E merkure, 04.12.2024, 06:02 PM (GMT)

Kulturë

Ramiz Lushaj: Nënqielli poetik i Jaho Margjekës

E hene, 10.02.2014, 07:17 PM


NËNQIELLI POETIK I JAHO MARGJEKËS

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Ai nuk ishte amfiteatri i Athinës së lashtë ku poetët e antikitetit recitonin krijimet e tyre, po amfiteatri natyror i Dragobisë skej lumit Valbona ku në ma të bukurin muaj të pranverës, në qershor 1986, trojenikët e atyshëm çohen njani pas tjetrit e recitojnë krijime poetike aq të veçanta sa mos me i shkue kurrkujt mendja se ato janë fryte të një frymëzimi të çastit. Atëherë, superfuqia poetike, Dritëroi Agolli, miku shoqëror e zyrtar ma i nderuar i asaj “dite poetike” spontane e të rrallë çohet në kambë e tue ngrit dolli iu flet malësorve, Alpeve, brezave: “Ky vend i mrekullueshëm i natyrës, historisë e i kulturës, i lind të gjithë poetë. Tropoja është një poezi e vërtetë...”.

Dragobia e “Shtatë Grykave”, e Kadri Zmajlit e Fatime Sokolit, e lindi të parin poet tropojas Idriz Metaliaj, i cili ndonëse i verbër, pas kthimit nga kampi gjerman i Mathauzenit, e botoi vëllimin poetik “Sytë e mi”, që tevona lufta e klasave e çoi për karton. E sot, vetëm kulla e tij i ka katër poetë.

Homeri shqiptar, Fishta i madh, tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcies” jo rastësisht hyjnon se në kryerrjedhë, “atje mbi Valbonë, rri Ora e Shqypnisë”. Në teposhtën e kësaj rrjedhe ujëkaltër, në “Lugjet e Verdha” të Eposit të Kreshnikëve, bash në Klisyrë, legjenda fjalaflet se Ajkuna e varrosi aty Omerin e saj, e cila e vajtoi në vargje me mallkime saqë prej asaj dite e më sot, realisht, aty nuk këndon asnjë zog, asnjë qyqe. Në Margegaj, në afri të  trojeve të Haxhi Zekës, Bajram Currit, Rexhep Krasniqit e Elez Biberaj, ka jetue në shekuj legjenda e kanga e epikës legjendare: Kanga e Ali Bukurisë me 374 vargje, që përngjason me atë të Konstandinit e Doruntinës po nga këndvështrimi e ndryshme nga ajo. Poeti i mirënjohur i këtij trualli, Mehmet Elezi, e cilëson “një valixhe me ngarkesë  bërthamore” (Albania, 5 tetor 2008). Në fundrrjedhën e Valbonës, aty ku bashkohet me Drinin e Mesëm, në vendlindjen e Avni Ponarit, një udhëpërshkrues europian i shekullit të kaluar e përcakton si “vendi ku njerëzit flasin me perënditë e Eskilit”. ..

Valbona që rrjedh përfundi trojeve të Jahos, prej nga buron e deri ku derdhet në lumin Drin, i ka disa qytete e kala nga antikiteti ilir e deri kah mesjeta. Qyteti ilir i  Rosujës (para katërmijë vitesh). Kalaja e Shoshanit (shek. I-V pas K.). Një qytet antik i fshehur nëntokë me një manastir të jashtëzakonshëm në Margegaj, prej nga ka origjinën edhe një nga Papët e Vatikanit. Qyteti në Breglumi deri mbi Nimaj (ku sot ngrihet qyteti i Bajram Currit) në të cilin janë gjet edhe skulptura bronzi të shek. III-IV të pas K. Qyteti kilometrik i Cerrnicës, që nis me kalanë e Dizdarit, aty ku bashkohet Valbona me Bushtricën e deri në Gash. Vendbanimi ilir e mesjetar i Selimajt, ku gjenden edhe gjurmë të kalasë së Lekës, të princit Leka Spanit, që sëbashku me të atin, princin e Pultit Pjetër Spani e tre vllaznit ishte përkrah Skënderbeut në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës më 2 mars 1444. Në Dushaj e  Rajë, në vendbanimet e hershme të Ponarit të Lekës, aty ku bashkohet Drini me Valbonën, në qytetin e Fierzës së dritës, ka pasë një qytetërim antik ilir dhe dioqeza disashekullore e Pultit, kah fundi i Mesjetës së Vonë lartohet edhe Kalaja e Lekë Dukagjinit e, pas ndamjes së zotërimeve principatore sipas  “Via Publika”, edhe e Leka Spanit. Në këtë vis, në dioqezën e të cilit ka shërbye ipeshkv në rininë e tij edhe poeti Pjetër Bogdani, kanë lind poetët Gjon Ndue Markokaj dhe Isa Rexhep Ponari.

Në brigjet e Valbonës kanë shtegtuar e kontribuar njerëz të mëdhenj të kombit si Frang Bardhi e Pjetër Bogadani, albanologë të shquar si Johan Georg von Hahn, Franc Baron Nopça, etj. etj.

Këto janë disa nga dhjetra fuqitë e frymëzimit e lartësimit poetik të Jaho Margjekës që ia jep vendlindja e tij në brigje të Valbonës e të Drinit. Këto janë motivet e librat e Jaho Margjekës, janë emri e mbiemri i tij poetik. Këto e kanë kthyer poetin Jaho Margjekën në një fuqi poetike të kohës.

2.

Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar me dorën e mendjes së tij e sakrificat e tij disa libra si vëllimet poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak qiell për dashuri (2004), vëllimin me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës” (2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik “Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.

Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e vllaznisë e fisit të tij:

... Jam bërë sa herë therorë miku im !

Për këtë vehtes lavde s'i këndoj.

Në shkollën e qenërisë

S'u bëra dot kurrë nxënës i mirë,

Pse e përmend s'po lavdërohem: është rrënja e fisit !

Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica, bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç  240 metra lartësi mbidetare.

Në arat e tij janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në shkencën arkeologjike “Tumat e Bujanit”. Aty, më 1982 arkeologët kryen kërkime e dolën me përfundimin se kemi të bëjmë me një vendbanim ilir mbi tremijëvjeçar, qyshse në kohën e hekurit të hershëm. Asokohe, Jaho njëzet vjeçar, ka punue përkrah arkeologëve në zbulimin e thesareve të identitetit kombëtar shqiptar, ku janë gjet enë balte, stoli prej bakri, bronxi, qelqi, etj. Ia merrte nëntokës ato objekte të rralla e të vyera, i kqyrte, i pastronte, i ledhatonte, i meditonte..., si poezitë e tij margjekiane.

Kur e kapërcen Valbonën, në të djathtë të saj, në afri të Mollës së Kuqe të Jaho Margjekës gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Kërkimet arkeologjike (1964-1965) e datojnë të banuar të paktën dymijë vjet para Krishtit, biles nga shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj.

Skej Mollës së Kuqe, krejt ngjitas me trojet e vendlindjes së Jaho Margjekës, ndamas me kufij prej lumenjve Valbonë e Bushtricë, ngrihej dikur qyteti i madh antik  ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj rrënojat e  kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës. Gjetjet e atyshme arkeologjike dëshmojnë se vendbanimi i përket periudhës së bronzit (sipas një çekiçi guri) apo edhe me periudha paraqytetare (sipas një heshte ilire), etj.

Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve (Geghysen)  në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe, vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.

Përballë kullës së Jaho Margjekës në Mollë të Kuqe të Bujanit, sapo kapërcen në të djathtë lumin e Valbonës, gjenden kulla të historisë kombëtare shqiptare, dy kullat muzeale: Kulla e Mic Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman dhe, kulla e Sali Manit, e njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe kulla e prijesit popullor Binak Alia i Mulosmanëve,“njeriu universitet popullor i urtive”, një ”gjykatë supreme popullore” në Rrafshin e Dukagjinit, Fushë-Kosovë, etj. Me këto tri kulla historike, që në mbi tre shekuj ishte selia e Bajrakut të fisit të Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.

Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue, lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.

Rrënjët e fisit të poetit, prozatorit e gazetarit Jaho Margjeka, rrënjët e fisit të Krasniqes (këndej Qafës së Kolçit) kanë nxjerrë gjithata njerëz të letrave: Skënder Buçpapaj, Skënder Sherifi, Besnik Mustafaj, Mujë Buçpapaj, Elez Biberaj, Mehmet Elezi, Lulzim Logu,  Ukzenel Buçpapaj, Alfons Zeneli, Abedin Mulosmanaj (editor i gazetës “Adheu”–Amerikë) Arbër Ahmetaj, Brunilda Zllami, Zeqir Lushaj, Ilir Buçpapaj, Bislim Ahmetaj, Hysen Mulosmanaj, Halil Buçpapaj, Idriz Lamaj, Elona Zhana, Halil Elezi, Zog Hysenaj, Flamur Buçpapaj (poet, dramaturg, publicist, botues i gazetës javore “Nacional”), Ibrahim Kadri Malaj, Ilir Seci, Musli Mulosmanaj, Afërdita Sokoli, Elez Qerimaj, Seit Musaj, Shpend Sherifi, Xhevdet Malaj, Mustafë Elezi, Nuredin Lushaj, Osmanie Çakraj, Ramë Ismajlaj,  Everest Imeraj, Isa Breçani, Besa Gjyriqi, Migena Ismailgeci, Hasan Buçpapaj, Nexhat Imeraj, Selim Musaj e shumë të tjerë.

3.

Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media (ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”, ku të parët e tij ishin pjesmarrës të një epopeje luftarake nga ma historiket kundër otomanëve. Ai ka sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet, prozator, publicist me “orë shpirti”  e “dorë të bekueme”, në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.

Jaho Margjeka nëpër biseda s'lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..

Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve:

Nuk po gjejë qetësi miku im!

Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt !

Vehten s'e genjej se jam më i mirë

se të tjerët, po të tjerët qënkan më

të zgjuar, më hileqarë,...domethënë !

Për këtë i penduar nuk jam miku im,

Se jam pjellë e tim' eti e s'kam nga t'ia mbajë.

Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion: “njerëz të mirë”.

Këta, ndër gjashtë fëmijët, dy iu banë poetë: Jaho që erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si “Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.

Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror. Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin:

Dirgjet Hamza per dugaj

Po i pervet do sheherjanè

As ma paté Ibish Osmané,..

Në vitin 1886, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në  tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë...”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët, rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve. Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, sepse  e kishin ba betimin: ...S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës... /.

Ibish Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur "Nderi i Komunës"Bujan.

Në luftëra më armiqtë dhanë jetën trimnisht disa margjekas: Ibish Metë Margjeka në 1912-tën e Shpalljes së Pavarësisë në Qafë të Morinës kundër otomanëve; Avdyl Syl Margjeka e Qerim Brahë Margjeka më 1913 kur malazezët e pushtuan e dogjën Malësinë e Gjakovës, etj.

Margjekajt e Jahos nuk janë vetëm trima të pushkës, por edhe të mendjes, me emna të dëgjuar në gjithato fusha të jetës, ku po i veçoj ata të arsimit, të letërsisë e të penës. “Mësuesi i Popullit” Zenun Margjeka, “Mësuesi i Merituar” Mehmet Margjeka (i vllai), mësues e veprimtar të rendit të parë: Idriz Margjeka, Astrit Margjeka. Nuk po rri pa e përmend edhe mësuesen time të nderuar, nga të parat në Malësinë e Gjakovës, Sofë Margjeka (bashkëshorte e ndërtimtarit Ali Margjeka), që tashti është pensioniste rreth të 80-tave. Dikur, në vitet ’90, doli si zë i veçantë në shtypin letrar me poezitë e saj Vjollca Margjeka (Taipi) e, me sa di, është martuar në Shkup e jetojnë familiarisht në SHBA. Tashti edhe Ismet Margjeka nga Franca ka me na ardhë sivjet me një vëllim poetik.

Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.

4.

Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990 i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit sipas kësaj letre të çojnë në burg...” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në varr po kërkonte Lirinë... Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.

Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh  pena e tij e ka një luftë të pambyllun me dimrin saqë edhe tek poezia ma e fundit “Ky dimër” çka si thotë kësaj stine të moti, politike e në shpirtin e ndokujt:

I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë.

Muret e zemrës hèje akulli ngrirë.

Minutat çalojnë, ditënata s’ka orë.

Rrëknyer shpirti në numbëtirë.

I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë.

Pa cicërima e zogj nën çati...

...I pabesë ky dimër plak, i pabesë.

Tutje pëlcet e kërcet një gosti.

Gdhihet e ngryset njeriu i urtë,

Ftohur e ngrohur me frymën e tijë  .

Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).

Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe. Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana anët e horizontit: edhe Qafën e Morinës, edhe malin e Shkëlzenit, edhe Qafën e Luzhës e të Kolçit, edhe luginën Ndërlumna të rrjedhës së fundme të Valbonës për në Drinin e Mesëm. Kit’ “pemë të poetit” e kam pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë ndjen ftohtë”. Kjo shenjtëri poetike e bante poetin Jaho Margjeka mos me ba hulme e hoje poetike për ata emra në kryevend të piramidës të shtetit që e  varnin poetin Havzi Nela para popullit në qytetin e Kukësit më 10 gusht 1988 vetëm për disidencën e poezive të tij. Njësoj edhe për të tjerët në kohën e sotme të demokracisë: kur paradoksalisht dy presidentë, në dy raste: më 7 maj 2003 dhe më 4 tetor 2007 dekoratën me emrin e Poetit Kombëtar, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, ua japin dy gjyqtarëve që kanë firmos për ekzekutimin politik e barbar të poetit disident Havzi Nela.

5.

Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë. Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi 30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane., janë tregimet e tij margjekiane.

Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’ vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe Çmimin e parë "Konstandin Kristoforidhi" në Festivalin Mbarëkombëtare "Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar "Pranvera poetike durrsake"- Maj, 2013. Gjithashtu ka marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera.

Poezia e Jaho Margjekës është botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista "Hemus" në Bukuresht, etj.

Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori” (1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët,  është në kërkim të pranverës... Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na duhet të jemi gjallë lum’ miku!”

I dashuruar në vetvehte s'qesh' kurrë miku im,

Se pak kohë më lanë për të lakmuar vetvehten.

Po ta shkruaj

Në rrasë të gurit këtë kumt' miku im !

Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen !

Se në ditën e amshueme

njësoj të dy do të jemi,

E deri atëherë...

Po na duhet të jemi gjallë lum' miku !

Jaho Margjeka, poeti i lindur në pranverë, me shpirtin poetik pranverë, kërkon edhe për të tjerët pranverë... prandaj siç duket edhe vëllimit poetik dorëshkrimor ia ka vnue titullin: “Pak dëborë e diell”. Poeti, prozatori, gazetari i mediave të shkruara e i Radio Tirana, Jaho Margjeka si e shenjojnë dhe titujt ballinë të veprave të tij: është kundër çdo “Lojë në pasqyrë” nga koha e njerëzit; nuk don të rrijë “Ëndrra midis” po të marrë krahë e lartësi; nuk don të presin gjatë e shpesh “Letra nga planeti i borës”, pasi po kërkon “Edhe pak qiell për dashuri”, pasi “duhet të jemi gjallë”. Gjallnik për kohën, për vete, për brezat.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora