E merkure, 04.12.2024, 12:38 PM (GMT)

Kulturë

Kabil Bushati: Brengat e Pjerin Ashikut

E diele, 09.02.2014, 07:17 PM


Brengat e Pjerin Ashikut

Nga Kabil Bushati

Ne mbrëmjet e vallëzimit që organizonim  kur ishim në gjimnaz, në aureolën e tangove që interpretonte orkestra ishte pa diskutim “Lulja e Majit”. Ne shkriheshim nën tingujt e kësaj muzike të embël që kur e dëgjon mund të themi pa hezitim se ajo shkrin akujt e zemrës më të ftohtë në botë dhe e bën të përjetojë valë të ngrohta. Kjo këngë magjike u bë hymn i mbrëmjeve të vallëzimit dhe koncerteve të asaj kohe.  Kënga kishte marre skenat dhe kishte marre zemrat e shkodranëve. Po ku kishte linde kjo këngë lapidare. Kishte lindë në tokën e dashurisë, aty në Pjacën e Shkodrës. Atë e kishte kompozuar Pjerin Ashiku i cili jetonte në Pjacë dhe dilte përnatë aty tek dyqani i valutës duke përjetuar botën mistike të tingujve dhe melodive. Në këtë Pjacë kanë lindur mijra këngë nga kompozitorë të ndryshëm shkodranë. Si perherë në krah të tij qëndronin dy aktorë brilantë të humorit shkodran Tano Banushi dhe Bik Pepa. Bile Tanon e këcënonin shpesh se do ta përjashtonin nga partia se rrinte pasdrekeve me Pjerin Ashikun i cili nxirrte barcoleta kunder partisë, si e vetmja mënyre kundervënie ndaj padrejtësisë që i bënte dikatura. Po kush ishte ky njeri që nxorri ketë këngë perlë e cila i ka rezistuar kohës për gjysëm shekulli dhe bëhet përditë më e dashur dhe më e kërkuar? A ka kompozuar këngë të tjera apo është mjaftuar me një?  Nga vinte dhe çfarë konservatori kish kryer,të Romes apo të Vjenës, të Parisit të Berlinit?

Pjerin Ashiku lindi në qytetin e Shkodrës me 10 tetor 1926 në një familje të vjetër dhe me tradita shkodrane. Familja e Pashko Ashikut (baba I Pjerinit) ban pjesë në ato familje që e kanë kultivuar kulturën në Shkodër. Për katër breza kjo familje ka mbajtur farmaci moderne në mes të Shkodrës duke i shërbyer bashkëqytetarëve me ilaçe qysh ne shekullin e XVIII-të. Falë kësaj dinastie efemere Shkodra përdorte ilaçe të prodhuara në Itali,Gjermani,Austri e Francë kur Tirana ziente akoma gjethe mullage e hithërash për semundjet e stomakut e te melçsë. Babai i Pjerinit ishte doktor farmacist i diplomuar në Romë që në vitin 1903. Ndersa nëna, Teresa ishte me prejardhje ruse e lindur ne kryeqytetin e Rusië; Perburg. Nëna Teresa ishte e motra e konsullit rus të akredituar në Shkodër. Nuk e teprojme po të themi se kjo dinasti ishte e një rangu për nga kultura me familjet europiane. Ndaj prinderit ishin të interesuar për edukimin e fëmijëve kryesisht me kulturë europiane.

Që në moshë të njomë,akoma pa i mbushë 7 vjetë, bie në sy të prindervet se shijet e Pjerinit anonin nga muzika dhe kënga. Kjo ra në sy edhe të Ndrekë Kaçulinit i cili kishte në Pjacë dyqanin kryesor të kinkalerisë. Nuk vonoi dhe Ndreka, duke qenë vetë muzikant, t’i dhuronte Pjerinit të vogël një kitarë dhe një fizarmonikë, te parën që kishte ardhë në Shkodër. E ku mbahej Pjerini tashti duke bere muzike  me shokë më  të rritur se vehtja. Që në moshën adoleshentë aktivizohet më  Ndrek Kaçulinin në  orkestrën muzikore. Duke pa se ishte talent në muzikë, prinderit e fusin me marrë mësime muziket në violin  tek Pader Martin Gjoni. Shkollën e mesme e kreu pranë Kolegjit Saverian, ku u dallua si talent i lindur shumë premtues në fushat e muzikës, kantos dhe aktrimit. Pjerini ishte një instrumentist  i talentuar në kitarë, fizarmonikë, instrumeta të cilat gjatë gjithë jetës do ta shoqëronin në krijimtarinë e tij muzikore. Çlirimi I Shqiperisë nga pushtimi italo-gjerman e gjeti Pjerinin maturant të sapodiplomuar. Aktivizohet në melodramat Juda Makabe, Basifondi. Ishte mik I kompozitorit të madh Prekë Jakovës, Zef Zorbës dhe më vonë I basit Lukë Kaçaj dhe kompozitorit Zef Lekaj. I vjen koha të kryejë shërbimin e detyrueshem ushtarak  por edhe aty I buzeqesh fati dhe e kalon pranë Korit të Ushtrisë. Aty duan ta mbajnë përherë,por se kujt i kujtohet prejardhja e tij “borgjeze” dhe e largojnë. Kthehet ne Shkodër.

Për nevoja ekonomike nderpret tërë aktivitetet muzikore dhe kërkon punë. E cakojnë punëtor në Ndërmarrjen Ushqimore. Pas pak kohësh drejton grupin e estradës të kësaj nderrmarje dhe fiton çmimin e parë. Në këtë grup amator këndohen edhe këngë që kishte fillu të kompozonte Pjerini, të cilat biejnë në sy të opinionit të at’herëshëm për embëlsinë e tyre. Me krijimin e Estradës së Shkodrës caktohet me orkestren e saj. Aty shquhet për shoqerimin muzikor të parodivet dhe intermexove. Gjatë kohës që qëndroi në estradë bie në sy një hop cilësor dhe promovimi I talenteve të reja si Zyliha Miloti,Tonin Tërshana e Besnik Çinari etj ,të cilët vite më pas u bënë këngëtar dhe aktorë estrade të njohur në gjithë Shqipërinë.

Por nuk qe e thënë që të vazhdonte gjatë në estradën e qytetit. E largojnë prej estradës dhe e caktojnë axhustator ne Parkun e Automjeteve. Kjo ishte një goditje e rëndë për Pjerinin. Nga Estrada profesioniste dergohej në një ndermarrje si axhustator. Në vend të fizarmonikës a kitarres do te merrte në duar tornon. Por edhe aty ai nuk dorëzohet, por krijon një grup amator estrade që konkurroi denjësisht në shumë takime kombetare dhe mori çmime te para. Shtojme ketu se i terë libreti dhe muzika ishin krijimtari e Pjerin Ashikut. Kjo ka qenë periudha më kulminante e Pjerinit në drejtim të krijimtarisë tij muzikore. Ketu spikati talenti i tij dhe kultura e tij e gjerë. Krijoi parodi të shumta dhe kompozoi shumë këngë të pa harrueshme që këndohen edhe sot, mbeshtetur kryesisht në motive popullore shkodrane.

Pjerinin, falë humorit të tij, e njihnin të gjithë në Shkodër e më gjerë, përsëri punonte në Parkun Automobilistik, tashmë edhe i rritur në “përgjegjësi”, si dizenjator, dhe njëheri ishte libretist, kompozitor dhe fizarmoniçist i përkryer që ishte zemra e estrdës së ndërmarjes së asaj kohe. Në këtë periudhë lindën këngët prestigjioze “Trotuari I qytetit tim”, “Çilma shtegun”, “Det e dashuri”, “Ermira”, “Miri i vogel”, “Kukulla”, “Valbona” etj etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve spikatë talenti i tij edhe si piktor.

Krijimtaria e mirëfilltë muzikore e kompozitorit Pjerin Ashikut  përfshinë 140 këngë, e shume parodi e intermexo muzikore. Në kohën e diktaturës këngët e tij janë kënduar me sukses në Dekadat e Majit si psh këngët “Një zog i vogël” dhe “Ermira” por ajo që e nevrikoste gjithmonë Pjerinin ishte fakti se asnjeherë nuk dilte  emri i tij si kompozitor. Kjo fshehje e emrit  të tij nga ana e pushtetit e mërziste dhe e therte në zemër. Në këtë periudhë,pranohet në Festivalin e Këngës në RTV, por është për t’u shënuar  transformimi që pëson kënga e “Kukullës” të cilës i shndrrohet emri dhe titullohet “Vashat”. Le që i ndryshohet titulli por i bëhën transformime rrënjësore dhe skartohet qysh në naten e parë të festivalit. Më vonë kënga e “Kukullës” këndohet nga këngetarja e mirë njohur Justina Alija në “ 100 vjet muzikë”, këngë të cilën e kishte kënduar në Festivalin e Fëmijëvet qysh në vitin 1964. Një transformim të skajshëm pësoi edhe kënga “Ermira” të cilës ju vu emri “Bija ime” dhe nuk iu përmend fare autori. Kënga “Miri I vogël” pëson një skandal edhe më të madh duke ju nderruar titulli dhe duke u kthyer  “Besmiri I vogel” duke ia kushtuar nipit të Enver Hoxhës. Gjithnjë pa u pyetuar dhe përmendur autori, sepse diktatorët  kishin nevojë edhe për këngë që të kushtoheshin nipave të tyre, ku pyesnin ata për autorët..

Në kohën e demokracisë kënga “Një zog i vogel”, me tekst të shkrimtarit të mirë njohur shkodran Fadil Kraja dhe me muzikë të kompozitorit  Pjerin Ashiku përvehtësohet me paturpësinë më të madhe nga një këngëtar korçar bile arrin të quajë vehten edhe  kantautor në radio-televizionin shqiptar në vitin 1999. Si e thamë edhe në fillim të shkrimit, Pjerin Ashiku është autori dhe kompozitori i këngës brilante “Lules se Majit”, një nga perlat e muzikës shkodrane dhe shqiptare.

Të befason fakti që edhe kësaj këngë i janë bërë tokë krijuese dhe të tjera vise si Korça, Ulqini e Kosova.  Sepse tekefundit kudo ka të dashuruar dhe të brengosur nga dashuria. Kudo ka një  lule maji dhe për çdo njeri do kishte një këngë apo serenatë. Por nuk ka kudo kompozitor si Pjerin Ashiku, ata nuk lindin kund tjetër veçse në Shkodër. Në vitet e demokracise këtë këngë e këndon Ermira Babaliu dhe e paraqet si pa gjë te keqe si këngë korçare (serenatë), duke i ndryshuar edhe linjen muzikore dhe duke i nderruar pa përgjegjësi teksitin. Për këtë Pjerini i drejtohet me një letër drejtorit të RTSH-së por nuk mori asnjëherë përgjigje. Shteti po i kundervihej me heshtje duke i lënë të tjerët të bënin çfarë të donin me këngët e tija. Historia e përvehtësimit të kesaj kënge vazhdon dhe sot e kësaj dite. Po t’i pyesesh korçarët të thojnë:”gjene mirë “Lulka e majit”  eshtë një serenatë pe Korçe”,  po t’i pyesesh kosovarët të thojnë;” heu,hala se ke marre vesh o shqipe se asht kajkë gjakovare e k’ndueme prej Isës(Ismet Pejës)” e keshtu me radhë. Sejcili tenton t’i  vëjë myhyrin e vet., gjithë sejcili kërkon ta “hipotekojë” dhe  ta shpallë pronë të veten. Kjo “luftë” dixhitale vazhdon prej vitesh sikur të kishte filluar dje. Mos harroni se kjo këngë e Pjerin Ashikut mban të shënuar vitin 1954. Gjithsesi kënga ka udhetuar në kohë dhe hapsirën mbarëshqiptare duke u bërë një “Vals i Danubit” shqiptar, nëse hungarezët kanë një valcer famoz siç eshtë ‘Valsi I Danubit” edhe shkodranët  kanë një tango monumentale siç eshtë “Lulja e Majit” ose Tangoja e Bunes. Tingujt e saj të vihen mbrapa dhe te shoqerojne gjate gjithë Pjacës Pedonale te qytetit të Shkodrës si hije të ëmbela.

Por ti je vyshke e më s’ke erë

Lulet e tua për mua s;kanë më vlerë,

Nuk je ti lulja e bukur e ditës së majit

Por je lulja e këngës sime të vajit…

Kur e dëgjon ajo provokon me të njëjtën magji edhe me vibrimet e më të akulltës zemër që mund të ekzistojë në botë. Ka shtegtuar kjo lule e erëandëshme pothuajse në të gjitha trojet shqiptare prej më se gjashtë dekadash dhe përsëri ka mbetë këngë monumentale.  Por erdhi një ditë që Pjerini u lodh nga kjo shtypje e heshtur që dalngadalë po e cfiliste dhe po i merrte shpirtin.  Ishin vitet e diktaturës dhe në dhjetra mbledhje të komitetit ekzekutiv për artin i shkaktonin fyerje gjer në dhimbje shpirtërore duke e etiketuar si sentimentalist e pesimist në muzikën e tij. Në një rast proverbial kompozitori iu është përgjigjur me fjalët lapidare duke cituar  vargjet e këngës “Miri i vogël” që ja kishin transformuar e cila thoshte se; “një pushkë e një kazëm i shtohen atdheut” këtu kompozitori u ngrit në këmbë duke u rebeluar e u tha me ironi:”apo doni këngë vetëm   me pushkë e mitraloz…I u duk sikur shfreu tërë brengen që i ishte grumbulluar në shpirt.

Kompozitori Pjerin Ashiku kurr nuk pati asnje sadisfaksion moral apo trajtim ekonomik. Gjithë jetën u la në harresë e me rrogë të vogël sa për të mbajtur frymën gjallë. Megjithëse ishte kompozitor, instrumentist, kantautor, e humorist  që i këndoi tërë jetën me shumë dashuri Shkodres dhe njerëzve të saj, ishte njeri i dashur dhe me shpirt polidimensional ai u la në internim virtual në mes që qytetit.  Me 21 shtator 1995 Pjerin Ashiku mbylli sytë përgjithnjë. Bashkëshortja me djalin e vajzen kanë emigruar në SHBA. Mark Bregu, shoku i tij, i ka kushtuar këto vargje në një gazetë lokale:

Syt me lot mbushen prej vajit

Vajtojn’ Zanat e Veleçikut

Kur kujton “Lulen e Majit”’,

Kangen perl’ t’Pjerin Ashikut.

Muzikant e humorist

Që e deshti Shkodra mbarë,

Si piktor e si artist

Shpirt e zemer qytetar.

Pjerin Ashiku ka vite që ka vdekur, duke marre me vehte brengat dhe hidherimet që i shkaktoi jeta nen diktaturë. Zanat e Velçikut  ka vite që vajtojnë mbi murrana. Mbi varrin e tij atje në Rmaj  harliset selvia dhe çelin drandofillet. Era u përkëdhelë  gjethet ,dhe se bashku me erën akoma dhe sot vijnë ato tinguj e famoz  të “Lules së Majit” ose nëse mund ta quajme “Tangos se Bunës”…U prehsh në paqe o Pjerin…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora