E shtune, 18.01.2025, 10:37 AM (GMT)

Kulturë

Zog Hysenaj: I dua drunjtë…

E premte, 07.02.2014, 07:46 PM


N’Geg-hysen s’kej Kalasë së Lekës

-5 Cikle poetike (5)-

Nga: Zog Hysenaj

 

I dua drunjtë…

 

Drunjtë më kanë pëlqyer-art, lindur prej zoti,

I kam dashur shumë pyjet e drunjtë,

Por, s’i desha se një ditë do të më duhej shkopi,

Për t’u mbështetur në të, e jo t’i turrem kujt.

 

Ia u desha rrënjët drunjëve, ia u desha degët,

Ia u desha frutat, ja u desha lulet, ja u desha hijet,

I desha se ajërit edhe ne, na japin jetë gjethet

I desha se hijeshinë prej tyre marrin pyjet.

 

I dua drunjtë, se me to bëmë enë të hanim,

Bëmë me to parmënda dhe punuam tokën,

Shtëpijat tona i bëmë, në to ne të jetonim,

Armë për të luftuar, me to të mbronim kokën.

 

E ç’nuk bëmë prej druri, edhe dajakun e bëmë,

Hunjë edhe harqe bëmë që ne të luftonim,

Shtroja, mbuloja, skela të mbanin në këmbë,

Bastunj’e paterica në këmbë të qëndronim.

 

 

Opingat

 

Parardhësit e mi këto lloj “këpucësh” paten,

Që kur s’mbahet mend kanë qëndruar tek dera, prore,

Pash më pash ato opinga tokën e matën

Qëndruan tek dera e odës së burrave të kullave malsore.

 

Me thellësitë kanë folur me gjuhën e valleve,

Pash më pash ato matën vëndin, matën edhe kohën,

Opinga lëkurëlope me pe të bardh të baballarëve,

Opinga që prej hapave rrëmisht e dridhnin tokën.

 

Te këto opinga ndalej i ardhuri, miku, luftëtari,

Tek dera i linin, pastaj hynin në odë te oxhaku,

Kishte opinga që thonin, duhen fjalë mendimtari,

Kishte opinga që thonin, duhet falur gjaku.

 

Lëkurë përmbi lëkurë qëndruan për nën këmbë

Që të shkelnin tokën me to, burrat e botës,

Trashëgimi prej lëkurës ata, ne na patën lënë,

Të mos na gërvishen këmbët prej gurëve të tokës.

 

Trashëgim lëkure na lanë që të ecnim pa zhurmë,

E shumë të tjera trashëgimi, të gjitha që i patën,

Kapërcenin gardhie, shtigje, kapëcenin përmbi lumë,

Krisma të mos bënin dhe kur dilnin natën.

 

 

Në “Rrugën e Durrësit” Adem Jashari

 

Si një lumë i bukur sytë e kryezotit tonë,

Herë si kangë e herë si palë flamuri,

Here si kreshnik e herë krah shqiponjë,

Anembanë trojeve zdritë si nuri.

 

Të gjithë bulevardet e Tiranës një unazë vllaznimi,

E rruga-rrugën s’po e “përpjek” te “Zogi i Zi”

Aty ku lidhen nyjet urbane e hyjnë në kryeqytet

Përpara ambasadave para u del ai Burr dai.

 

Zgjaten rrugët e Veriut e n’lumninë e Rrugës Durrësit,

Si dikur në turrin e dhimbjes, hej se kurë e kush e di,

Vdekja na u turr atëherë kur robëria erdhi drejt fundit,

Por fundshekulli s’na mundi kurrsesi…

 

Përmendorja rri serbes, shikon lartë, kujton betejat

Nga mëngjesi në mbrëmje në këmbë, para i kalojnë fëmijtë,

Shëtisin flokëbardhët, të dashuruarit, të rinjtë e të rejat,

Ai gëzimtari i përjetshëm i jetës, uron e përshëndet përditë.

 

Burri i historisë, i palodhur, në këmbë mbi mermer,

I urtë për kombin, i rreptë për pushtuesin, kuvendtar gjithnjë,

Gatuar me durim dhe besë, trim e i paepur përherë,

Betuar mbi flamurinë e trimërinë shqiptare, deri në pafundësi.

 

Sa vite udhë, sa shekuj luftë, për të ardhur këtu,

Sa andërra fëmijërie sollën këtu trimni Jashari,

Kosovën e lirë, shekujt bashkë me ne ëndërruan kështu,

Shqipërinë e bashkuar, se shkelë më këmbë barbari.

 

Kreshtave të Rugovës, fluturon një shqipe,

Bijtë që nga 100 vjet lindur mbi krahët e sajë,

Një nga një ua la kreshtave të maleve ndër vite,

Të bijtë në çdo mal, si fëmijë ia mban, në çdo majë.

 

Luginave të  Çiçavicës, po vrapon si Inxhil,

Në trupin e lodhur plot djersë, plot gjak,

Një kreshnik që bëhet Mujë e Halil,

Kreshnikë që bëhen kushtrim e bajrak.

 

Drejt Vojnikut, shpatinave erën çan një drer,

Një erë që e bën thikë, shpatë e plumb,

Kushtrimin lëshon kullë më kullë, e derë më derë

Fushave në vrap mejdaneve, dhimbjen ai mund.

 

Nëpër natën pa rrugë e shtigje, ndriçon një pishtarë,

Në dritën e vet, hënën në mes të yjeve,

Një pishtarë i ndezur nga shqiptari ma i parë,

Në dritën e vet, në sytë e trimave.

 

Në trupin e drurit kujtimet çukisin pa nda,

Shpirti numëron plagët e dhimbjeve,

Në gjoksin e gurit, gojë e plumbit si vetull syri,

Përditë u merr dritë Diellit e yjeve.

 

-13 shtator 2011-

 

 

Rinisë lulet m’ia paskan marrë

 

As natës, as ditë nuk m’i ngjanë

Errësira e syve të mi,

Herë me ëngjuj e her me…

(si i thonë qoftëlargëtit)

Kur kaloj pranë varreve, ulem dhe rri.

 

Buzëqesh atëherë kur më thonë po vdes

Në shtratin e vdekjes vërdallosem me mend,

Kur kokën mbi jastëk e mbështes

Në buzëqeshje të shpirtit, trupit kund s’i dhemb.

 

Rinisë lulet m’ia paskan marrë

Kur hap dritaret e lexoj kujtimet,

Era e luleve, as stinët më nuk janë

E dhimbshëm përplasen mendimet.

 

Në degët e ëndrrave lotët lagin dhimbjet

Sa herë nga vuajtjet jetën kam ëndërrur

Vdekja për së gjalli, jetë s’mund të quhet,

Sa herë në teh të jetës unë kam kaluar.

 

Jam këthyer prapë, tjerët më kanë shpëtuar

Më sollën aty, gjallë në mes të gjallësh,

Përmaje shekujsh, shekuj i larguar

I humbur i tretur, mbytyr në mes dallgësh.

 

Të tjerët pyetini -a ka dhimbje shumë

Udhëtoi vdekja me mua në gojë…

Kur isha në agoni e djersët shkonin lumë

Njeriu mund të vdesë, kur s’mund të jetojë.

***

Shpindëkërrusur fshati im mbështetur nën Kunorë

Brinjëdalë shpati Selimaj në Geghysenin e traditës

Buzëtharë, besëdhënë, besëmbajtës ata malsorë

Bujarë

Rrugë shpati dhishë ku shqiponjat kanë kalanë

Përmbi përrojet si lot mali qëndrojnë si urë

Ku kalojnë kalimtarët gurë mbi gurë,

Nëpër gurë të lëmyshkur.

 

Rrugëngushtat e mia me gardhishta e megja

Kullat nëpër ju e matanë ndërveti kuvendojnë

Gurra ujëftoftat e mija që nga thellësi buroni

Oshëtimën e nëntokës më sillni çdo rrahje zemre

E fjalë nëndheu më hukatni në vesh të bucelës

Buzëtharët njomni, gurra-llullë-toke

Buzënjomat njomin buzët, duarëbardhat lajnë faqet

Fjalë u thoni në vesh dadave që vijnë jaranin ta takojnë

Ta shikojnë vetëm një herë e fjalët ia u thonë

O gurrat e shenjëta ujëprurëse

Lajmëtare

Po shkoj të mbushi ujë, - i thotë nusja vjehrrës!

(Per ZemraShqiptare, nga Tirana, Janar-Shkurt, 2014)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora