasat dramatike përmes konstrukteve të tij ashiqare të rreme: “Matoshi ka shkruar një koment mbi zënken primitive mes akademik Hivzi Islamit (kryetar i ASHAK) dhe Rexhep Qosjes (anëtar), të cilët e kanë tepruar në përdorimin e zhargonit denocues me të cilin "argumentojnë" proceset shoqërore, intelektuale dhe politike, por edhe vetë ka rënë në të njëjtin zhargon primitiv dhe racist me protagonistët me të cilët nuk pajtohet, zhargon i cili diskursin e Qosjes dhe Islamit e përgjithëson duke thënë se ardhacakët, shqiptarët me prejardhje nga Mali i Zi (Qosja) apo nga Lugina e Preshevës (Islami), sikur edhe ata nga Maqedonia etj. e kontaminojnë dhe përlyejnë Kosovën, e cila, përndryshe do të shkëlqente nga harmonia. Xhemail Ahmeti vetëm e ka kundërshtuar Matoshin me korrektësi, se po e bë të njëjtin gabim kur kosovarët (ai beson dhe e mbron identitetin e veçantë kosovar të shqiptarëve të këtushëm) duke e idealizuar si një racë e pastër që po e kalbëzojnë dhe përlyejnë ardhacakë të ndryshëm. Ky, përafërsisht është tregimi i njëjtë sikur hercegovasët e përlyekan Kroacinë e pastër, maqedonët e Egjeut Maqedoninë e pastër, apo ardhacakët e ndryshëm fshatarë, Serbinë e pastër...“

Ky na qenka thelbi i shkrimit, sipas Sh.M., këshilltar personal i Edi Ramës.

E ashiqare nuk ishte ky thelbi i shkrimit.

Thelbi ishte tek gjuha egërshane e akademikëve të apostrofuar dhe jo ai të cilin e konstrukton me dashkeqësi Sh.M.

Nuk e di nëse e di padroni i tij në Tiranë se kjo paraqitje e Sh.M. mund të jetë “impresive” vetëm për adoleshentët e Prishtinës.

E para, ai farë Xh. A. nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për thelbin e shkrimit tim, pra për akterët dhe gjuhën e tyre kontaminuese në debatin publik, e që janë në fokus të shkrimit tim; por është marrë ekskluzivisht - ad hominem - me personin tim, duke më dhënë madje me tepri epitete denigruese.

E ku e sheh korrektësinë në këtë postim Sh.A. Mos qoftë se edhe vetë mendon kështu.

Ky është vetëm një mashtrim i këshilltarit nga Tirana, tashti eksponent i etnonacionalizmit shqiptar (turbofolk), i cili duket se s’ka nge të lexojë shkrimin burimor, ose e ka lexuar “me syze të mjegulluara”, sepse në atë kritikë i kam atakuar ekskluzivisht kontaminuesit e njëmendtë të ambientit mental, kulturor dhe gjuhësor në Prishtinë, e jo të gjithë shqiptarët ardhacakë ose vendorë, sepse kjo do të ishte kundër bindjeve dhe besimeve të mia liberatore.

Së dyti, nuk ia kam idenë se nga e nxjerr Sh.M. konceptin e “racës së pastër kosovare”, duke ma përshkruar mua konceptin nacionalsocialist, e jo atyre që i merr në mbrojtje me njëfarë inati joracional ndaj meje.

Gjatë kohë dhe gjithandej e shpreh hapur konceptin tim për kombin kosovar shumetnik, me bazë qytetarinë - një komb i dalë nga konflikti dhe i mbështetur në kushtetutë (komb ligjor) si “njësi e rritur” (Urs Altermatt), ide së cilës Sh.M. nuk i beson, ose s’e ka dëgjuar fare - e jo një komb unik të mbështetur në etnonacionalizëm, sipas koncepteve të tij.

E kush prandaj na qenka për “raca të pastra”?

Kosovarizmi im nuk ka të bëjë me racën ose me kombin e gjakut, truallit dhe gjuhës, kjo i përshkruhet konceptit të tij për kombin.

Prandaj Sh.M. e ka vënë veten në kundërthënie, në lajthitje...

Kurrë dhe me asnjë fjali s’e kam thënë se kombi kosovar duhet të jetë i pastër (ose mozomakeq racë e pastër), ngase së pari kombin kosovar e mbështes tek shumetniciteti dhe solidarësia qytetare dhe jo, kurrë madje, tek raca e gjaku.

Thjesht rrekem me teori e ide dhe nuk mbaj orë biologjie.

Së treti, duket sheshazi se Sh.M. i pëlqejnë fushatat për hesape të bossave të konspiracionit ballkanik, kudo që janë, në Prishtinë, Tiranë apo Beograd, prandaj, të them më butësisht, po dyshoj në sinqeritetin e tij intelektual dhe në dijet e tij sociopolitike.

Rexhep Qosja, Hivzi Islami dhe bashkëmendimtarët e tyre nga të dy taborët, që në debat publik nuk ia njohin tjetrit të njëjtat të drejta sikur vetes, duke e pretenduar veten si të ishin “zota Olimpi” - nuk debatojnë me të vdekshëm të rëndomtë – sepse e dinë se kanë argatë zemërzinj e poltronistë që urrejtjen ndaj mendimit ndryshe e kanë ngritur në doktrinë.

Asnjë fjalë në këtë fushatë të këtij portali (si levë e spiunazhit gebelsian) nuk u tha për gjuhën që e ka përdorur Qosja kundër figurave si Ibrahim Rugova e Fehmi Agani dhe për “kafshimet” ndaj të vdekurve të këtij vendi; për urrejtjen e përçmimin ndaj të gjithë bartësve të idesë kosovariste (si mbruajtëse e idesë së patriotizmit kushtetues) dhe po ashtu, asnjë fjalë nuk u tha ndaj gjuhës që përdor Hivzi Islami kundër Qosjes (një gjuhë armiqësore dhe pa fije morali publik) që përkon me gjuhën kontaminuese në debatin shoqëror, por krejt tehu operacional i spiunazhit medial ishte orientuar kundër meje.

Është e vërtetë se këta dy akademikë i kam cilësuar si “kosovarë të natyralizuar”, pikërisht se janë kundër çdo ideje kosovarizimi (pra e kam ekskluzivisht me ta dhe bashkëmendimtarët e tyre) dhe godasin secilin që guxon të ketë një ide të ndryshme për historinë e etnisë, popullit, kombit dhe shtetit.

E kam përdorur këtë cilësim me cinizëm, duke qenë se ata janë shqiptarë etnikë, porse nuk janë patriotë ligjorë (konstitucionalistë.)

Këtë metaforë e kam përdorur për faktin se ata nuk e pranojnë kosovarizmin as si ide e as si fakt gjeopolitik, porse i duan për vete vetëm të mirat që u ka sjellë, famën, postet, letrat identitare dhe benefitet tjera qytetare; nga ky aspekt ata logjikisht janë “kosovarë të natyralizuar” (ngase janë shtetas të barabartë të këtij vendi dhe bëjnë pjesë në majat elitare të kësaj shoqërie), derisa për punët e tyre paguhen nga taksapaguesit kosovarë?

Çka ka fashiste e raciste në këtë formulë?

Nuk kam bërë një shkrim ekskluziv në mbrojtje të Qosjes dhe për ta sulmuar Islamin, por në mbrojtje të ambientit mental nga “turbulencat” e fjalëve të pështira dhe kundër gjuhës së helmët të urrejtjes.

Nuk i kam ndarë e as s’i ndaj kurrë kosovarët si vendas dhe të ardhur, por në këtë rast i ysht “të ardhurit” që të reflektojnë dhe ta tolerojnë kosovacentrizmin e të tjerëve, duke i kursyer sharjet ndaj të gjithë atyre kosovarëve që e duan Kosovën normale, qytetare, të hapur.

T’i falënderoj një dorë kinse intelektualësh që shfryjnë mllefe ziliqare kundrejt atyre patriotëve kosovarë që i kanë shkrirë jetët e tyre për realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë, demokratike, të solidarësisë qytetare dhe të drejtave të njeriut dhe lirive individuale. Jo! Dhe as që më shkon ndër mend t’u them “mirë na e punuat” atyre që përqeshin dhe i shpallin spiunë të UDB-së pa asnjë fakt, që i shpallin tradhtarë të gjithë qytetarët kosovarë.

Është e drejtë e tyre të angazhohen për një komb unik, komb biologjik, për një shtet me raportin shumicë – pakicë etnike (mendësi e shekullit 19) dhe për një Shqipëri të madhe ose natyrale, etnike, por le t’i lënë rehat ata që përfaqësojnë teori identitare postmoderne, të ndryshme nga ta.

Identiteti im kosovar nuk më bën aspak inferior, nuk më bën më pak shqiptar.

Por më bën më qytetar (jo si përkufizim gjeografik, por mental).

Qytetari i edukuar, pa marrë parasysh prejardhjen gjeografike madje as etnike e fetare nuk meriton veçim e ndarje, ngase ai mendon, punon, paguan taksat dhe i këqyr punët e veta.

Dhe nëse është kuptuar se unë e kam bërë një ndarje të tillë, publikisht dhe pa asnjë lëkundje qerpiku i bie mohit dhe e quaj një gabim të paqëllimtë, sepse, tek po e shkruaja atë shkrim, kurrë s’e kam menduar një ndarje të tillë të përgjithësuar, (madje edhe në shkrim thuhet ‘me disa përjashtime’), sepse në këtë rast kam folur ekskluzivisht për aktorët e atij debati, pra për kontaminuesit e gjuhës në diskurset publike.

E kuptoj zemërimin e atyre që kanë mundur të mbeten të fyer, por një qëndrim i tillë nuk përkon me pozicionimin tim në mbrojtje të lirive individuale të secilit qytetar, pra një qëndrim i tillë është opozicion i atyre vlerave që me dekada i promovoj, për të cilat ide luftoj, ngase besoj në to.

Leximi i tillë “me naze” ose leximi dashakeq me çdo kusht, hallakatja dhe bastisja e tekstit me këndshikim policor, për të gjetur diçka që “inkriminon” autorin, është e pandershme, duke pasur parasysh qindra shkrime të miat në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë gjithandej, nga persekutimi dhe represioni shtetëror në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. E për këtë ekzistojnë faktet që janë të qasshme për të gjithë.

Cilësimin “kosovar i natyralizuar” e kam përdorur thjesht si metaforë - vetëm për ata shqiptarë që i qasen çështjes së kosovarizimit (kosovacentrizmit) nga këndi etnonacionalist.

Nga ideja e trajtimit të nacionalizmit agresiv si patologji shoqërore nuk do të heq dorë kurrë, sepse besoj në idetë liberatore, në zgjedhjen e lirë, në mendjen e hapur dhe solidarësinë qytetare.

Ky cilësim u referohet dhe ka të bëjë vetëm me ata shkrues që nuk e durojnë cilësimin “kosovar” dhe përkitjen në arealin kulturor kosovar, duke i quajnë “të shitur”, “bartës të ideve komike”, racistë, fashist etj. ata që ndihen mirë me përkatësinë e tyre kosovare, - qytetarët e lirë nën ligjin suprem – Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Dhe fjalia e dytë kontestuese, në tërë tekstin tim të gjatë, sipas atyre që lexojnë një kolumne gazete me dyshim a prioristik na dalka të jetë kjo: “Dhe, në anën tjetër, ta lexosh një profil për Qosjen dhe pyetësorin prej 55 pyetjeve, që kosovari po aq i natyralizuar Hivzi Islami (nga katundi Letovicë i Bujanocit) ia bën Qosjes, s’ke se si t’i shmangesh një ligështimi - e të të mos rrok një sëkëlldi - e të pështysh në këtë tokë të nëmur, e të bërë lëmë thiu. E ritheksoj, ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë”.

E para, toka e nëmur dhe e bërë lëmë thiu nuk u referohet këtyre të dyve dhe as ekskluzivisht “kosovarëve të natyralizuar”, ngase në të bërit lëmë thiu ka shumë bashkautorë edhe kosovarë, edhe “kosovarë të natyralizuar”, pra shumë eshalonë antikosovarë dhe antishtetërorë, që e kanë kapur shtetin, që e zhvatin, e vrasin dhe e rrjepin secilën ditë.

Dhe e dyta, fjalia “ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë”, nuk është përgjithësues, paçka se nga disa është kuptuar si e tillë – fjala “kryesisht” e pranoj se është e tepruar.

Kur flas për këtë ambient të kontaminuar, mendoj vetëm tek kontaminuesit e njëmendtë, si këta dy që i kam përmendur dhe disa të tjerë rreth tyre, e jo tek njerëzit e rëndomtë, tek qytetarët shqiptarë në hapësirat gjeografike të Luginës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Pse të jem kundër dikujt që ka bërë punë të drejta, etikisht dhe qytetarisht?

Kjo s’ka kuptim për logjikën time liberale, duke qenë ithtar i bindur i hapjes, lëvizjes së lirë, tolerancës dhe humanitetit.

Pra, i admiroj të gjithë ata mijëra shqiptarë që vazhdojnë t’iu rrinë afër komuniteteve të tyre në Preshevë, Ulqin e Shkup dhe kudo që jetojnë shqiptarët, duke e sakrifikuar përditë komoditetin e “vëzhguesit pasiv”; i admiroj për kurajë të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët duke e rrënuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre, sidomos sigurinë e tyre personale, luftojnë me mjete politike për liri e barazi.

Pra, i admiroj ata mësues e profesorë, policë e administratorë, intelektualë e gazetarë, që luftojnë secilën ditë me vetëmohim për të drejtat kolektive dhe individuale të qytetarëve të rajoneve ku jetojnë.

I admiroj ata që nuk ua qajnë hallin etnisë së tyre (komunitetit) dhe bashkëqytetarëve duke i parë nga larg lajmet në televizor, por që angazhohen përditë në rezistencë.

Bravo u qoftë!

Pra, e ritheksoj: Secili që e ka gjetur veten në cilësorin “kontaminues i ambientit mental” ia paftë hairin!

Ndërsa të gjithë atyre që s’kanë të bëjnë asgjë me sharësit e paguar dhe antikosovarët me nam, posaçërisht atyre që s’kanë të bëjnë asgjë me fokusin e këtij shkrimi, por nga një lexim i shpejtë dhe emocional - mund të jenë ndier të fyer - u kërkoj njerëzisht dhe sinqerisht të falur.

Me uzdajë se kanë me e pranue zemërgjerësisht!



(Vota: 8 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora