E shtune, 27.04.2024, 03:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Poezi e motivuar nga jeta

E shtune, 08.02.2014, 06:16 PM


POEZI E MOTIVUAR NGA JETA

Emine Imeri: “Dashuria s’ka mbarim”, poezi, botim i autores – Prishtinë, 2011

NGA XHELADIN MJEKU

Emine Imeri (1984), ndonëse kohë e shkurtër që kur është e pranishme në opinionin krijues, që në paraqitjet  e para të saj ka lënë gjurmët e një talenteje të vargut poetik, që buron nga shpirti krijues me synime të një ardhmërie të mirë dhe të qëndrueshme krijuese.

Sidomos, kur kihet parasysh aktiviteti i saj në fushëveprimtaritë artistike, si vallëzimi, aktrimi dhe poezia, nuk ka se si të mos kemi konsideratën në rrugëtimin  e saj përkushtues me  vizione për jetën, dashurinë dhe peripetitë që krijon koha gjatë rrugëtimit tutje.

Ardhja e saj me librin e parë me poezi, të cilat prej kohësh i publikonte në faqe elektronike dhe në shtypin e kohës, prej nga kishte shumë lexues dhe adhurues të fjalës së saj poetike, duke i dhënë mendimet dhe komentet për vlerat dhe idetë që përshkonin këtë krijimtari poetike, dëshmon për synimin dhe përkushtimin e saj të kujdesshëm dhe plot sfida e të qenurit prezente në jetën artistike-letrare me  vlerat e dëshmuara.

Përkushtimi tematik

Në organizimin ciklik të përmbledhjes poetike “Dashuria s’ka mbarim”, që po venerojmë përciptazi, pa u lëshuar thellë në një analizë të zgjeruar, takojmë një përkujdesje rreth organizimit të njësive poetike sipas motiveve dhe frymëzimit që  e preokupojnë këtë autore të re në letrat shqipe. Ky organizim dallon me formën  komunikuese mes vete, duke ruajtur lidhjen motivore deri në formën shpjeguese. Që të tri poezitë, që i paraprijnë cikleve të këtij libri,  në një mënyrë paraqesin diçka si parathënje, a programatikë e hyrjes, e pastaj ciklet në vijim: “Diamantët e jetës”, “Edhe miqtë e mirë janë pjesë e familjes”, “Jeto që ta bësh emrin e pavdekshëm!”, “I pasur është ai që ndan pasurinë me të tjerët”, “Njeriu i dashuruar ka krahë”, “Mallin e dashurisë s’mund ta shuaj asnjë krua”, “Edhe dashuria dhemb”, “Dashuria është lehtë të fitohet dhe të humbet, por vështirë të mbahet!”, duke u përmbyllur me një fjalë të  recensentit dhe disa mendime nga lexues dhe adhurues të poezisë së Emine Imerit, të publikuara nëpër faqe sociale dhe kulturore e letrare elektronike të internetit.

Që në fillim të paraqitjes së Emine Imerit me krijimet e saja poetike, kam hetuar një talente që meriton të lexohet dhe dikund në një faqe elektronike, pas leximit të poezive të saj kam dhënë një opinion timin që po citoj edhe këtu: Rima e kujdesshme dhe vargu i çiltër janë në funksion të kuptimit të lehtë të poezisë së Emës. Kjo karakteristikë e krijimtarisë së saj sa vie e përfeksionohet nga përkushtimi i saj, deri në zbulimin e një talenteje të kujdesshme. Suksesi rrugëton pas vlerës që po shtrin krahët horizontit krijues të Emine Imerit.

Në gjithë krijimtarinë e Ema Imerit, sado që tematikisht është përqëndruar në ngjarjet historike, në përditshmërinë dhe në pjesën më të prekshme për moshën – motivin erotik, ajo nuk e tejkalon për asnjë çast motivin për jetë dhe dashurinë për të arritur sa më lart në majat e sukseseve në punën dhe angazhimet shumëdimensionale nga bota e artit dhe kulturës, që e preokupojnë dhe e provokojnë unin e saj krijues.

Është i gjërë vargu i poezive që do të veçoheshin këtu, por megjithatë mund të thuhet se ndonjëra meriton të citohet, çoftë për temën që trajton, çoftë për ndërtimin strukturor-gjuhësor dhe përgjithësisht për vlerat letrare-artistike dhe mesazhin që i drejtojnë receptorit të vëmendshëm. Të këtilla janë ndër të tjera edhe poezitë: “Dekorimi i jetës“, “Nënë”, “Një copë bukë”, “Çdo gjë për asgjë”, “Të kundërt”, “Jam për ty”, etj. Por edhe shumë poezi që nuk i cituam këtu në fakt nuk qëndrojnë larg vlerave të interpretuara mjeshtërisht e që mund të hetohen gjatë rrugëtimit të lexuesit të pasionuar për poezinë.

Tematikat e trajtuara të krijimtarisë së saj poetike shtrihen në shumë rrafshe, si familja, shoqëria, shkolla, miqësia, kurbeti, pastaj autorja nuk rresht së kënduari për heronjë e ngjarje histoorike, ku portretizon shumë figura të shquara, që u flijuan për lirinë e atdheut, si Skenderbeu, Adem Jashari, Naim Frashëri, pastaj u këndon edhe ngjarjeve të shënuara, si pavarësisë, flamurit, etj. E gjithë kjo bëhet edhe më e fuqishme kur preket me një dorë të talentuar, ku figura, simboli, metafora e shprehjet e rrjedhshme  me një pastërti fjalësh gjuhësore e bëjnë lexuesin të ndihet shumë komod dhe i integruar në frymërrugëtimin poetik të kësaj krijueseje, qe sa vie e bëhet pjesë e botës së letrave shqipe, si një suferinë që hap petalet e luleve të frymëzimit të saj të pashterrur.

Dashuria si lajtmotiv

Tek poezia e Emine Imerit vend të veçantë zë vargu i jetës intime, i ëndrrës së fatit dhe lumturisë, duke gjurmuar thellë në shpirtin e saj, në gjetjen e “dashurisë“ që do ta trasonte ecejaken e jetës me gjithë synimet për një të ardhshme të begat e plot vrull jete..

“Emrin tënd, fjalën e parë,

e zbukuroj me dorën time,

përplot afsh e ledhatoj,

me dashurinë e buzës sime”.

(“Ndjenjë mbi letër”, fq. 61)

Edhe dëshprimi, dështimi apo edhe ndarja, nuk mund t’i shpëtoj “shënjestrës” së mprehtë të penës së saj, duke e ndier thellë në shpirt edhe humbjen edhe shqetësimin si një fatkeqësi që e dëshpron dhe e thyen shpirtërisht. Kjo e keqe që e pllakos shpirtin poetik të Emine Imerit ku shfryn mllefin dhe shpalos shqetësimet me vargun e ndieshëm dhe plot mall vjen e skalitur me përkushtim  te poezitë: ”Rrugë të mbarë”, “Më mungon”, “Nga larg”, “Të ndiej me imagjinatë”, “Nëpër shi e shoh diellin”, “Kthehu, e vetmja dashuri”Gjysma ime”, “Ndjenja të lidhura”, “Alfabeti i dashurisë”, “Me çarçaf të bardhë”, “Aromë trëndafilash”, etj dhe sidomos te poezia “Dashuria s’ka mbarim”, e cila e simbolizon potencialin krijues të Emës, ku simbolikisht edhe e prezanton gjithë materjen poetike, duke e pagëzuar  edhe librin, meqë një ndjenjë kaq e fuqishme e prek në shpirt, duke i lënë vërragë të thella në çdo çast, edhe atëherë kur qan qielli, kur në lindje perëndon dielli, kur lulet vyshken e drunjtë thahen maleve, kur zogjtë nuk  cicërojnë e uji shterron, por më e dhimbshme është atëherë kur “Edhe ti nëse shpinën ma kthen,/ tek unë nëse më kurrë nuk vjen,/ shpirti nëse më rënkon, fryma ndalon,/ as atëherë, dashuria nuk mbaron!” , fq. 91.

E tillë është poetja, edhe kur i këndon jetës, edhe kur përballet me sfidat e ndryshme, edhe kur e “zhgënjen” dashuria, ajo vendos barrikada fjalësh e shprehjesh poetike dhe reziston  deri në pathyeshmërinë e saj motivore dhe emocionale.

Jashtë përmbylljes imagjinative

Nuk është e lehtë të thuhet një fjalë përmbyllëse për një talente që synon sukseset në vazhdimësi. Kjo vlen, sidomos për  këtë krijuese të re, por të talentuar dhe para së gjithash të paisur me njohuri të shumta nga bota artistiko-letrare që parreshtur sjell në opinionin e saj artdashës krijime me frymëzim e tematikë të qëndrueshme. Imagjinata e saj krijuese sikur i ka vënë vetes një qëllim të   pandryshueshëm, duke rrjeshtuar kështu edhe vargun shpirtëror, edhe fjalën e mendimin prej talenteje në botën e muzikës dhe aktrimit, pë të përmbushur njëkohësisht gjithë qëllimet dhe ambicjet e saja në jetë dhe krijimtari.

Edhe kur lexohet poezia, edhe atëherë kur mendimi ka peshën e vet për mbresat nga kjo lëndë, mbetet edhe shumë për t’u thënë, meqë asnjëherë nuk mund të përmbyllet një mendim apo vlerësim i gjithë asaj që mbruan vargu poetik i autores në fjalë. Kjo  bën të kuptohet se Emine Imeri tashmë ka zgjedhur rrugën e saj të komunikimit me receptorin, gjithnjë duke tejkaluar barrierat dhe klishet e mundshme në fillet e shkrimeve të saj. Ajo nis komunikimin spontan por të kapshëm nga të gjitha shtresat e lexuesve, duke u dhënë formën, vlerën, kuptimësinë dhe mesazhin e plotë dhe të përgjithësuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora