E diele, 28.04.2024, 06:31 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Shqiptarët jashtë Europës

E merkure, 19.03.2014, 08:08 PM


NGËRÇI I POLITIKËS FATKOB PËR VENDIN, SEPSE PO I LE SHQIPTARËT JASHTË EUROPËS

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Lajmi i fundit nga Shqipëria qenka se Nikollë Lesi, ish-botuesi i gazetës Koha Jonë, që e ka blerë rishtas gazetën, është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, dhe sipas burimeve të News24, ka kërkuar rihapjen e dosjes për djegien e redaksisë së kësaj gazete më 2 marsin e vitit 1997, 17 vjet më parë, gjatë krizës së piramidave. Trazirat dhe kaosi që e shoqëroi këtë krizë mori të gjitha cilësorët e një lufte civile, deri tani e pazbardhur, ashtu si vrasja e Azem Hajdarit, Ahmet Krasniqi e plot e plot të tjera.

Këto dosje janë mbuluar nga pluhuri i harresës pikërisht nga politika, e cila nuk e ka lejuar drejtësinë të ushtrojë të drejtën e saj duke e komprometuar njërën prej tri shtyllave kryesore që bën të funksionojë shteti i së drejtës.

Do të ishte shumë normale ajo që kërkon Nikollë Lesi, nëse për opinionin publik, kjo lëvizje e tij nuk do të ngjante me "një larje hesapesh" me ish-pushtetarët, ku Nikollë Lesi ishte pjesë e qeverisë.

Nikollë Lesi ka kërkuar që për ngjarjen në fjalë të dëshmojnë ish-kryeministri Sali Berisha, kreu aktual i SHISH, Visho Ajazi, asokohe punonjës në SHIK-un që drejtohej nga i ndjeri Bashkim Gazidede, Agron Musaraj ish- ministër i Brendshëm dhe ish drejtori i Përgjithshëm në Policinë e Shtetit Agim Shehu.

Kjo lëvizje e papritur e Nikollë Lesit tingëllon më tepër si një servilizëm për qeverinë aktuale, e cila tani kërkon me çdo kusht të hyjë tërësisht në kostumin e ish-kryeministrit të Shqipërisë, që kaloi në obsession deri sa shkarkoi ish-shefin e SHISH-it, të emëruar nga Fatos Nano, dhe në postin e presidentit vendosi një militantin e tij.

Berishës nuk i solli fat as zëvendësimi i shefit të shërbimit inteligjent me një njeri të tij të besuar dhe as ai i presidentit. Nëse Edi Rama do të ndjekë gjurmët e paraardhësit, edhe atë do ta ndjekë fattthëna dhe disfata e Berishës, ndërsa vendi do të vazhdojë të dergjet në tranzicion.

Sigurisht që është një hendikep i madh, kur në krye të institucioneve të pavarura qëndrojnë besnikë të kryetarëve të partive, sepse kryetarët e partive kështu marrin atributet e monarkëve dhe assesi jo të liderit në një sistem demokratik.

Ajo që do të duhet të bënin sot të dyja palët, është që duke mësuar nga gabimet dhe fajet e njëri-tjetrit, të mos i përsërisin më ato, sepse kanë 23 vjet që kanë marrë peng fatin e sovranit, por të ndërmarrin veprime të përbashkëta me qëllim që ta shpëtojnë shtetin nga pengmarrja, pasi pothuaj të gjitha institucionet e pavarura janë të kapura nga politika.

Heqja e Ajazit apo presidentit të Republikës është zgjidhje e përkohëshme për pushtetin politik të qeverisë aktuale, sikur supozoi gabimisht edhe Sali Berisha kur ishte kryeministër i vendit, por jo për vendin.

Vendit i duhen institucione të pavarura që të ushtrojnë kompetencat kushtetuese me fuqi të plotë, dhe politika duhet të jetë në shërbim të kësaj formule, s'ka rrugë alternative. Insitucionin e presidentit e shpëton vota popullore, për shembull.

Charles Montesquieu, babai i teorisë themelore të ndarjes të pushteteve thotë se liria është e drejta që të lejon ligji. Por kur ligji është i komprometuar, atëherë edhe liria është e komprometuar, ashtu sikur është e komprometuar edhe liria në Shqipëri. Integriteti i lirisë është i cënuar, sepse klasa politike nuk ka as cipë dhe as integritet. Ajo është duke vazhduar të përfitojë nga apatia e sovranit. Por deri kur?

Në ditët më të zeza të diktaturës komuniste, e cila u vendos më 29 nëntor 1944, Imzot Vinçens Prenushi, eseist, publicist, poet, e përkthyes, vdekur në burgun e Durrësit më 1949 nga torturat çnjerëzore, do të thosh më 1946: “Në këtë kohë në Shqipni, asht turp i madh me kënë jashta burgut".

Kësaj thënie të Imzot V.Prennushit, madhështore sa Alpet Shqiptare, po i bëj një përditësim, se çfarë do të thoshte Imzot V.Prenushi, po të ishte gjallë sot në vitin 2014, 68 vjet pasi e ka shqiptu këtë sentencë që mbart me vete një tragjedi gjithëkombëtare. Së pari, mendoj se do të thosh "Ku jeni, burra e gra, asht dakika e fundit me e ba shtetin shqiptar ashtu si çdo shtet të Europës Perëndimore" - Ndërsa sa i përket këtij gati çerek shekulli të humbur tranzicion, Imzot Vinçens Prenushi kishte me thanë: "Për këta 23 vjet që i kemi lanë me shku dam, du me thanë se asht marre e madhe me pas qenë pjesë e kësaj klase politike horre".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora